100 vjet më parë
sovraniteti dhe liria kombëtare e shtetit të pavarur shqiptar u siguruan me anë
të triumfit të Luftës së Vlorës, epopesë moderne të bashkimit të forcave
shqiptare të diplomacisë, artit ushtarak dhe heroizmit të tribunëve popullorë. Lufta
e Vlorës ishte një luftë me një karakter kombëtar ku u përfshinë strukturat e
shtetit shqiptar nëpërmjet Prefekturës së Beratit që mbulonte administrativisht
edhe hiterlandin e Vlorës që mbahej ende e pushtuar nga italianët , organizimit
të forcave vullnetare dhe mbështetjes diplomatike. Si një luftë e tillë u perceptua
dhe në opinionin publik shqiptar të kohës dhe jehonën që pati në shtyp. At
Shtjefën Gjeçovi do të shprehej në gazetën “Mbrojtja Kombëtare” për këtë
ngjarje se : “Në luftë të Vlonës luftoj besa e trimnija kundra fuqijet e dijet…
Filluen luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit
vëllazëror, e patën sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthye
dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve.. Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë
Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon
gjaku fjesht shqiptar”[1].
Por mes nganjëdhyesve që hyjnë në Vlorë mungonin heronjtë e martirët e lirisë,
e mbi të gjithë Selam Musai , bir i shquar i Labërisë. Selam Musai është
shembulli i virtytit dhe heroizmit në epokën e re të shqiptarizmit, i
sakrificës dhe i lirisë që nëpërmjet jetës së vet u dha forcë e mbështetje
themelimit të shtetit tonë kombëtar. Patriotizmi dhe atdhedashuria, rënia e tij
heroike 100 vjet më parë u kthyen në
këngë e simbol duke u bërë njësh me ndërgjegjen e kombit
Një jetë në shërbim të kombit.
Selam Musa Salaria
lindi në lagjen Mesas të fshatit Salari, Tepelenë më 1860. Familja e tij u
merrej me mbarështimin e bagëtive dhe ne periudhën e vjeshtës e shpërngulnin
stanin dhe kalonin në zonat e ngrohta, në kullotat dimërore në anën e Delvinës
dhe Vlorës. Jeta tradicionale e fshatit shqiptar të krahinës së Labërisë në
mesin e shekullit të XIX rrotullohej mes mbarështimit të ekonomisë blegtorale
dhe miqësive tradicionale të formuara në shtegtimet e bagëtive. Ky aspekt i rëndësishëm
i jetës së përditshme së fshatarëve të mesëm në jug të Shqipërisë krijonte
premisat e lindjes së një patriotizmi lokal që shumë shpejt nën zhvillimet e
vrullshme të Hyrietit, fillimit të aktivitetit të çetave patriotike dhe
kryngritjeve antiosmane të viteve 1911-1912 u kthye në një nacionalizëm të
mirrëfilltë. Tradita e zonës kish nxjerrë në pah karaktere e figura të
rëndësishme si Zenel Gjoleka, Hodo Nivica, Rrapo Hekali, Tafil Buzi etj që 80
vite më parë kishin ruajtur traditën qeverisëse të vendit dhe mospagimin e
taksave të njohura si kryengritjet e Tanzimatit, por këto kryengritje si është
pranuar gjerësisht nuk përfshinin brenda tyre një program të qartë nacionalist
për themelimin e shtetit kombëtar shqiptar. Edhe pse ekzistonte një farë
patriotizmi lokal që shpesh herë gjente
shprehje ashtu siç na dëshmon Hobhouse-i në veprën e vet A Journey through Albania and other provinces of Turkey in Europe and
Asia, to Costantinople during the years 1809 and 1810 në deklarimet e banorëve, që kur i pyesnin
s’e ç’ishin, banori shqiptar nuk thoshte përkatësinë fetare, por përgjigjej
“Jam shqiptar”[2],
prapëseprapë ky patriotizëm lokal nuk shtrihej në përmasa përgjithësuese që
mund të përbënte një nga bërthamat e themelimit të identitetit shqiptar dhe
pastaj më vonë atë kombëtar. Ndryshe paraqitej situata në fillimet e shekullit
të XX përsa i përket zhvillimit të idesë kombëtare mes shqiptarëve. Selam Musai
ra në kontakt me idetë kombëtare kur ishte ushtar në Jemen nga patriotët
shqiptarë të Misirit.[3] Kur
filloi zgjimi kombëtar i shqiptarëve 1840-1912, kolonia shqiptare e Egjiptit u
shndërrua në një nga kolonitë më aktive për sa i përket Rilindjes Kombëtare. Por
ai hyri në gjirin e lëvizjes patriotike në fillim të shekullit të XX. Që nga
viti 1905 në Tepelenë vepronte një komitet i fshehtë, i cili punonte aktivisht
për çeljen e shkollave shqipe. Selam Musai mbajti lidhje të ngushta me çetat
patriotike e sidomos me atë të Çerçiz Topullit. Ai kishte kontakt edhe me
krerët e çetave të para të Kurveleshit
dhe Tepelenës si Demo Eminin, Ismail Kason, Shaqo Buzon, Abas Nivicën, Kanan
Malon, Hito Lekdushin, Tahir Liçajn, Asllan Velikon, Sulo Beqirin, Zeman
Mashkullorën etj.
Gjatë viteve
1907-1908 ai mbante lidhje edhe me një komandant tjetër çete Nazif Hadërin nga
Palavlia. Pas shpalljes së Hyrjetit nga xhonturqit qarqet patriotike besonin se
do përfitonin shumë, por në realitet nuk
pati ndonjë ndryshim, pasi ata nuk i mbajtën premtimet. Në vitin 1911 filloi
Kryengritja e Jugut dhe malet u mbushën prapë me çeta. Selam Musai në këto vite
u vu në krye të çetës të fshatit Salari. Në vitin 1911 në Alipostivan të
Përmetit u vra edhe miku i tij Nazif Hadëri, gjatë luftimeve kundër forcave
osmane. Kryengritja e vitit 1911 pati rëndësi të madhe sepse sepse ndezi
ndjenjën kombëtare të kombit, ku i shtoi besimin popullit edhe tregoi dobësitë e
Perandorisë Osmane , e cila hyri në bisedime me ta duke u bërë atyre lëshime.
Në të njëjtën kohë ajo rrëzoi propagandën e fqinjëve jugorë të Shqipërisë që
pretendonin se kryengritje antiosmane për një shtet të pavarur shqiptar kishte
vetëm në Kosovë e veri të Shqipërisë. Përmes kuvendit në Manastirin e e Cepos
ajo njësoi lëvizjen kombëtare shqiptare dhe kërkesat e saj politike si në veri
ashtu dhe në jug të Shqipërisë. Mbledhja e Cepos ishte mbledhje e çetave
patriotike të Shqipërisë së Jugut e mbajtur në Manastirin e Cepos (rrethi i
Gjirokastrës) më 21 korrik 1911 në mbështetje të kërkesës për autonominë e
Shqipërisë të parashtruar nga kryengritësit e Malësisë së Mbishkodrës në
Memorandumin e Greçës. Pjesëmarrësit e mbledhjes iu kundërvunë orvatjeve të
qeverisë xhonturke për të trajtuar kryengritjen e veriut si një lëvizje lokale,
duke u njohur vetëm malësorëve disa të drejta. Mbledhja kërkoi që njohja e
këtyre të drejtave të shtrihej në gjithë Shqipërinë, që vendi të kishte një
sistem të vetëm administrimi dhe qeveria të themelonte një lloj regjimi në veri
e në jug të Shqipërisë, për të siguruar që shqiptarët të jetonin si element
kombëtar. Në dhjetor 1912, Selam Musai iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit
dhe qeverisë së Vlorës për ta mbështetur në vendosjen e autoritetit shtetëror
në Shqipërinë e Jugut duke u kthyer në
një faktor të rëndësishëm të krahut të armatosur të lëvizjes kombëtare
shqiptare në Jug të Shqipërisë. [4]
Në mbrojte të tërësisë territoriale të Shqipërisë.
Në tetor të vitit
1912 shpërtheu lufta Ballkanike kundër Perandorisë Osmane. Shqiptarët kishin
vite që luftonin kundër Perandorisë Osmane për të përfituar pavarësinë, por
këtë herë do ishte ndryshe, pasi Shqipëria rrezikonte nga vendet fqinje,
tërësinë territoriale dhe egzistencën e saj. Ajo nuk po i kapte armët për
forcimin e Perandorisë Osmane, por për ti dalë zot tërësisë tokësore e lirisë
së Shqipërisë. Në nëntor të vitit 1912 në Tepelenë u dha alarmi se forcat greke
kërkonin të pushtonin tokat shqiptare. Selam Musai duke qënë në krye të burrave
të Salarisë ishte një nga të parët që shkoi në Tepelenë e më pas në Janinë për
t'u prerë vrullin forcave greke që të mos futeshin në tokat shqiptare. Selam
Musai u caktua si një nga drejtuesit e këtyre forcave. Luftimet në Bezhan qenë
nga më të rreptat, ku u plagos edhe Selam Musai. Luftimet përreth Janinës ishin
nga më të ashprat, ku vetëm nga fshati Salari u vranë 7 veta, midis të cilëve
Aqif Llaka dhe Braho Liçi e Vehip Liçi, këta të dy kushurinj të parë të
Selamit.[5]
Pas shpartallimit
të ushtrisë osmane, trupat greke në muajin mars të vitit 1913 u gjendën në
portat e Tepelenës dhe më 18 mars e pushtuan atë. Në të njëjtën kohë por me një
kahje tjetër për sa i përket identitetit kombëtar shpërthen dhe rebelimi i
ashtë quajtur “epirot” në jug të Shqipërisë i organizuar nga një renegat
shqiptar, Kristaq Zografo-ish ministër i jashtëm i Greqisë nga fshati Qestorat
i Lunxhërisë dhe një nga “shpirtrat e humbur” të shqiptarëve në betejën e tyre
me Helenizmin dhe Kishën greke. “Rebelimi” u nxit dhe u mbështet nga ushtritë
pushtuese greke, të cilat kishin hyrë në territorin shqiptar, përkatësisht në
Gjirokastër e Sarandë. “Bandat epirote” të Zografos mundën të marrin pjesë si
palë në bisedimet që Komisioni Ndërkombëtar ndërmori me autoritetet greke,
bisedime nga të cilët u formulua dhe “Protokolli i Korfuzit”, që iu dërgua
fuqive të mëdha për ta miratuar, miratim i cili erdhi në datën 2 Korrik. Bandat
vorio-epiriote dhe ushtria greke kreu krime të mëdha në zonën e Tepelenës. Kulmi
i kësaj dhune të pashembullt do të
manifestohej më 29 prill të vitit 1914, ku andartët greke mbasi morën peng 219
burra kryesisht nga fshati Hormovë i çuan në kishën e fshatit Kodër .Nga aty,
ata filluan ti merrnin dy e nga dy, duke i masakruar me thika e bajoneta. Këtë veprim ata e maskonin se gjoja
po i merrnin në pyetje .[6] Në këtë ditë çeta
luftarake e e salarjotëve e drejtuar prej heroit të popullit Selam Musai, së
bashku më çetat e Dukajt, Turanit dhe Veliqotit, ishte e zënë me luftime për dëbimin
e këtyre forcave renegate nga krahina e Tepelenës . Me të marrë vesh për këtë
ngjarje makabre, luftëtarët e këtyre çetave, kërkuan menjëherë që të hidheshin në një sulm përfundimtar për
të asgjesuar këto forca të cilat më së shumti ishin djem të rinj , paramilitarë,
të burgosur ordinerë dhe krimielë të llojeve të ndryshme të rekretuar nëpër
burgjet greke. Të nesërmen e kësaj ngjarje tragjike çeta e Salarisë zuri vijën Tërbuq-Labovë e Vogël, kurse forcat
greke zunë vijën Hundëkuq –Labovë e
Vogël .[7] Luftimet
kundra ushtrisë paramilitare dhe andartëve
grekë qenë të rrepta. Lufta e Labovës e organizuar si një luftë popullore ku
spikati roli dhe kontributi i Selam Musait do të kthehej në një përvojë të
çmuar gjashtë vjet më vonë në luftimet në Vlorë kundër italianëve. Në këtë
luftë forcat paramilitare e andarte greke humbën pjesën më të mirë të ushtrisë të tyre,
kurse Selam Musai humbi njeriun e tij të besuar nga fshati Salari, Ali Rakip
Llakën. Luftimet do të vazhdonin edhe jashte territorit të krahinës së
Tepelenës duke u kthyer në këtë lloj mënyre çetat patritotike vullnetare në një
bërthamë të ushtrisë së ardhshme kombëtare shqiptare.
Selam Musai në rrjedhat e organizimit të Luftës së Vlorës.
Më 26 prill 1915 u
nënshkrua në kryeqytetin britanik një marrëveshje, e cila ka hyrë në histori si
Traktati i Fshehtë i Londrës. Ajo u nënshkrua nga përfaqësuesit e Britanisë së
Madhe, të Francës dhe të Rusisë në njërën anë dhe të Italisë në anën tjetër. Përfundimi
i kësaj marrëveshje ishte të kënaqte
lakmitë italiane dhe ta reshtonte atë përkrah Antantës. Traktati i Londrës i
vitit 1915 ka hyrë në histori si një ndër aktet kryesore të diplomacisë së
fshehtë. Ai është në të njëjtën kohë një ndër aktet nderkombtare më tipike të
periudhës së imperializmit në përgjithësi. Nga arsenali i diplomacisë zor se ka dalë një akt tjetër si ky, që ta
karakterizojë më mirë thelbin e politikës së fuqive të mëdha ashtu dhe metodat
e saj. Duhet theksuar se në gjithë këtë traktat asgjë tjetër nuk e nxjerr aq
qartë natyrën e vërtetë të imperializmit, të politikës së tij sidomos ndaj
vendeve të vogla, sesa ajo pjesë që bën fjalë për shqipërinë e fatin e saj.[8]
Nenet që i
referohen direkt Shqipërisë janë nenet 6
dhe 7. Neni 6 i kushtohet kërkesës kryesore të Italisë, së cilës i përgjigjet
duke parashikuar “sovranitetin e plotë italian mbi Vlorën, mbi ishullin e
Sazanit dhe mbi një territor të gjerë sa
të siguronte mbrojtjen e atyre pikave”.
Nëni 6 reflektonte synimin e hershëm diplomatik të Italisë për të pasur
një kryeurë politike, ekonomike e
kulturore të vet në Ballkan. Në nenin 7 bëhej një ndarje e territoreve sipas
konceptit imperialist të Traktatit të Londrës , pasi krahas rregullimeve të tjera
territoriale në favor të Italisë, përfshihej edhe coptimi i ri i Shqipërisë. Italisë
me këtë formulim i jepej e drejta për të përfaqësuar një shtet shqiptar në marëdhëniet
me jashtë. Forcat italiane ishin në Vlorë që në dhjetor 1914 dhe gradualisht
gjatë Luftës së Parë Botërore u zgjeruan gjithandej në jug të Shqipërisë. Zona
e pushtimit italian, gjatë Luftës së Parë Botërore përfshinte krahinat përreth
Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës e Tepelenës, të cilat
përbënin një zonë me rëndësi strategjike për pushtuesit. Pavarësisht lehtësirave
të shumta që ofruan italianët si në arsimimin shqip, urbanizimin dhe rritjen e
mirëqenies mes popullsisë, shqiptarët nuk u pajtuan as me pushtuesit e rinj. Format
e hershme të organizmit të rezistencës antiitaliane fillojnë që në fund të
vitit 1918. Ndërkohë në Shqipëri ishte krijuar në dhjetor 1918 fill një muaj
pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Qeveria e Durrësit me Kryeministër
Turhan Pashë Përmetin. Qeveria u formua prej 14 anëtarësh. Kjo qeveri do të
kishte në përbërjen e saj këta emra: 1. Turhan Pasha (kryetar), 2. Preng Bib Doda
(nënkryetar), dhe anëtarë: 3. Sami bej Vrioni, 4. Dr. Mihal Turtulli, 5. Myfit
bej Libohova, 6. Imzot Luigj Bumçi, 7. Midhat bej Frashëri, 8. Luigj Gurakuqi,
9. Mehmet bej Konica, 10. Lef Nosi, 11. Mehdi Bej Frashëri, 12. Fejzi bej
Alizoti, 13. Mustafa Kruja, 14. Pjetër Poga. Qeveria e Durrësit ishte nën
ndikimin italian. Pro politikës së saj ishin Myfid Libohova, Fejzi Alizoti,
Mehdi Frashëri, Sami Vrioni, Mustafa Kruja. Një traktat i fshehtë mes qeverisë
së përkohshme të Durrësit dhe qeverisë së Italisë u nënshkrua nga ministrat
Myfid bej Libohova, Fejzi bej Alizoti dhe këshilltarit të Legatës italiane në
Shqipëri markezit Karl Durrazzo. Sipas tij, një komisar i lartë i Italisë
kontrollonte dhe vendoste mbi punët e qeverisë shqiptare si dhe për vendimet me
rëndësi si buxheti, ndërtimet, koncensionet, emërime, pushime në administratë.
Këtë qeveri Italia e konsideroi si një delegacion pranë qeverisë italiane, i
cili pa lejen e Adetto Gobit nuk bënte asnjë shpenzim. Në
kushtet e një protektorati italian Qeveria e Durrësit e kishte të vështirë për
të ndërmarrë hapa që kishin të bënin me çështjen e Vlorës, hiterlandit të saj. Qeveria
e Durrësit u përpoq t’u dilte përpara këtyre përpjekjeve , duke thirrur
mbledhjen e Senatit më 15 tetor 1919, por dështoi dhe ai nuk u mblodh , as në
këtë datë e as më vonë. I vetmi sukses i saj ishte marrja nën kontroll e
prefekturës së Gjirokstrës.[9] Gjirokastra
pas presionit të qarqeve patriotike shqiptare i dorëzua Qeverisë së Durrësit në
21 dhjetor 1919 dhe trupat italiane u tërhoqën por vazhdonin të mbanin ë
pushtuar hiterlandin e Vlorës duke përfshirë dhe qytetin e Tepelenës. Krahas
organizimit në nivele të larta të patriotëve shqiptarë kishte filluar një punë
e rëndësihme e organizimit në terren. Ndërkohë politika italiane kishte marrë
tipare të rrezikshme. Më 29 korrik 1919 ishte nënshkruar marrëveshja
Titoni-Venizelos, sipas së cilës Italia angazhohej të mbështeste në Konferencën
e Paqes kërkesat greke për aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës , ndërsa Greqia
do të mbështeste mandatin italian mbi Shqipërinë e cunguar nga ana territoriale
, si dhe aneksimin e Vlorës prej Italisë.[10]
Në këto kushte ,patriotët
shqiptarë, duke parë se nuk mund të shpresonin në mbështetjen e ndonjë fuqie të
huaj, rritën përpjekjet për organizimin e qëndresës kundër pushtuesve italianë.
Në fund të 1918-ës, Halim Xhelua, mblodhi në Brataj arsimtarët e krahinës dhe
formuan organizatën “Shtiza e Qytetërimit”, e cila në të vërtet ishte bërthama
e “Mbrojtjes Kombëtare”. Qëllimi i kësaj organizate ishte të përhapte idenë e
kryengritjes së armatosur në të gjithë krahinën Vlorë-Tepelenë-Himarë, si e
vetmja mënyrë shpëtimi. Në këtë mbledhje u vendos, që të lajmërohej e gjithë
krahina e Tepelenës, Kurveleshit dhe Gjirokastrës, për këtë Halim Xhelua dhe
Abdurrahman Çiraku shkuan në Kurvelesh, Tepelenë e Gjirokastër. Në Kurvelesh
ata u takuan me Shuko Dalipin dhe Riza Runën, të cilëve u thanë se Vlora ishte
gati për luftë kundër italianëve.
“Kurveleshi i Sipërm pranoi mendimin tone, thotë A. Çiraku, si në Nivicë,
Tepelenë dhe në Gjirokastër u muarën vendime të shkruara e të firmuar, nga të
gjithë njerëzit që muarën pjesë në atë mbledhje”[11]. Në Tepelenën e pushtuar nga italianët, më
1919, u krijua një komitet, që u quajt “Komitet i Fshehtë” i cili do të merrej
me organizimin e qëndresës së armatosur. Ky Komitet ishte i pëbërë nga Qazim
Koculi. Baba Ahmet Turani (Luzi), Haxhi Shehu, Arshi Shehu dhe nga Kurveleshi,
Riza Runa, Sulo Lekdushi e Myslim Hajno. “Komiteti i Fshehtë” bëri një takim me
26 mars 1919, ku ishin të pranishëm edhe
nënprefekti i Tepelenës Qazim Koculi, si dhe Halim Xhelo nga Vlora dhe Veli Hashorva
nga Gjirokastra”.[12]
Në janar 1920 u
mbajt Kongresi i Lushnjes i cili hodhi bazat e strategjisë kombëtare për
ruajtjen e tërësisë territoriale të kufijve të Shqipërisë londineze të vitit
1913. Për ti bërë ballë copëtimit , Kongresi i Lushnjës kishte diskutuar
krijimin e komiteteve “Mbrojtja Kombëtare”, të cilat do ti kundërviheshin një
agresioni të mundshëm grek në Shqipërinë e Jugut dhe, veçanrisht , do të
organizonin qendresën e armatosur kundër italianëve. [13] “Komitetet
e Fshehta”, me orjentim të Kongresit të Lushnjes, të ktheheshin në Komitete të
“Mbrojtjes Kombëtare” në të gjithë Shqipërinë. Në fillim të marsit 1920
Komiteti i fshehtë u mblodh në Teqen e Turanit, ku vendos që kryetar i Komiteti
të “Mbrojtes Kombëtare” të ishte Baba Ahmet Turani dhe anëtar ishin Arshi
Shehu, Sheh Ali Bënça, Sulejman Luzati, Riza Runa, Haxhi Shehu, Selam Musai,
Ismail Malo, Feim Mezhgorani, Rakip Duka, Sadulla Xhaferi, Sulo Lekdushi, Medi
Shehu etj. Komiteti thirri në një takim në teqen e Malit në afërsi të Luzatit,
45 krerë të fshatrave të krahinës. Në këtë takim ishte lajmëruar edhe Shaqo
Llapi dhe 80 të arratisur që ishin fshehur nëpër male si kundërshtar të
pushtuesëve italianë. Këtyre ju bë thirrje që t’i kthenin çetat e tyre, në çeta
patriotike. Ata pranuan, që të viheshin nën drejtimin e Komitetit, për të
luftuar pushtuesit. Në këtë takim u caktuan detyratë reja, përveç marrjes së
masave për fillimin e kryengritjes, dhe u ndanë detyrat për tu lidhur me krahinat e tjera.[14]Një
mbledhje e rëndësishme ishte ajo e Turanit në maj të vitit 1920 ku u krijua dhe
"Komiteti i Tepelenës". Komiteti mori në dorë pregatitjen dhe
drejtimin e kryengritjes, ku organizoi mbledhje nëpër fshatrat e Tepelenës dhe
formoi çetat e luftëtarëve. Fshatrat e Lopësit bashkuan çetat e tyre në një, me
komandant Dule Dalanin nga Dhëmblani, kurse çetat e fshatrave Salari, Dukaj, e
Turan formuan çetën e përbashkët ku komandant i kësaj çete ishte si fillim
Selam Musai e më pas Islam Malua dhe zëvendëskombandant Memë Sherifi. Kjo
ndodhi pasi Selam Musai u caktua nga komiteti si komandant i dy çetave të
Tepelenës.
Të gjitha këto
takime u organizuan nën frymën e strategjisë të patriotëve shqiptarë të
miratuar në Kongresin e Lushnjës. Qeveria shqiptare e Sulejman Delvinës ndoqi
një sttrategji të zgjuar dhe efikase. Ajo nxiti dhe mbështeti organizmin e një
kryengritje popullore[15] e
cila nuk do të merrte karakterin e një lufte mes shtetit shqiptar dhe atij
italian. Kështu qeveria e Tiranës synonte ti shmangej përgjegjësisë për shpërthimin
e kësaj lufte dhe në të njëjtën kohë e la rrugën të hapur për të vijuar bisedimet diploamtike me
italinët të cilat ishin ndërprerë më 25 maj 1920, duke e vënë veten në rolin e
ndërmjetësit midis kryengritësve dhe ushtarakëve italianë. [16]
Më 30 maj komiteti
i Vlorës i bën thirrje komitetit të Tepelenës për mbledhjen që do bëhej në Beun
më 2 qershor. Më 3 qershor, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i Vlorës i drejtoi
komandantit të forcave italiane , gjeneral Piancentin-it, një ultimatium në të
cilin theksohej se populli shqiptar konsideronte si shkaktare të copëtimit të Shqipërisë
vetëm Italinë e cila, me politikën saj imperialiste , këmbëngulte në aneksimine
Vlorës. Ultimatiumi kërkonteqë deri në mbrëmjen e 4 qershorit , komandanti
italian të pranonte që Vlora me rrethinat e saj, t’i dorëzohej qeverisë
shqiptare , në rast të kundërt , fjalën do ta kishin armët.[17] Komandanta
italiane nuk e përfilli ultimatiumin dhe e nënvlerësoi forcën e kryngritësve
shqiptarë. S.Piancentini pohonte se kryengritësit ishin një masë amorfe pa
udhëheqje dhe pa disiplinë ndaj ishin të parrezikshëm.[18]
Ky nënvlerësim dhe mos marrje në konsideratë të forcave kryengritësve shqiptare
që kishin në mes të tyre oficerë me përvojë që kishin shërbyer në Perandorinë
Osmane apo dhe prijës popullorë si Selam Musai, Zigur Lelo, Sali Murati etj do tu
kushtonte shtrenjtë në pëprlasjen e armatosur që filloi në mbremjen e 5
qershorit. Sulmi qe i menjëhershëm kundër të gjitha garnizoneve italiane por më
të fuqishme ishin në Kotë , kundër regjimentit të gjeneral Gotit , që mbrohej
me fortifikata të betonuara dhe nga zjarri i artilierisë. Lufta e Kotës do
ishte një nga luftrat më kryesore kundër italianëve, ku vetë Goti i kërkonte
Piaçentinit përforcime. Italianët kishin bërë edhe përforcime me tela në bazat
e tyre, të cilat i pengonin trupat shqiptare. Në këto momente u shfaq taktika
popullore e prijësve të çetave kombëtare, Selam Musait e Zigur Lelos që vendosën gunat përmbi tela dhe kështu mundën
të kalojnë mbi fortifikimet . Afër mëngjesit kryengritësit hynë brenda
kazermave dhe i detyruan forcat italiane të dorëzoheshin. Brenda 5 qershorit
ranë dhe garnizonet e Drashovicës, të Gjormit e të Matohasanajt. Pas dy ditësh
u dorëzuan dhe ushtarët e rrethuar në Llogara dhe u godit garnizoni i Tepelenës,
i cili qendroi i rrethuar në kështjellën e qytetit edhe për disa ditë. Në këtë
mënyrë përfundoi me sukses faza e parë e luftimeve , gjatë së cilës u zunë
robër më shumë se 1000 ushtarë dhe oficerë italianë.[19]
Më 9 qershor forcat
kryengritësve rrethuan garnizonin e Vlorës i cili kishte zënë pozicione
strategjike jo vetëm brenda qytetit por edhe në rrethinat e tij. Suksesi i
fazës së parë të luftimeve i dha mundësi qeverisë shqiptare që të ndërhynte dhe
të luante një rol përcaktues në bisedimet e mundshme të paqes. Po në 9 qershor
, qeveria shqiptare e njoftoi F.Castoldi-n se ishte e gatshme të ndërhynte në
Vlorë për ndërprerjen e luftimeve , nëse brenda 36 orëve do ti dorëzohej asaj
administrimi i krahinës, në rast të kundërt, ajo nuk do të mbante asnjë përgjegjësi
për vazhdimin e gjakdredhjes në Vlorë dhe për shkallëzimin e mundshëm të
luftimeve kundër ushtrisë italiane në pjesë të tjera të vendit.[20] Italianët
nuk e pranuan sërish këtë ofertë të qeverisë shqiptare dhe duke besuar në
fortifikimet e linjave ushtarake në Vlorë shpresuan se do të mund të rikthenin
sërish gjendjen e mëparshme në terren.
Më datë 11 qershor
në orën 22:00 forcat kryengritësve mes tyre dhe çeta e Salarisë me Selam Musain
në krye nisën sulmin mbi Vlorë. Luftimet
vazhduan gjatë gjithë natës dhe në mëngjes herët kryengritësit hynë në lagjet e
qytetit. Luftimeve iu bashkangjitën edhe qytetarët e Vlorës që rrëmbyen armët
dhe goditën ushtarët italianë ndërsa ata tërhiqeshin. Gjatë këtyre luftimeve
pati shumë të vrarë nga të dy palët. Luftëtarët e çetave patriotike shqiptare
luftuan me vetëmohim e heroizëm. Në kodrën afër spitalit, në Qafën e Koçiut
gjatë luftimeve me italianët mbeti i vrarë Selam Musai dhe shoku i tij Shefqet
Shehu. Në raportin që i dërgonte Ministrisë së Punëve të Brendshme më 17 qershor,
prefekti i Beratit shkruante “...i
quajtur Selam Musa, që me një trimëri të madhe hyri brenda në Vlorë dhe zuri
Kus-Babanë, me dymbëdhjetë shokë më s’mundën të dalin dot dhe pandehet se kanë
rënë dëshmorë”.[21]
Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos shkruante më 10 korrik: “në këtë luftë humbën
edhe patriotin e dëgjuar Selam Musai me disa salariotë...”.[22]Lufta
me italianët vazhdoi dhe pas vdekjes së
Selam Musait, pasi qeveria shqiptare dhe forcat kryengritëse dëshironin ti
jepnin fund çfarëdolloj sovraniteti italian mbi Shqipërinë. Në këto kushte pas
disa tentativave të dështuara të diplomacisë italiane për të ruajtur një
sovranitet mbi disa pjesë ë territorit të Vlorës, komandanda ushtarake kërkoi armëpushim. Më 2 gusht 1920 qeveria shqiptare dhe ajo
italiane nënshkruan protokollin
shqiptaro-italian, sipas të cilit Italia do të tërhiqej nga Shqipëria, duke
njohur pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar. Italia ruajti
vetëm kontrollin e ishullit të Sazanit, si një garanci të kontrollit ushtarak
italian mbi kanalin e Otrantos.
Tërheqja e trupave
franceze nga Korça në 15 maj 1920 dhe përfshirja e kësaj krahine në shtetin
shqiptar, lufta e Vlorës dhe hyrja e forcave qeveritare shqiptare në 3 shtator
1920 si dhe lufta kundër forcave pushtuese të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene
në verë-vjeshtë 1920 i siguruan Shqipërisë tërësinë territoriale dhe një nga
kushtet kryesore për të zhvilluar lirinë e vet politike. Lufta e Vlorës , si
lufta ku spikatën organizimi tradicional i luftëtarëve shqiptarë nën organizmin
administrativ të qeverisë së Tiranës krijoi premisat që organizimi tradiconal i
shoqërisë shqiptare mund të modernizohej drejt formimit të një shteti të
centralizuar kombëtar. Shembulli heroik i Selam Musait, i kthyer në një mit
kombëtar për shqiptarët e ardhshëm dëshmoi
se në themelet e pjekurisë politike të shqiptarëve , bota tradicionale
shqiptare mund të kontribuonte për ti dhënë jetë lirisë politike si parakushti
më i rëndësishëm në zhvillimin modern të një kombi.
Bibliografi:
1 - Akademia e
Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e shqiptarëve gjatë
shekullit të XX. Lufta e Vlorës, Tiranë: Botimet albanalogjike, 2019.
2- AQSH, fondi “Lufta e Vlorës”, dosja 1.
3- Arben Puto,
Çështja Shqiptare në aktet Ndërkombëtare të periudhës së Imperializmit,
vëll.II,8 Nëntori, 1987.
4- Abdurrahaman
Çiraku, “Kujtime” AIH, Dosja A-VII-105, f. 2-4.
5- Arkivi i Muzeut
Historik Tepelenë.
6- Lufta e Popullit
shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920, vëll.II, Akademia e Shkencave e RPSH,
Instituti i Historisë, 1975-1976.
7- M.Montanari., Le
truppe italiane in Albania (anni 1914-20 e 1939) , Tipografia regionale, 1978.
8- N. Shehu,
Enciklopedia e Tepelenës Toena 2007
9- Paskal Milo, Politika e Jashtme e Shqipërisë , vëll.I(1912-1939),
Tiranë:Toena, 2013
10- Shpëtim Mema,.Shqipëria dhe
shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë.Tiranë:, 8 Nëntori, 1988.
11- Xhafer Matuka.
Selam Musa Salaria., Tiranë : 8 Nëntori, 1975.
12- At Shtjefën Gjeçovi. Gazeta Mbrojtja Kombëtare. 1921.
13- Gazeta Koha. 10 korrik 1920
[1]
At Shtjefën Gjeçovi, Gazeta Mbrojtja
Kombëtare. 1921.
[2]
Shpëtim Mema,.Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë.Tiranë:, 8
Nëntori, 1988, f. 70
[3]
Shih për më tepër Xhafer Matuka. Selam Musa Salaria., Tiranë : 8
Nëntori, 1975.;Arkivi i Muzeut Historik Tepelenë.
[4]
Arkivi I Muzeut Historik Tepelenë.
[5]
Arkivi i Muzeut Historik Tepelenë.
[6]
Muzeu Historik Tepelenë, Dos. Historiku I fshatit Hormovë, fq 18.
[7]
N. Shehu, Enciklopedia e Tepelenës
Toena 2007, fq 331
[8]
Arben Puto, Çështja Shqiptare në aktet
Ndërkombëtare të periudhës së Imperializmit, vëll.II,8 Nëntori,1987, fq.151
[9]
Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e
shqiptarëve gjatë shekullit të XX. Shqipëria në shekullin e XX, ringritja e
mundishme, Tiranë: Botimet albanalogjike, 2019,
fq
[10]
Paskal Milo, Politika e Jashtme e Shqipërisë
, vëll.I(1912-1939), Tiranë:Toena, 2013,f.416-417
[11]
Abdurrahaman Çiraku, “Kujtime” AIH, Dosja A-VII-105, f. 2-4.
[12]
Bardhosh Gaçe, , “Mësuesi Ibrahim Selimi”, bot. 2014, f. 67.
[13]
Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e
shqiptarëve gjatë shekullit të XX. Lufta e Vlorës, Tiranë: Botimet
albanalogjike, 2019, fq 75
[14]
Arkivi i Muzeut Historik Tepelenë.
[15]
Lufta e Popullit shqiptar për
çlirimin kombëtar 1918-1920, Vëllimi II, DOK.NR.23, F.379-380,.Letër e
Ministrisë së Punëve të Brendshme
dërguar prefekturës së Vlorës, Tiranë, 25 qershor 1920;po aty,
dok.nr.326, f.381. Urdhër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dërguar Eshref
Frashërit në Elbasan për nisjen e municioneve në Vlorë, Tiranë, 28 qershor
1920.
[16]
Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e
shqiptarëve gjatë shekullit të XX. Lufta e Vlorës, Tiranë: Botimet
albanalogjike, 2019, fq 76.
[17]
Lufta e Popullit shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920, vëll.II, dok.nr
.280, Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i Historisë, 1975-1976, f.324-325
[18]
M.Montanari., Le truppe italiane in Albania…., f.214-215 në Akademia e Sudimeve
Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e shqiptarëve gjatë shekullit të
XX. Lufta e Vlorës, fq 79
[19]
Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e
shqiptarëve gjatë shekullit të XX. Lufta e Vlorës, Tiranë: Botimet
albanalogjike, 2019, f. 79
[20]
Po aty, f.79
[21]
AQSH, fondi “Lufta e Vlorës”, dosja 1, dok. Nr. 51282
[22]
Gazeta Koha. 10 korrik 1920.