Këto armë janë pisqolla dhe shpata shqiptare e Marko
Boçarit në Muzeun e Armëve ne Paris.Koburja e përdorur nga Marko Boçari është e
tipit gjarpërushe e zbukuruar me argjend, ndërsa shpata është e llojit sabre që përdorej nga kavaleritë
europiane të kohës. Koburet serme
punoheshin nga armëtarët dhe argjendarët shkodranë. Dorezën e kishin si kokë
gjarpri, të veshur me pafta argjendi. Ato qenë skalitur me motive bimore të
stilizuara, në reliev. Tyta dhe çarku bëheshin prej hekuri. Gjatësia e tyre
arrinte rreth 59 cm, ndërsa kalibri 20 mm. Koburet serme qenë prodhim i viteve
1780-1800. Ato janë përdorur si armë brezi nga suljotët. Shpata e llojit sabre
është një shpatë e kavalerisë së lehtë e përdorur në luftërat e Napolonit në
Europë. Ajo përbëhej nga një dorezë që mbronte dorën, një teh të gjatë më dy
presa dhe në fund me një përthyerje të fortë. Marko Boçari ka të ngjarë ta ketë
përfituar në kohën kur shërbente në Ishujt Jonianë në regjimentin shqiptar
"Gjuajtësit e Orientit" të formuar nga francezët e të përbërë nga
shqiptarë. Regjimenti “Gjuajtësit e Orientit” ishte një regjiment i formuar
kryesisht nga suliotët dhe nga shqiptarët e tjerë nga kontinenti që ofronin
shërbimin tradicional të mercenarisë por edhe kishin braktisur vendet e tyre si
rezultat i armiqësive që kishin pasur me pushtetin e centralizuar të Ali Pashë
Tepelenës.
Në armatimin personal, qoftë të ushtarit të ushtrive
feudale shqiptare, apo të çdo banori të armatosur, në shek. XVII-XIX, bënin
pjesë: pushka e gjatë (karajfilja) ose pushka e shkurtër (karabina), dy
pistoleta (kobure), jatagani, dy vezme, vajmbajtësja, thupra (harbia) dhe brezi
i mbajtjes së armëve (silahu). Pushka e gjatë shqiptare, e cila prodhohej e
zbukurohej edhe në vend, të cilën tek shumë autorë të tjerë të huaj e gjejmë të
emërtuar thjesht “amautka” apo “paftalia”. Kjo armë, në fakt, ka qenë
përmirësimi i mëtejshëm i pushkës me fitil, i mushketës dhe i arkebuzit, të
përdorura në vendin tonë gjatë shek. XV-XVII. Me spikatjen e çarkut me goditje
dhe gur stralli, rreth vitit 1630, pushka e gjatë filloi dhe vazhdoi të
prodhohej nga armëtarët shqiptarë gjatë shek. XVII-XIX.
Ka të dhëna se Shkodra, si qendër e madhe tregtare dhe
zejtare, qendër sanxhaku, vilajeti dhe pashallëku, me tytat e vendit dhe të
jashtme, plotësonte jo vetëm nevojat e veta, por me to furnizonte edhe
Prizrenin, Gjakovën, Tetovën, Elbasanin, madje ato shiteshin në Delvinë, në
Grabovën e Gramshit deri në Bonila të Janinës.
Si nga ana funksionale, ashtu edhe nga paraqitja e
jashtme prodhimi i armëve tregonte për një nivel të lartë tekniko-mjeshtëror të
arritur në vendin tonë. Shqiptarët e Shkodrës, të Gjakovës dhe të Prizrenit
janë mjeshtër të famshëm në punimin e armëve dhe të objekteve të tjera prej
metali. Në Ekspozitën Universale të Parisit (1854), nga objektet që tërhoqën
vëmendjen e vizitorëve të huaj ishin edhe koburet shqiptare të Janinës.
Në konkursin e Londrës (1866) po këto armë morën tituj
nderi. Në Ekspozitën Univerale të Parisit (1867) figuronin armë dhe disa punime
filigrani të prodhuara nga punishtet e Prizrenit, të cilat nuk qëndronin më
poshtë nga ato të punonjësve më të kualifikuar të Evropës. Ndërsa në Ekspozitën
Universale të Cikagos (1894) ishte vendosur edhe një martinë e punuar me
mjeshtëri të hollë nga dora e një armëtari të talentuar nga Tetova.