Tuesday, 21 June 2016

Kisha Katolike në trevat shqiptare



Nëse Arbëria në shekullin XVI do të ishte një mbretëri e lirë për të shprehur vullnetin e vet politik dhe prijësit e saj do të kishin dëshiruar të ndiqnin, modelin filozofik të universalizmit të krishterë, konceptit të rendit botëror që përfaqësonte një përzierje të traditave të Perandorisë Romake dhe të Kishës Katolike, do të kishte vështirësi për ta shtrirë këtë koncept në gjithë hapësirat arbërore.


Wednesday, 15 June 2016

Josif Bagëri dhe Krahina e Rekës së Epërme



Rasti i shqiptarëve të Rekës, kësaj krahine të përbërë nga 18 fshatra dhe të shtrirë në lindje të Dibrës, përtej maleve Korab, Velivar dhe Kërçin, në të dy anët e lumit Radikë[1], është një rast interesant i përfshirjes së tyre në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare pasi identiteti i tyre e kërcënonte Kisha Kombëtare Serbe që në kuadër të politikave asimiluse të saj që përkrahnin politikat nacionaliste të shtetit serb, kërkonte t’i përfshinte banorët e saj  brenda një identiteti kombëtar serb. 


Sunday, 12 June 2016

Ali Pasha dhe Suliotët.




Konsilidimi i pashallëkut të Janinës do t’i kushtonte shumë energji Ali Pashë Tepelenës, e për më tepër kur krahina e Çamërisë e sidomos krahina malore e Sulit, në fillimet e shekullit të XVIII u u trysnua nën presionin centralizues të pushtetit të tij. Në planet ambicioze të optikës gjeopolitike, një nga kolonat kyçe që Pashai i Janinës e përdorte me mjeshtëri ishte dhe diplomacia e përdorur prej tij si ndaj Portës së Lartë ashtu dhe me Republikën Franceze, gjë që do t’i shërbente në konsolidimin e pashallëkut. 



Tuesday, 7 June 2016

Arma karajfile e Ali Pashë Tepelenës



Historia mund të rrëfehet më së miri jo vetëm përmes dokumenteve por edhe objekteve. Periudhat më të hershme historike shpeshherë flasin me objekte, monumente dhe artefakte të ngjarjeve apo dhe personave të rëndësishëm historikë. Historisë së Ali Pashë Tepelenës, edhe pse e dokumentuar mirë përmes udhëpërshkrimeve apo tanimë së fundi edhe nga dokumentacioni i botuar, i mungojnë objekte të veçanta të Pashait Tepelenas që do të mund të përshkruanin dhe rrëfenin më mirë epokën kur ai jetoi dhe veproi.


Thursday, 2 June 2016

Identiteti i shqipëtarëve në shekullin e iXVI përmes "Agjentëve Perandorakë" të Sir Noel Malcolm


Rudina Xhunga:Një bashkëbisedim të historianëve më të njohur në vend, të kërkuesve, të albanologëve, studiuesve dhe studentëve të historisë me Noel Malcolm, historianin dhe akademikun e mirënjohur, i cili sjell një thesar për shqiptarët, historinë tonë të shekullit të 16-të.Nuk se është hera e parë që flitet për të, por është hera e parë që flitet në një mënyrë kaq njerëzore, aq të thjeshtë dhe të plotë, aq bukur dhe me dokumente të rrallë. Këtë e bën Sir Noel Malkom, në një libër të pazakontë i cili mund të ndryshojë mënyrën e perceptimit për ne, siç kanë bërë gjithë librat e tij për shqiptarët dhe jo vetëm. Por, të dëgjosh Noel Malcolm të flasë dhe ta dëgjosh të bashkëbisedojë me Robert Elsie, me Bejtullah Destanin, Valentina Dukën, Shkëlzen Maliqin, Dorian Koçin, Romeo Gurakuqin, etj., është tjetër gjë.
Dorian Koçi: Si mendoni, sa e rëndësishme ka qenë vetëdija e këtyre personazheve historikë që kanë kontribuar kaq shumë në historinë e Evropës, vetëdija etnike dhe sa mendoni se ka kontribuar dy shekuj më vonë kur Shqipëria filloi të kishte projektin e vetë kombëtar për t’u ringjallur.
Sir Noel Malcolm : Është një pyetje vërtetë interesante. Unë shpesh kam menduar se këta njerëz që i shpjegoj në librin tim se çfarë lloj ndërgjegjësimi kishin ata në vetvete për çfarë do të thoshte të ishe shqiptar dhe nuk ka dyshim që kjo ka qenë pjesa qendrore e identitetit të tyre dhe ata u referohen dokumenteve si albanesi ose në latinisht epirote, kështu që nuk ka pasur pikë dyshimi kurrë që këta janë shqiptarë. Natyrisht që emri është përdorur pak ndryshe në kuptimin gjeografik. Ata kanë qenë nga Ulqini i cili ka qenë në Shqipërinë e ashtuquajtur të Venedikut, por pika kyçe është se ata kishin gjuhën shqipe si gjuhën e tyre amtare. Kështu që ata e quajnë veten shqiptare dhe nuk është diçka që e fshehin, aspak. Ata vijnë nga një kulturë venedikase italiane, ata vijnë nga një familje fisnike me standarde të qytetit të Ulqinit dhe kjo do të thotë se ata kanë 100% kulturë italiane, janë anëtarë të kishës katolike, kanë mësuar latinisht në shkollë, por asnjëherë nuk bëjnë sikur janë kthyer në italianë dhe janë bërë italianë, por gjithmonë kanë mbetur shqiptarë. Të gjitha dokumentet që kam parë, duke përfshirë dokumentet osmane, të cilat i referohen edhe anëtarëve të tjerë të kësaj familjeje, ata janë gjithmonë arnautë, arnautllarë dhe mendoj se kjo është e rëndësishme. Kjo do të thotë që në të dyja anët ka pasur një ndjesi se ka pasur diçka të veçantë kjo popullsi relativisht e vogël e cila ndodhej në kufi të këtyre botëve të ndryshme dhe vlera e tyre nga të dyja anët vinte pikërisht nga ky fakt, nga fakti që ata mund të ishin amfibë dhe kjo është arsyeja pse shpesh janë përdorur në veçanti nga Venediku dhe nga Papa, nga Mbreti i Spanjës. Për shembull, është një moment i mrekullueshëm në fund të librit ku unë shpjegoj luftën midis Habsburgëve dhe Osmanëve dhe kryekomandanti në anën e Habsburgëve është në fakt shqiptar, Giorgio Basta, nga jugu i Italisë, nga një familje arbëreshe, një komandant i shkëlqyer dhe ekuivalenti i tij kundërshtar, kryekomandanti osmanëve është po ashtu shqiptar. Kjo jep një ide të asaj sesa aktivë kanë qenë shqiptarët në të dyja drejtimet, ndaj mendoj se ka qenë e rëndësishme për ndërgjegjësimin e tyre kjo gjë dhe bota e jashtme ka krijuar një ide të veçantë për rëndësinë e tyre në historinë e përgjithshme.


Emisioni Dritare në Vizion Plus. 30.05.2016