Në javët e para të shtatorit mund të shikojmë
arritjen e një konsensusi politik midis dy palëve brenda një seance parlamenti
për çështjen shumë të debatueshme të heqjes së imunitetit të deputetëve.. Për
të folur me tema më konkretë, Lëvizja Socialiste për Integrim nëpërmjet
kryetarit të vet, Ilir Metës ka propozuar dhe ofruar ndihmën e vet për arritjen
e një marrëveshje midis palëve pa i hyrë rrugës së gjatë, të stër mundimshme
nga ana ligjore dhe me shumë shpenzime të referendumit. Si mund të vërehet
lehtë politika shqiptare i ka mjetet dhe mundësitë për të dalë nga kriza
artificiale pasi kur është mëse e qartë që të dyja palët janë dakord në parim
për të njëjtën gjë, modalitetet dhe mjetet mund të gjenden kollaj. Në këtë kontekst
roli moderator i LSI, një rol që pak u mendua kur u arrit marrëveshja
qeveritare në 2009, por që koha përtej retorikës së dy partive të mëdha po
tregon që është pozitiv , mund të
fillojë të rritet e të japë sinjalet e para se një politikë dialogu dhe
konsensusi po troket në pragun e jetës sonë politike. E gjithë kjo përpjekje
pozitive po bëhet për të pasur një mundësi më tepër që Shqipëria në këtë 100
vjetor të pavarësisë të ketë një shans më tepër për të fituar statusin e vendit
kandidat, ndaj përpara se politika të fillojë sërish të ngatërrojë togfjalëshat e Integrimit me interesat e zgjedhjeve të ardhshme ,
mesazhi i këtyre përpjekjeve duhet të jetë i qartë jo vetëm për politikanët por
dhe për masat më të gjera. Mirëpo edhe nëse ky realitet mund të shfaqet i
ngatërruar për publikun e gjerë, në të njëjtën kohë ai është shumë qartë i dukshëm për lojën politike
që në vetvete mbart.
Që nga zgjedhjet e vitit 2009, kur u bë i qartë se
pavarësisht disa ndryshimeve kushtetuese, sërish disa ligje kishin nevojë për
një shumicë të cilësuar të përbërë nga tre të pestat për tu miratuar në
parlament, opinioni publik ka qenë dëshmitar i një loje elektorale në fillim
apo dhe në fund të legjislaturave, ku shumica ka futur në rendin e ditës këto
ligje për tu miratuar dhe opozita duke qenë gjithmonë vigjilente ka deklaruar
se nuk do ti votojë. Pastaj ka pasur deklarata të forta nga të dy grupet
parlamentarë në të cilat si zakonisht në kontekstin e shoqërive shqiptare,
“faji mbetet jetim”, dhe akoma dhe më keq situata ka agravuar në sharje dhe
fyerje të ndërsjella duke tensionuar më shumë klimën politike në vend. Për fat
të mirë kjo pjesë e mundimshme e politikës është kapërcyer me votimin e këtyre ligjeve por ka lënë pas
kulturën e shkatërruar të dialogut që e shikojmë të zbatohet për çdo çështje të
debatueshme midis pozitës dhe opozitës si është rasti i tanishëm i heqjes së
imuniteteve.
Ky film me ngjyra, zë dhe figurë që opinioni
publik po e sheh pothuajse gjithmonë në prag të dhënieve të opinionit të
komisionit Evropian për statusin kandidat të Shqipërisë, i ka lodhur strukturat
administrative ndërkombëtare që merren
me Shqipërinë por dhe ka krijuar një klimë mosbesimi brenda vetë popullsisë
shqiptare përsa i përket arritjes së një marrëveshje politike mes palëve. Ajo
që me të vërtetë duhet të na shqetësojë në këtë lodhje të tyre ndaj nesh nuk
duhet të jetë ndonjë shpresë e vakët se për hir të mosmarrjes më me ne, do të
ketë ndonjë “dhuratë” statusi sepse kështu ndoshta e kanë marrë dhe të tjerët,
por si mendojmë ne se do të zgjidhim nga mënyra politike dhe administrative
ngecjen në vend në procesin e integrimit. Se ku të çojnë statuset e pamerituara
dhe të dhëna sa për inkurajim e tregon rasti i Greqisë që ndoshta ia doli mbanë
për një periudhë kohe të hyjë në klubin e eurozonës dhe të quhet një shtet
prestigjioz në arenën ndërkombëtare përsa i përket reputacionit të vet
financiar, por tashmë po poshtërohet përditë në një krizë që e ka kapluar të
tërën dhe që është bërë shpesh herë dhe objekt talljeje dhe cinizmi nga aleatët
e vet të eurozonës. Ndaj kandili i shpresës së vakët për të përftuar një status
me reforma mballomë duke votuar vetëm ligje me tre të pestat dhe duke hequr
imunitetet por duke mos ndryshuar mentalitet përsa i përket zgjidhjes së
problemit të ngecjes në vend të reformave duhet të fiket sepse në të ardhmen
s’do të jetë në gjendje që të lëshojë qoftë dhe një shkëndijë drite në qiellin
e jetës dhe politikës sociale shqiptare.
Po kështu duhet të fillojë të ndryshojë dhe
deontologjia i konceptit konsensus duke
mos u përqendruar më tek fjala “jap” por duke u fokusuar tek folja lëshoj. Të
hysh në një marrëdhënie konsensusi midis dy palëve do të thotë që të jesh gati
të lëshosh dhe të ndryshosh disa nga qëndrimet e mëparshme për hir të interesit
të përgjithshëm e publik. Po çfarë është gati të ndryshojë nga kërkesat veta Partia Demokratike? Po ajo Socialiste
çfarë është gati të ndryshojë nga pikat e saj? Këtu filli i problemit shqiptar
fillon dhe ngatërrohet dhe nga një lojë e ndershme politike kthehet në një
teatër kukullash ku personazhet e mirë dhe të këqij ngatërrohen me
njëri-tjetrin dhe pothuajse në të gjitha raste ngjallin simpati. Mirëpo nëse
integrimi vazhdon të mbetet paradigma kryesore e teorisë së tyre politike, të
dyja palët ka ardhur koha që të adaptojnë atë dhe në marrëdhëniet midis tyre
ose të kenë kurajën dhe të shpallin një agjendë tjetër të zhvillimit ekonomik,
politik dhe kulturor të Shqipërisë. Bota evropiane që mbart në vetvete dhe
trashëgiminë e demokracisë antike greke e ka dialogun dhe konsensusin pjesë
integrale të kulturës së vet demokratike prandaj është e patolerueshme që vendi
ka ngecur institucionalisht sepse nuk është në gjendje të ketë një dialog të
shëndoshë politik në vend. “Gur, gur bëhet mur” ishte përgjigja e një pyetje që
një nga ambasadorët e huaj bëri kur u pyet se çmendonte rreth dialogut politik
që duhet të fillonte në bazë të paktit të propozuar. Më hapur , më bukur dhe më
shqip nuk ka se ku të shkojë. Të shpresojmë se vjeshta e lagësht është i
përshtatshme për metaforat e ndërtimeve konstruktive në politikën shqiptare.
Gazeta Shqip 31.08.2012