Tuesday, 28 August 2007

Rishkrimi i Historisë







Historinë e shkruajnë fitimtarët”-kjo është një sentencë e njohur që është bërë varrmihëse e historisë së vërtetë. Po cilët janë fitimtarët? Kjo është një pyetje që vështirë se mund ti jepet përgjigje. Ndryshimet e mëdha social-historike kurrë nuk kuptohen në epokën e vet,por duan kohë të përcaktohen dhe vlerësohen si të tilla.Kështu p.sh. francezët pasi shanë e mallëkuan Revolucionin dhe Napoelonin për përmbysjet e mëdha, kodin e Napoelonit e bënë kushtetutën e Francës duke saksionuar në këtë mënyrë këto ndryshime. Edhe epoka e Restaurimit që pasoi më pas ,nuk hyri në punë për ndonjë gjë,por vetëm sa tregoi pafuqishmërinë e kohës së vjetër për t’iu përshtatur ndryshimeve të reja.

Në historiografinë franceze të dyja epokat kanë marrë vlerësimin e duhur duke hedhur poshtë “shpifiografinë” e revolucionarve dhe bonapartistëve për ruajalizmin ,por në të njëjtën kohë iu bë një analizë e plotë tmerreve dhe terrorit të viteve të Revolucionit.Kjo u bë e mundur duke shmangur sa më shumë pasionin e fitimtarëve për të shkruar historinë dhe duke bërë të vetin mendimin që shpreh shkrimtari i njohur francez Anatol Frans tek libri i tij “Krimi i Silvestër Bonarit” se “historia që ishte një art dhe lejonte të gjitha fantazitë e imagjinatës,sot ka arritur të bëhet shkencë,në të cilën duhet të ecet me një metodë të përpiktë”.


Loja e “fantazive të imagjinatës” në historiografinë zyrtare shqiptare e kaloi kufirin e sendërtimeve të miteve apo legjendave përsa i përket historisë moderne të tyre,aq sa shpesh herë jemi detyruar të lexojmë historinë tonë të shkruar nga autorë të huaj apo të mundohemi të krijojmë vetë opinionet tona për figura të ndryshme historike që janë denigruar dhe për ngjarjet historike që janë fabrikuar për të krijuar protagonistë të rremë. Edhe pse shtrëmbërimet monstruoze tashmë janë shmangur,madje edhe pse kanë kaluar më shumë se 15 vjet pas ndryshimeve të viteve 90’,Fishta,Konica,Mithat e Mehdi Frashëri etj vazhdojnë të mos të kenë fituar akoma “statusin” e patriotit në sytë e popullsisë që ndryshimet demokratike i zunë 40 vjeç e lart.Shpesh herë reagohet emocionalisht ndaj fakteve të reja që nuk përfaqësojnë atë çka thonë tekstet e historisë zyrtare të periudhës komuniste,duke shprehur kështu rënien në kurthin e politikës së përditshme që ka monopolizuar gjykimin e drejtë dhe transparent në emër të ruajtes së “llogoreve” dhe elektorateve.


Është e nevojshme që të shpjegohet se rishkrimi i historisë nuk është i përqëndruar vetëm në rivlerësimin e fakteve dhe ngjarjeve historike por dhe në tërë strukturën dhe metodën sesi është shkruar ajo.Historiografia jonë duhet të çlirohet nga etnonacionalizmi pozitiv i cili përpiqet të shpjegojë se çdo lëvizje kryengritëse ka patur karakter kombëtar dhe se në çdo periudhë pas pushtimit turk shqiptarët kanë vepruar të ndërgjegjësuar si komb.Sepse përndryshe nuk mund të shpjegohet sesi është e mundur që rreth 40 vezirë të mëdhenj të perandorisë otomane që ishin shqiptarë nuk bënë asgjë për vendin e tyre,përveçse donacioneve për objekte kulti?!
Veziri shqiptar Ferid Pashe Vlora për periudhën 1901-1908,ndiqte dhe përndiqte patriotët shqiptarë që përhapnin gjuhën shqipe dhe e quante të drejtë të ndërtonte hekurudhën Stamboll-Bagdad-Mekë për pelegrinët dhe për të transportuar trupat turke aty,por nuk iniconte ndërtimin e asnjë metri hekurudhë në atdheun e vet edhe pse nga vilajetet shqiptare të asaj kohe vileshin 40 milionë franga ari taksa.Ishte kjo arsyeja që patrioti rebel Faik Konica shkruante në faqet e “Albania-s” se “e keqja Shqipërisë i vjen nga vetë shqiptarët”.


Me të njëjtën logjikë pozitiviste është shkruar dhe historia e nxehtë e Luftës Antifashiste dhe periudhës që pasoi pas saj.Opinioni mbizotërues që sundon pas viteve 90’ për vlerësimin e kësaj epoke pas shtrëmbërimeve të mëdha që ishin bërë qoftë ne protagonistë,qoftë në ngjarje është se “partia komuniste pati meritë që e rreshtoi vendin në kualicionin fitues dhe kështu siguroi dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë”. Një vlerësim shumë i qartë duke gjykuar nga pozitat e sotme,por sa të ndërgjegjshëm ishin protagonistët e asaj kohe për këtë akt të tyre?Si duhen të trajtohen marrëdheniet shqiptaro-jugosllave të asaj kohe?Vendin në një koalicion fitues si ai i Antantës në Luftën e Parë botërore për informacion të atyre që se dinë e rreshtoi dhe Esat Pashë Toptani duke ndihmuar me këtë akt tërthorazi që Shqipëria të përfaqësohej në Konferencën e Paqes në Paris.Por ndërsa për Esat Pashën dihet se kujt padronëve u shërbente për këta të tjerët së Luftës së Dyte,në ndërgjegjen popullore akoma nuk dihet gjë.Vitet 1945-1948, të mbushura plot me terror dhe që kulmojnë me bashkimin doganor me Jugosllavinë mbeten të hedhin më shumë dritë në këtë drejtim.Si për ironi dramatike,i njëjti gjykim pozitivist sundon dhe për rezistencën antikomuniste.Kësaj rradhe piramida u kthye kokëposhtë dhe u vlerësua se”bajraktarët e Veriut ishin antikomunistë te bindur,sepse kuptonin rrezikun që i kanosej vendit nga kolera e kuqe”duke himnizuar kështu luftën e tyre që në të vërtetë më shumë sesa rezistencë antikomuniste ishte një përpjekje kundër çdo lloj centralizimi.U harrua se dhe mbreti Zog kish patur telashe me ta deri sa më në fund i kish shpërblyer me para duke ua “blerë” kështu resistencën.Ata që kishin jetuar ndopak mes maleve shqiptare, ishin aq të aftë sa të kuptonin se bajraktarët tanë me gjithë respektin e madh që duhet të kemi për ta sepse ruanin zakonet shqiptare, nuk ishin aq të qartë ideologjikisht sa të bënin dallim mes rendit socialist dhe atij kapitalist pasi që të dy për zhvillimin ekonomik të malësive tona ishin krejt të huaj!


Natyrisht faji në këtë mes nuk është as i partizanëve te thjeshtë që bënë detyrën ndaj atdheut e as i malësorve që kundërshtonin një regjim që me të vërtetë u bë skllavërues për kombin shqiptar,por i pasioneve që sa herë që peshorja e historisë anon nga një anë gjejnë “studiues” që e shkruajnë historinë sipas oreksit të atyre që e konsiderojnë veten fitimtarë.Shmangia e kësaj dëshire të fshehtë vlerësimi duhet të bëhet një kriter i rishkruajtes së historisë, që së bashku me kritikën e drejtë ndaj etnonacionalizmit do na japin më në fund mundësinë e të pasurit të një historie të pranueshme dhe admirueshme nga të gjithë.Zgjedhja e “metodës së përpiktë” më shumë sesa një kriter i kulluar shkencor duhet të kristalizohet brenda nesh,sepse historia ashtu siç dihet më shumë se çdo shkencë tjetër është një sagë e njerëzve në kohë dhe hapësirë,një sagë që mund të fillojë si legjendë por që patjetër duhet të hidhet në letër për tu kënduar ashtu siç ka ndodhur.


Monday, 20 August 2007

Regjistrimi i popullsisë dhe minoritetet


Udhëtari anglez i shekullit të XIX, John Cam Hobhouse(1786-1869) në një nga veprat e veta për Turqinë Europine ku përfshihej dhe Shqipëria në atë kohë, vëren se kur banorët pyeteshin se të ç’kombësie ishin, ata përgjigjeshin: “Jemi muhamedanë” apo “Jemi të Krishterë”, kurse banorët e këtij vendi (dmth Shqipërisë-D.K) përgjigjeshin: “Jemi shqiptarë”. Nëqoftëse Hobhouse-i do kishte qënë duke kryer një regjistrim të popullsisë ky do të kishte qenë ndoshta regjistrimi më i pa-paragjykuar ndonjëherë i popullsise shqiptare, krejt i kundërt me atë që praktikonte Perandoria Otomane në atë kohë, që e ndante popullsinë e saj në bazë të përkatësisë fetare.


Tuesday, 14 August 2007

Kundërshtimet e Rusisë





Shkrimtari i njohur çek Jarosllav Hashek,e fillon romanin e tij të famshëm “Ushtari i mirë Shvejk”,me një situatë ambiguiteti, ku personazhi kryesor Shvejku pasi merr vesh se është vrarë një Ferdinand nuk është në gjendje të dallojë se për cilin Ferdinand bëhet fjalë. Në të vërtetë ngjarjet me të cilat fillon romani nuk ishin aq komike dhe s’bëhej fjalë për asnjë nga Ferdinandët që kujtonte Shvejku,por për trashëgimtarin e fronit të Austro-Hungarise, arqidukën Ferdinand të vrarë nga terroristët serbë më 28 Qershor 1914 në Sarajevë.

Me këtë situatë tragji-komike, Shvejku niste karrierën e vet si personazh i pavdekshëm komik, ndërsa terroristët serbë me aktin e tyre nisnin themelimin e një shteti artificial të quajtur Jugosllavi-ku nacionalizmi serb do të dominonte ndaj nacionalizmave te tjerë. Veprimi i tyre do të prishte ekulibrin te forcave në Evropë dhe rrjedhimisht do të sillte dhe shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Ishte për të ardhur keq që për hir të ruajtes së ekulibrit të forcave, një vit me parë Fuqite e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, kishin sakrifikuar fatin e një populli te vogël dhe fisnik si ai shqiptar,duke u dhënë pjesë të konsiderushme të territoreve të tij vendeve fqinje. Ishte kjo arsyeja që kryeministri anglez i asaj kohe Sër Eduard Grey deklaronte në dhomën e komuneve,se vendimet për kufinjtë e Shqipërisë”do të japin shkas për kritika të forta në shumë pika nga kushdo që e gjykon çështjen nga një pikpamje e ngushtë lokale”(dmth nga pikëpamja e kombësisë).Në të njëjtën linjë por pa ndonjë keqardhje të madhe, ministri i jashtëm rus Sozanov do ti shkruante kryeministrit serb Pashic të asaj kohe, se “kemi bërë të pamundurën për tju dhënë krahina krejtësisht shqiptare”.


Një lexim i vëmendshëm i historisë, duke shmangur sensin e ambiguitetit të Shvejkut do t’i mjaftonte Rusisë së sotme, që të mos veçohej nga bashkësia e shteteve që përkrahin pavarësinë e Kosovës, por të jepte kontributin e vet si një shtet-anëtar i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të zgjidhur njëherë e mirë një padrejtësi ku diplomacia e saj e fillimit të shekullit XX mban peshën kryesore të fajit. Rusia nuk do të jetë kështu e vetmja fuqi e madhe që korrigjon vetveten. Edhe Anglia në fillim të shekullit XX ishte një përkrahëse e fortë e Greqisë në konfliktin Greko-Turk, të pas Luftës së Parë Botërore, duke përkrahur pretendime territoriale të Greqisë në Azinë e Vogël, por pas ngjarjeve tragjike të 1921, filloi ta braktiste gradualisht politikën e vet pro-greke duke ndërtuar ngadalë-ngadalë një politikë balancuese në marrëdhëniet e saj me Greqinë dhe Turqinë. Ishte kjo politikë largpamëse që e rreshtoi Turqinë në grupin e vendeve fituese të Luftës së Dytë Botërore (edhe pse Turqia hyri në luftë vetëm në Maj të 45) dhe e radhiti atë në një nga shtetet themeluese të NATO-s. Duke vepruar kështu Anglia dhe më vonë SHBA, krijuan një klimë stabiliteti në Egje që pavarësisht se është prishur shpesh herë në incidente të pakëndshme, gjithnjë kanë gjetur zgjidhje në kuadër të dialogut midis shteteve anëtare të NATO-s.


Në këtë sens, Rusia duhet të jetë e ndërgjegjëshme se prania e shqiptarëve në disa shtete në rajon, i faktorizon ata njëlloj sa dhe aleatët e tyre tradicionalë – serbët, për më tepër që të gjitha rrugët energjitike për në Europë kalojnë dhe do të kalojnë nëpërmjet territorit shqiptar, rrugë për të cilat Rusia është shumë e interesuar për të eksportuar gazin e vet. Loja me gazin që ajo po luan me disa shtete të dobëta europiane kufitare me të,duke i detyruar që të shprehen kundër pavarësisë së Kosovës është një politke presioni, që Rusia ka ndjekur ndaj fqinjve qysh nga koha e Pjetrit të Madh. Është e vërtetë që për disa momente të caktuara në histori ajo ka dominuar mbi ta, por asnjëherë nuk ka nganjëllyer.Hegjemonizmi rus kurrë nuk ka ditur të krijojë marrëdhënie patneriteti,por vetëm marrëdhenie vasaliteti të bazuara mbi arrogancë dhe prepotencë. Rusia me të njëjtin hegjemonizëm, kësaj radhe për llogari të aleatëve të tyre serbë, është duke vepruar në çështjen e zgjidhjes së Kosovës, duke dhënë shembullin më të keq se si një shtet anëtar i Këshillit të Sigurimit mund të keqpërdorë veton. Alibitë e ndryshme juridike-parimore për moscënimin e territoreve të shteteve të tjera nuk janë gjë tjetër vecse një përpjekje për t’iu imponuar botës sërish si fuqi e madhe, një veprim që vjen në një kohë të gabuar dhe kundër një populli që i detyrohet moralisht.Vjen në një kohë të gabuar se bota nuk është më ajo e fillimit të shekullit XX,ku diplomacia cariste lozte me fatin e popujve të vegjël,por është tashmë një botë e integruar dhe e ndjeshme ndaj problemeve etnike dhe lirive dhe të drejtave të njeriut,koncepte të cilat Rusia me sa duket e ka të vështirë ti kuptojë siç e tregon rasti i Çeçenise.


Rasti i Kosovës është unikal përsa i përket zhvillimit të ngjartjeve historike-kostuticionale dhe si i tillë po trajtohet dhe do të trajtohet nga diplomacia botërore,përveçse Rusisë.Serbia nuk ka më të drejtë morale të rikthehet në Kosovë sepse ushtroi një genocid të pashembullt ne vitin 1999,genocid për të cilin akoma nuk ka kërkuar falje publike.Fundi-fundit Rusia do të mbetet vetëm përballë kualicionit të vendeve që përkrahin pavarësinë e Kosovës,sepse ashtu sic deklaroi dhe shefi i diplomacisë europiane Havier Solana,para së gjithash Kosova është një çështje europiane” dhe shume shpejt Bashkimi Evropian do te marrë përsipër “përgjegjësitë e veta.” Kërcënimeve të Presidentit rus Putin se me “dhënien e pavarësisë së Kosovës shikon nje konflikt të ri boteror” ndoshta duhet t’i tregohet ana tjetër e medaljes të fillimit të Luftës së Parë Boterore,ku paraardhësi i tij Car Nikolla, me hyrjen e tij ne luftë për të mbrojtur Serbinë,pothuajse nënshkroi fundin dinastisë së tij treqindvjeçare.”Historia kur përsëritet,përsëritet ne mënyrën më të keqe”shkruan Aristoteli dhe autorët klasikë ashtu si ka treguar koha pothuajse gjithmonë kanë pasur të drejtë.

Gazeta Albania gusht 2007



Saturday, 4 August 2007

Nacionalizmi dhe Kozmopolitizmi



Në një fjalim të tij, fill pas Luftës së Ftohtë,presidenti amerikan i asaj kohe Xhorxh Bush,e cilësoi nacionalizmin si një nga rreziqet më të mëdha që i kanosej popujve të Evropës Lindore të porsaçliruar nga thundra e Komunizmit. Të mësuar prej kohësh me një periudhë lulëzimi të demokracisë,SH.B.A dhe Evropa nuk mund të toleronin shpërthimin e konflikteve etnike të cilat shpesh herë janë të bazuara mbi urrejtjen dhe racizmin,vlera krejtesisht te papranueshme këto për për shoqëritë demokratike. Evidentimi i këtij rreziku nuk ishte i rastësishëm, por u bë mbi një analizë të thellë,të “koncerteve” të politikës evropiane që kishin caktuar kufijtë e Evropës lindore më 1913,1921 dhe 1945.

Një sinjal pozitiv erdhi nga ndarja e Çekosllovakisë,ku Çekia dhe Sllovakia u ndanë paqësisht duke konfirmuar secila etnitetin e vet shtetëror. Fatkeqësisht kjo ndarje paqësore nuk pati një efekt domino në rajon dhe nuk influencoi aspak në krijesën tjetër artificiale të quajtur Jugosllavi. Për më tepër perëndimorët të trembur nga një evidentim në masë i nacionalizmave nxituan ti fusin në një thes të gjithë përpjekjet e popujve në rajon për tu afirmuar si etnitete mëvetësisht shtetformuese,pa bërë një dallim të qartë se cilët kishin qenë nacionalizmat agresive dhe që i kishin vënë flakën jo vetëm rajonit por dhe Evropës , dhe cilët ishin ata nacionalizma që ishin përpjekur vetëm për të mbijetuar dhe që kishin vuajtur nën thundrën e të parëve. Për të evituar konfliktet ndëretnike Evropa u përpoq të promovojë kozmopolitizmin e vet,popujve të Ballkanit-një patate e nxehtë kjo që e kapërdiu klasa politike shqiptare,them e nxehtë pasi shtetet evropiane i kishin zgjidhur problemet e tyre kombëtare dhe ishin afirmuar prej kohesh si fuqi vendimarëse mbi fatin e popujve të vegjël si ai shqiptar.Si rezultat u krijua një papajtushmëri midis synimeve të popullsisë shqiptare në rajon,që për momentin politik ndihej si ai popullsia italiane para bashkimit të vitit 1870,dhe klasës politike e cila ndiqte verbërisht misionarët e kozmopolitizmit që si Bibël kishin konferëncën e Londrës të vitit 1913.

Fatmirësisht kjo situatë ndryshoi me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në konfliktin e Kosovës,por reminishenca të saj i gjejmë shpesh herë në politikën e sotme shqiptare.Kështu psh në dallim nga shtetet e tjera fqinje ku për çështje të tilla madhore si ajo e Kosovës, do të zhvillohej një debat i hapur,në Shqipëri ishte për të ardhur keq që nuk pati një të tillë për planin Ahtisari,duke e konsideruar apriori të mirë vetëm sepse e kishin rekomanduar ndërkombëtarët.Po kështu , provokimeve të ndryshme që kanë ndodhur herë pas here nga Greqia,nuk u është dhënë një përgjigje e fortë nga shteti shqiptar por ka pasur vetëm reagime spontane qytetarësh,të cilat në shumtën e rasteve u konsideruan nga klasa politike si të panevojshëm dhe démodé! Nuk mundet,dhe nuk duhet, që klasa politike shqiptare të ketë zë kaq të ulët apo akoma më keq të vuajë nga kompleksi i infioritetit dhe çështje të tilla ti lërë në dorën e fatit apo miqve të Shqipërisë për ti zgjidhur .

Një kompleks i vërtetë ndrojtje ekziston te klasa politike shqiptare e cila i trembet faktit të pohojë se ka një Shqipëri natyrale (term i përcaktuar shumë qartë nga publicisti Koço Danaj) e cila nuk mund të mohohet por as mund dhe emërtohet me termin abuziv “Shqipëria e Madhe”.Them abuziv sepse nacionalizmi shqiptar në dallim nga “Naçertania” e serbëve apo “Megali Idea” e grekve kurrë nuk ka kërkuar përfshirjen e territoreve jo-shqiptare brenda një shteti shqiptar në emër të së drejtës së dyshimtë historike,ashtu siç kanë bërë fqinjët tanë, por gjithmonë i ka hartuar kërkesat vetëm në bazë të së drejtës së vetvendosjes-një parim universal ky tashmë i së drejtës ndërkombëtare. Fqinjët tanë që e përcaktuan këtë term për përpjekjet e shqiptarëve për të krijuar shtetin e tyre kombëtar në tokat ku banonin gjithë shqiptarët,do kishin të drejtë ta emërtonin kështu,vetëm nëqoftëse në emër të së drejtës historike, shqiptarët duke qenë pasardhësit e Ilirëve të pretendonin se gjithë bregdeti i Ballkanit perëndimor u takon atyre,apo sepse Jutbina qytet ne Kroacine e sotme vetëm se përmendet si kryeqëndra e Mujit dhe Halilit të përfshihej në një shtet shqiptar!
Fatmirësisht rilindasit tanë kurrë nuk ranë në një kurth të tillë meskin kur hartuan programin politik të shqiptarëve për të krijuar shtetin e tyre,një kontrast shumë i fortë ky me “Naçertanian” dhe “Megali Idenë”-në emër të së cilave u përftuan territore të gjera në Kosovë,Maqedoni e Epir,me popullsi jo-serbe për Serbinë dhe popullsi jo-greke për Greqinë. Ka qenë ndoshta ky parim i nacionalizmit shqiptar i mbështetur gjithnjë tek e drejta e vetvendosjes që tërhoqi vemëndjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërhyrë në konfliktin në Kosovë në krah të shqiptarëve.Politika amerikane që nga vitet 20 e ka pasur një tipar kryesor të saj-parimin e vetvendosjes qysh kur u formulua për herë të parë nga presidenti amerikan Wilson në konferëncën e Paqes në Paris.Si për koinçidencë edhe atëherë në vitet 20’fati i Shqipërisë u vendos nga ndërhyrja energjike e Shteteve të bashkuara që nuk lejuan copëtimin e e Shqipërisë dhe sërish në fund të viteve 90’,ishin po Shtetet e Bashkuara që shpëtuan nga genocidi rreth dy milionë shqiptarë në Kosovë dhe u hapën rrugë perspektivave të tyre shtetformuese.

Duke vepruar kështu, Shtetet e Bashkuara te Amerikës i hapën rrugën një të drejte të vonuar të popullit shqiptar në Kosovë-shprehjes së vullnetit të tij për vetvendosje.U vërejt me të drejtë se kur nacionalizmi mbështetet në të drejtat themelore të një kombi për të mbijetuar dhe afirmuar si një etnitet shtetformues në territoret e veta,nuk është gogol as kërcënues për fqinjët,por përkundrazi mund të shërbejë si faktor stabiliteti. Situata e sotme e shqiptarëve në Ballkan ,kur ata shumë shpejt do të kenë shtetin e tyre të dytë , dëshmon një triumf të nacionalizmit të drejtë shqiptar të popullsisë së Kosovës, e cila pas eksperimentimit të trishtë me kozmopolitizmin, e kuptoi shumë drejt se pa u afirmuar si etnitet vetvendosës nuk mund të konsiderohej si faktor i rëndësishëm në rajon. Ky arsyetim duhet të mbizotëroj gjithandej në hapësirat shqiptare në mënyrë të tillë që kur të ndodhemi para sfidave kombëtare, të dimë sesi të afirmohemi dhe çfarë të kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar, me fjalë të tjera të jemi në gjendje të zbatojmë porosinë e Rilindasve dhe t’ua lëmë atë brezave që vijnë “Amanet Shqipërinë, dheun e të parve”!