Kompromisi, marrëveshja apo gjetja e fjalës me bashkëbiseduesin, është një tipar që na ka munguar gjithmonë në historinë politike të shtetit modern shqiptar.Madje po të shtyhemi në kohë, vërejmë se është një tipar që bashkon si rezultante pothuajse të gjitha aksionet tona politike.
Para 130-vjetësh, në vitet e turbullta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, (kur kërcënohej ekzistenca jonë si komb) politika luhatej mes vendimmarrjes për autonomi nga Perandoria Turke, apo vetëm kundërshtimit të vendimeve të Kongresit famëkeq të Berlinit (që cenonte interesat e Perandorisë dhe në territore të tjera, përveç atyre shqiptare). E nisur si një kompromis midis këtyre dy rrymave politike, shpejt Lidhja do të mbytej nga konfliktet e brendshme, që do të kulmonin me vrasjen e të dërguarit të Sulltanit, Mehmet Ali Pashë Maxharit dhe Abdullah Pashë Drenit. Kur Dervish Pasha, në krye të 20 batalioneve do të marshonte në Kosovë për të shtypur Lidhjen më 1881, krahu konservator do i bashkëngjitej ushtrisë turke dhe Lidhja do të shtypej me zjarr e hekur. Së bashku me Lidhjen do të humbte edhe shansi i shqiptareve për t'u evidentuar si faktor i rëndësishëm në Ballkan, i sendërtuar në një shtet-komb i të gjithave hapësirave shqiptare.
Gabimet nuk u bënë mësime dhe për një kohë të gjatë, Lëvizja Kombëtare Shqiptare do të luhatej e fragmentizuar në qendra të ndryshme të kontinentit, pa u bashkuar në një kongres, që të mund të artikulonte drejt kërkesat dhe të imponohej si faktor i rëndësishëm stabiliteti përpara Fuqive të Mëdha të kohës. Për më tepër një pjesë e saj do i hynte aventurës së revolucionit xhonturk, duke u bërë kështu faktor vendimtar për Turqinë, por jo për atdheun e vet.
Rezultati i gjithë këtij fragmentizmi do të ishte i trishtë. Vetëm në prag të Luftës Ballkanike, kur të gjithë shtetet ballkanike ishin afirmuar edhe si etnitete shtet-formuese, Shqipëria do të shpallej e pavarur. Një pavarësi, që gjithsesi nuk mund të qëndronte më vetë, por priste konfirmimin e Fuqive të Mëdha, të cilat, të ndara në interesa dhe aleanca historike i garantuan Shqipërisë një shtet me gjysmën e territorit të vet jashtë kufijve, duke i lënë një barrë të rëndë të gjitha klasave politike shqiptare që do të vinin më pas, që do të ishte në mos bashkimi kombëtar, të paktën kërkesa dhe mbështetja për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon.
Rezultati i gjithë këtij fragmentizmi do të ishte i trishtë. Vetëm në prag të Luftës Ballkanike, kur të gjithë shtetet ballkanike ishin afirmuar edhe si etnitete shtet-formuese, Shqipëria do të shpallej e pavarur. Një pavarësi, që gjithsesi nuk mund të qëndronte më vetë, por priste konfirmimin e Fuqive të Mëdha, të cilat, të ndara në interesa dhe aleanca historike i garantuan Shqipërisë një shtet me gjysmën e territorit të vet jashtë kufijve, duke i lënë një barrë të rëndë të gjitha klasave politike shqiptare që do të vinin më pas, që do të ishte në mos bashkimi kombëtar, të paktën kërkesa dhe mbështetja për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon.
Historia e parlamentizmit shqiptar të viteve '20, deri në stabilizimin e Mbretërisë na tregon gjithashtu për ethet e forta që kalonte politika shqiptare, ethe të cilat sollën temperaturat e konflikteve të hapura dhe kërcënuese për stabilitetin e vendit dhe përfitimin e fqinjëve, për të lozur poker me interesat tona. Politika shqiptare nuk arrinte të gjente vetveten, por luhatej sa andej-këndej në lisharësen e fatit historik.Kompromisi i Mukjes i vitit 1943 është shembulli me i keq se si marrëveshje të mëdha, për qëllime të mëdha, mund të dështojnë për hir të interesave të ulëta pushtetore dhe pamundësisë së politikës shqiptare për tu afirmuar si faktor vendimmarrës.Rezultati kësaj radhe ishte akoma më i trishtë sepse krijoi një fragmentizim të shoqërisë dhe hapi një konflikt të hapur, që shpeshherë ka ravijëzuar llogoret e politikës së brendshme shqiptare.
Ky kompromis krijoi precedentin e keq të prishjes së marrëveshjes pas fjalës së dhënë, (diçka që s'është as në etiken morale të shqiptarit), dhe gjithë kompromiset që kanë ardhur pas tij, kanë qenë më shumë kompromise për hir të kompromisit sesa marrëveshje të madha, për të çliruar energjitë e kombit për stabilitet dhe prosperitet. Pothuajse të gjithë kanë dështuar në krye të një viti, duke e zhytur Shqipërinë sërish në qerthullin e krizave të brendshme, duke e lënë një vend të paaftë jo vetëm për të luajtur rolin e vet në Ballkan, por as për t'u ofruar ndihmën e duhur komuniteteve të fuqishme shqiptare në rajon.Klasa politike shqiptare, edhe pse pretendon se ka arritur një maturi politike, në të vërtetë është e aftë vetëm të krijojë spirale të pafundme krizash, që në thelb janë shprehëse të interesave meskine sejmeno-bajraktariste.Ajo duket se nuk mund të krijoje kompromise të mëdha, të ngjashme me ato që kanë përshkënditur historinë moderne evropiane (si ai gjerman i viteve '70, p.sh.). Si në legjendën e vjetër të Rozafës, kjo klasë politike është e aftë vetëm të shkatërrojë natën, punën e bërë ditën. Për të vazhduar metaforën e legjendës, fajtorët nuk dënohen, por i këndohet flijimit. Flijimi kësaj radhe e ka emrin "kompromisi për Presidentin".
Duke i kënduar më tepër flijimit dhe kulisave sesa procesit të drejtë e të ndershëm, vendi sërish rrezikon të zhytet në kriza të panevojshme, në prag të problemeve madhore siç është zgjidhja e statusit të Kosovës! Zoti mos e dhëntë pas disave viteve, të vajtojmë serish për "shanset e humbura". Gjetja sa më shpejt e kompromisit do t'i japë vendit një shans të humbur prej kohesh, si dhe një vetë-ndërgjegjësim, që koha e temperaturave të larta ka kaluar dhe pas kllapisë pothuajse shekullore, ka ardhur koha të shëndoshet trupi e koka, për të zënë sa më shpejt trenin drejt integrimit, që kemi kohë që e aspirojmë.