Saturday 8 June 2013

Rënia e vijës së Teodosit dhe sfida e zgjedhjeve.



Shumë shekuj më parë, një perandor plak romak, i shtyrë nga presioni i vazhdueshëm i fiseve barbare, ndërsa ndante perandorinë për të dy bijtë që do të zotëronin , njëri në Perëndim dhe tjetri në Lindje, hoqi një vijë që në histori ka hyrë si “vija e famshme e Teodosit”. Në bazë të këaj ndarje u krijuan dy entitet të mëdha  shtetërore, politike dhe kulturore Perandoria Romake e Perëndimit dhe Perandoria Romake e Lindjes e njohur dhe si Bizanti.
Mirëpo nëse kjo ndarje që  për perandorin që po jepte shpirt ishte vetëm një ndarje administrative e re për të shpëtuar një perandori të madhe dhe për të mos lënë sherre e mërira  mes bijve të tij se kush do të sundonte pas vdekjes së tij, për vendet e ndryshme dhe popullsitë mbi të cilat u ushtrua , rezultoi të jetë fatale. Shumë shprehi shtetformuese, respektimi të ligjit, mentalitet, besim fetar e kulturë të ndërtuar mbi këta komponentë filluan të sendërtohen mbi këtë ndarje Lindje-Perëndim duke krijuar deri diku dhe profile të veçanta në këto fusha.
Vija e Teodosit kalonte mes për mes territoreve të banuara sot nga shqiptarët dhe besoj se është mëse e qartë nga historia se ç’implikime pati ajo në terren, sidomos për ne shqiptarët që dhe besimin fetar e kulturën e lidhur ngushtë me të, na e dyzoi në dy forma të besimit të krishterë, katolik dhe ortodoks. Për fat të mirë këto ndarje artificiale kombi shqiptar i kapërceu në formimin e tij në fillim të  shekullit XX, por pasojat e perceptimit të një ndarje të tillë të botës u ndjenë në vendimet që ndërmerreshin ndaj tij gjatë gjithë kohës. Kështu edhe pse ishte territori më i afërt ballkanik me Evropën, Marrëveshja e Jaltës në 1945 e la brenda “Perdes së Hekurt” komuniste duke i programuar kështu një të ardhme të dhimbshme për 50 vjet. Në datën 10 tetor të vitit të kaluar, pas vendimit të marrë nga Komisioni  që i rekomandonte Bashkimit Evropian statusin e vendit kandidat për Shqipërinë pavarësisht faktit se kjo gjë nuk u arrit,është për t’u shënuar si fakt dhe nuk ka dyshim se do të jetë një nga prioritetet e  qeverisë së re. Me komfirmin dhe dëshirën e Bashkimit Evropian për të pranuar Shqipërinë në gjirin e vet, praktikisht kjo vijë nuk ekziston më dhe Shqipëria pas disa vjetësh në varësi të reformave që do të ndërmarrë do të jetë një vend anëtar i këtij organizmi duke iu rikthyer sërish pas shumë shekujve ndarje me dhunë , zhvillimeve në kontinet. Për këtë arsye por dhe shumë të tjera, përfitimi i statusit të vendit kandidat nga Shqipëria do të jetë një nga ngjarjet më të mëdha që ne do të përjetojmë, jehona e të cilës do të vazhdojë të ndihet dhe në shumë vendime të rëndësishme politike për të ardhmen e vendit tonë. Sesa i vërtetë është ky pohim mund të kuptohet lehtë që Shqipëria në një vepër si “Përplasja e Qytetërimeve” të Huntington në 1996 , konsiderohej si një vend që do të jetë i përfshirë nga konfliktet mbi bazën e identitetit fetar e kulturor, tashmë do të ketë një identitet të fortë evropian integrues që jo vetëm do sigurojë të ardhmen e vendit por dhe prosperitetin e shqiptarëve. Për të arritur aty kemi përpara një test të vështirë të demokracisë dhe shoqërisë shqiptare, zgjedhjet e përgjithsme të 23 qershorit.

Demokracia mbi të gjitha është pjesëmarrje dhe përpos faktit të trishtë që në pothuajse të gjitha qeverisjet zëri qytetar është dëgjuar shumë pak, ka një mënyrë ku ky zë i papërfillur mund ti japë një ndëshkim dhe mësim të mirë politikës neglizhuese dhe arrogante shqiptare.Të ndodhur para ndryshimeve, aleancave apo kualiconeve për të cilat ne si qytetarë jemi pyetur pak ose aspak, pjesëmarrja masive në votime dhe shkundja e votës është e vetmja mënyrë për të ushtruar rolin tonë si qytetar. Në këtë sens thirrjet për votë kryq apo mospjesëmarrje në votime nuk i shërbejnë askujt pasi kur nuk voton është njëlloj sikur nuk flet dhe besoj askush nuk ka nevojë në stadet e zhvillimit të vendit tonë për një demokraci memece dhe autike. Nënshkrimi i MSA më 2006, pavarësia e Kosovës më 2008, pranimi i Shqipërisë në NATO më 2009 dhe pritshmëria për  marrjen e statusit të vendit kandidat më 2012 janë stacione të rëndësishme që ka kaluar Shqipëria pas rotacionit të qetë e paqësor me votë që u realizua më 2005, çka do të thotë se kur në vend zhvillohet dhe ushtrohet demokracia e drejtë për së drejtë, atëherë ajo fillon dhe jep rezultate. Në vazhdimësi të këtyre ngjarje të mëdha duhet të përgatitet vendi fuqishëm për të përmbushur detyrimet e veta në mënyrë që shumë shpejt nga vend kandidat , të përfitojë edhe të drejtën për tu anëtarësuar me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Sfida që është tashmë në horizont është e dukshme dhe nuk kemi kohë për të humbur për të menduar nëse është mirazh apo e vërtetë. Të paktën një gjë e kemi të sigurtë që dhe po e ndjejmë. Vija e Teodosit ka rënë dhe bashkë me të të gjitha paragjykimet dhe politikat e së shkuarës, ndaj le të shikojmë sesi do ta ndërtojmë të ardhmen.


Gazeta Shqip 08.06.2013


No comments: