Saturday 21 September 2019

Ligjërimi historik në veprat e Kadaresë dhe Kazanzaqisit.


Ballkani është një trevë e Europës që mbart në ndërgjegjen e vet kolektive shtresëzime të ndryshme kulturore. Perandoritë e mëdha si Roma, Bizanti, ngjarjet e Kryqëzatës së IV, qytetet e administruara nga Venediku e më vonë çatia e përbashkët e Perandorisë Otomane kanë krijuar një kaledoskop kulturor ku influencat e ndryshme prodhojnë kultura dhe mozaikë kulturorë të ndryshëm.


Wednesday 11 September 2019

Armët e brezit verdhane të Elbasanit në Muzeun Ali Pasha Tepelena në ishullin e Janinës.




Armët e brezit ose koburet kanë qenë pjesë e rëndësishme e armatimit të luftëtarit shqiptar. Ato mbaheshin në brez edhe si pjesë e veshjes së përditshme gjatë fundit të shekullit të XVIII e në shekullin e XIX. Ato prodhoheshin në punishtet e armëve që gjendeshin në qytetet shqiptare.  Të dhënat historike dëshmojnë  se në Elbasan janë prodhuar armë zjarri që prej vitit 1670. Udhëtari turk Evlia Çelebi në shënimet që ka mbajtur gjatë udhëtimeve të tij thotë se armët punoheshin me mjeshtëri dhe elegancë. Njoftime më të sakta gjejmë në një kodik të esnafit të kondakçinjve,  sipas të cilit në Elbasan ka pasur rreth 18-20 dyqane armëtarësh. Pranë tyre qenë dyqanet e argjendarëve dhe të saraçëve që merreshin me zbukurimet e tyre. Armët e zbukuruara me argjend, kushtonin shtrenjtë dhe janë përdorur kryesisht prej shtresave të pasura. Në qytetin e Shkodrës janë prodhuar karajfile me shumicë dhe të zbukuruara me argjend dhe me filigran, ndërsa në pjesën jugore të Shqipërisë pushkët karajfile zbukuroheshin me savat. (Riza T.Drishti. Armët dhe armëtarët shqiptarë.Tiranë:8 nëntori, 1976)


Monday 9 September 2019

Taxhi i Ali Pashë Tepelenës në Muzeun Historik Kombëtar.




Gjatë punës kërkimore dhe shkencore për studimin e hulumtimin e objekteve që janë në fondet e Muzeut Historik Kombëtar kemi mundur të evidentojmë objektin taxhi i Ali Pashë Tepelenës me numër inventari 339. Sipas kartelës së objektit rezulton se taxhi i Ali Pashë Tepelenës ka hyrë në fondin e Muzeut Historik Kombëtar në vitin 1981. Origjina e objektit muzeal të identifikuar si taxhi i Ali pashë Tepelenës shënohet në kartë si i ardhur nga ish muzeu i Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Ai ka një lartësi 18.5 cm dhe diametër 20 cm. Nuk dihet qartë se përse ky objekt ka qenë në fondet e e ish muzeut të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare, kur në fakt i përket periudhës së Pashallëqeve shqiptare.  Objekti paraqitet tepër i dëmtuar dhe ende nuk kemi rënë në gjurmë se si ky objekt është përfituar dhe ka hyrë në fondet e ish muzeut të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Si objekt ai mbetet i veçantë sepse është i vetmi që mendohet se i përket Ali Pashë Tepelenës në territoret shqiptare pasi në disa muzeume në botë si p.sh në Muzeun Benaki në Athinë ka objekte personale të tij si ore xhepi apo dhe disa armë të dekoruara me ar. Për më tepër Prof Moikom Zeqo e përmend në librin Syri i Tretë i Bektashizmit por nuk e analizon më gjerësisht. Po a ishte taxhi një veshje karakteristike për Ali Pashë Tepelenën?