Saturday 2 November 2019

ARIANITËT NË MUZEUN HISTORIK KOMBËTAR




Arianitët qenë një familje fisnike zotërimet e së cilës shtriheshin përgjatë luginës së Shkumbinit.[1]Në lidhje me zotërimet e Gjergj Arianitit ka versione të ndryshme.Në një burim të Muzakajve thuhej se Gjergj Arianit Komnen Topia ka qenë zot i Çermenikës, i Mokrës e i Shpatit. Një burim tjetër citon se pronat origjinale të kësaj familje ishin në në fshatrat reth e rotull Kaninës, Gjirokastrës dhe Beratit (1506). Kjo e dhënë na vjen nga pjesa e islamizuar e familjes Arianiti. Pas betejave të Skënderbeut pushtimi otoman u duk se ishte i pashmangshëm. Një degë e rëndësishme e famijes u largua për në Itali kurse një pjesë tjetër mbeti në Shqipëri. Dokumentet përmendin Mahmud bin Aranid, i cili u bë sanxhakbej  i Himarës, që shtrihej përgjatë bregdetit të detit Jon. Duket se Mahmudi ishte djali i tretë i Gjergj Arianitit me gruan e tij të dytë italiane. [2] Djali i Mahmud bin Arianitit i quajtur Ali Bej që zotëronte fshatrat rreth Kaninës, Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës u bë sanxhakbej i Vlorës në vitin 1522.[3] Kjo paqartësi se cilat ishin zotërimet origjinale të familjes Arianiti vazhdon të mbetet ende e pranishme në studimet historike.


Sunday 20 October 2019

Shtegtimi i formësimit të identitetit shqiptar.




Ndryshimet e identitetit kolektiv të shqiptarëve nga periudha e fundit e sovranitetit  osman mbi Shqipërinë, në atë të mbretërisë shqiptare dhe në periudhën e komunizmit janë të trajtuar sipërfaqshëm duke i dhënë rëndësi një faktori social ose një tjetri dhe jo duke i trajtuar si një tërësi faktorësh të rëndësishëm socialë që krijuan sinergjinë e nevojshme për të gdhëndur identitetin kulturor e kombëtar shqiptar. Mjafton të përmendim faktin se identitetit fetar të shqiptarëve i është dhënë një rëndësi më e madhe duke analizuar detaje të ndryshme kulturore të lidhur me të dhe duke vendosur Shqipërinë e shqiptarët në harta imagjinare të ndarjeve sipas diskursit orientalist. Sëbashku me me analizat e identitetit fetar janë marrë apriori dhe karakteristikat e përshkrimit të qytetërimit oriental për Shqipërin dhe shqiptarët nga tekste klasike të lëtërsisë së udhëtimit të prodhuara nga udhëtarë e diplomatë të huaj aktivë në rajon. Këto tekste janë analizuar qartë nga Edward Said në veprën e tij “Orientalizmi”(1978), Maria Todorova në “Imagining the Balkans” (1998) dhe Vesna Goldsworth në “Imaging Ruritania.The Imperialism of the Imagination”(1998)  si tekste që kanë  prodhur imazh dhe perceptime të gabuara përsa i përket realititetit dhe situatws kulturore e etnike në terren.


Friday 4 October 2019

Sixhadeja me portretin e patritotit Demo Eminit në fondet e Muzeut Historik Kombëtar.


Në Muzeun Historik Kombëtar është një sixhade e përdorur nga Demo Emini. Sixhadja ka përmasat 1630 x 1270 cm dhe numër inventari Nr. 561. Ajo ka qenë pronë e familjes Nivica dhe më 03.12.1982 i është dorëzuar Muzeut Historik Kombëtar nga koleksionisti Novruz Shehu nga Memaliaj. Në këtë sixhade është punuar portreti i patriotit Adem bej Nivica, i cili njihet me emrin Demo Emini. Sixhadja është punuar në vitin 1913 dhe mesa thuhet është portreti i fundit i Demo Eminit para vdekjes. Sixhadeja është përdorur si element dekorativ i varur në mur nga të afërmit e tij. Në të dyja anët e saj ajo është e dekoruar me motive floreale por në mmes të tyre gjejmë dy shqiponja dykrenore çka e bëjnë atë të veçantë. Sjellim ndërmend se flamuri i Skënderbeut dhe ai kombëtar i miratuar në Kuvendin e Vlorës në në 28 nëntor 1912 ende nuk njiheshin mirë nga e gjithë popullsia shqiptare. Në sixhade gjithashtu mbizotërojnë ngjyrat kuq e zi të flamurit kombëtar çka përforcon idenë se endësit e kësaj sixhadeje i njihnin mirë simbolet kombëtare. Ky është një nga objektet e radha që ka në koleksionin e vet Muzeu Historik Kombëtar që i dihet saktësisht origjina dhe që dëshmon në të njëjtën kohë përveçse një figurë historike edhe punim të lartë artistik me tezgjah në  krahinën e Labërisë. Po kush ishte Demo Emini? Përshkrimin më të mirë të aktivitetit të tij patriotik e jep Namik Delvina në artikullin kushtuar kësaj figure patriotike botuar në Revistën “Minerva” në vitet 30’.


Saturday 21 September 2019

Ligjërimi historik në veprat e Kadaresë dhe Kazanzaqisit.


Ballkani është një trevë e Europës që mbart në ndërgjegjen e vet kolektive shtresëzime të ndryshme kulturore. Perandoritë e mëdha si Roma, Bizanti, ngjarjet e Kryqëzatës së IV, qytetet e administruara nga Venediku e më vonë çatia e përbashkët e Perandorisë Otomane kanë krijuar një kaledoskop kulturor ku influencat e ndryshme prodhojnë kultura dhe mozaikë kulturorë të ndryshëm.


Wednesday 11 September 2019

Armët e brezit verdhane të Elbasanit në Muzeun Ali Pasha Tepelena në ishullin e Janinës.




Armët e brezit ose koburet kanë qenë pjesë e rëndësishme e armatimit të luftëtarit shqiptar. Ato mbaheshin në brez edhe si pjesë e veshjes së përditshme gjatë fundit të shekullit të XVIII e në shekullin e XIX. Ato prodhoheshin në punishtet e armëve që gjendeshin në qytetet shqiptare.  Të dhënat historike dëshmojnë  se në Elbasan janë prodhuar armë zjarri që prej vitit 1670. Udhëtari turk Evlia Çelebi në shënimet që ka mbajtur gjatë udhëtimeve të tij thotë se armët punoheshin me mjeshtëri dhe elegancë. Njoftime më të sakta gjejmë në një kodik të esnafit të kondakçinjve,  sipas të cilit në Elbasan ka pasur rreth 18-20 dyqane armëtarësh. Pranë tyre qenë dyqanet e argjendarëve dhe të saraçëve që merreshin me zbukurimet e tyre. Armët e zbukuruara me argjend, kushtonin shtrenjtë dhe janë përdorur kryesisht prej shtresave të pasura. Në qytetin e Shkodrës janë prodhuar karajfile me shumicë dhe të zbukuruara me argjend dhe me filigran, ndërsa në pjesën jugore të Shqipërisë pushkët karajfile zbukuroheshin me savat. (Riza T.Drishti. Armët dhe armëtarët shqiptarë.Tiranë:8 nëntori, 1976)


Monday 9 September 2019

Taxhi i Ali Pashë Tepelenës në Muzeun Historik Kombëtar.




Gjatë punës kërkimore dhe shkencore për studimin e hulumtimin e objekteve që janë në fondet e Muzeut Historik Kombëtar kemi mundur të evidentojmë objektin taxhi i Ali Pashë Tepelenës me numër inventari 339. Sipas kartelës së objektit rezulton se taxhi i Ali Pashë Tepelenës ka hyrë në fondin e Muzeut Historik Kombëtar në vitin 1981. Origjina e objektit muzeal të identifikuar si taxhi i Ali pashë Tepelenës shënohet në kartë si i ardhur nga ish muzeu i Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Ai ka një lartësi 18.5 cm dhe diametër 20 cm. Nuk dihet qartë se përse ky objekt ka qenë në fondet e e ish muzeut të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare, kur në fakt i përket periudhës së Pashallëqeve shqiptare.  Objekti paraqitet tepër i dëmtuar dhe ende nuk kemi rënë në gjurmë se si ky objekt është përfituar dhe ka hyrë në fondet e ish muzeut të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Si objekt ai mbetet i veçantë sepse është i vetmi që mendohet se i përket Ali Pashë Tepelenës në territoret shqiptare pasi në disa muzeume në botë si p.sh në Muzeun Benaki në Athinë ka objekte personale të tij si ore xhepi apo dhe disa armë të dekoruara me ar. Për më tepër Prof Moikom Zeqo e përmend në librin Syri i Tretë i Bektashizmit por nuk e analizon më gjerësisht. Po a ishte taxhi një veshje karakteristike për Ali Pashë Tepelenën?


Friday 2 August 2019

Rrëfimi i periudhave historike të Ismail Qemalit përmes objekteve të tij në Muzeun Historik Kombëtar




Në të gjitha pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar ka koleksione muzeale të mrekullueshme. Ato u hulumtuan dhe u përzgjodhën si objektet muzeore më përfaqësuese të trashëgimisë sonë kulturore: nga ish-Muzeu i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Instituti i Kulturës Popullore, Instituti i Kërkimeve Arkeologjike, muzetë e rretheve etj., dokumente e fotografi nga Arkivi i Shtetit, nga arkivi i Institutit të Historisë, të Institutit të Gjuhësisë, të Institutit të Monumenteve etj. Rëndësia e tyre nuk shtrihet vetëm në rolin ekspozues e ilustrues të historisë por edhe në rolin e rrëfimit të historisë dhe epokës që përfaqësojnë. Në këtë mënyrë muezologjia i vjen në ndihmë historisë përmes dokumentimit dhe ilustrimit të ngjarjeve dhe epokave historike duke e vendosur historinë e territoreve ku banojnë sot shqiptarët në një histori integrale të Mesdheut. Dokumentet, koleksionet muzeore dhe gjuha formësojnë një identitet të përbashkët kulturor të shqiptarëve në rajon por përmes koleksioneve të veçanta muzeore historia jonë mund të rrëfehet jo vetëm si një histori lineare por edhe si një histori integrale e Mesdheut. Një nga koleksionet më të rëndësishëm muzealë të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar janë objektet e Ismail Qemalit, babait të pavarësisë së Shqipërisë dhe kryeministrit të parë shqiptar.


Piktura “Madonna” Leonardo Da Vinçit dhe stërmbesa e Gjergj Arianitit




Në datën 22 korrik Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës organizuan ekspozitën "Leonardo - Opera Omnia", të kuruar nga historiani i artit prof. Antonio Paolucci dhe e prodhuar nga RAICom. Ekspozita - e cila ka udhëtuar nëpër botë – është pjesë e një programi promovues ndërkombëtar për artin dhe edukimin e mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe mbledh riprodhimet, të stampuara në kanavacë në shkallë reale dhe me rezolucion shumë të lartë të kryeveprave të Leonardo-s të ruajtura në 11 prej muzeve më të rëndësishëm në botë. Falë përpjekjeve dhe teknikës së RAI Com, studiuesit, studentët dhe të gjithë dashamirësit e artit të Rilindjes do të mund të admirojnë në të njëjtin vend dhe në një distancë të afërt pikturat gjeniale të Leonardo-s. Në këtë ekspozitë paraqeten 17 riprodhime të 17 veprave të Leonardos, të zgjedhura me mjeshtri dhe profesionalizëm. Falë teknikave dixhitale të sofistikuara dhe përdorimit me zgjuarsi të dritave, vizitori vendoset virtualisht përpara veprës origjinale, duke përjetuar përvojën emocionale që përjetimi i kryeveprave të mëdha shkakton. Kuratori i ekspozitës, Antonio Paolucci, njihet si një prej ekspertëve më të shquar të artit ndërkombëtar. Kjo ekspozitë, së bashku me atë të krijuar vitin e kaluar mbi Caravaggio-n dhe aktivitetin e planifikuar për vitin e ardhshëm mbi Raffaello-n, rrjedh nga një reflektim mbi temën e përdorimit të kryeveprave të mjeshtërve të mëdhenj. Në vende të ndryshme ku ka udhëtuar ekspozita janë zgjedhur imazhe të ndryshme të tablove të Leonardo Da Vinçit si imazh kryesor i ekspozitës. Kështu p.sh në Poloni në Muzeun Historik Kombëtar në Varshavë si imazh kryesor në afishe ishte përzgjedhur Zonja me ermelino për shkak se origjinali i kësaj vepre ndodhet në Muzeun e Arteve në Krakovë. Po në Shqipëri dhe në Tiranë përse kuratorët kanë vendosur si imazh kryesor pikturën e papërfunduar Kokën e një gruaje apo e njohur dhe ndryshe si Flokë prishura? A kemi të bëjmë me një zgjedhje rastësore apo se ka një lidhje historike e kulturore me Shqipërinë? Sigurisht që kur flasim për Leonardo Da Vinçin nuk mund të shpëtojmë dot pa kërkuar në nëntekstet dhe kontekstet kulturore. Vepra Koka e një gruaje me përmasa të vogla, ka qënë i varur në dhomën e gjumit të Margherita Paleologës, gruaja e Frederik Gonzagës-dukë i Mantovës. Në veprën themelore për studimin e mesjetës arbëre, Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi të Gjon Muzakës, të shkruar në 1510 dhe të botuar nga mesjetaristi dhe historiani Karl Hopf në Chroniques gréco-romaines, Paris 1873,fq. 270–340, lexojmë se Angjelina Araniti , vajza e Gjergj Arianitit e martuar me Despotin serb Stefan Brankoviç pati një vajzë Maria që u martua me Boniface Paleologu  III, Marquess of Montferrat. Ata patën sëbashku dy fëmijë William IX (1486-1518), i cili u bë  Markez i Montferrat midis viteve 1494 dhe 1518, and John George (1488-1533) i cili u bë Markezi i fundit i Montferratit, midis viteve 1530 dhe 1533. William IX u martua me Anne of Alençon një fisnike franceze dhe patën sëbashku tre fëmijë, një prej të cilave ishte Margherita Paleologa në dhomën e së cilës ndodhej vepra e Leonardo Da Vinçit. Margherita Paleologa (11 gusht 1510 në Casale Monferrato – 28 dhjetor 1566 në  Mantua) ishte stërmbesa e Gjergj Arianitit dhe Maria Muzakës  dhe një nga zonjat fisnike më të rëndësishme të Italisë.  Kësisoj mesjeta arbëre jehon sërish nëpërmjet ekspozitës së Leonardo Da Vinçit në Muzeun Historik Kombëtar. Në të gjitha veprat e tij, Leonardo da Vinçi sjell një mesazh të madh njerëzimi, duke na provokuar që, edhe sot, të mos mbetemi në sipërfaqe, por të hetojmë thellësitë e botës, të njeriut, të jetës, për t’u rritur nga pikëpamja e njerëzimit dhe të jemi të hapur ndaj të ardhmes. 
Portreti Koka e një gruaje i Leonardo Da Vinçit shquhet për detajet artistike të veçanta. Ajo u porosit tek Leonardo Da Vinçi në vitin 1501 nga Markezja Margherita Paleologa e martuar me Federico II Gonzaga, kryezotin e Mantovës. Në një letër të vitit 1501 Markezja i drejtohej Pietro Novallara-s nëse Leonardo Da Vinçi mund të pikturonte një Madonna për studion e saj private. Kritiku i njohur i artit Aleksander Nagel shkroi në Katalogun “Leonardo da Vinci: anatomical drawings from the Royal Library, Windsor Castle” botuar nga The Metropolitan Museum of Art për pikturën “Madonna” se : "Sytë nuk përqendrohen në ndonjë objekt të jashtëm, dhe japin përshtypjen se do të qëndrojnë aty ku janë: ata shohin përmes filtrit të gjendjes së brendshme, në vend që të marrin përshtypje të menjëhershme nga bota e jashtme.  Është qëndrimi i të qënit i pezulluar në një gjendje mendore përtej mendimit të veçantë - i pavetëdijshëm, madje, ndaj trupit të tij ... këtu, një jetë e brendshme është sugjeruar nga një rend i ri i efekteve ilustruese, pa iu adresuar veprimit ose të rrëfyerit.
A ka ndonjë ngjashmëri midis Margarehta Paleologës, stërmbesës dhe pikturës që varej në studion e saj? Për këtë gjë nuk mund të themi asnjë gjë të sigurtë por për aeralin tonë  kulturor kjo pikturë është një shenjë një simbol i rëndësishëm i përfshirjes së aristokracisë arbëre në dukuritë më të rëndësishme kulturore të kohës.





Monday 22 July 2019

Rreshpja dhe letërsia zyrtare (1968-1990)




Poezia shqipe në mesin e viteve ‘60 filloi të përfaqësohej dhe nga një zë i veçantë që mbartte në vetvete konturimin e një talenti të madh. Frederik Reshpja , poeti i pazakonshëm në një kohë të pazakontë shfaqi që në fillim në origjinalitetin e lirikës së vet, tematikës dhe teknikës letrare përvijimin e një poeti të ri modern. Përqafimi i modernitetit ishte një sfidë më vete në letërsinë shqipe të atyre viteve. Në letërsinë shqipe mbizotëronin prej kohësh tezat zhdavoniste të lëvrimit të tematikave dhe  karaktereve, çka kishte sjellë në vetvete një tharje të vet thelbit të letërsisë edhe pse problemi i modernitetit në letërsinë shqipe ishte një problem i hershëm. Poezia shqipe që nga fillesat e veta kishte reflektuar si problematikë lidhjen me modernitetin dhe marrëdhënien  e saj  me  rrymat letrare moderne që lëvroheshin në Europë.


Monday 15 July 2019

Rrugëtimi historik i familjes Vasjari.




Historia e dyqind vjetëve të fundit të Shqipërisë është ende jo fort e studiuar përsa i përket kontributit të veçantë të figura të ndryshme historike. Tisi i kohës ka hedhur shumë pluhur mbi ta, dhe në disa raste edhe ka shërbyer për të ndryshuar hierarki të ndryshme ngjarjesh dhe vlerash historike. Historiografia kombëtare shqiptare është e re,  dhe nën presionin e ideologjive shpesh herë ka përshtatur përshkrimin e ngjarjeve dhe rolit të figurave historike në këto ngjarje. Fakti që disa ekponentë të rëndësishëm të kësaj familje u arrestuan dhe u dënuan me vdekje nga regjimi komunist, ka qenë përcaktues në historiografinë zyrtare për të shkruar dhe kontributin e personaliteteve historikë Vasjari në historinë e Shqipërisë. Një rast i tillë në historinë zyrtare të Shqipërisë së Jugut është përshembull kontributi i familjes Vasjari, e cila përmëse se 200 vjet ka qenë pjesëmarrëse dhe la luajtur një rol qendror në ngjarjet kryesore të historisë së Shqipërisë.


Thursday 11 July 2019

Për flamujt e Muzeut Kombëtar




Historia e muzeve kombëtare shqiptare filloi në vitin 1922, me ngritjen e Muzeut Kombëtar në Tiranë. Drejtori i parë i Muzeut Kombëtar të Shqipërisë ishte Viskë Babatasi. Me fondet e qeverisë shqiptare u ngrit ndërtesa njëkatëshe modeste e Muzeut Kombëtar, e cila ndodhej në rrugën “Abdi bej Toptani”, në afërsi të hotelit “Continental” në Tiranë. Koleksionet e para të Muzeut Kombëtar përbëheshin kryesisht nga objekte arkeologjike. Për shkak të mungesës së ekspertëve të muzeologjisë, duke pasur parasysh kontributin e arkeologëve austriakë qeveria shqiptare ftoi arkeologun Karl Paç (dr. Carl Patsch), një nga njohësit e kulturës së popujve të Ballkanit dhe profesor në Universitetin e Vjenës, i cili qe angazhuar më parë në organizimin e Muzeut Zemaljski të Sarajevës, për të dhënë përvojën e tij për ngritjen dhe organizimin e Muzeut Kombëtar të Bosnjes. Dr. Paç  u kontaktua në korrik të vitit 1922 nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe ai e pranoi ofertën për t’u marrë me organizimin e muzeut, por jo për ta drejtuar atë nga ana administrative. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse ai nuk dëshironte të largohej nga procesi i mësimdhënies në Universitetin e Vjenës. Me dosjen Karl Paç në Ministrinë e Arsimit u mor vetë kreu i seksionit Karl Gurakuqi, i cili përktheu propozimet e tij për autoritetet shqiptare. Dr. Karl Paç u përpoq të gjente një bashkëpunëtor për ta ndihmuar. Ai u mbështet tek bashkatdhetari i tij, Robert Ecker. Njëkohësisht bashkë me ta u angazhua edhe Xhevat Korça, i cili kishte kryer studimet universitare në Vjenë.


Tuesday 2 July 2019

Emërtimi i portit të Shëngjinit në porti Wilson dhe kontributi i Fan Nolit në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.




Të hënën e datës 5 gusht, 1924 revista e njohur TIMES në SH.B.A botonte një lajm të shkurtër telegrafik që përmbante një lajm të shkurtër por shumë të rëndësishëm për Shqipërinë. “Kryeministri Fan Noli i Shqipërisë ka bërë një ndryshim gjithëpërfshirës në vendin që udhëheq. Në nder të ish-presidentit Woodrow Wilson, porti i Shëngjinit, një nga katër portet e Shqipërisë, iu vu emri në Wilson. Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë se Presidenti i SHBA-së i pengoi Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në Konferencën e paqes të vitit 1919”. Në vazhdën e politikës izocionaliste që kishte përfshirë SH.B.A pas presidencës së Wilsonit (1914-1921) ka të ngjarë që ky lajm të ketë pa u vënë re nga politika amerikane. Por edhe për politikën shqiptare të kohës që e  prodhoi këtë lajm ai ishte më tepër  një veprim simbolik  për të shprehur mirënjohjen ndaj SH.B.A sesa veprim për të përfituar politikisht siç ka ndodhur rëndom më vonë në politikat e lobigjenve të politikanëve shqiptarëve. Në Shqipëri në fuqi si Kryeministër i vendit ishte Fan Noli, një nga djemtë e Amerikës. Ai sëbashku me Faik Konicën dhe të tjerë korifej të Vatrës kishin sjellë një erë modernizmi në politikën e kulturën politike shqiptare.


Monday 1 July 2019

Nga Adriatiku në Balltik





Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav* gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret
Ditën e Rushajevet*,


Këto ishin vargje që më erdhen ndërmend ndërsa avioni prekte pistën për të zbritur në aeroportin " Frédéric Chopin" të Varshavës. Gjithmonë më ka bërë kurioz emri Ladislav dhe sa herë që e lexoja përkthimin e mrekullueshëm të Nolit të poemës Skënderbeu të poetit amerikan Henry Longfellow  nuk mënoja të lexoja dhe shpjegimin që shënohej me asterik : Mbreti Ladisllav – Ladisllav II-të (1423-1444), mbret i Polonisë, më vonë edhe i Hungarisë, u vra në betejën e Varnës nga ushtria e Sulltan Muratit II-të.   Ky kuriozitet dhe persiatje  nuk vinte nga emri sllav i  mbretit të Polonisë por më tepër si kuriozitet gjeografik dhe kulturor sesi Skënderbeu ynë dhe Mbreti Ladislav ishin të përbashkuar sëbashku në një front antiosman në Europë. Në ditët në vazhdim do të mësoja më shumë rreth brigjeve të detit Balltik, hapësirës kontinentale të Polonisë historike dhe do ta realizoja se në kufijtë historikë e kulturorë Arbëria dhe Polonia takoheshin në digën e madhe të Danubit kundër hordhive të Perandorive Osmane.


Saturday 29 June 2019

Arkitektura e mundishme e lirisë:krijimi i shtetit të Republikës së Kosovës.




Nuk e di nëse gaboj kur  pohoj se brezi im i mësuar dhe i rritur në ngjarje që shënonin represionin serb mbi Kosovë si demonstratat e vitit 1981, heqja e autonomisë së Kosovës në 1989, helmimet e fëmijëve në 1992, represionin e masakrat në 1998 e së fundi dëbimin biblik të bashkombasve tanë në 1999 do t ia arrinte një ditë si ajo e 17 shkurtit të vitit 2008,  që të përjetonte dhe shikonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës.Ngjarje të tilla historike të takojnë shumë radhë ti përjetosh e ti ndjesh, ndaj në optikën e ngjarjeve që kalojnë si ujë që rrjedh,  të duken gati-gati të pabesueshme.


Dëshmorët hebrenj antifashistë të Shqipërisë.





Pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste më 7 prill 1939 rrëzoi shumë mite mbi të cilën shqiptarët e viteve ’30 kishin sendërtuar identitetin e vet, ndaj edhe përpjekjet për të rifilluar një luftë çlirimtare sigurisht që nuk do të kalonin përmes së njëjtës shkollë mendimi dhe veprimi. Koha kërkonte një dinamikë tjetër dhe reminishencat e politikës osmane dhe hasburgase të kompromisit, bashkëpunimit, tradhtisë në çastin final që gjallonin këtyre anëve dhe që kishin brumosur shumicën e elitës politike shqiptare nuk mund të ishin më të zbatueshme në një botë që kish ndryshuar aq shumë që nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore. Një botë që ziente nën thundrën e makinës ushtarake të nazifashizmit që promovonte “diferencat nga natyra” – superiorët mbi të tjerët e darvinizmin social, kërkonte një luftë të pakompromis dhe vetëmohuese, çka britanikët si mjeshtërit e politikës të bazuar në “common sense”-gjykimit të shëndoshë e kuptuan dhe nuk ngurruan të bëjnë aleancat e nevojshme për të dalë fitimtarë nga ky konflikt.


Saturday 30 March 2019

Gjergj Kastriot Skënderbeu në botën gjermanike




Epopeja e madhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut , përveçse ndikimeve gjeopolitike që pati në rajon ka meritën se solli në vëmendje të Perëndimit sërish Arbërinë , nëpërmjet thirrjeve për ndihmë krijimin e aleancave dhe mobilizimin kulturor, moral dhe fetar ndaj osmanëve që po mundoheshin nëpërmjet pushtimeve të ashpra të asimilonin brenda perandorisë së tyre këto territore. Në Arbëri, ku bëhet rezistencë zbarkojnë vullnetarë dhe trupa ushtarake napolitanë, katalanë, gjermanë dhe anglezë të gjithë të përbetuar për të luftuar osmanët dhe për të mbrojtur Evropën dhe krishterimin. Edhe pse numri i tyre nuk është i përfillshëm për të ndaluar valën e pushtimit otoman, letrat dhe kancelaritë që përfaqësojnë, idetë dhe kulturën që sjellin bëjnë të mundur që ideja e Evropës në Arbëri dhe të një territori kontinuiteti me Evropën të konkretizohet nëpërmjet aleancave të ndryshme që ata i kërkojnë Papës së Romës për të udhëhequr luftën kundër osmanëve . Vetë, udhëheqësi shqiptar, Skënderbeu është i ndërgjegjshëm se vepron në mbrojte të Evropës në gjithë korrespodencën që ai ka me princat evropianë por dhe ata vetë nuk mënojnë ta njohin kontributin e tij në këtë përpjekje fatale. Papa i Romës e shpall atë Atlet të Krishtit, kurse i dërguari special i Papës , kalorësi anglez John of Newport do ti shkruajë atij se e vetmja rezistencë serioze ndaj osmanëve ishin shqiptarët dhe se po të binte kjo fortesë, atëherë shumë shpejt ata do të ishin në Itali.  Pikërisht në këtë vetëdije të Skënderbeut por edhe të njohjes së aksionit të tij politik nga Europa shërbeu dhe vepra e Marin Barletit për jetën dhe bëmat e heroit shqiptar.


Friday 15 March 2019

Princi Vidi mes intrigave evropiane dhe ballkanike.



Historia ripërsëritet në mënyrë të çuditshme. Në fillimet e civilizimit europian kur fiset gjermanike krijonin mbretëritë e tyre , modelet kulturore që merrnin ishte kultura klasike greko-romake e mishëruar në oborret perandorake të Romës dhe Konstandinopojës. Një mijë vjet më vonë kur kombet e Ballkanit që banonin në trojet e Perandorive të vjetra, e që po krijonin shtetet e tyre kombëtarë , monarkët e afruar nga Europa për tu mësuar vetqeverisjen ishin nga dinastitë gjermane. Në Greqi në 1832 Mbretin Otto nga dinastia Ëittelsbach, në Rumani në 1866 dinastia e  Hohenzollern-Sigmaringen , në Bullgari dinastia e  Saxe-Coburg and Gotha, përfaqësues të dinastive gjermanike u thirrën për tu kurorëzuar dhe qeverisur shtetet e rinj kombëtarë. Këtij rregulli të pashkruar diplomatik  të Koncertit të Fuqive të Mëdha nuk do i shpëtonte as Shqipëria kur do të njihej si shtet i pavarur.  Konferenca e Ambasadorëve miratoi më 29 korrik 1913, projektin mbi organizimin e shtetit shqiptar. Sipas këtij vendimi, “Shqipëria njihej si një shtet i pavarur, por nën kontrollin dhe garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha dhe në krye të shtetit shqiptar do vendosej një princ, i cili do zgjidhej prej tyre. Lista e kandidatëve për fronin shqiptar do te ishte e madhe, por më në fund më 8 nëntor u zgjodh Vilhem Vidi.[1]( Arben Puto, Shqipëria politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009), 120).Kjo zgjedhje nuk ishte vetëm europiane por reflektonte edhe një dëshirë të brendsheme të qarqeve të politikës shqiptare. Zyrtarë të lartë të qeverisë së përkohshme me në krye Ismail Qemalin do t’u bënin të ditur Fuqive të Mëdha por edhe Kostandinopojës, se ata nga ana e tyre parapëlqenin një princ europian, për të theksuar në njëfarë mënyrë prirjen Perendimore të shtetit të ri.[2] (Ferdinando Salleo, Shqipëria: gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit), 53). Sigurisht që fjalën e parë për zgjedhjen e Mbretit të Shqipërisë do ta kishin  Fuqitë e Mëdha që ishin më shumë të interesuara për çështjen shqiptare.  Më në fund të ndodhur edhe nën shtërngesën e kohës, vendimi iu besua Austro-Hungarisë dhe Italisë, të cilat ranë në ujdi për një princ gjerman protestant, për pasojë i huaj ndaj querelles (grindjeve) fetare të shqiptarëve, emri i të cilit ishte Vilhelm Wied.[3] (Ferdinando Salleo, Shqipëria: gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit), 54). Por zgjedhja e Princ vidit në fronin e Shqipërisë nuk kishte qenë vetëm për arsyen e realitetit fetar të shqiptarëve. Si zakonisht , forca të tjera në dukje jo fort të rëndësishme kishin ndikuar në këtë zgjedhje. Mbretëresha Elisabeta e Rumanisë, shkrimtare e njohur nën pseudoninimin “Carmen Silva” do të ndikonte edhe te i shoqi mbreti Carol, duke bërë çmos për zgjedhjen e nipit të saj në fronin e Shqipërisë. Ajo e shtynte ta pranonte fronin. Ajo hapi një fushatë në shtypin e kohës në përkrahje të kandidaturës së nipit,[4]( Arben Puto, Shqipëria politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009), 121). ku vinte në dukje virtytet me të mira të tij.  Mirëpo pavarësisht fushatës së promovimit të Mbretëreshës së Rumanisë në qarqet e fisnikërisë më të lartë europiane por edhe në opinionin publik europian , kishte opinione të tjera që ndikonin negativisht në zgjedhjen e tij.
Perandori gjerman, ndryshe nga të tjerët, dukej i ftohtë ndaj cilësive të kushuririt, aq sa, siç u shruajt në atë kohë  e kishte këshilluar mos ta pranonte fronin. Në kujtimet e veta, të shkruara pas ngjarjeve në Shqipëri dhe Luftës Botërore, Vilhelmi i II do të hidhte jo pak dyshime rreth aftësive për të qeverisur të princ Vidit.[5]( Ferdinando Salleo, Shqipëria: gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit), 55) .Sipas Perandorit Vilhem ishte e pakëndshme që një princ gjerman të shkonte dhe të bëhej gaz i botës në një vend të tillë. Një qëndrim i tillë i Kajzerit mund të ketë ardhur edhe nga fakti se motra e tij ishte mbretëreshë e Greqisë dhe nuk donte që një princ gjerman, kushëri i afërt i tij, të vihej në krye të shtetit shqiptar, ndaj të cilit Greqia kishte synime që shkonin larg.[6]( Arben Puto, Shqipëria politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009), 120). Intrigat e fisnikërisë europiane ngatërronin më keq qiejt e nacionalizmit në Ballkan! Gjithësesi pavarësisht hezitimeve , Princi Vilhelm Vid mbërriti në Durrës, më 7 mars 1914, i caktuar si kryeqyteti i principatës së tij.  Një mundësi më tepër po hapej për Shqipërinë pavarësisht faktit që kufijtë e përcaktuar në Londër kishin lënë jashtë më shumë se gjysmën e territoreve shqiptare. Princ Vidi  u mirëprit nga shqiptarët, pasi ata besonin se vetëm ai mund të ndryshonte fatin e vendit. Më 17 mars 1914 u formua qeveria e re shqiptare, nën kryesinë e Turhan pashë Përmetit. Krijimi i Qeverisë solli në rend të ditës edhe çështjen e marëdhënieve të saj me KNK, ku kjo e fundit do t’i kalonte e pushtetin e saj, por që do ndërhynte derisa eksperimenti mbretëror i Fuqive të Mëdha do të merrte fund.[7] (Paskal Milo, Politika e Jashtme e Shqipërisë I, (Tiranë: Toena, 2013), 184). Mirëpo situata e brendshme dhe politike e Principatës së re duket se nuk shkonin mirë. Caktimi i Esat Pashës nga Princ Vidi  në rolet  e  rëndësishëm të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Ministrit të Luftës ishte një nga gabimet që i kushtoi rëndë jo vetëm mbretërimit të Vidit por dhe stabilitetit të vendit. Që më herët pa ardhur ende Princ Vidi, Esat Pashë Toptani kishte shprehur ambiciet e tij personale për të qeverisur Shqipërinë. Esat Pashë Toptani në një intervistë të dhënë në një gazetë italiane në vitin 1914 kur fliste për ardhjen e princ Vidit në Shqipëri, “nuk i mohonte simpatitë e tij për Turqinë” (Salleo,2000:61), por në të njëjtën kohë i zotohej princit  se “askush tjetër përveç tij nuk do të bëhej mbret i Shqipërisë në qoftë se princi jepte dorëheqjen” (Po aty:62), duke shprehur në këtë mënyrë ambiciet e tij personale. Dalë nga dalë Esat Pasha për interesat e veta i minoi pushtetin Princ Vidit dhe Shqipëria u zhyt në kaos.
Një rol të rëndësishëm në acarimin e situatës luanin dhe fqinjët ballkanikë të Shqipërisë që kërkonin të destabilizonin shtetin e ri dhe xhonturqit që kërkonin të rikonfirmonin influencën e tyre nëpërmjet caktimit të një princi mysliman. Këta të fundit “duke shfrytëzuar në mënyrë të veçantë grupe fanatikësh myslimanë boshnjakë, që ishin vendosur në Shqipëri nën mbrojtjen e Portës, në kohën e pushtimit austriak të Bosnjë-Hercegovinës” (Salleo,2000:86) si dhe ndjenjat islamike të një pjese të popullsisë vendase “organizuan një kryengritje të vërtetë” (Po aty:86) me tendenca islamike kundër qeverisë së Princ Vidit. “Këta agjitatorë kishin përhapur lajme se princi, që ata e përshkruanin si hebre, kishte ndërmend të ndalonte Islamizmin dhe kjo shkaktoi zemërim tek myslimanët boshnjakë, zemërim që përfshiu dhe myslimanët sunitë,që mendonin se një hap i tillë do dhunonte lirinë e tyre. Për më tepër, shumë myslimanë kishin frikë se princi, si i krishterë do përmbyste në favor të të krishterëve epërsinë shoqërore që ata si myslimanë kishin gëzuar gjatë rregjimit turk”(Sëire.J, 2005:176) Lëvizja ka hyrë në histori si “kryengritja e Haxhi Qamilit” dhe përfaqëson një nga episodet më të errtë në historinë moderne të shqiptarëve. Kërkesat kryesore të “kryengritësve” ishin që Shqipëria të futej nën suzerainite turk, përdorimi i flamurit turk dhe i turqishtes dhe ndonjëherë ato kalonin dhe cakun e absurditetit kur kërkonin që të zhbëhej sovraniteti i shtetit të ri.
Identiteti fetar shfaqej kështu në formën më të egër dhe primitive për të shkatërruar identitetin kombëtar që mezi kish filluar të merrte jetë. Në të njëjtën kohë por me një kahje tjetër për sa i përket identitetit fetar shpërthen dhe rebelimi i ashtë quajtur “epirot” në jug të Shqipërisë i organizuar nga një renegat shqiptar, Kristaq Zografo-ish ministër i jashtëm i Greqisë nga fshati Qestorat i Lunxhërisë dhe një nga “shpirtrat e humbur” të shqiptarëve në betejën e tyre me Helenizmin dhe Kishën greke. “Rebelimi” u nxit dhe u mbështet nga ushtritë pushtuese greke, të cilat kishin hyrë në territorin shqiptar, përkatësisht në Gjirokastër e Sarandë. “Bandat epirote” të Zografos mundën të marrin pjesë si palë në bisedimet që Komisioni Ndërkombëtar ndërmori me autoritetet greke, bisedime nga të cilët u formulua dhe “Protokolli i Korfuzit”, që iu dërgua fuqive të mëdha për ta miratuar, miratim i cili erdhi në datën 2 Korrik.
“Dispozitat e protokollit ndërmjet të tjerash parashikonin shndërrimin e bandave të armatosura në xhandarmëri lokale, e cila do të ushtronte detyrat e saj vetëm në qarqet e Korçës e të Gjirokastrës. Në të dyja rrethet, qeveria shqiptare do të emëronte guvernatorë të krishterë, pranë të cilëve do të vendoseshin këshilltarë të zgjedhur nga vota e popullit. Sigurohej liria e plotë e  besimit, ndërsa gjuha greke do të mësohej në shkollat fillore, si dhe do të përdorej në administratë dhe në sistemin e drejtësisë”[8](Salleo, 2000:78).
“Kjo xhandarmëri  që përbehej nga vullnetarë që tashmë ishin nën armë”(Po aty:78), përbën pikën më të errët të kësaj historie pasi asnjëherë nuk është theksuar në historinë zyrtare të Shqipërisë, se këta vullnetarë ishin banorë lokalë të krishterë të Shqipërisë së jugut, të cilët “mbajtën një qëndrim të dyzuar duke u luhatur ndërmjet ndjenjave nacionaliste nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, filohelenizmit, rezultat i lidhjes së tyre me Greqinë dhe propagandën greke.”[9](Sëire.J, 2005:160-161). Sigurisht këto ndjenja nuk mund të ishin arsye të mjaftueshme që këta njerëz në emër të identitetit të tyre fetar të braktisnin identitetin etniko-gjuhësor si shqiptarë, për të përqafuar një identitet tjetër  kombëtar, por që shoqëria shqiptare e asaj kohe i duhej të bënte një “mea culpa”, për sa i përket dhunës feudale që shpesh herë aristokracia shqiptare myslimane kish ushtruar mbi popullsitë krishtere shqiptare, ky duhej të ishte pa diskutim një nga hapat e parë që ajo duhej të ndërmerrte për të realizuar një bashkim të vërtetë kombëtar. Madje ekzistencën e kësaj dhune dhe mosbarazie në të drejta kish arritur që të shfrytëzonte propaganda greke që kish arritur të ngjallte frikën “midis shtresave filohelene-që politikisht nuk ishin progreke”[10](Sëire.J, 2005:161) se një “qeveri shqiptare e mbizotëruar nga myslimanët do të vazhdonte ta konsideronte elementin ortodoks si inferior ndaj elementit mysliman sikurse kish ndodhur nën sundimin otoman”[11] (Po aty:161).
Fillimi i Luftës së Madhe e gjeti Shqipërinë në një gjendje të brendshme të mjerueshme, të paqëndrueshme si nga pikëpamja politike, ashtu dhe nga ajo ekonomike e shoqërore. Si rezultat i këtyre faktorëve të brendshëm por edhe të jashtëm, pasi nuk gjeti mbështetje te Fuqitë e Mëdha Princ Vidi u detyrua të largohej nga Shqipëria më 3 shtator 1914.[12] (Valentina Duka, Çështja e Princit të Shqipërisë dhe diplomacia e Britanisë së Madhe ( tetor 1913 – korrik 1914 ), Studime Albanologjike, (Tiranë: KRISTALINA-KH, 2009),  134.). Pavarësisht mbështetjes me trupa ndërkombëtare të përbërë kryesisht nga holandezë dhe rumunë, foshnja më e re e Europës kishte lindur e vdekur. Shqipëria nuk do të kishte fatin e monarkive të veta simotra të të Ballkanit, pasi edhe më vonë Princ Vidi nuk do të vinte më në pushtet. Për qeverisjen e Vidit një koment mjaft interesant na vjen nga Fan Noli, i cili thotë, që Princ Vidi mund të fajësohet vetëm se nuk mund të bënte mrekullira. Përpara se të largohej ai mbajti një fjalim përpara shqiptarëve ku thoshte se, në këto rrethana ku në Europë nisi lufta unë mendova të largohem për një kohë në perëndim, por jo që ta braktis një çështje të papërfunduar, të cilës jam gati t’i kushtoj gjithë forcat e mia dhe të gjithë jetën time. Por unë dua që të mësoni, sesi larg, ashtu si dhe këtu pranë jush, unë kurrë nuk do të rresht së menduari për progresin e vendit tuaj të dashur dhe të bekuar.[13]( Nina Smirnova, Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX, Përkth. Korab Hoxha; Fatmir Mborja (Tiranë: Ideart, 2004), 78).
Ai vdiq një javë para se të mabronte Lufta e Dytë Botërore në Rumani duke mos hequr asnjëherë dorë nga e drejta e tij kushtetuese për të qeverisur Shqipërinë, vendin që e deshi me gjithë shpirt por që kurrë s’arriti ta qeverisë.





Bibliografi:
1-  Arben Puto, Shqipëria politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009)
2-  Ferdinando Salleo, Shqipëria: gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit)
3-  Joseph Sëire. Shqipëria-Ngritja e një mbretërie . (Tiranë: 2005. Dituria)
4-  Nina Smirnova, Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX, Përkth. Korab Hoxha; Fatmir Mborja (Tiranë: Ideart, 2004)
5-  Paskal Milo, Politika e Jashtme e Shqipërisë I, (Tiranë: Toena, 2013).
6-   Stavro  Skëndi Zgjimi Kombëtar Shqiptar.(Tiranë: 2000. Phoenix).
7-  Valentina Duka, Çështja e Princit të Shqipërisë dhe diplomacia e Britanisë së Madhe ( tetor 1913 – korrik 1914 )




[1] Arben Puto, Shqipëria politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009), 120.
[2] Ferdinando Salleo, Shqipëria: gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit), 53.
[3] Ferdinando Salleo, Shqipëria: gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit), 54.
[4] Arben Puto, Shqipëria politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009), 121.
[5] Ferdinando Salleo, Shqipëria: gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit), 55.
[6] Arben Puto, Shqipëria politike 1912, (Tiranë: Toena, 2009), 120.
[7] Paskal Milo, Politika e Jashtme e Shqipërisë I, (Tiranë: Toena, 2013), 184.
[8] Ferdinando Salleo, Shqipëria: gjashtë muaj mbreteri, përkth: Virgjil Muçi, (Tiranë: Shtëpia e Librit & Komunikimit,78
[9] Joseph Swire. Shqipëria-Ngritja e një mbretërie . (Tiranë: 2005. Dituria), 160-161
[10] Joseph Swire. Shqipëria-Ngritja e një mbretërie . (Tiranë: 2005. Dituria), 161
[11] Joseph Swire. Shqipëria-Ngritja e një mbretërie . (Tiranë: 2005. Dituria), 161
[12] Valentina Duka, Çështja e Princit të Shqipërisë dhe diplomacia e Britanisë së Madhe ( tetor 1913 – korrik 1914 ), Studime Albanologjike, (Tiranë: KRISTALINA-KH, 2009),  134.
[13]  Nina Smirnova, Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX, Përkth. Korab Hoxha; Fatmir Mborja (Tiranë: Ideart, 2004), 78.