Saturday 26 August 2017

Elena Bonnati në penelin e Edward Lear



Mes piktorëve të tjerë që ilustruan veprat voluminoze të udhëtarëve të mëparshëm britanikë që udhëtuan në Shqipëri ishte dhe Edëard Lear (1812-1888), peizazhist, piktor dhe poet i periudhës Viktoriane në Britani. [1]Pavarësisht sepse është i përmendur më shumë sot për “vargjet e tij origjinale e pa kuptim për fëmijët në letërsinë angleze”[2], Lear në fushën e studimeve ballkanike përmendet për ditarin e vet “Journal of a Landscape Painter in Albania” i botuar për herë parë më 1851. Ditari është pasqyrim i mbresave dhe shënimeve të udhëtimit që Leare ndërmori në Shqipëri më 24 shtator –4 nëntor 1848. Janë të shumtë udhëtarët dhe piktorët të nxitur dhe të joshur nga ekzotizmi i veprave të Byron dhe veprës së Hobhauzit “A journey  through Albania and other European provinces of  Turkish Empire”  që vizituan dhe skicuan Epirin dhe Greqinë por asnjëri prej tyre nuk vizitoi veriun e Shqipërisë dhe ish-kryeqendrën e rezistencës shqiptare në shekullin e XV, Krujën. E veçanta e  Lear-it nuk është vetëm fakti se ai hyri nga lindja e Ballkanit( porti i Selanikut) por se udhëtoi gjatë e thellë në drejtimin jug-veri. Vetë Lear ndihet krenar për udhëtimin e ndërmarrë pasi thekson në ditarin e vet se është i “vetmi anglez që jep të dhëna për disa vende si pjesa e maleve Akrokerane, Kruja e rrethinat e Ohrit”[3].Në 2 tetor të vitit 1848 ai arriti deri në Shkodër ku u prit nga Zvkonsulli Britanik Spridon Bonnati.  Edëard Lear kishte letra rekomandimi për z Bonnati dhe ai e rregulloi të flinte në shtëpinë e një farmacisti venecian të quajtur Marko. Pasioni i Lear-it ishte piktura dhe gravurat. Një nga karakteristikat e udhëtarit britanik në gjysmën e shekullit të XIX ishte se ai zakonisht e zgjidhte kauzën  të cilën dëshironte të përkrahte përpara se të fillonte udhëtimin.[4]Lear bënte pjesë në këtë kategori udhëtarësh, pasi duke qenë para së gjithash një peizazhist dhe ilustrues me një ambicie të madhe,ai vazhdimisht ishte në kërkim të piktoreskes dhe sublimes të inspiruar nga panoramat e Mesdheut.[5]Për këtë arsye pas vizitave të kortezisë te Pashai i Shkodrës dhe drekës së shtruar për nder të tij, ai nxitoi që të nesërmen të pikturonte pejsazhet e mrekullueshme të Shkodrës. Përveç pejsazheve Lear skicoi dhe portretet e të njohurve të rrethit miqësor të Spiridon Bonattit që ai takoi në Shkodër.
Ditën e katërt të qendrimit në Shkodër Lear-i e kish planifikuar për të pikturuar për miqtë. Që herët shkoi në shtëpinë e Konsullit përt të vizatuar një kapedan gegë, Abdullah Beun, i veshur aq mrekullisht në ato kostume në të kuq e me ar. [6]I mrekulluar nga kostumet popullore shqiptare , Lear pikturoi Elena Bonnatin, vajzën e dytë të zvkonsullit britanik ne Shkodër, z Spiridon Bonatti, të veshur me kostum tradicional shkodran. Kostumi popullor shkodran që veshi Elena Bonnati për të pozuar për Lear, ishte një kostum që përdorej nga aristokracia e Shkodrës e të dy besimeve fetare.
 Pavarësisht faktit që në përshkrimet e Lear, Spiridon Bonatti përmendet si nënkonsull britanik në Shkodër, kombësia e tij nuk ishte britanike. Familja Bonatti kishte ardhur nga Korfuzi dhe ishte vendosur ne Shkodër. Me parë i ati i Elenës, kish shërbyer në Prevezë si konsull britanik. Ai shërbeu për një kohë të gjatë në Shkodër si zvkonsull i Britanisë së Madhe. Në Shkodër kishin gjetur strehë disa familje shqiptare nga skajet më jugore të vendit, ndër ta Idromenot nga Para, Kacarosër nga Korfuzi dhe Bonnatët po prapë nga Korfuzi. Nga viti 1842-1847 pranë nënkonsullatës britanike punoi  edhe  Pashko Vasa si sekretar i kësaj nënkonsullate.  Mesa duket në këto vite ai është njohur me Katerina Bonnatin(Ninën), motra e Elenës me të cilën ai u martua më vonë në 1860. Ata patën sëbashku katër vajza dhe një djalë, ndër të cilët tri vajza dhe djali vdiqën në moshë të njomë, ndërsa vajza e katërt vdiq më vonë, por edhe ajo e re, në moshën 28–vjeçare.

Gjurmimi i personazheve historikë që shfaqen në kronikat, akuarelet dhe tablotë të udhëtarëve dhe piktorëve të huaj në shekullin e XIX mund të fillojë të rindërtojë mozaikun e një Shqipërie të dikurshme që koha e ka dëmtuar dhe prishur. Epoka Viktoriane , periudha e vonë otomane në Shqipëri, Edward Lear, fisi Bonatti nga Korfuzi i vendosur në Shkodër dhe Pashko Vasa janë epoka historike e kulturore në të cilat jetuan personazhe historikë e kulturorë  fati i të cilëve ndërthurrej sëbashku duke prodhuar, art, orientalizëm dhe imazh. 





[1] Shih për më tepër  Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. faqe 130
[2] Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing,1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 606
[3] Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. faqe 20
[4] Barbara Jelavich. “The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the Slavonic Provinces” The Slavonic and East Review, Vol.33, No. 81(June.,1955) faqe 396
[5] Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Ëriting, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 606-607
[6] Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. Faqe 33


Saturday 19 August 2017

Dividi dhe kama e shkruesit të Ali Pashë Tepelenës.




Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar gjenden rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Rëndësia e tyre nuk shtrihet vetëm në rolin ekspozues e ilustrues të historisë por edhe në rolin e rrëfimit të historisë dhe epokës që përfaqësojnë. Në këtë mënyrë muezologjia i vjen në ndihmë historisë përmes dokumentimit dhe ilustrimit të ngjarjeve dhe epokave historike duke e vendosur historinë e territoreve ku banojnë sot shqiptarët në një histori integrale të Mesdheut.