Sunday 29 July 2012

Amaneti i Ali Podrimes


Një nga botimet më të hershme të poetit Ali Podrimja në Shqipëri ishin disa poezi të tij një përmbledhje poetike të poetëve kosovarë “E di një fjalë prej guri” në vitin 1971 Përmbledhja poetike ishte një antologji e poetëve më të mirë kosovarë duke filluar nga Esat Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti etj që sillnin një aromë të re modernizmi në poezinë shqipe që dhe vetë po përjetonte një periudhë të tillë por që shumë shpejt do të ndryshonte dhe do ngurtësohej nën presionet e artit të Realizmit Socialist. Titulli i përmbledhjes qe zgjedhur nga një poezi e Azem Shkrelit, por e gjithë përmbledhja shprehte  forcën përfaqësuese të poezisë dhe artit të tyre. Hierarkia e artistike dhe e vlerave është e çuditshme, sepse sa herë që kërkon të imponohesh vjen një moment që koha të zhvlerëson dhe të jep vendin e merituar si ndodhi me plot bardë të Realizmit Socialist në Shqipëri që sot kanë mbetur vetëm si shkrues të zakonshëm në historinë e letërsisë, kurse arti i vërtetë përmes poemave të Podrimes i kanë dhënë atij një emër të merituar në panteonin e letrave shqipe. Kosova në këtë përmbledhje poetike rrugëtonte drejt Shqipërisë ,  në nivel artistik përmes vargjeve të poetëve të saj si e gurtë, e ashpër dhe e vuajtur sepse të tilla ishin dhe vuajtjet e saj në përpjekjet për të formësuar dhe ruajtur identitetin e veçantë mes federalizmit të sllavëve të jugut. Përmes dhimbjes dhe pikëllimit shekullor të ndarjes me forcë nga trungu amë, vargjet e poetëve të saj ishin sa vargje për bukurinë krenare të viseve shqiptare po aq dhe vajtime për fatin e shqiptarit modern kosovar të ngujuar mes dy ideologjive kinse të afërta bazuar në internacionalizimin proletar por që në thelb po i bluanin identitetin e shqiptarit të Kosovës si dy mokra mulliri.
Filozofi i lashtë Platoni në veprën e tij “Republika”, një traktat filozofik për mënyrën sesi duhet ndërtuar shteti i përjashtoi poetët nga të gjitha funksionet drejtuese duke pretenduar se me artin e tyre dobësojnë shpirtin luftarak të qytetarëve, një gjykim që në fakt ka rezultuar të jetë një nga më të gabuarat e tij pasi imagjinoni se çdo të ishte arti antik grek pa epopetë homerike të Iliadës dhe Odiseut, art që për shumë shekuj u bë një art frymëzues i ringjalljes shpirtërore të Evropës. Po kështu ringjallja shpirtërore e Kosovës shumë më shpejt se demonstratat dhe lëvizjet e armatosura për pavarësi erdhën përmes vargjeve të poetëve të saj ku mes tyre shquante poezia e Podrimes “Unë biri yt Kosovë”. Vargjet e tij do të ishin gjithmonë në gëzimet dhe pikëllimet e popullit të vet martir si një libër i hapur për cilindo që dëshironte të njihte Kosovën. Podrimja ishte natyrë e heshtur, larg fanfarave dhe dritave që poetët diletantë shpesh herë na mërzisin dhe bombardojnë nëpërmjet medieve por arti i tij ishte i madh dhe merrte akoma më tepër jetë nëpërmjet zërit të butë dhe meliodoz të tij. I gjithë brezi im i mësuar me një fotografi bardhë e zi  të zmadhuar të gazetës “Drita” të fundit të viteve 80 , fotografi që sipas të gjithave gjasave ishte zmadhuar sipas klisheve të artit socialist për të treguar se poeti është impozant dhe në jetën e tij private, u shtang në vitet 90 kur e pa për herë të parë poetin e famshëm  me trupin e pakët dhe sytë e drojtuar por me fjalën zjarr. Tek Podrimja dukej sikur qëllimisht fjala shqip kish zgjedhur një njeri me trup të pakët për të mos trembur njeri sepse kumtet shqiptare të fund shekullit të XX ishin të tilla që nuk mund të linin asnjë njeri të civilizuar pa u prekur.
Fjala shqip kish dy dekada që përmes artit të Podrimes fluturonte në qiejt evropianë për të rrëfyer bukuritë dhe tragjeditë e një kombi të vogël që vuante nën një regjim kolonial në fund të shekullit të dritës dhe në mes të Evropës. Shuarja e tij, sepse të lashtët gjithmonë kanë besuar se poetët janë yje që shuhen dhe fill pas tyre kombi ashtu si fëmijët mund të thotë një dëshirë, mund të kumtojë atë që ai kish kënduar që në 1981 për Parisin se mbrapa do i lëmë  pas shpine netët ballkanike, vallet , këngët , baladat dhe vetëm fyellin do marrim ti biem  sa herë që do na rrokë malli . Rrugëtimi i kombit të tij për në Evropë pat filluar që herët nga poezia e tij me trajektoren moderne të përcaktuar qartë se pas do i lëmë mëritë ballkanike por kurrë s’do harrojmë identitetin tonë nëpërmjet melodive tona të luajtura me fyell që për shqiptarët është instrument magjik i vetëvendosjes së tyre, sigurisht jo “Fyelli Magjik” i Moxartit por ai i melodive ilire dhe këngëve të Naimit.
 Lamtumirë poeti ynë që sa ishe gjallë na i kumtove të gjitha e tash e tutje sa herë duam të njohim vetveten do rikthemi sërish te arti yt sepse aty do gjejmë vetveten dhe të ardhmen. Në lajmin e fundit nga Podrimja u tha se shkaku i vdekjes ishte dehidratimi, por unë s’besoj se poetët vdesin nga mungesa e ujit sepse ata janë det fjalësh ku mund të lundrojë një komb i tërë, por poetët vdesin nga ëndrrat e paralizuara dhe për këtë gjë nëse duam ta nderojmë deri në çastin e fundit le ta bëjmë Shqipërinë e Kosovën se ky është amaneti i tij ashtu si kanë qenë  amanetet e poetëve tanë që nga Naimi e Fishta e me radhë.

Gazeta Shqip 29.07.2012





Saturday 28 July 2012

Vrasja e Hasan Prishtinës






ATENTATI NDAJ HASAN PRISHTINES 

ORIGJINALI GREQISHT DHE PERKTHIMI SHQIP 
( NGA GAZETA GREKE “MAQEDONIA E RE” )

- 14 gusht 1933 - një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, në Selanik, ku është shënuar se ai është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve’’. Gazeta e kohës përshkruan vdekjen tragjike të atdhetarit, politikanit të madh Hasan Prishtinës. 

Ja dhe përshkrimi:
“Një tjetër vrasje që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes ’’IVI’’. Shqiptari Ibrahim Çelo, 28 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtinën. 
Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhëtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane ’’IVI’’ dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolverin e markes ’’SMITH’’ dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtenë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes.
Fill pas krimit të tij vrasësi, që ti ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku. Nga tronditja ai ra në vitrinën e tregëtores ’’Beharnae’’ të cilës ia dëmtoi tendën, por rimori veten, për t’u turur drejt rrugës ’’Paleon Patron’’ ku u rrethua nga turma, që e ndiqte me synime të errëta. Vrasësi hyri në banesën e mjekut z.Dukidhis, ku dhe ju dorëzua rojes së policisë. Por nuk mundi t’i ik egërsimit të turmës. Kalimtarët që e ndoqën dhe banuesit fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur indetitetin e tij dhe as motivet e vrasjes, të indinjuar ndaj egërsisë që tregoi vrasësi ndaj viktimës, sa panë të vije skuadra e policisë, u turrën dhe ata duke thirrur: - Shqyjeni, shqyjeni, vrasësin. Ndërsa polici më kot përpiqej të shpëtonte antentatorin, turmat u turrën ndaj tij dhe nisën ta grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Do ta kishin çarë përgjysëm vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në një tjetër shtëpi, në rrugën ’’Paleon Patron’’, ku u strehua nga i zoti i shtëpisë, i cili nxitoi tu mbyllte derën e jashtme turmave të zemëruara. 
Pas pak mbërriti sekretari i policisë, nëntogeri z.Zografo, dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të policisë. Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia.
Në orën 2.50 minuta pas dite oficeri Sotiriu nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njeh gjuhën greke, ai u përgjigj se njeh gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke.
Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaromaqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë antetatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjet ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogun.
Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit te mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajne tradhëtar.
Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregëtar frutash, ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ish shpërngulur në Nikea për hir të shlodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare. Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kish treguar për rininë, vërshtirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtarë kundër xhonturqve. Morri pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e vet për çështjen shqiptare”.


Thursday 26 July 2012

Te Rrapi që s'është më në Mashkullorë



Që sot e tutje nuk do të ketë më rrap të Mashkullorës, simbol të qendresës kombëtare pasi një erë e fortë shiu dhe me rrebesh e ka vithisur dhe flakur tutje rrapin 200 vjeçar që kish përballluar shumë të tilla por nuk mund të përballonte më grykësinë e njerëzve për beton që i shkatërruan habitatin e tij natyral. Sigurisht që rrapi do të jetë prezent gjithmonë në këngën e famshme të Çerçizit që i kuq ei bën me bojë të gjithë ata që si lëne djemtë e tij të shkojnë, por nuk do të jetë më si një monument natyre që përkujtonte një ngjarje të shënuar për etninë tonë dhe do i shtohet listës së gjatë të monumenteve të tjera të natyrës të prishura dhe shkatërruara tashmë si froni i pashait, një masiv shkëmbor që përmend Mithat Frashëri si vendi ku rrinte Ali Pasha Tepelena e sodiste perëndimin e diellit në Vjosë në buzat e Tepelenës apo dhe lisi tashmë i prerë para Akademisë së Arteve të mbjellë nga Ethem Beu më 1789.
Rrapet si drurë të shenjtë që nga antikiteti përveçse i kanë shërbyer komunitetit për hije natyrore shumë të mirë kanë qenë dhe vende mbledhjesh e kuvendesh ku janë marrë vendime të rëndësishme për fatet e vendit. Mjafon të përmendim rrapin e Mesaplikut ku u mbajt Besëlidhja Shqiptare më 1828 një nga kuvendet më të rëndësishëm kombëtarë dhe ku krerët e Shqipërisë së Jugut formuluan një program politik të tyre përkundrejt Portës së Lartë që dëshironte ti përdorte si mish për top për të shtypur Revolucionin grek.
 Lista e gjithë këtyre monumenteve natyrore mund të jetë e shumtë në Shqipëri dhe çdo krahinë mund të fillojë të ndërtojë hartën e tyre por problemi qendron se shumë prej tyre janë drejt rrënimit të plotë dhe makutëria e njërëzve për të përfituar në kurriz të natyrës është kaq e madhe sa ska një Zot që ta ndalë. Mund të flasim nga mëngjesi në darkë për ruajtje të trashëgimisë kulturore por po nuk pati një përforcim të pushtetit lokal dhe një ndërgjegjësim të komunitetit çdo gjë do të jetë e kotë. Shkatërrimi do të vazhdojë ca nga natyra ca nga dora e njeriut dhe këngë të mbrekullueshme të gjyshërve tanë si te Rrapi në Mashkullorë vetëm  do të këndohet por sdo të ketë asnjë shenjë të ngjarjes që ka ndodhur. Jo shumë larg prej nesh në një ishull të Greqisë, në Rodos vendasit ruajnë me fanatizëm një rrap që thuhet që është që nga koha e Hipokratit dhe një det turistësh e vizitojnë çdo vit duke i shtuar një vlerë kulturore Greqisë. Po shqiptarët kur do fillojnë të kuptojnë se historia e tyre vlen dhe se e meriton të ruhet dhe mbrohet jo vetëm nga shteti por nga të gjithë.




Te rrapi në Mashkullorë


        Doli Shkurti hyri Marsi 
Ne Gjirokaster u vra bimbashi 

          Te vrane bimbash te vrane 
           Hitoja me Bajramne 

           Doli Shkurti hyri Marsi 
           Ne Gjirokaster u vra bimbashi 

            Nga Janina vjen Mazapi 
            Ne Mashkullore te rrapi 

            Te rrapi ne Mashkullore 
            Foli Cercizi me goje 

            Mylazim largo taborre 
            leri djemt e mij te shkojne 

            leri djemt e mij te shkojne 
            se do t'ju kuq t'ju bej me boje 

            do t'ju kuq t'ju bej me boje 
            se ashtu e kam zakone 





Sunday 22 July 2012

Të huaj në vendin e vet



Në këto ditë të nxehta e të thata të verës, trafiku dhe infrastruktura e plazheve rëndohen jo vetëm nga rendja e njerëzve drejt vendeve relaksuese dhe resorteve turistike, por edhe pse vendi përjeton një valë të kthimit në atdhe të emigrantëve, të cilët vijnë për të takuar të afërmit e familjarët e tyre. Shqipëria është një nga vendet me një numër të madh emigrantësh në rajon, aq sa shifra të marra nga eurobarometri numërojnë deri në 1 000 000 shqiptarë që banojnë në vendet e BE-së. Për më se dy dekada, puna dhe djersa e tyre e materializuar në dërgesat financiare drejt familjeve të tyre është kthyer në një faktor që ka ndihmuar në mënyrë thelbësore rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, duke u shndërruar në të njëjtën kohë në një vektor që ka përcaktuar edhe ngritjen ekonomike konstante që ka pasur Shqipëria në gjithë këta vjet. Duke parë këtë kontribut kaq të madh të tyre në jetën ekonomike të vendit që natyrisht ka dhënë impakt dhe në fusha të tjera të zhvillimit, mund të mendosh se emigrantët kanë arritur dhe një përfaqësim të denjë në shoqërinë shqiptare dhe se përbëjnë një shtresë të respektueshme të saj. Mirëpo me një vështrim të shpejtë mund të kuptosh se realiteti në fakt është komplet i kundërt. Së pari, në perceptimin e mediave, sidomos asaj të shkruar, ka kohë që ka bërë vend një opinion se rritja e aksidenteve rrugore dhe e kriminalitetit në stinën e verës i dedikohet ardhjes së emigrantëve në atdhe, a thua se sinjalistika rrugore në Shqipëri në 9 muajt e tjerë është e përsosur apo se problemet sociale që lindin krimin lulëzojnë vetëm mes emigrantëve. Kjo përqasje amatore ndaj rritjes së këtyre fenomeneve në Shqipëri gjatë periudhës së verës ngjan edhe më qesharake, kur mendon se emigrantët prej shumë kohësh janë qytetarë të vendeve të BE-së, ku respektimi i ligjeve dhe i kodeve janë norma morali që mbizotërojnë në shoqërinë e këtyre vendeve. Gjithsesi, ashtu si është provuar gjerësisht në Shqipëri, media mund të ketë apo dhe të formojë stereotipa të çuditshëm, si është dhe rasti i mësipërm ndaj emigrantëve, por politika zyrtare, ajo që përfaqëson të gjithë qytetarët, duhet jo vetëm të dalë mbi këta stereotipa, por dhe t’u japë vendin e merituar të gjitha shtresave të shoqërisë. Nuk mund të mohohet fakti se politika shqiptare vazhdimisht me deklaratat e saj apo dhe vizitat që bën herë pas here në vendet e Bashkimit Europian për të siguruar mbështetje në takime me emigrantët e ka përmendur rëndësinë e dërgesave të tyre ekonomike në atdhe apo dhe i ka thurur himne rolit të tyre në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por këto vlerësime kanë mbetur vetëm në nivele deklaratash dhe asgjë nuk është bërë që ata të ndihen qytetarë të vlerësuar të vendit të tyre. Sot, pas një zhvillimi ekonomik, kulturor dhe administrativ prej 20 vjetësh të demokracisë liberale në Shqipëri, emigrantët tanë ende nuk kanë mundësi të votojnë në vendet ku jetojnë, një të drejtë që disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik me demokraci ende hibride dhe të tronditura prej konflikteve etnike kanë kohë që iu kanë siguruar qytetarëve të tyre që rrojnë si emigrantë në vende të ndryshme të BE-së. Arsyet se emigrantët nuk paguajnë taksa në Shqipëri dhe rrjedhimisht nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet në Shqipëri, nuk qëndrojnë, pasi nëpërmjet dërgesave monetare drejt familjeve të tyre, tërthorazi marrin pjesë në jetën ekonomike të vendit. Për më tepër ndaj tyre, nga ana e politikës, vihet re një qasje në kufijtë e një përfitimi maksimal për sa i përket mbështetjes politike që dëshiron prej tyre, por mbështetja që u jep për të zgjidhur hallet e përditshme në vendet ku jetojnë është minimale. Emigrantët shqiptarë shumicën e të drejtave të tyre e kanë përfituar nga legjislacioni që afron Bashkimi Europian për emigracionin sesa nga kërkesat dhe aftësitë negociuese të qeverive shqiptare ndaj qeverive të vendeve ku banojnë emigrantët tanë. Kjo lloj përqasjeje po shikohet pothuajse përditë në ditët e sotme, ku emigracioni ynë pas një stabilizimi dhjetëvjeçar për sa u përket të ardhurave të tyre dhe pajisjes me dokumentacionin e duhur, po përjeton tronditje sërish në këto aspekte që reflektojnë krizën ekonomike që ka përfshirë Europën mbarë. Tashmë në vizitat e shumta të politikanëve tanë për të siguruar fonde dhe mbështetje politike ata nuk kanë nevojë vetëm për t’u bërë thirrje për të ardhur e votuar masivisht në zgjedhje, por dhe për t’u ndihmuar që ligjet e Bashkimit Europian të zbatohen rigorozisht ndaj tyre dhe të mos bëhen pre e shkurtimeve buxhetore për të dalë vendi mikpritës nga kriza. Emigrantët shqiptarë në Greqi po përballen me faktin se për të siguruar një vit qëndrimi, u duhet të blejnë sigurime shoqërore në vlerën e 2300 eurove, por pa u shënuar si sigurime në kartelat e tyre të sigurimeve shoqërore! Çfarë është kjo lloj llogarie poshtëruese? Një biletë për “parajsën” greke apo një shuplakë politikanëve tanë që flasin nga mëngjesi në darkë për bashkëpunim rajonal?
Politika zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Jashtme dhe ambasadës sonë hesht për këtë problem dhe të tjera si këto, lideri i opozitës që bëri takim me emigrantët në Selanik hesht, ku do t’i gjejnë të drejtat emigrantët tanë? Çfarë problemi u zgjidhet nëse ftohen të votojnë, kur problemeve që hasin në vendet ku jetojnë s’u del njëri për zot? Mospjesëmarrja e tyre në votime ka qenë dhe mbetet një defekt i madh i përfaqësimit të interesave të tyre, pasi askush më mirë se ata e di se ku “u pikon çatia”, por krahas plotësimit të kësaj të drejte plotësisht të merituar politika zyrtare duhet të jetë më e ndjeshme ndaj problemeve të tyre të përditshme për të mos i lënë “jetimë” nëpër botë dhe të huaj në vendin e vet, pasi statusi i një politike moderne është që të përmbledhë dhe të realizojë të gjitha dëshirat e atyre që e votojnë, përfshi këtu dhe një nga pjesët më vitale të kombit, emigracionin shqiptar.
 Gazeta Shqip 19.07.2012


Wednesday 18 July 2012

Morali i ri i politikës



“Politika nuk ka moral,çdo gjë në të është e lejueshme”. Kjo është shprehja lapidare që dëgjon lart e poshtë sa herë ndihet në ajër që prishen aleanca të vjetra e krijohen të reja, tradhtohen ideale dhe përqafohen kauza të dyshimta. Përforcimi i kësaj bindje të vjen ndërmend sidomos në kohëra të ngarkuara me ngjarje dhe rrjedhimisht me tension politik si është zgjedhja e Presidentit të Republikës. Në kohë të tilla ashtu si jemi mësuar rëndom deri tani fillojnë dhe pazarllëqet e mëdha që shiten si konsensuse të mëdha apo fillojnë braktisjet e mëdha dhe përzgjedhja e ofertës politike më të mirë për ata që janë në politikë por që për qytetarët e thjeshtë përkthehet si tradhti e idealeve të tyre.
Duke parë tablonë e politikës shqiptare në gjithë këto vite në përgjakjet dhe ndarjet e saj të mëdha por dhe në bashkimet dhe aleancat e papritura të bie në sy një tipar sociologjik që meriton vëmendje. Në dallim nga politikat e brendshme të shteteve të tjera në Ballkan, politika shqiptare karakterizohet nga mos mbajtja e fjalës mes vedi dhe prishja e pakteve politike të nënshkruar mes palëve duke i zëvendësuar marrëveshjet zyrtare në paçavure pa rëndësi . E gjithë kjo situatë që nuk është e re për qytetarët shqiptarë zhvillohet mes një paradoksi të madh që në vetvete shpreh dhe një defekt të madh të qytetërimit tonë. Demokracia si një sistem qeverisësja si komponent kryesor të tij ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e shtetit ligjor. Mes këtij respektimi dhe praktikimi të shtetit të së drejtës një vend kryesor zë kontrata si një element bazë i tij. Politika shqiptare ka dy lloj kontratash të lidhura me popullin, njëra është ajo morale për një politikë sa më të drejtë dhe transparente dhe tjetra është ajo institucionale që synon që besimin e fituar ta përkthejë në sukses qeverisje. Mirëpo edhe pse këto dy koncepte janë shumë të njohura për klasën politike duken se ato nuk respektohen, jo vetëm për faktin se kërkojnë të përfitojnë nga situatat si mund të dëgjohet rëndom por besoj sepse mungon dhe kultura institucionale për ta konfirmuar këtë vullnet.
Historia jonë moderne e ndërtimit të të parit përpjekje serioze për të pasur shtet fillon me një falsifikim fermani. Skënderbeu për të marrë Krujën e zotërimeve atërore të pushtuar nga otomanët përdor një ferman të rremë, veprim i cili mund të duket shpëtimtar për të vënë një drejtësi në vend, por në fakt reflekton përbuzjen e një autoriteti hyjnor si besohej që ishin në mesjetë bulat perandorake apo dhe fermanët. Këtë shkollë politike të mosrespektimit të kontratës apo dhe falsifikimit të saj Skënderbeu e mësoi sigurisht në Lindje pasi në Arbëri si tregojnë burimet historike kushdo që të ishin pushtuesit e territoreve i respektonin bulat perandorëve bizantinë apo dekretet e dozhëve të Venedikut. Otomanët ishin mjeshtër të mëdhenj të nxjerrjes së fermanëve të rremë viktima të së cilëve binin shumë nga kundërshtarët e saj që njëherë dukeshin se faleshin me një të tillë pastaj kapeshin dhe ekzekutoheshin me një ferman të dytë që pretendohej se tashmë ishte i vërteti. Viktima të kësaj loje me drejtësinë janë të shumë gjatë historisë së gjatë të shqiptarëve në Perandorinë Otomane, por më i gjatë duket dhe efekti që ka lënë në kulturën tonë shtetformuese pasi në pothuajse çdo etapë vendimtare për shtetin shqiptar, klasa politike ka luajtur të njëjtat lojëra mohimi dhe ripranimi marrëveshjesh që kanë rezultuar me pasoja fatale për shansin tonë historik.
Loja që po luhet sot mes pozitës dhe opozitës për Presidentin duket se është një lojë kukafshehtazi ku duket ai që do ti mbajë sytë për një moment mbyllur më shumë se tjetri do ta pësojë. Në thelb nuk po synohet konsensusi i gjerë por hiletë dhe dredhitë teknike neneve të Kushtetutës a thua se atë që do zgjedhin do jetë një epruvetë eksperimentale e teknikës administrative dhe jo personaliteti që do përfaqësojë unitetin e popullit. Interesi i përgjithshëm i shqiptarëve dëshiron që Presidenti i Republikës të zgjidhet që në raundet e para dhe mbi 84 vota për ti treguar familjes evropiane ku dëshirojmë të integroheni se ne jemi të aftë që të ndërtojmë një marrëveshje konsensusi për të mirën tonë edhe brenda një kohe të shkurtër. Pas një rrugëtimi të gjatë nëpër labirintet e shtetit të së drejtës, tashmë ka ardhur koha që të ndjekim fillin e Arianës për të dalë në dritë. Për t’ia arritur kësaj s’ka ndonjë filozofi të madhe sesa braktisja e sindromës së fermanit të rremë dhe përqafimi i respektueshmërisë së shtetit ligjor dhe frymës të bashkëpunimit të gurit themeltar të tij, Kushtetutës së vendit.
Politika e ka një moral dhe kjo është loja e drejtë si partnerë me kundërshtarin ku dhe humbja dinjitoze është vlerë, në të kundërt sërish do prodhojmë gjerenatore konflikti dhe vonesë të pajustifikueshme drejt integrimit .Faji në politikën shqiptare s’duhet të mbetet më jetim por përfaqësuesit e saj të bëhen prindër të mirë dhe këtë fëmijë trazovaç ta pagëzojnë konsensus me kumbar Bashkimin Evropian dhe aleatin strategjik SH.B.A

Gazeta Idea 9.06.2012



Sunday 15 July 2012

“Kodra e Rilindësve” dhe Memoriali i dhunuar i tyre



Foto e viteve 70' qe deshmon formen origjinale te Memorialit.

Kujtesa historike është një proces që mund të punojë në dy drejtime. Drejtimi i parë është ai përkujtimor që është dhe varianti më i përhapur dhe që nënkupton se vlera, ide dhe personazhe i shërbejnë kombit vazhdimisht për të mbajtur gjallë ndërgjegjen kombëtare dhe i dyti është drejtimi mohues që është variant më pak i përhapur dhe që nënkupton që ngjarje, personazhe apo dhe vlera “harrohen”  sërish për ti shërbyer interesave kombëtare. Një rast i tillë është p.sh ai i Zvicrës, ku lufta e konfederatave në 1846 harrohet dhe nuk përmendet për ti mëshuar më fort identitetit zviceran të të tre kantoneve. Në Shqipëri për shumë arsye që kanë të bëjnë me rastin specifik të saj në historinë e Ballkanit por edhe pse zakonisht modelet janë marrë të gatshme nga jashtë, është përqafuar drejtimi i parë , ndaj dhe njerëzit dhe shoqëria janë shumë të ndjeshëm ndaj çdo mohimi apo denigrimi të atyre që janë pranuar prej kohësh si vlera të mirëfillta kombëtare dhe personazhe të rëndësishëm që kanë mbizotëruar historinë e vendit. Sigurisht që në këtë qasje shqiptare ka vend dhe për korrigjim apo dhe një ç’mitizim që shpesh herë është vënë re në trajtimin e çështjeve dhe ngjarjeve të ndryshme historike, por pavarësisht faktit që kohët e fundit ka shumë përpjekje për rivlerësim apo rebalancim të këtyre vlerave duke u përpjekur për të rishkruar historinë, besoj se gjithsecili nuk mund të bjerë dakord me forma ekstreme të përdhosjes së atyre që janë nderuar dhe do të vazhdojnë të nderohen nga pjesa më e madhe e shqiptarëve si baballarët e kombit. Qasja ka të bëjë më tepër me përmbajtjen sesa me shkatërrimin barbar të formave që i përfaqësojnë këto vlera, si po ndodh për fat të keq në Shqipëri. Një rast që ilustron shumë mirë se mund të bëjë fjala akademike e lëshuar pa doganë drejt figurave të kombit por dhe se në çfarë krize neglizhence identitare kemi arritur është gjendja e memorialit të Rilindësve në Gjirokastër.
Në mes të verës, në datën 15 korrik , shqiptarët përkujtojnë ditën e vrasjes të heroit kombëtar Çerciz Topulli dhe aktivistit kulturor dhe gazetarit Muço Qulli në Shkodër nga forcat malazeze të pushtimit, të denoncuar si patriotë shqiptarë nga konsulli grek që ua njihte shumë mirë aktivitetin patriotik në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Eshtrat e Çerciz Topullit u morën në vitin 1936 dhe u rivarrosën në Gjirokastër sëbashku me vëllain e tij Bajo Topullin në një kodër paksa jashtë qytetit, vend i cili u kthye në një vend peligranazhi për çdo shqiptar që vizitonte Gjirokastrën dhe e ndjente veten të lidhur me idenë kombëtare. Në vitin 1964 u kthyen në atdhe nga Kajro eshtrat e poetit dhe veprimtarit të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare, Andon Zako Çajupi dhe me këtë rast shteti komunist i kohës ndërtoi memorialin e famshëm të kohës me shqiponjën dykrenore të derdhur në bronz që qëndronte sipër një obelisku dhe në këmbët e obeliskut preheshin varret e vëllezërve Topulli, A.Z.Çajupit, Koto Hoxhit-pionierit të arsimit shqip në Lunxhëri dhe Pandeli Sotirit-drejtorit të parë të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë 1887. Kodra prej asaj kohe u quajt kodra e Rilindësve dhe ishte vend ku çdo 7 mars, 28 nëntor apo dhe përvjetorësh të atyre që preheshin atje, vizitoheshin nga nxënës shkollash dhe shtresa të ndryshme të shoqërisë për të nderuar dhe kujtuar veprën e tyre. Memoriali ishte i veçantë dhe i vetëm i llojit të vet në Shqipëri pasi asnjë qytet tjetër nuk kishte një monument për të përkujtuar figurat e veta të shquara të këtyre përmasave apo si një panteon të vogël nëse mund ta quajmë në këtë llojin mënyre. Ekzistenca e tij nuk i prishte punë asnjë njeriu as ishte i mbushur me ideologji që përfaqësonte fitoren e njërit krah gjatë Luftës së Dytë Botërore që të pësonte shkatërrimin që pësoi pas viteve 90’.

Varret u përdhosën duke u thyer, shkronjat e emrave u fshinë , gurët dhe pllakat rrethuese u vollën dhe u thyen, shqiponja u qëllua me plumba gjatë trazirave të 97’ duke i këputur kokën dhe shpuar gjithandej sa me të drejtë dikush që  kish vizituar Gjirokastrën më parë dhe do të rikthehej sërish në ditët e sotme do mendonte se aty kanë kaluar barbarët ose ndonjë hordhi e huaj që nuk kish asnjë lidhje shpirtërore me ata pesë burra të famshëm që preheshin aty. Një iniciativë e disa të rinjve të Gjirokastrës për të restauruar memorialin e shkatërruar hasi në fillim në indiferencën e pushtetit lokal dhe të degës të institutit të monumenteve kulturore që nuk zgjidhnin mes tyre se përgjegjësi e kujt ishte për të filluar punimet dhe për pasojë Memoriali vuajti për disa muaj nga ky debat administrativ ku të gjithë i donin të tyret Çercizin e Bajon me shokë por asnjëri nuk mendohej që të vinte dorën në xhep për ti dhënë statusin e merituar memorialit të tyre. Në prag të zgjedhjeve lokale 2011, presioni i shoqërisë civile në Gjirokastër dhe Tiranë u rrit dhe kjo çështje u bë një çështje e mirënjohur nëpërmjet shumë kronikave televizive por dhe një emisioni special në Top Shoë ku trajtohej lënia në mëshirë të fatit të këtij Memoriali. Bashkia e Gjirokastrës  më së fundi reagoi duke çelur një fond për restaurimin e memorialit mirëpo, gjërat në Shqipëri edhe kur ka dëshirë për t’iu përgjigjur presioneve që bën shoqëria civile duket që nuk funksion si në të gjitha vendet. Fondi që u çel shpejt e shpejt shërbeu për të restauruar memorialin sipas shijes së atyre që po merreshin me të duke i përngjarë disa varreve publikë me mermerin e zakonshëm dhe asnjë rregullim tjetër territori dhe jo duke ndjekur logjikën e kthimit në identitet të tyre sipas planit arkitekturor që ishte ndërtuar. Në vitin 1964 ishte ndërtuar një lloj guri gëlqeror me pika të zeza për varret e tyre që ishte në harmoni me ngjyrën e bronzit të shqiponjës, e cila ishte gdhendur mjeshtërisht për ti përngjarë një shqiponje gati për fluturim dhe jo një shqiponje statike çka po mundohen sot të bëjnë restauruesit. Është e kuptueshme që nuk mund të riparohen gjërat që kanë kosto shumë të lartë, si p.sh dy pallate që kanë kërcyer si përbindësha atje duke mos bërë të mundur që memoriali të shikohet më nga rruga kombëtare Kakavijë-Gjirokastër por plani urbanistik dhe arkitekturor i Memorialit ekziston në arkiva , ndaj çdo ndërhyrje atje duhej të shoqërohej nga konsultimi me të  duke realizuar kështu kthimin në identitet të këtij monumenti. Çdo dëshirë dhe akt i mirë duhet të shoqërohet me hapat e duhur për të marrë vlerësimin e duhur në komunitet dhe të vjen keq kur kjo ekspertizë që ekziston nuk merret parasysh, dhe akoma më keq dhe kur Memorialin e përdor vetëm për qëllime elektorale dhe sot në datën e vrasjes së pabesë të  “Luanit të Gjirokastrës” nuk lexon asnjë rresht në shtypin e shkruar dhe asnjë veprimtari përkujtimore nuk organizohet. Një komb që në përpëlitjet e tij identitare fillon dhe shuan kujtesën historike të vlerave dhe idealeve që e kanë krijuar është i destinuar për tu kthyer në një masë amorfe popullate mbi të cilën mund të kryen gjithfarë eksperimentesh mbi shumëkombësinë, një modeli që Evropa po e braktis për veten e saj, ndaj për këtë arsye dhe për qindra arsye të tjera të ekzistencës së idesë kombëtare të shqiptarëve vlerat dhe idealet e atyre burrave të Memorialit duhen përjetësuar në një vend të denjë prehje për ta, ashtu si populli e emërtoi “Kodra e Rilindësve”

Revista Fenix 13.07.2013


Thursday 12 July 2012

“Beteja” për Kodin Elektoral.



Sesioni parlamentar i vitit 2012-2013 është një sesion vendimtar për krijimin  e një klime politike të qetë që do të bënte të mundur që dhe zgjedhjet e përgjithshme vitit 2013 të zhvilloheshin si një triumf i demokracisë dhe jo të kontestoheshin që në momentin e nxjerrjes së rezultatit të tyre. Mirëpo për të arritur në këtë moment që përbën dhe një qëllim në vetvete besoj dhe të forcave politike në Shqipëri, kërkohen që përveç vullnetit politik të realizohen dhe disa hapa teknikë që do ta përmirësonin ndjeshëm situatën. Aspekti më i rëndësishëm i këtyre hapave teknikë është miratimi me konsensus i një kodi të ri elektoral që do të bënte të mundur shuarjen e kontradiktave midis dy palëve të politikës.
Kodi elektoral vazhdon të mbetet thembra e Akilit të çdo procesi zgjedhor në Shqipëri dhe si i tillë ai duhet të kalojë përmes një procesi të vështirë por jo dhe të parealizueshëm të hartimit të tij, sigurisht duke u përshtatur ndryshimeve të mundshme dhe lëshimeve që do të bëjnë në momentin final të dy partitë e mëdha shqiptare. Themi të vështirë jo sepse ka vështirësi teknike që do të sillnin moszbatimin e tij, por sepse si e ka treguar koha më vështirë është që të dy palët të cenojnë nga interesat e tyre partiake sesa të demonstrojnë një kulturë shtetformuese të arritjes së standardeve zgjedhore. Paradoksi qëndron në faktin se ndërsa të dy palët bien dakord për të ulur në tryezën e bisedimeve deri më tash kur ka mbetur dhe një javë nga afati i vendosur për mbylljen e saj, asnjë gjë konkrete nuk ka dalë në dritë për të treguar se ka dritë në fund të tunelit për të arritur një marrëveshje. Mesa duket sërish po zhvillohet loja e zakonshme për t’ia faturuar dështimin palës tjetër dhe njëra palë të bëjë viktimizimin. Kjo lloj sjellje në dukje foshnjore nga të dy partitë politike, ka detyruar disa eksponentë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri që ta ngrenë zërin e tyre për mënyrën sesi po veprohet por dhe për të marrë garanci se çdo gjë do eci sipas dëshirës dhe planit që tyre , që korrespondon në fakt edhe me dëshirën e partive politike, por mbi të gjitha të elektorateve që ato përfaqësojnë.
Shqipëria dhe populli në masë shqiptar është tepër i lodhur nga konfliktet e egra politike që jo vetëm turbullojnë jetën sociale në vend por nuk arrijnë që të përmbushin standardet e një sjellje të zakonshme politike ashtu si në vendet e tjera. Kjo pamjaftueshmëri demokratike dhe lodhje e njerëzve nga politika ka rezultuar fatale për fatet e demokracisë në Shqipëri, pasi pjesëmarrja e njerëzve në votime nuk i kalon më shumë së 50% të zgjedhësve por dhe ka krijuar një klimë konflikti të vazhdueshëm që ka spiralet e veta pothuajse gjithmonë në ngjitje e sipër. Po kështu koncepti i llogaridhënies pothuajse nuk ekziston pasi pjesëmarrja e vogël në votime, duke llogaritur që gjysma e atyre që votojë janë dhe punonjës të administratës publike  nuk krijon shumë mundësi për një pjesëmarrje të gjerë dhe aktive të popullsisë në  demokracinë e drejtë për së drejtë. Parë në këtë këndvështrim çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë realitet dhe çdo veprim ç’tensionimi për të kapërcyer këtë ngërç të përhershëm të politikës shqiptare është për tu përshëndetur dhe meriton vëmendje të veçantë. Para disa ditësh kryeministri u tregua i gatshëm të takohej me shefin e opozitës për të diskutuar në detaje rreth reformës zgjedhore dhe kodit elektoral, por deklarata e tij mbeti vetëm në kufijtë e një dëshire, pa specifikuar se do të merrte parasysh pretendimet e opozitës. Për më tepër z Berisha nuk kurseu dhe fjalët pozitive për Kryetarin e KQZ, gjë që bie ndesh në mënyrë flagrante me perceptimin popullor në Shqipëri por dhe kritikat e komunitetit ndërkombëtar të bërë ndaj këtij Institucioni. Nuk mund të ketë debat dhe takim konstruktiv kur këmbëngulet për të ruajtur të gjitha qëndrimet e vjetra dhe për të imponuar një kinse debat teknik, ku faktori njerëzor ka qenë përgjegjës për shtrembërimin e qëllimshëm të ligjeve.
Deklarata e kryeministrit erdhi menjëherë pas deklaratave të disa ambasadorëve të rëndësishëm në Tiranë që i kërkuan partive politike shqiptare që ta mbyllnin reformën elektorale brenda afatit duke iu rikujtuar dhe njëherë se është një 12 nga pikat që Shqipëria duhet të plotësojë për të marrë statusin e vendit kandidat në vjeshtë. Ky presion i tyre vjen në kohën e duhur dhe jo vetëm që nuk është bezdisës por sigurisht që duhet vështruar me kujdes për të zbuluar nëse  do të ndiqet dhe nga qëndrime të tjera të tyre apo dhe dilemës sesi do të reagojë opozita ndaj ftesës së kryeministrit Berisha për të pasur një takim kokë më kokë me kreun e saj. Përzgjedhja e drejtë e një kodi elektoral duke braktisur mentalitetin e shprehjes së njohur më mirë një “vezë sot sesa një pulë mot” do të çlironte energji të reja mes njerëzve dhe vendi do të fillonte të ecte mbarë drejt zgjedhjeve të pakontestueshme dhe krijimit ë një klime besimi mes palëve.
Të gjitha  çështjet mes tyre si riformatimi  i KQZ-së  apo dhe shkarkimi i  kryetarit ë saj, janë çështje që mund të përfundojnë brenda një ore me vullnetin e mirë të të dy palëve, ndaj është i nevojshëm çfarëdolloj aksioni politik që mund të sjellë këtë paqe të sinqertë dhe shumë të kërkuar mes palëve. Shqipëria e vitit 2012 nuk është Shqipëria e disa viteve më parë kur vullneti politik mund të merrej peng dhe qytetarët ndiheshin të pafuqishëm për të parandaluar çfarëdolloj abuzimi mbi ta. Demokracia liberale ka në thelb të saj pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në të  dhe lojën e drejtë përmes zgjedhjeve si i vetmi mekanizëm legjitim që mund të garantojë vazhdimësinë politike dhe shoqërore të sistemit. Si shikohet reforma zgjedhore përfshin një pjesë të madhe të sfidave që has demokracia  në Shqipëri, ndaj partitë politike s’kanë më se ç’presin nëse dëshirojnë të presin një biletë për trenin e radhës në Bruksel. Stacioni ku do hipin është në të njëjtin vend prej nga janë nisur dhe vende të tjera , vetëm se na duhet që biletën ta presim vetë kësaj radhe, pa ndihmën e askujt  për të treguar se dhe ne jemi të aftë ti bashakangjitemi Evropës. 


Gazeta Shqip 11.07.2012


Monday 9 July 2012

Një ftesë për Rexhep Qosen



Në jetën publike shqiptare ka një zakon që është përforcuar shumë kohët e fundit. Nëse diçka nuk ecën mirë apo ka ndonjë gjë që është gabim, faji i  vishet menjëherë politikës dhe përgjegjësitë kërkohen tek ajo. Nuk e vë në diskutim se politika është një nga  shprehjet më të larta të aktivitetit njerëzor dhe me fuksionimin e drejtë ose të gabuar të saj influencon shumë  në jetën e qytetarëve, por për fat të mirë ajo nuk është e vetmja fushë që e ka këtë ekskluzivitet, çka në të vërtetë e bën më dinamike aktivitetin njerëzor.Kultura, historia, gjeografia, antropologjia dhe një sërë disiplinash të tjera shkencore influencojnë po aq sa dhe politika në jetën e përditshme të njerëzve. Nisur nga kjo përqasje është e lehtë të kuptosh se dhe ngjashmëritë midis politikës dhe tyre janë të shumta, dhe për më tepër të nxjerrësh përfundimin se dhe konkurrenca e individëve në mes të tyre është po aq e ashpër sa dhe në politikë. Duke pasur parasysh këtë argument të fundit mund të gjykohet lehtë dhe një lajm që bëri jehonë në hapësirën shqiptare rreth ftesës që nuk i është bërë ende akademikut nga Kosova Rexhep Qosja për festimet e njëqindvjetorit të pavarësisë.Shumë medie të shtypit të shkruar dhe ato vizive komentuan menjëherë se kjo ishte një harresë e qëllimshme nga ana e komisionit organizator të festës e madje e trajtuan si dhe hakmarrje primitive e kryeministrit Berisha ndaj tij. Fakti që marrëdheniet midis ish-Presidentit dhe kryeministrit aktual Berisha dhe akademikut Qosja nuk janë të mira nuk përbën ndonjë zbulim e aq më tepër nuk është ndonjë sekret, por përpjekja për tia faturuar gjithë fajin për harrimin e tij politikës për të mbuluar luftën e bërrylave në lëmin e kulturës dhe historisë është një fenomen që meriton vëmendje.
Kryeministri Berisha gjatë gjithë karrierës së tij politike mund të ketë krijuar shumë simpati dhe antipati pasi të jesh protagonist në politikë për mëse 22 vjet nuk mund të jesh gjithmonë i pacënueshëm nga opinionet e ndryshme të njerëzve dhe figurave politike e kulturore bashkëkohore por që veprimi i fundit ndaj Qoses të jetë i ideuar nga ai, tingëllon i çuditshëm. Shumë figura politike të cilat kanë qenë shumë më të ashpër me të, si Neritan Ceka, Arben Imami, Ilir Meta etj apo dhe opozitarë të drejtë për së drejtë të tij do të jenë të pranishëm në festime dhe do të mbajnë një fjalë përshendesëse ndaj emri apo jo i Qoses aty, nuk do të përbënte një problem për të.Pavarësisht se figurat e mësipërme janë miq dhe aleatë në politikë me Kryeministrin Berisha dhe kjo mund të jetë arsye që sot ata të jenë të pëlqyeshëm, figura e  Qoses si një figurë opozitare ka vite që ka fituar sharmin e një zëri ndryshe që nuk prish aurolën e asnjë feste.  Nisur nga ky fakt, ardhja dhe prania e Qoses në Vlorë nuk shkakton ndonjë problem te Berisha por tek figura të ndryshme kulturore që kanë kohë që janë në konflikt të hapur me të për çështje të ndryshme identitare. Është mirë që cilido që e mendon se duke i bërë shërbim njeri apo tjetrit duke përjashtuar Qosen nga festimet kombëtare të heqë dorë sa më parë nga ky mendim i mbrapshtë pasi të mos ftosh Qosen në Vlorë është njësoj sikur ti mohoje të drejtën Hasan Prishtinës për të mos marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 1912. Hierarkia e vlerave kulturore të një vendi nuk mund të krijohen nga përjashtimet e njëri apo tjetrit figurë kulturore nga të tilla ngjarje,por nga një vlerësim i drejtë i veprimtarisë së tyre kulturore. Kontributi i Qoses në kulturën shqiptare është i pazevendësueshëm pasi ai prej kohëh ka krijuar një tipologji kulturore të veçantë në letrat shqipe dhe me studimet e tij historike dhe gjuhësore të letërsisë së krahasuar  ka themeluar një shkollë të vërtetë kritike në gjithë hapësirat shqiptare në Ballkan. Përpos të tjerash me zërin e tij të fuqishëm intelektual dhe kurajon civile që e ka karekterizuar akademiku Qosja ka luajtur një rol të fuqishëm në formëzimin e ndërgjegjes kombëtare në Kosovë dhe në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve aty, nën regjimin famëkeq të Millosheviçit.
Një nga meritat më të mëdha të demokracisë liberale është dhe dëgjimi dhe respektimi i mendimit ndryshe dhe jo përjashtimi i atyre që nuk jnë dakort me të gjithë  sepse kështu rrezikojmë të rikthemi sërish në reminishencat e së kaluarës. Ndaj sa jemi në kohë dhe kur festimet e pavarësisë janë ende duke u afruar, do të ishte mirë që ky gabim që po i faturohet me pa të drejtë politikës të përmirësohet. Ftesa duhet të jetë e hapur dhe e drejtë për së drejtë për korifeun e kulturës kombëtare shqiptare në Kosovë. Bashkimi kulturor gjithmonë i ka paraprirë bashkimit kombëtar, ndaj pa u realizuar kjo ftesë ,çdo retorikë kombëtare në Vlorë në nëntor të këtij viti do të jetë boshe. Jepi Çezarit, çfarë i takon Çezarit thonë latinët dhe për vlerat e vërteta kombëtare dhe kulturore që Rexhep Qosja përfaqëson duhet të jetë i pranishëm në këtë njëqindvjetor në Vlorë.



Thursday 5 July 2012

Lutja e Faik Konices ndaj lexuesve te tij


Shkrimtari dhe eruditi Faik Konica i gjendur shpesh here ne pozicionin e njeriut polemist me njerez te tjere qe te diturit per te shkruar e lexuar ne shqip apo dhe te pasurit e ndonje diplome arsimi te larte, shpesh here e ngaterronin dhe si kompetence te larte shkencore, shkruajti  “ Lutjen e shkrimtarit”  ne faqet e gazetes se tij te mirenjohur "Albania".