Tuesday 4 April 2023

NJË PANORAMË E SHKURTËR E LIDHJE KULTURORE E ARKEOLOGJIKE MIDIS ILIRISË DHE ITALISË

 





Mesapët

 

Mesapët ishin një fis ilir i shpërngulur rreth fillimi të mijëvjeçarit të fundit p. Kr., në Italinë e Jugut dhe i vendosur në qytetin antik të Apulit (Kalabria antike). Njoftimet e para historike të sigurta për Mesapët lidhen me luftërat e zhvilluara prej tyre kundër Tarentasve, nga fillimi i shek. V deri në vitin 335 p. Kr., kur pas ndërhyrjes së Aleksandër Molosit, që ishte thirrur në ndihmë nga Tarentasit, i lanë mënjanë grindjet me këta të fundit për të përballuar gjendjen e krijuar nga rreziku samnit. Në luftën e I dhe II samite, Mesapët u renditën në anën e romakëve, ndërsa gjatë luftës ës III më 229 p. Kr., të shqetësuar nga forca gjithnjë e në rritje e Romës, u ndanë nga Romakët dhe u hodhën kundër tyre. në luftën kundër Romës ata, së bashku me Lukanët, Samnitët e Tarentasit, iu drejtuan për ndihmë Pirros së Epirit dhe qenë të parët që pritën dhe ndihmuan forcat e tij kur ato zbarkuan brigjet e Italisë në vititn 280 p. Kr. Edhe pse të mundur më vonë nga Roma dhe të detyruar të merrnin pjesë në konfederatën e kryesuar prej saj, Mesapët shpeshherë ngrinin krye, duke e kundërshtuar procesin e romanizimit, që nisi të thellohej sidomos në fillim të shek. I p. Kr. Gjithësesi mesapët duke jetuar për një kohë të gjatë në Italinë e Jugut dhanë kontribut dhe në etnogjenezën e popujve të tjerë të rajonit. Në burimet latine theksohet se thuhet se populli Salentin ka pasur prejardhje nga tre vende: Kreta, Iliria, Italia...[1]

Gjuha mesape ishte mesapishtja. Gjithashtu ata kanë lenë një numër mbishkrimesh, studimi i të cilave mendohet se ka rëndësi për njohjen e ilirishtes[2]. Në këtë kontekst njohja dhe zbërthimi i mbishkrimeve mesape fiton një rëndësi të veçantë për të hedhur dritë mbi ilirishten si një nga gjuhët prej së cilës nuk trashëgohet shumë material gjuhësor. Prej ilirishtes disponojmë një material të kufizuar, kryesisht onomastik, toponime dhe emra, njerëzish, perëndish, fisesh e banorësh (rreth 1000), dhe tre-katër glosa. Këtyre u shtohen materialet e mesapishtes, që, me gjithë rezervat e ndonjë studiuesi të sotëm, mbahet përgjithësisht si ilirishte. Prej kësaj kemi rreth 450 antroponime toponime një numër tekstesh të shkurtra. Janë bërë përpjekje të pasurohet ky fond duke u identifikuar fjalë të ndryshme ilire në greqishte e në latinishte, në italishten jugore e veriore e në të folmet e zonës së Alpeve. Është grumbulluar kështu lëndë prej së cilës mund të merret një ide e leksikut të ilirishtes, e sistemit fonetik të saj, dhe në një farë mase, e fjalëformimit, dhe të bëhet ndonjë përqasje me gjuhët e tjera.

Prej kohësh në opinionin shkencor është vërejtur dhe hedhur për diskutim teza e përafërsisë së gjuhës së sotme shqipe me ilirishten. Më tepër se një tezë politike për të dëshmuar autoktoninë e shqiptarëve, kjo tezë është skicuar nga linguistët përmes fondit gjuhësor të ilirishtes që gjendet në burimet historike, mes tyre dhe emra mesapë. Po japim disa prej afrimeve e barazimeve të shumta që janë bërë gjer më sot midis emrash ilirë dhe fjalësh shqipe. Ilir. Bardus, Bardyllis, Skenobardus, mesap. Barzides, Barzidihi: shqip i bardhë, Bardhi; ilir. Bardibalus, shq. balë; ilir, Bistum, shq. bisht; ilir (mons) Borea Boreas, shq, borë; ilir. Brindia, Brindesion, mesap. brenton (= kokë dreri) shq. bri-ni; ilir. Bigeste, shq, bigë; ilir. Dardania trevë, banorët e saj Dardani, emër personi Dardanus Dardana, toponimet Dardas Derdas, qyteti Dardapara, shq. dardhë apelativ dhe emër i shumë fshatrave; ilir. Dalmatia Delmatia trevë, banorët Dalmatae Delmatae, Delmion, Delminion, shq, dele, delme, delmer; ilir Dassus, Dassius, Dazos, etnonimi Dassaretae, shq. dash; Dimallum, Maluntum, qyteti Malvesa, shq. mal (temë kjo që shfaqet edhe në treva gjuhësore të tjera): ilir, Pelagonia, banorët Pelagones, shq. pellg; Ulcinium, Ulcissia (castra), Ulcirus, shq. ulk; ilir. Vendes, Vendenis; shq. vend etj. Sigurisht vështërësia në identifikimin dhe vërtetimin plotëisht të kësaj teze qëndron në faktin se nuk kemi tekste të plota në gjuhën ilire në të zbuluara deri më sot. Siç vëren me të drejtë Profesor Domi një element mbështetës i teorisë së prejardhjes së gjuhës shqipe nga ilirishtja janë disa fragmente të shkurtra nga gjuha mesape. Ne s'kemi nga ilirishtja ndonjë tekst të lidhur, me përjashtim të disa fragmenteve shumë të shkurtra nga ilirishtja e Italisë, mesapishtja. Prandaj s'kemi si ta njohim morfologjinë e saj. Po kemi mjaft të dhëna për fjalëformimin. Në këtë gjuhë nga materiali që disponojmë zotëron formimi prapashtesor. Fjalët e përbëra nuk mungojnë po përdoren shumë më pak. Edhe në shqip prejardhja, prapashtesore e parashtesore, është më e përdorur se përbërja, se kompozitat. Studiues të ndryshëm kanë vënë në dukje prapashtesa e parashtesa të ilirishtes, disa prej të cilave janë vënë në lidhje edhe me prapashtesa e parashtesa të shqipes. Ka një sërë përkimesh e analogjish midis këtyre dy gjuhëve në formimet emërore, si në formantet, si në vlerat semantike të tyre. Janë caktuar rreth 15 izoglosa të tilla. Prej tyre disa janë përkime pak a shumë specifike, të tjera më të përgjithshme, dalin edhe në gjuhë të tjera, po edhe këto, duke u parë krahas të parave, marrin vlerë e peshë. Kështu në ilirishten del prapashtesa -at- në emra banorësh: Oiciniatae: Olcinium; Docleatae e Docleates: Doctea; Labeates, Sardeates: Sarda etj.; në emra personash: Clevatus e Clevata, Pleuratus, në toponimi: Aemate, Gedate. Në shqipe shfaqet prapashtesa korresponduese –at- në emra vëllezërish (: Demat, Zekat), në emra fshatrash e toponimesh të tjera (: Luzat, Dukat, Bushat). Të tjera përkime e paralelizma: ilir. (e)ste, që tregon vend, në shqip (e)shtë po me atë vështrim: i1. Palaeste, Tergeste, në shqip ullishtë, breshtë, v(ë)reshtë etj.; ilir. -to-/ta-: Dasto, (mes.) Daxta, Ditus Dita, në shqipe -të: i thatë, i gurtë, i ftohtë, i dystë; il. -ano- e -ino- për të shënuar fisin dhe banorin: Dardanus, Dardana, Dardani, Albanoi, Scodrinoi; në shq. -an, -in me kuptim të banorit të një vendi: shkodra-ni, kashari-ni (= banori i fshatit Kashar); ilir. inium: Ulcinaum, në shq. -inj për të shënuar shumësin a kuptimin kolektiv: thelpinj; ilir. -ak- për të shënuar banorin e përkatësinë: Paserentiaci, shq. -ak po me atë vështrim: durrsak, ulqinak, Muzak etj., etj. Është diktuar edhe ndonjë përkim parashtese: li në ilir. (Liburni krahaso Burni), shq. lë: lëfyt fyt.[3]

 

Marrëdhëniet midis dy brigjeve të Adriatikut përmes kulturës materiale

 

Marrëdhëniet midis dy brigjeve të Adriatikut gjatë periudhave të ndryshme historike kanë qenë e vazhdojnë të jenë objekt i kërkimeve e studimeve të specialistëve të fushave të caktuara. Autorë të shumtë kanë sjellë të dhëna nga më të ndryshmet, të cilat kanë ndihmuar për të përcaktuar më qartë këto lidhje kulturore e materiale. Deri në studimet e deritanishme, si dëshmi më e hershme e marrëdhënieve midis dy brigjeve të Adriatikut, është një kamë e bronzit të mesëm, gjetur në gërmimet arkeologjike në tumën e Vajzës në Vlorë[4].

Nisur nga forma dhe zbukurimi i fletës, megjithëse e ndryshme pasi i mungon doreza metalike, ajo gjen analogji me kamat e tipit «Polada» të bronzit të hershëm të Italisë, dhe konsiderohet si prodhim vendas i bërë sipas modeleve të kamave italike.

Në periudhën e bronzit të mesëm në Shqipëri shfaqen edhe objektet e para të importuara nga Mikena, të dëshmuara nga objekte të tilla si shpata, thika, maja heshtash etj., këmbime  të cilat do të vazhdojnë të thellohen me tepër gjatë periudhës së bronzit të vonë. Zbulimet e realizuara përtej Adriatikut, nga profesori i palodhur F. D'Andria në vendbanime të bronzit të vonë në rajonin e Apulias, kanë kontribuar mjaftueshëm në qartësimin e raporteve midis dy brigjeve në këtë periudhë të historisë sonë[5].

Periudha e hekurit shënon dhe shfaqjen më masive të objekteve të importuara nga Gadishulli Italik, ku përmendim armë e zbukurime të ndryshme prej bronzi zbuluar thuajse në nga të gjitha territoret e Shqipërisë së Ulët Bregdetare. Ndër objektet më interesante me origjinë italike, dëshmi e raporteve intensive tregtare e kulturore midis dy rajoneve tona, përbën sëpata e bronzit e tipit «ad occhio» e gjetur në depon e Torovicës së bashku me 91 copë sëpata të vogla të ashtuquajtura të tipit kelt dhe me 31 sëpata të tipit shqiptaro-dalmat[6]. Disa nga shembujt më domethënës të këtyre të fundit, dhe si ilustrim i epokës së Bronzit të Vonë, ndodhen të ekspozuar në stendat e Muzeut Historik Kombëtar.

Gjithashtu, në tumat e Patosit dhe të Dukatit, janë zbuluar disa fibula të tipit italik, të periudhës submikene dhe protogjeometrike. Në radhën e objekteve të importuara nga Italia e Jugut bën pjesë edhe një gjoksore bronzi në trajtë rrote, e zbuluar në tumën e Hamallajt (Durrës). Ajo është e vetmja e këtij lloji e zbuluar në territorin e vendit tonë, po që gjen analogji me objekte zbukurimi në trajtë disku të Italisë së Jugut.  Një vlerë të pakrahasueshme në përcaktimin e këtyre raporteve, ka padyshim qeramika e pikturuar e stilit devollit e gjetur në Otranto dhe e përcaktuar nga F. D'Andria si import ilir, dhe të cilën e daton jo më të herët se shek. VIII p. Kr.  Lidhur me problemin e raporteve midis dy brigjeve, vlen të vëmë në dukje disa përputhje gati të plota të formave kryesore të enëve që janë të pranishme në kulturën devollite, dhe qeramikën e periudhës gjeometrike të Italisë së Jugut. Në mbështetje të këtyre lidhjeve kulturore, një tregues i rëndësishëm është edhe sfera e botës shpirtërore — shprehur nga riti i varrimit në tuma, që është karakteristikë për kulturën devollite dhe i përhapur edhe në territorin e Apulias, kryesisht në tuma të kohës së vonë të bronzit, dhe fillimit të epokës së hekurit.

 

Bibliografi:

1-    F. Drini, Mesapët, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vol. 1.

2-    F. d'Andria, Nuovi dati sulle relazioni tra gli Illiri e le popolazioni dell'Italia Meridionale / Të dhëna të reja për lidhjet ndërmjet Ilirëve dhe popullatave të Italisë së Jugut, Iliria, vol. 16 nr. 1, 1986 (Kuvendi II i Studimeve Ilire. IIe colloque des Etudes Illyriennes, Tiranë, 20-23. XI. 1985),

3-    F. Prendi, Një depo sëpatash nga Torovica e Lezhës / Un dépôt de haches préhistoriques à Torovicë de Lezhë, Iliria,vol. 14 nr. 2, 1984.

4-    Marco Terenzio Varrone 116 B.C-27 B.C.


*Fjala e mbajtur Festivalin kultutor Salento-Albania: Un ponte tra le due sponde. Një urë mes dy brigjeve, 2.08.2020



[1] Marco Terenzio Varrone 116 B.C-27 B.C.

[2] F. Drini, Mesapët, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vol. 1.

[3]M. Domi, Probleme të historisë së formimit të gjuhës shqipe, arritje dhe detyra / Problèmes de l'histoire de la formation de la langue albanaise, résultats et tâches, Iliria, vol. 13, nr. 1, 1983.f. 5-38.

[4] Për me tepër mbi këto marrëdhënie, shiko: M. Korkuti, Marrëdhëniet midis dy brigjeve të Adriatikut në epokën e bronzit dhe të hekurit /I rapporti fra le due coste dell'adriatico meridionale nell'epoca del bronzo e del ferro, Iliria, vol. 15 nr. 1, 1985. f. 93-109.

[5] F. d'Andria, Nuovi dati sulle relazioni tra gli Illiri e le popolazioni dell'Italia Meridionale / Të dhëna të reja për lidhjet ndërmjet Ilirëve dhe popullatave të Italisë së Jugut, Iliria, vol. 16 nr. 1, 1986 (Kuvendi II i Studimeve Ilire. IIe colloque des Etudes Illyriennes, Tiranë, 20-23. XI. 1985), f. 43-55.

[6] F. Prendi, Një depo sëpatash nga Torovica e Lezhës / Un dépôt de haches préhistoriques à Torovicë de Lezhë, Iliria,vol. 14 nr. 2, 1984. f. 19-45.