Friday 27 April 2018

Flirt Arvanitas dhe një këngë popullore arvanitase.





Shekulli i XIX, ishte fillimi i zbulimit të Greqisë nga udhëtarët, pejsazhistët e diplomatët europianë.Mes entuziazmit të njohjes së kulturës antike dhe shkeljes së trojeve në të cilat shumë nga ngjarjet që kishin lexuar në libra kishin ndodhur, udhëtarët dhe poetët romantikë evropianë kërkonin në të tashmen e Greqisë,  gjurmët e së shkuarës. Natyrisht që në këtë përqasje të tyre kishte në vetvete gjurmë të një kolonializmi kulturor ku synohej historia dhe kultura e një territori të përvetësohej duke pretenduar shpesh herë se banorët e sotëm ishin vetëm “hije të së shkuarës” dhe rrjedhimisht nuk meritonin që të banonin aty .Gjithsesi ky mendim edhe pse i shprehur shpesh herë ironikisht siç ishte rasti i Shatobrianit-poetit të shquar francez, i cili kur një zyrtar otoman e pyeti se përse kish ardhur në Greqi, u përgjigj “Të shikoj njerëzit dhe sidomos grekët që kanë vdekur”, nuk mbizotëroi në gjykimet e evropianëve rreth Greqisë. Në të kundërt, krahasimi i gjendjes së mjerueshme kulturore të popullsisë greke të re me atë të Greqisë antike ngjalli mëshirën dhe dëshirën që Greqia të rifitonte sërish lavdinë e dikurshme. Kjo ndjenjë keqardhje, revolucioni grek dhe vdekja tragjike e Lord Bajronit krijuan një nga rrymat më të fuqishme në kulturën dhe gjeo politikën e shekullit të XIX-Filo Helenizmin.


Monday 16 April 2018

Shqiptari në Maltë.




Mes tablove të shumta të Romantizmit Europian që pasqyrojnë vende dhe popullsi egzotike spikasin dhe tablotë të viseve shqiptare dhe të personazheve me veshje shqiptare. Gjeografia e vendeve të pasqyruara në këto tablo është e larmishme që nga brigjet e Nilit, shkretëtirat arabike, Turqi, Greqi, Principatat e Vllahisë dhe Moldovës dhe deri në ishullin e Maltës. Malta është një nga pozicionet gjeografik kyç i detit Mesdhe. Prania shqiptare aty ka qenë e hershme që nga Mesjeta kur reparte të ndryshme arbëreshësh mbronin ishullin nga invazionet osmane.


Sunday 15 April 2018

Identite të lëvizshme. Rasti i Elena Gjikës në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare




“Vepra e Dora D’Istrias është një unazë qytetërimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”

Dhimitër Kamarda

Identitetet  janë të lëvizshme. Në rrethana dhe situata ku një kulturë predonimon në formimin e një popullate, atëherë dhe përqafimi i identitetit etnik të kulturës që është përfaqësuese, është më i lehtë për njerzit dhe përfaqësues të shquar të komunitetit. Përqasjet moderne përsa  i përket identiteve etnike dhe kulturore e quajnë si diçka të natyrshme braktisjen dhe përqafimin e një identiteti tjetër, gjë që ka ndodhur rëndom sidomos në popullatat emigrante që kanë populluar Europën pas Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht që kjo përqasje identitare ka hasur në kritika të shumta dhe nuk është një realitet lehtësisht i pranueshëm sidomos në vendet ku etnocentrizmi dhe nacionalizmi kanë predominuar kulturën dhe jetën publike të vendit. E gjithë kjo përzgjedhje identitetesh në fakt nuk është diçka e re. Në Europën e mesit të shekullit të XIX pa triumfuar ende nacionalizmi si ideologji shtetformuese në Perandoritë e Mëdha  të Juglindjes së Euopës si ajo e Shenjtë Austriake dhe më 1867 Austro-Hungareze, Osmane dhe Ruse popullatat që jetonin pranë njëra-tjetrash e identifikonin veten shumë shpesh me identitetin e kultures qe perqafonin duke mos reflektuar gjithmone origjinën etnike. Raste të tilla mund të përmenden shumë në Ballkan , si p.sh rasti i mësuesit të gjuhës greke Grigor Stavrev Parlichev, bullgar për nga kombësia që shkruajti një poemë për Skënderbeun në gjuhën greke duke banuar në Tiranë në mes të shekullit të XIX[1].
Është e kuptueshme sesi kanë përmendur dhe studiues të tjerë se nuk egzistonin kufij shumë të qartë të identitetit sidomos nëse marrim për të mirëqenë përkufizimin e Gellsherit për hierarkinë midis kulturave. Në Ballkan janë shumë të radhë rastet kur një anëtar i elitës kozmopolit përqafon kulturën ende të pazhvilluar të një etnie tjetër. Një shembull tipik dhe interesant në këtë drejtim është figura e Elena Gjikes apo e Dora D'istries, e lindur në Bukuresht më 22 janar 1828[2], kozmopolite ne formimin e saj kulturor duke njohur shumë mirë kulturën francese, italiane dhe greke.Mësimet e para i mori në Konstancë e më pas në Bukuresht, kurse studimet e larta i filloi në Vjenë e pastaj i vazhdoi në Dresden e në Berlin. Në shkurt të vitit 1849, Elena u kthye në Bukuresht. Ajo ishte pajisur me një kulturë të gjerë; njihte mirë frëngjishten, italishten , gjermanishten anglishten, rusishten, greqishten shqipen(për këtë të fundit ka një debat të hapur) e  sidomos rumanishten , gjuhën e saj të nënës nëpërmjet të cilave zgjeroi horizontin e diturisë dhe dha mendime me vlerë në shumë studime e vepra letrare.[3] E pajisur me këtë kulturë të gjerë , ajo debuton për herë  të parë në 1855 në frëngjisht La vie monastique dans l'Église orientale. Nga veprat e saj mund të përmendim: “La nationalite Albanaise d’apres les Chants populaires-Les Albanais des deux Cotes de l’Adriatique” (1866) “Kombësia shqiptare, sipas këngëve popullore, Shqiptarët e dy brigjeve të Adriatikut”, “Les ecrivains Albanais de d’Italia meridionalë” (1867) “Shkrimtarët shqiptarë të Italisë së Jugut”, “Excuisses albanaises” (1869) “Vizatime shqiptare”, “Gli Albanesi in Romania” (1873) “Shqiptarët në Rumani” etj. Ajo ka bashkëpunuar me organe të rëndësishme të kohës si: “Revue de Deux-Mondes”, “Independence hellenique”, “Nuova Antologia” etj. 11 vjet pas debutimit të saj të parë me botimin e një vere që pati një jehonë në mendimin intelektual të kohës, në 1865, Dora D’Istria fillon të përfshihet në korrospodencë me eksponantë të rëndësishëm të zgjimit kulturor të shqiptarëve. Ky implikim dhe përfshirje e saj në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare është parë gjithnjë me dyshim nga studiues të ndryshëm duke ia faturuar më tepër një egzoltimi romantik të saj sesa një angazhimi e mobilizimi të vërtetë identitar. Po kështu për të përforcuar këtë argument nënvizohet fakti se Dora D'istria se me të njëjtën simpati që shkruajti për shqiptarët, shkruajti dhe për kombësitë e tjera në Ballkan, si grekë, serbë e bullgarë. Nuk ka dyshim se vepra e Dora D'Istries është një dokument i mirë për t'iu referuar dhe sigurisht përmes saj mund të nxirren dhe përfundime për identitetin e demonstruar kombëtar dhe kulturor, por një pjesë shumë e rëndësishme besoj është dhe letërkëmbimi i saj privat me patriotë dhe figura të shquara të shqiptarizmit si Dhimitër Kamarda, Jeronim De Rada, Zef Jubani, Thimi Mitko etj.që ruhet në Arkivin e Qendror dhe nga ku mund të hidhet shumë më tepër dritë. Në mars të vitit 1865, kur gjendej në Livorno, Elena Gjika u njoh me Dhimitër Kamardën, folkloristin dhe gjuhëtarin arbëresh nga Hora e Siçilisë[4]. Nga Livorno Elena Gjika ka shkëmbyer letra të shumta me Thimi Mitkon, Zef Jubanin, Dhimitër Kamardën, Jeronim de Radën etj.
Në këto letra për herë të parë në mendimin shqiptar hidhet dritë mbi origjinën etnike të Princërve Gjika, si dhe përfshirja e tyre në krenarinë kombëtare që duhet të kenë shqiptarët duke përfshirë edhe figura të tjera të shquara si Mehmet Ali Pasha i Egjiptit dhe vezirët Qyprillinj. Kjo simbiozë identitare fetare e këtyre personazheve në letrat e Dora D’istries drejtuar Jeronim De Radës, shkrihet në një simbiozë identitare kombëtare shqiptare dhe si e tillë , Dora D’istria  është pararendëse e një mendimi që u maturua gradualisht në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe që u bë një realitet i prekshëm përmes një shekulli pavarësi. Në letra të tjera ajo shprehet pas lajmeve që ka marrë nga Shqipëria se shpresoj se ne do të jetojmë deri në atë ditë kur mbi kullat e Rozafës do valëvitet përsëri flamuri i Skënderbeut.[5]apo në botimin e veprës së saj voluminoze “Shqiptarët në Rumani” do të deklarojë origjinën shqiptare të familjes së vet.
Dora D’istria në këtë letërkëmbim reflekton teorinë historisë parahistorike të kohës ku shqiptarët , grekët dhe italianët i shikon si një bllok popullsish që duhet të kundërshtojnë hegjemoninë sllave dhe gjermane në Europë. Në këtë mënyrë ajo reflekton shqetsimin gjeostrategjik të kohës, prej nga shpesh herë është keqkuptuar dhe përkatësia identitare e saj. Në letrën dërguar nga Firence më 14 dhjetor 1876 ajo shkruan se ajo që mbetet më e çuditshme ndër të tjerët për paraardhësit tanë, është fakti që në një kohë kur gjermanët dhe sllavët bashkohen midis tyre në lidhje të ngushta, bijtë e racës pellazge kanë mbetur krejt të huaj njëri me tjetrin. [6]Teoria e historisë parahistorike ishte një përpjekje për të penguar pansllavizmin dhe pangjermanizmin dhe në mesin e shekullit të XIX, dhe sipas saj konsiderohej si një shkencë që porsa ka lindur në ditët tona dhe si të gjithë shkencat e tjera, ajo ka themele shumë të shëndosha në filologjinë dhe në mitologjinë e krahasuar, në shqyrtimin e karektereve morale dhe fizike, në arkeologjinë primitive, në traditat kombëtare etj.[7] Në këtë drejtim duhet parë dhe angazhimi i saj sëbashku me Gjeneral Garibaldin për të dërguar 15- 20.000 pushkë  në 1866 në Shqipëri për të filluar një kryengritje kundër osmanëve por që do të shqetsonte dhe pozitat austriake në Ballkan. Viti 1866 është një vit shumë i rëndësishëm për bashkimin e Italisë dhe përfitimin e krahinës së Venecias, pas humbjes së Austrisë në luftën me Prusinë. Mesa duket një diversion i nisur nga Garibaldi në viset e Shqipërisë përveçse një pasion romatik për të siguruar lirinë do të dobësonte dhe pozitat austriake që kishin interesa madhore në këto vise.
Dora D’istria tek origjina e saj e largët kërkoi strehë në formën e një identiteti kulturor panpellazgjik, por në përfshirjen e saj në Lëvizjen Kombëtare shqiptare dashur pa dashur krijoi një stereotip të admirueshëm të përfshirjes së elitave kozmopolite europiane në çështjet kombëtare të popujve të vegjël. Më tepër sesa një aktiviste e mirëfilltë e nacionalizmit, Dora D’Istria me devizën e saj dedikuar shqiptarëve se "pa rilindje letrare nuk ka ringjallje politike", duhet konsideruar si një prototip i intelektuales europiane dhe aktivistes kulturore që mbështet kauzat e drejta të popujve të vegjël.  Si të tillë e pranoi dhe elita arbëreshe-shqiptare e kohës. Dhimitër Kamarda, hartuesi i një antologjie në vargje për Dora D’Istrian do të shkruante për të:   “Një emër i tillë veçanërisht është i vyer për të zbukuruar këtë hyrje, sepse është mbushur me nderin e racës shqiptare si nga origjina e familjes së saj, si nga lavdia, që t’i përkasë sërës të shkrimtarëve më të gjallë të Evropës, si dhe të diturve dhe bukurisë, që ka mundur të bashkojë kultin plot fryte të shkencës dhe të letërsisë, ndërkaq nuk lë rast të ndihmojë me shkrime dhe vepra kombin shqiptar që nuk ia harron përjetë”.[8]   Dhimitër Kamarda në librin e tij “Fyletia arbërore”, që u botua në Livorno në vitin 1867, paraqet tiparet e kësaj gruaje të ditur, duke përshkruar portretin e saj, të punuar me mjeshtëri nga piktori italian Felice Schiavoni (1803 – 1881). Librat e saj, letërkëmbimet apo dhe rekomandimet kulturore letrare siç ishte ai drejtuar poetit amerikan Longfellow për të shkruajtur një poemë për Skënderbeun krijuan habitatin e vërtetë paneuropian ku u frymëzua dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare.


[1] Grigor  Parlichev. Skënderbeu. Parathënie nga Spiro Çomora.
[2] Ahmet Kondo. Dora D’istria për çëhtjen kombëtare shqiptare. Tiranë: Flesh, faqe 7
[3] Ahmet Kondo. Dora D’istria për çëhtjen kombëtare shqiptare. Tiranë: Flesh, faqe 8- 9
[4] - Nasho Jorgaqi, Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944, Tiranë 1979, faqe 114.
[5] Po aty fq 115
[6] Ahmet Kondo. Dora D’istria për çëhtjen kombëtare shqiptare. Tiranë: Flesh, faqe 160
[7] Ahmet Kondo. Dora D’istria për çëhtjen kombëtare shqiptare. Tiranë: Flesh, faqe 148
[8] -Dhimitër Kamarda, Appendice, Prato 1866.

Bibliografi:

1-   Ahmet Kondo. Dora D’istria për çëhtjen kombëtare shqiptare. Tiranë: Flesh, 2002
2-   Grigor  Parlichev. Skënderbeu. Parathënie nga Spiro Çomora.
3-   Nasho Jorgaqi, Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944, Tiranë 1979
4-   -V. Bala, Jeta e Elena Gjikës “Dora d’Istrias”, Tiranë 1967



Friday 13 April 2018

Halet Efendiu dhe Ali Pasha Tepelena.




Detail nga tabloja Kurorëzimi i Napoelonit në 1805 nga Jacques-Luis David.


Piktori frances neoklasicist Jacques-Louis David (1748 –1825) konsiderohet si piktori që realizoi shumë tablo me temë nga Revolucioni Francez. Ai është autori i pikturës monumentale të Napoelonit mbi kalë si dhe shumë pikturave të tjera, ku mes tjerash spikat “Kurorëzimi i Napoelonit” në 1805. Tabloja e njohur përveç faktit që ka memorializuar përgjithmonë ngjarjen historike, ku Napoeloni e merr kurorën vetë nga Papa i Romës për ta vendosur në kokë duke shprehur në këtë mënyrë antiklerikalizmin një tipari hershëm të Revolucionit Francez, është shumë e rëndësishme për portretizimin e shumë personazheve historikë. Një detaj i rëndësishëm i tablosë për historinë e Shqipërisë është portretizimi i ambasadorit osman në Paris, Halet Efendiut, i veshur me kaftan dhe turban. Halet Efendiu është personi që influencoi më tepër në rrëzimin e Ali Pashë Tepelenës dhe në përgatitjen e ushtrisë osmane për të shtypur rebelimin e tij. Halet Efendiu ishte sekretari i Divanit perandorak osman, minister i brendshem dhe njeriu me i besuar i Sulltan Mahmutit II. Deri ne vitin 1806 , ai ishte ambasador i Portës së Lartë ne Francë dhe pas vitit 1819, tashmë ministër një armik i betuar i Ali Pashës dhe përkrahës i Pasho Beut, një prej fisnikëve shqiptarë të Janinës. Pasho Beun, pas atentatit të dështuar në Portën e Lartë, Sulltani Mahmud II dhe Halet Efendiu e emëruan si një nga komandatët e ushtrisë perandorake për të shtypur rebelimin e Ali Pashë Tepelenës. Sëbashku me Pasho Beun ishte dhe një pjesë e madhe e krerëve shqiptare si Omer Vrioni, Bushatllinjtë e të tjerë krerë lokalë që iu bashkangjitën ushtrisë perandorake. Natyrshëm lind pyetja se përse kjo pabesi e madhe e krerëve shqiptarë?
Së pari një rol të rëndësishëm në këtë kundërvënie të tyre me Ali Pasha Tepelenën luajti centralizmi i tëpërt  i pushtetit nga ana e Pashait Tepelenas që dhe u vinte fre ambicie të tyre feudale dhe së dyti një lloj solidariteti fetar me osmanët i bënte më të ndjeshëm ndaj një Fatve të lëshuar nga Sheh Ul Islami dhe Sulltani si Kalif i botës myslimane. Siç dihet në ekspeditën ushtarake që organizoi Stambolli kundër Pashallëkut të Janinë në qershor të vitit 1820 morën pjesë edhe mjaft feudalë derebej të shpronësuar dikur nga Ali Pashë Tepelena, të cilët llogarisnin që me shembjen e tij të rifitonin dikush pronat pronat e dikush derebellëket e humbura dhe të rimëkëmbin pushtetin e tyre partikularist që ai ua kish rrafshuar.( Zana Lito,Shqipëria dhe Tanzimati, Tiranë:Botimet Toena,2002,faqe 44).
Sulltan Mahmud II ishte një nga Sulltanët më ambiciozë  për të rimëkëmbur Perandorinë Otomane, që shtypjen e rebelimit të Ali pasha Tepelenës e dëshironte për të rivendosur jo më pushtetin partikularist të feudalëve shqiptarë , por administratën centraliste perandorake. Politikën e tij do ta ndiqte dhe i biri Sulltan Abdyl Mexhidi që  në vitin 1839 ai do të nënshkruante reformën e Tanzimatit nga Pallati i Gjylhanesë, reforma që do të synonte modernizmin e Perandorisë Otomane në të gjitha fushat duke përfshirë dhe të drejtat civile të shtetasve pavarësisht besimit të tyre fetar.
Këto reforma u kundërshtuan ashpër nga popullsia shqiptare që pas një shekulli vetqeverisje që nga viti 1740 kur Porta e Lartë kish lejuar për herë të parë qeverisjen e territoreve shqiptare nga Pashallarë shqiptarë, qeverisje që arriti kulmet e veta në dy Pashallëket të Janinës dhe Shkodrës,humbte shumë privilegje dhe të drejta. Politika personale që kish ndjekur Ali Pasha Tepelena që nga momenti që kish hyrë në spiralet e pushtetit otoman në vitet 80’ të shekullit të XVII për fuqizimin e vet, përveçse kishte qenë një shembull i një politike decentralizuese kish krijuar shumë armiq midis parisë feudale shqiptare. Për të kuptuar më qartë procesin e fuqizimit të Ali Pashë Tepelenës në jug të territoreve shqiptare është e nevojshme të shpjegohet procesi ekonomik dhe politik që kish hyrë Perandoria Otomane kur Ali Pasha Tepelena hyri në qarqet e larta të politikës rajonale.
Shthurrja e rendit feudal-ushtarak të timarit e cila filloi të shfaqej nga mesi i shekullit XVII solli ndryshime të rëndësishme edhe në strukturën shoqërore si në trevën e timarit(yshyrit) ashtu dhe në atë të venomeve(haraçit). Në trevën e yshyrit prona mirie që ishte pronë shtetërore mbi të cilën ishte ndërtuar timari, filloi të kthehej në pronë personale, në gjirin e të cilës lindi çifligu feudal dhe si rjedhim zotëruesi feudal. Si rjedhim zotëruesi feudal i timarit u kthye në pronar i tokës së feudit. Kjo ndodhi me pak përjashtime në viset e pasura bujqësore. Në krahinat me toka të pakta bujqësore, veçanërisht në Shqipërinë e Jugut, disa nga feudalët ushtarakë të fuqishëm u kthyen në derebej-krerë me tipare feudale të cilët vendosën me dhunë autoritetin e tyre secili në një krahinë të caktuar, duke vjelur nga banorët e krahinës “bejllëkun” ose “agallëkun” simbas titullit që mbante kreu i fuqishëm dhe duke marrë përsipër mobilizimin e forcave mercenare në formacionet “bashibozuke” në shërbim të Sulltanit.( Zana Lito,Shqipëria dhe Tanzimati, Tiranë:Botimet Toena,2002,faqe 41.)
Kjo periudhë që njihet si anarkia feudale gradualisht filloi të kapërcehej kur disa nga  derebejt shqiptarë pas këtyreshndrrimve ekonomike i bëri ata më të pavarur nga pushteti qendror . Në të njëjtën kohë kjo situatë i bëri ata edhe më agresivë me njëri-tjetrrin duke ndezur një luftë brenda llojit për të zotëruar sa më shumë prona e çifligje. Si rezultat i kësaj lufte të brendshme mes tyre ndodhi që Ali Pasha Tepelena që zotëronte qoftë gjeninë ushtarake por edhe atë politike të përfitonte duke rrëmbyer pronat dhe shkatërruar njëri pas tjetrit pothuajse të gjithë feudalët e rëndësishëm shqiptarë në viset jugore. Këtë proces centralizmi ai nuk e ndali edhe në tokën e venomeve (haraçit) duke shkatërruar bërthama të qeverisjes së lirë fshatare si Suli, Himara, Hormova por edhe Kardhiqin mysliman. Një centralizim të tillë pushteti nuk ishte parë prej kohësh në territoret shqiptare në jug dhe fakti  që rajoni për herë të parë filloi të bëhej dhe një teatër diplomatik i Fuqive të Mëdha të kohës sidomos me fillimin e luftërave Napoloniane ku Ali Pasha Tepelena  dhe Pashallëku i tij shpesh herë filloi të luajnë një rol partneriteti , por dhe fillimi lëvzijeve me karakter nacionalist si serbe në 1813, greke në 1821, rumune në 1821 detyroi Portën e Lartë që të rishikonte me shumë kujdes politkën e vet në rajon. Sulltan Mahmudi i II pasi u tregua i paaftë për t’i shtypur këto kryengritje u detyrua të pranonte formimin e shteteve nacionale greke, serbe, vllahe dhe moldave. Ndryshe qëndronte puna me pashallëqet feudale, shkëputja e të cilave do të sillte shpërbërjen përfundimtare të  Perandorisë Otomane. ( Zana Lito, Shqipëria dhe Tanzimati,
Tiranë : Botimet Toena, 2002, 
faqe 14). Kjo ishte dhe një nga arsyet që goditjen e parë ndaj pushteti gjysëm autonom feudal porta e Lartë e dha ndaj Ali asha Tepelenës, pasi ky i fundit kishte realizuar një centralizim absolut të pushtetit , shumë më absolut sesa Bushatllinjtë e Shkodrës dhe gradualisht me politikën e jashtme që kish ndërtuar shpesh herë edhe kundër interesave të Portës, mund të realizonte idenë e shkëputjes përfundimtare.Gjithësesi Halet Efendiu nuk  arriti ta shijonte shumë fitoren e vet dhe mposhtjen e Ali Pasha Tepelenës, pasi në nëntor 1822 e dënuan me mbytje si shkaktar të nisjes së rebelimit grek, që u frymëzua fuqishëm nga rebelimi i Ali Pashë Tepelenës.







Monday 9 April 2018

Tapeti Gobelin i Ali Pashë Tepelenës



Në fundin e shekullit të XVIII dhe fillimin e shekullit të XIX, formacioni shtetëror i themeluar nga Ali Pasha Tepelena dhe i njohur me emrin Pashallëku i Janinës u vizitua nga shumë udhëtarë të huaj, diplomatë , ushtarakë e  piktorë. Konflikti i luftërave  Napoloniane në Europë kish trokitur edhe në Dalmaci, ishujt Jonianë, bregdetin përballë tyre, Epir e More. Rusia, Franca e Anglia do të ishin fqinj të afërt me Pashallëkun e Janinës e për rrjedhojë dhe idetë e reja të tyre rreth shtetndërtimit e qeverisjes, por edhe modës, veshjes dhe mobilimit të ndërtesave do të influenconin në godinat e ndërtimet e reja që ndërmori Ali Pasha Tepelena në gjithë territoret që sundonte. 


Thursday 5 April 2018

Mrika nga Faik Konica



Sulltan Murati, me dyzet mijë këmbës e me gjashtëdhjetë mijë kalorës, ra përpara Krujës më 1448, edhe e bëri qark kryeqytetin. Skëndërbeu kish lëshuar në Krujë kontin e Urenës, i cili, me gjithë thesarët që i premtoi sulltan Murati, qëndroi kundrë me trimëri të madhe. Shqiptarët,sipër nga muret që rrethonin Krujën, rrëkëllenin mi krerët e turqve shpella, zjarr e vaj përvëlimtar. Nga tjatër anë, Skëndërbeu, me tetëmbëdhjetë mijë njerëz vetëm, derdhej përsëjashti me ushtrinë armiqeshë, e në luftëra të nxehta, priste turq me qindra, edhe hiqej duke rrëmbyer flamurë e plaçka. Një ditë, turqit ngrehin shkallë përmbi muret, që të binin me të pabesë në qytet; Skënderbeu, në ballë të shqipëtarëvet edhe me pallë në dorë, u lëshua kundrë armikut me një hov aq të tutshëm, sa turqit iknë e u përhapnë në të katër anët e fushës, shqiptarët, pastaj, hyjtin në qytet të Krujës. Po një frikë e madhe i drodhi të gjithë, kur panë se Skënderbeu s’ish midis tyre…
Nata po binte dalëngadalë, e, në fund të qiellit, porsi virgjineshatë bardha,yjtë ëndërronin me trishtim. Konti i Urenës, sa gatitej bashkë me parësinë për të dalë për të kërkuan Skëndërbenë, – Mrika, çupë gjashtëmbëdhjetë vjetsh, më e bukura, më e shkëlqyera, më trimëresha e Krujës, kish hipur një kali të zi, e hidhej përpara, te deti i natës.
Në mes të fushës u përpoq me një kalorës. Njeriu i Azisë hëngëlliti nga gazi, kur gjysmë pa – nëpër rrezat e yjve – leshrat e Mrikës, që derdheshin gjer në vithet e kalit:
Allahu më paska dërguar për sonte një jastëk të butë!
Dheu është jastëk më i butë! – tha Mrika, e, me një të hequr palle, i vërtiti kokën. Kali u ngul në errësirë, e trupi i ushtëtarit u plas mbi tokë. Mrika zbriti, e, duke thënë “Perëndia i ndjeftë!”, i lërojti me majë të pallës një kryqnë kraharuar, pastaj u vërvit prapë mi kalë e u sil përpara.
Ah, ç’ëndërr nën yjtë e qetë, kjo e vashës së bukur që vente mi një kalë të rreptë për të gjetur trimin!…
Me një hop, Mrika zhveshi pallën, se Skënderbenë të rrethuar prej një tubë turqsh-e pa që po luftonte.
Trimit i ish copëtuar palla mi krerët armiq, e, duke marrë pallën e Mrikës, i preu kundrëqëndrimtarët. Po një prej këtyreve, para rënë, kish mund të plagosë në kraharuar Mrikën.
Skënderbeu i hipi kalit edhe e mori trimoshin e Krujës në pëqi. Si dragua, kali fluturonte nëpër fushë. Kur ia qasnë mureve të qytetit, Mrika ish e vdekur, – por e bukur, e qetë, me një nënqeshje në buzë, si në gjumë, aq e lumtur kish qenë që vdiste pranë Skënderbeut!…
Gazeta Albania,15-30 Qershor, G 23, 1898


Sunday 1 April 2018

Ali Pasha Tepelena dhe diplomacia ruse







...I biri Myftari drejt Tunës po nget,
Gjaurët leshverdhë ta dinë ç'i pret;
Kur turren Delinjtë mbi lumin me gjak,
Të gjallë Moskovit i kthehen fort pak!


Lord Byron, Childe Harold, Tamburxhi, Tamburxhi


Ndërkohë që Ali Pashë Tepelena fitonte qeverisjen e Janinës dhe hidhte themelet për të ndërtuar Pashallëkun e Janinës, pushteti perandorak osman pësonte një goditje të rëndë pas paqes së imponuar në luftën Ruso-Turke 1787-1792. Gjatë luftës Ruso-Turke (1787-1792), Ali Pasha hyri në letërkëmbim me princin Potjomkin. Princi Potjomkin i premtoi një marrëveshje të favorshme dhe e inkurajoi të punonte me pashallarët shqiptarë për të penguar dërgimin e forcave ushtarake në luftë kundër Rusisë. Në shkurt të vitit 1791, Ali Pasha zhvilloi bisedime me një diplomat rus, të cilit i deklaroi se ishte gati të merrte anën e Rusisë, nëqoftëse i jepeshin garanci se pas luftës do të mbetej i pavarur. Kurse në muajin qershor i kërkoi komandantit të flotiljes ruse në detin Mesdhe t’i dorëzonte princit Potjomkin propozimet e veta për një aleancë ushtarake dhe për të diskutuar për fatin e mëtejshëm të Pashallëkut të Janinës pas dëbimit të osmanëve nga Gadishulli Ballkanik.