Monday 17 December 2018

Triptik historiko letrar në romanet historike të Sulejman Krasniqit




Ligjërimi historik i trajtimit  të së shkuarës  të Ballkanit është kthyer në një ligjërim historik-letrar që pasqyron edhe zhvillimet historike kulturore të marëdhenieve të popullsisë ballkanike me të shkuarën , por edhe identifikimin e prototipeve letrare, që kanë pasur një ndikim të madh në veprat e mëvonshme në letërsitë përkatëse. Zhanri i romanit historik, duket se është zhanri letrar, që i shkon më për shtat përfshirjes së historisë së rajonit dhe artikulimit të ligjërimit historik në romane historike. Ndërthurja e metodave të historisë me ato të filologjisë është e hershme, madje qëndron në themelet e historiografisë: pa përvetësimin prej historiografisë në lindje e sipër të metodave të filogjisë, historiografia as do të ishte lindur dot. Kjo dihet së paku që nga humanisti Lorenzo Valla e këndej.  Pavarësisht këtyre lidhjeve të ngushta vetëm në fillim të shekullit të XIX fillon të predominojë kjo tendencë letrare historike  në kulturën e rajonit Në fillim të shekullit XIX, kombet ende nuk kishin një histori të mirfilltë. Edhe ata, që tashmë kanë identifikuar paraardhësit e tyre, nuk kanë në dorë veç disa kapituj të mangët thelbi i të cilit është ende për të shkruar. ( Thiesse .A.M.(2004) Krijimi i identiteve kombëtarë. Evropa e shekujve XVIII-XIX,Prishtinë:Dukagjini, fq 162) Ky proces, që në Europë fillon me romanet e William Scotit, nuk mund të rri pa influencuar shkrimtarët e Ballkanit, kur ata përfshihen në proceset shtetformuese të shteteteve tyre kombëtarë. Shkrimtarët e Ballkanit në mënyrë të pavetëdijshme, duke shkruar përjetimet e tyre përreth së shkuarës otomane të vendeve të tyre në romane historike, kanë krijuar një epope historike, që lidhet me të shkuarën dhe të tashmen e vendeve të tyre. Në këtë rast romani historik shërben si model narrativ për përpunimet e para shkencore të historive kombëtare dhe si vektor i shkëlqyer i përhapjes së një vizioni të ri të së kaluarës.(Thiesse .A.M .(2004)Krijimi i identiteve kombëtarë.Evropa e shekujve XVIII-XIX, Prishtinë:Dukagjini,fq 163)