Monday 22 July 2019

Rreshpja dhe letërsia zyrtare (1968-1990)




Poezia shqipe në mesin e viteve ‘60 filloi të përfaqësohej dhe nga një zë i veçantë që mbartte në vetvete konturimin e një talenti të madh. Frederik Reshpja , poeti i pazakonshëm në një kohë të pazakontë shfaqi që në fillim në origjinalitetin e lirikës së vet, tematikës dhe teknikës letrare përvijimin e një poeti të ri modern. Përqafimi i modernitetit ishte një sfidë më vete në letërsinë shqipe të atyre viteve. Në letërsinë shqipe mbizotëronin prej kohësh tezat zhdavoniste të lëvrimit të tematikave dhe  karaktereve, çka kishte sjellë në vetvete një tharje të vet thelbit të letërsisë edhe pse problemi i modernitetit në letërsinë shqipe ishte një problem i hershëm. Poezia shqipe që nga fillesat e veta kishte reflektuar si problematikë lidhjen me modernitetin dhe marrëdhënien  e saj  me  rrymat letrare moderne që lëvroheshin në Europë.


Monday 15 July 2019

Rrugëtimi historik i familjes Vasjari.




Historia e dyqind vjetëve të fundit të Shqipërisë është ende jo fort e studiuar përsa i përket kontributit të veçantë të figura të ndryshme historike. Tisi i kohës ka hedhur shumë pluhur mbi ta, dhe në disa raste edhe ka shërbyer për të ndryshuar hierarki të ndryshme ngjarjesh dhe vlerash historike. Historiografia kombëtare shqiptare është e re,  dhe nën presionin e ideologjive shpesh herë ka përshtatur përshkrimin e ngjarjeve dhe rolit të figurave historike në këto ngjarje. Fakti që disa ekponentë të rëndësishëm të kësaj familje u arrestuan dhe u dënuan me vdekje nga regjimi komunist, ka qenë përcaktues në historiografinë zyrtare për të shkruar dhe kontributin e personaliteteve historikë Vasjari në historinë e Shqipërisë. Një rast i tillë në historinë zyrtare të Shqipërisë së Jugut është përshembull kontributi i familjes Vasjari, e cila përmëse se 200 vjet ka qenë pjesëmarrëse dhe la luajtur një rol qendror në ngjarjet kryesore të historisë së Shqipërisë.


Thursday 11 July 2019

Për flamujt e Muzeut Kombëtar




Historia e muzeve kombëtare shqiptare filloi në vitin 1922, me ngritjen e Muzeut Kombëtar në Tiranë. Drejtori i parë i Muzeut Kombëtar të Shqipërisë ishte Viskë Babatasi. Me fondet e qeverisë shqiptare u ngrit ndërtesa njëkatëshe modeste e Muzeut Kombëtar, e cila ndodhej në rrugën “Abdi bej Toptani”, në afërsi të hotelit “Continental” në Tiranë. Koleksionet e para të Muzeut Kombëtar përbëheshin kryesisht nga objekte arkeologjike. Për shkak të mungesës së ekspertëve të muzeologjisë, duke pasur parasysh kontributin e arkeologëve austriakë qeveria shqiptare ftoi arkeologun Karl Paç (dr. Carl Patsch), një nga njohësit e kulturës së popujve të Ballkanit dhe profesor në Universitetin e Vjenës, i cili qe angazhuar më parë në organizimin e Muzeut Zemaljski të Sarajevës, për të dhënë përvojën e tij për ngritjen dhe organizimin e Muzeut Kombëtar të Bosnjes. Dr. Paç  u kontaktua në korrik të vitit 1922 nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe ai e pranoi ofertën për t’u marrë me organizimin e muzeut, por jo për ta drejtuar atë nga ana administrative. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse ai nuk dëshironte të largohej nga procesi i mësimdhënies në Universitetin e Vjenës. Me dosjen Karl Paç në Ministrinë e Arsimit u mor vetë kreu i seksionit Karl Gurakuqi, i cili përktheu propozimet e tij për autoritetet shqiptare. Dr. Karl Paç u përpoq të gjente një bashkëpunëtor për ta ndihmuar. Ai u mbështet tek bashkatdhetari i tij, Robert Ecker. Njëkohësisht bashkë me ta u angazhua edhe Xhevat Korça, i cili kishte kryer studimet universitare në Vjenë.


Tuesday 2 July 2019

Emërtimi i portit të Shëngjinit në porti Wilson dhe kontributi i Fan Nolit në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.




Të hënën e datës 5 gusht, 1924 revista e njohur TIMES në SH.B.A botonte një lajm të shkurtër telegrafik që përmbante një lajm të shkurtër por shumë të rëndësishëm për Shqipërinë. “Kryeministri Fan Noli i Shqipërisë ka bërë një ndryshim gjithëpërfshirës në vendin që udhëheq. Në nder të ish-presidentit Woodrow Wilson, porti i Shëngjinit, një nga katër portet e Shqipërisë, iu vu emri në Wilson. Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë se Presidenti i SHBA-së i pengoi Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në Konferencën e paqes të vitit 1919”. Në vazhdën e politikës izocionaliste që kishte përfshirë SH.B.A pas presidencës së Wilsonit (1914-1921) ka të ngjarë që ky lajm të ketë pa u vënë re nga politika amerikane. Por edhe për politikën shqiptare të kohës që e  prodhoi këtë lajm ai ishte më tepër  një veprim simbolik  për të shprehur mirënjohjen ndaj SH.B.A sesa veprim për të përfituar politikisht siç ka ndodhur rëndom më vonë në politikat e lobigjenve të politikanëve shqiptarëve. Në Shqipëri në fuqi si Kryeministër i vendit ishte Fan Noli, një nga djemtë e Amerikës. Ai sëbashku me Faik Konicën dhe të tjerë korifej të Vatrës kishin sjellë një erë modernizmi në politikën e kulturën politike shqiptare.


Monday 1 July 2019

Nga Adriatiku në Balltik





Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav* gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret
Ditën e Rushajevet*,


Këto ishin vargje që më erdhen ndërmend ndërsa avioni prekte pistën për të zbritur në aeroportin " Frédéric Chopin" të Varshavës. Gjithmonë më ka bërë kurioz emri Ladislav dhe sa herë që e lexoja përkthimin e mrekullueshëm të Nolit të poemës Skënderbeu të poetit amerikan Henry Longfellow  nuk mënoja të lexoja dhe shpjegimin që shënohej me asterik : Mbreti Ladisllav – Ladisllav II-të (1423-1444), mbret i Polonisë, më vonë edhe i Hungarisë, u vra në betejën e Varnës nga ushtria e Sulltan Muratit II-të.   Ky kuriozitet dhe persiatje  nuk vinte nga emri sllav i  mbretit të Polonisë por më tepër si kuriozitet gjeografik dhe kulturor sesi Skënderbeu ynë dhe Mbreti Ladislav ishin të përbashkuar sëbashku në një front antiosman në Europë. Në ditët në vazhdim do të mësoja më shumë rreth brigjeve të detit Balltik, hapësirës kontinentale të Polonisë historike dhe do ta realizoja se në kufijtë historikë e kulturorë Arbëria dhe Polonia takoheshin në digën e madhe të Danubit kundër hordhive të Perandorive Osmane.