Friday 29 June 2012

Lëvizja e munguar qytetare




Nëse do të bësh një sondazh të vogël për të pyetur qytetarët shqiptarë se cila fushë e aktivitetit të tyre ka përgjegjësinë për përmirësimin apo përkeqësimin e cilësisë së jetës së tyre, të gjithë ndoshta si një kor ushtarak do të përgjigjen me një fjalë: Politika. Në këtë përgjigje sigurisht që nuk ka të çuditshme pasi qytetari shqiptar ashtu si dhe gjithë qytetarët e ish Lindjes komuniste të mësuar që në shpërgënj me politizimin e skajshëm të jetës së tyre dikur në socializmin real dhe më vonë në tranzicion, prej kohësh e kanë identifikuar e glorifikuar politikën si një perëndi të Olimpit që me tekat e saj mund të influencojë në jetën e tyre të përditshme. Në fakt, duam apo duam s’ta besojmë këtë përcaktim qytetarët shqiptarë kanë të drejtë pasi shumë gjëra në jetën tonë të përditshme varen nga vullneti i politikës dhe mënyrës sesi ajo ushtrohet, por ashtu si dhe në Greqinë e Lashtë ku ishin 9 muza që përfaqësonin gjithë sferën njerëzore dhe në jetën tonë të përditshme ka shumë gjëra të tjera veç politikës që na ndihmojnë të përmirësojnë cilësinë e jetesës dhe ti ushtrojmë një trysni pozitive politikës për ta marrë seriozisht zërin e qytetarëve. Po a i dinë qytetarët shqiptarë këto sfera të tjera të jetës apo janë të fshehta dhe do u duhet mund për ti “zbuluar”?
Ata në fakt i përjetojnë përditë dhe shpesh herë u përplasen si realitet i trishtë dhe i hidhur në fytyrë për t’i kujtuar se më me pak mund dhe më me tepër angazhim shoqëror mund ti kishin shmangur. Brenda një harku të shkurtër kohor vendi është tronditur nga disa ngjarje të dhimbshme që kanë shkaktuar dhe viktima mes shoqërisë sonë, si rënia e autobusit me studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në greminat e Himarës dhe vdekja tragjike e 14 vetave si pasojë e këtij aksidenti, vrasja e një 17 vjeçare dhe gjyshit të saj për motive gjakmarrje në fshatrat e Shkodrës, shpërthimi nëntokësor  i puseve të naftës në fushën naftëmbajtëse Patos -Marinz dhe dëmtimi i shtëpive të qytetarëve si dhe një sërë aksidentesh rrugore që ndodhin në këtë stinë të nxehtë ku qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave rritet në pothuajse çdo rrugë të vendit. Pra si shikohet ndërsa politika e lartë në sallonet e veta ka qenë e zënë për të zgjedhur kreun e lartë të shtetit ,jetesa e qytetarëve nuk ka qenë e sigurtë dhe natyrisht jo vetëm për shkak të saj por dhe sepse në Shqipëri kemi një organizim të dobët civil për gjëra si këto që përmenda më lart dhe që njerëzit i konsiderojnë si sfera jashtë politikës.
Para pak ditësh Ambasadori Arvizu, ambasadori i një vendi mik dhe aleat të Shqipërisë pa ia kërkuar njeri me entuziazmin që karakterizon shoqëritë perëndimore shpalli fillimin e një iniciative Act Now- që shumica e medies së shkruar dhe vizive e përktheu si “Vepro tani” por përkthimi më i saktë do të ishte : Tunduni! Po! Ne duhet të lëvizim dhe tundemi nga mentaliteti i llogoreve partiake dhe pritshmërisë që gjithçka në këtë vend do ta zgjidhë politika dhe nëpërmjet organizimeve të shoqërisë civile duhet të fillojmë presionin nga poshtë gjithë ngrehinës institucionale shtetërore për të përmirësuar cilësinë e jetesës sonë dhe për të realizuar një nga objektivat e demokracisë, shtrirjen e saj në çdo qelizë të shoqërisë dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në zgjidhjen e gjithë problematikave që i shqetësojnë ata. Por a është i mundur i gjithë ky proces apo realizmi i këtyre masave është diçka që “bie lart nga qielli” dhe nuk mund të përftohen lehtë? Kësaj pyetjeje  një qytetar shqiptar nuk është e vështirë për t’iu përgjigjur sidomos po të hedh vështrimin matanë detit në Evropë prej nga i kemi marrë të gjitha modelet e deritanishme, por sigurisht jo vetëm modelet organizative, statutet e thata në letër por shpirtin përgjegjës dhe entuziast të qytetarit evropian që pyet e kërkon llogari për gjithçka atyre që u ka besuar votën dhe qeverisjen e vendit. Ka rreth një muaj që ka ndodhur aksidenti në Himarë dhe një e dhënë shokuese ishte se autobusi ishte 24 vjeçar, plot 14 vjet më tepër, sesa lejon ligji dhe sot që flasim askush nga ne nuk ka  informacion të plotë nëse ka autobusë të tillë në Shqipëri dhe sa të rrezikshëm janë për jetën e qytetarëve. Na duhet të dëgjojmë në televizion se pala greke i ka bllokuar shumë autobusë të shoqërive shqiptare që bëjnë linjën Tiranë-Athinë si të papërshtatshëm për të udhëtuar për shkak të vjetërsisë së tyre,  për të realizuar sesa i hidhur është realiteti. Por atëherë çfarë presim? Të ketë sërish një aksident tjetër?
Letargjia jonë është e patolerueshme dhe për fat të keq do fillojmë të ndërgjegjësohemi kur fatkeqësia troket në derë. Një indiferencë e pashoqe mbizotëron gjithandej e parë dhe në tubime që organizon Shoqëria Civile, si ai kundër gjakmarrjes në Tiranë, ku kafenetë e bllokut ishin plot me njerëz të ngeshëm që si gjetën dot dy minuta kohë nga koha e tyre e “çmuar”për ti bërë homazh Marisë së shkretë të vrarë mizorisht ,pa faj dhe si hakmarrje ndaj të tjerëve. Ndaj le të fillojmë të tundemi, të lëvizim dhe shumë vetave kritikë ndaj asaj që e quajnë se përse të huajt duhet të na mësojnë si të “bëjmë kosin” pasi ne i dimë këto gjëra, kur analizojnë nismën e Ambasadorit Arvizu u kujtoj se përderisa ne nuk ndryshojmë asgjë në këtë drejtim të gjitha lëvizjet nga kudo qoftë të vijnë janë të mirëpritura dhe të vlefshme. Këto ngjarje, ku jeta e qytetarit humbet kaq lehtë, nuk ndodhin në vendin e Ambasadorit Arvizu dhe në as shumë vende të tjera evropiane. Po tek ne, derisa do vazhdojë kështu?

Gazeta Shqip 26.06.2012


Sunday 24 June 2012

Rilindja e shoqërisë civile.




Kur Shqipëria vendosi nëpërmjet qytetarëve të vet për tu përfshirë në erën e ndryshimit që kish përfshirë gjithë lindjen komuniste në vitet 90’, nuk u gjet përpara ndonjë dileme të madhe se ç’regjim politik do të ndërtonte. Shqipëria ashtu si vendet e tjera përqafoi modelin e demokracisë liberale që kish qenë i suksesshëm deri në atë kohë në gjithë Evropën Perëndimore dhe SH.B.A. Ky përqafim nuk erdhi vetëm nga shkaku se iu imponua nga vendet përreth por sepse dhe zgjedhjet në fakt ishin të limituara. Në botë , në atë kohë por dhe tani nuk ka ndonjë larshmëri të madhe regjimesh politike por ajo që i bën të veçanta demokracitë liberale të stabilizuara prej kohësh janë cilësitë e vlerave që ato mbartin. Dy nga vlerat më të mëdha të demokracive të sotme liberale janë vullnetarizmi dhe solidariteti. Edhe pse tingëllon paksa ironik ky përcaktim pasi në pamje të parë sisteme qeverisje që janë të bazuara në individualizëm nuk mund t’i kenë të tyre këto vlera, gjithsesi për këdo që hedh një vështrim të qartë në jetën shoqërore të këtyre vendeve apo dhe i ka rënë rasti të jetojë aty, do të shikojë se ky konstatim nuk është i gabuar. Sa herë që në këto vende kanë ndodhur fatkeqësi natyrore është shfaqur menjëherë një ndjenjë solidariteti e natyrshme  e gjithë popullsisë e shprehur menjëherë jo vetëm në mbështetje morale por dhe materiale. Po kështu shumë probleme së përditshmes që kanë të bëjnë drejtë për së drejtë me përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët nuk pritet që të zgjidhen nga shteti apo përbërësit e tij por ekziston një frymë vullnetarizmi për ti rregulluar vetë gjërat dhe për të mbuluar boshllëqet e shtetit. Natyrisht që kjo frymë vullnetarizmi nuk nënkupton një lloj shfajësimi të shtetit apo mënjanim përgjegjësie të tij ndaj qytetarëve, por kryhet në shërbim të së mirës së përgjithshme duke pasur si parim moton se nëse “shteti nuk shkon dot tek individi, atëherë është individi që i dëfton shtetit se ai mund të bëjë gjëra të mira për veten e tij”. Ky mentalitet në fakt  rrit dhe përgjegjësitë e shtetit që kur shikon sesa i pafuqishëm ka qenë për t’iu shërbyer qytetarëve dhe se ata vetë i kanë zgjidhur disa nga problemet e jetesës së tyre të përditshme mundohet që të rrisë perfomancën e vet.
Në Shqipëri si rezultat i tejngopjes në regjimin e kaluar komunist të nënvizimit si vlera morale të vullnetarizmit dhe solidaritetit, këto dy vlera të vlefshme për çdo lloj shoqërie njerëzore janë braktisur. Sot ne jemi dëshmitarë të një individualizmi ekstrem që demonstron shoqëria jonë duke u shfaqur në këtë mënyrë problematike dhe e egër në raportet e saj me qytetarët. Lagje të tëra nëpër qytetet tona , me shtëpi luksoze dy apo dhe te kate vuajnë mungesën e kanalizimeve apo qoftë dhe shtrimin e një copë rruge përballë derës së tyre sepse çdo gjë pritet që të realizohet nga shteti dhe mungon fryma bashkimit dhe e vullnetarizmit për ta realizuar vetë, sepse në radhë të parë do tu shërbejë  dhe do rrisë cilësinë e jetesës së qytetarëve që banojnë aty dhe pastaj mund të quhet si një meritë e shtetit. Pastrimi i territorit është një tjetër çështje që kërkon vullnetarizëm të mirë nga ana e qytetarëve shqiptarë që të gjendur nën presionin e një zhvillimi të shpejtë kanë harruar të kujdesen për ambientin se ku jetojnë. Togje të tëra plehrash urbane grumbullohen në grykëderdhjet e lumenjve duke ndotur jo vetëm tokën dhe ajrin por duke dëmtuar dhe perspektivat e vendit për tu zhvilluar nga ana turistike. Shteti shqiptar është i paaftë me kapacitet e deritanishme që ta menaxhojë këtë situatë ndaj kërkohet që qytetari shqiptar të “zgjohet” dhe nëpërmjet organizimeve vullnetare të fillojë të kontribuojë për përmirësimin e cilësisë së jetës së tij.
Ky angazhim i ri që i kërkohet qytetarit shqiptar nuk është i panjohur. Ai qëndron në fakt në themel të një shoqërie civile të emancipuar që shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe SH.B.A e kanë përqafuar prej kohësh. Çështja në realitetin shqiptar shtrohet se a kemi një shoqëri civile të organizuar mirë dhe në bazë të parimeve themelore si kudo në botë apo se kemi? Situata, në këtë drejtim në fakt, paraqitet e zymtë. Për njëzet vjet me radhë dhe organizatat e shoqërisë civile nuk i kanë shpëtuar viruseve të njohura të shoqërisë shqiptare, korrupsionit , keqadministrimit dhe neglizhencës totale. Ndihma dhe eksperiencat e tyre më shumë kanë kontribuar në grupe të vogla të popullsisë sesa kanë dhënë një impakt të gjerë në shoqëri. Argumentet mund të jenë të shumta si pro apo dhe kundër këtij konstatimi por një aspekt besoj se mund të biem të gjithë dakord është, se ato kanë dështuar në atë që është thelbësore për mbarëvajtjen e një shoqërie civile, mbjellja e frymës së vullnetarizmit dhe solidaritetit në shoqëri. Mungesën e kësaj fryme është ajo çka qytetari shqiptar i duhet ta kompensojë me shpenzime dhe energji individuale shumë më të madha për të arritur gjëra minimale në jetesën e tij përditshme. Imagjinoni sesa shumë gjëra do të ecnin shumë më mirë për të gjithë ne, nëse ambienti, trafiku, monitorimi i rrugëve,solidariteti për njerëzit në nevojë, cilësia e arsimit do të ishin kryefjala e energjive tona të shpenzuara , jo më pak se një orë në ditë në shërbim të komunitetit nëpërmjet vullnetarizmit dhe solidaritetit njerëzor.
Rëndësinë e mbjelljes së kësaj fryme por dhe reformimit të shoqërisë civile e kanë kuptuar dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët nëpërmjet mbështetjes së iniciative të ndryshme apo dhe vizitave të drejtë për së drejta si ishte vizita e këshilltarit për shoqërinë civile të ish Presidentit amerikan Bill Klinton po mundohen që të përcjellin mesazhet e duhura në këtë drejtim. Nëse pas njëzet vjetësh vazhdimisht i kërkohet politikës që të reformohet për t’iu përshtatur situatave të reja me të cilat përballet Shqipëria, besoj se tashmë ka ardhur koha që dhe shoqëria civile të hyjë në një proces të tillë. Qytetari shqiptar e ka të vështirë të influencojë në vendimet e politikës pasi ai pyetet vetëm njëherë në katër vjet për të dhënë vlerësimin e tij nëpërmjet votës, por në ndërtimin dhe funksionimin e shoqërisë civile mund të influencojë vetë nëpërmjet maturimit të tij si qytetar duke bërë për vete vlerat morale të një shoqërie të zhvilluar civile, vullnetarizmin dhe solidaritetin. Arritja e kësaj gjëje do të jetë një nga fitoret më të mëdha në qytetërimin tonë dhe një premisë shumë e mirë për të ardhmen. “Qytetari mund të humbasë por njeriu mbetet” shkruante Monteskie dy shekuj më parë duke dashur të theksojë përparësitë e njeriut të zhveshur ndaj çdo lloj korruptimi të civilizimit. Por tashmë që  kemi ndërtuar shoqëri shumë më të mira, të bazuara dhe në parimin e ndarjes së pushteteve të Monteskiesë , besoj se ka ardhur koha që qytetari të mos degradohet më, por të maturohet më mirë për ti shërbyer vetes. Reformimi i shoqërisë së sotme civile mbi parimet universale të vullnetarizmit, idealizmit dhe solidaritetit është një rrugë e mirë për të arritur tek qëllimi final i gjithë qenieve njerëzore, përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së jetesës. 

Gazeta Shqip 18.09.2011


Tuesday 19 June 2012

Sfida e Presidentit të ri të Republikës




Më në fund pas një intrige të gjatë, prapaskenash dhe kulisash politike u finalizua procesi i përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. Nga dita e hënë e javës së shkuar, Shqipëria ka një President të zgjedhur, i cili ka marrë dhe përshëndetjet e ambasadave të huaja që e monitoruan nga afër procesin e zgjedhjes së tij. Ashtu si dhe pesë vjet më parë, mazhoranca ia arriti qëllimit të ketë një figurë të saj si përfaqësuesin më të lartë të kombit. Por në ndryshim nga hera e parë ku për zgjedhjen e z. Topit iu desh të merrte dhe mbështetjen e gjashtë votave të vlefshme nga opozita për të arritur pragun e tre të pestave të deputetëve, kësaj radhe në bazë të ndryshimeve kushtetuese të realizuara në vitin 2008, presidentit të ri i duheshin 71 vota, çka përtej spekulimeve nuk rezultuan të vështira për t’i siguruar. Zoti Bujar Nishani, Presidenti i porsazgjedhur i Shqipërisë mori 73 vota nga mazhoranca qeverisëse duke treguar dhe njëherë solidaritetin e koalicionit që po drejton vendin që nga viti 2009 dhe fundin e një ëndrre vere për mbështetësit e opozitës që kishin filluar të ndiheshin më mirë pas takimit Meta-Rama në gjirin e Lalëzit.
Për të arritur këtu, për hir të së vërtetës pati një seri negociatash me opozitën që vazhdimisht këmbënguli në modalitetet e procesit sesa në dhënien e konsensusit për një kandidaturë apo dhe paraqitjen e një kandidature të saj. Ndoshta e kompleksuar dhe nga kandidatura e vetofruar e z. Nano në sfond dhe nga fakti që nuk i kishte numrat e mjaftueshëm, opozita lejoi të rrëshqiste procesin drejt asaj që ajo që dëshironte më pak zgjedhjen jo konsensuale të Presidentit dhe akoma më keq të një ministri të qeverisë, gjë që e kish kundërshtuar vazhdimisht që në fillim të procesit. Opozita në këtë proces humbi shansin e një fitoreje morale që do i kishte dhënë shumë më tepër pikë në sytë e opinionit publik duke mbështetur emrin e një kandidature të fortë politike të majtë, nisur dhe nga fakti që në këta 22 vjet demokraci presidentët e republikës kanë qenë më së shumti nga e djathta dhe e majta ka pasur vetëm një të tillë. Pavarësisht faktit se nuk do të arrinte që të zgjidhej, kjo kandidaturë do shërbente si pikë bashkimi dhe entuziazmi për gjithë elektoratin e majtë që pas zgjedhjeve të 2009 dhe të 2011 ndihet paksa i tulatur dhe i çorientuar për të kuptuar humbjet e certifikuara nga kolegjet zgjedhore.
Gjithsesi, zgjedhja e një politikani karriere dhe me aftësi qeverisëse është shumë më mirë sesa zgjedhja e një teknicieni në krye të shtetit dhe shumë shpejt opinioni publik do të ketë rast që ta provojë se zgjedhja e tij nuk ishte një shans i humbur në krahasim me kandidaturat e tjera. Në një nga daljet e tij të para në publik pas zgjedhjes z. Nishani u shpreh se do të ishte shumë më i lumtur nëse do të kishte marrë dhe vota nga opozita , të cilën sipas e tij e kuptonte që duhej të respektonte disiplinën partiake. Gjithsesi, sipas tij, ky fakt nuk do ta pengonte atë që të ndërmerrte kontakte politike të menjëhershme me opozitën me sa duket për t’i hequr asaj çfarëdolloj paragjykimi apo dhe për të themeluar një dialog të shëndoshë politik në vend. Sigurisht që kjo është një nga sfidat që has çdo president që zgjidhet qoftë konsensual apo jo dhe për hir të së vërtetës Shqipëria dhe jeta politike e saj ka shumë nevojë për arritjen e këtij dialogu, por në sfond besoj se sfida më e madhe e z. Nishani do të mbetet reforma në drejtësi e braktisur nga presidenti aktual në detyrë dhe ish-nënkryetari i KLD-së për shkak të ambicieve të tyre politike. Sistemi i drejtësisë gjendet në një nivel shumë të ulët performance aq sa në të gjitha raportet ndërkombëtare është nga më të kritikuarit. Në këtë sens tingëllonte shumë bajate që në piramidën më të lartë të shtetit të qëndronte një përfaqësues i këtij sistemi si u fol gjerësisht gjatë këtyre ditëve. Për më tepër, me të drejtë apo pa të drejtë si u përfol shumë gjatë këtyre ditëve jo vetëm për kandidaturën Zaganjori, por dhe për emrat e tjerë të lakuar, kriteri me të cilin mateshin kandidaturat nga gjyqësori nuk ishte aftësia e tyre profesionale, por paragjykimi i vendimeve të dhëna nga ta, në favor të qeverisë apo të opozitës. Në një shtet normal ku pushtetet janë të ndara dhe ku sigurisht dhe ne mundoheni ta klasifikojmë veten, paragjykimi në këtë farë mënyre i vendimeve dhe aq më tepër marrja parasysh e tyre si një kriter përzgjedhës do të tingëllonte paradoksale.
Ky lloj paragjykimi i vendimeve vjen nga marrëveshja e arritur në vitin 2002 mes dy partive kryesore ku anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e KLD zgjidhen nëpërmjet një konsensusi partiak që ndoshta për frymën shumë të polarizuar të atyre viteve ka dhënë efekt, por për kohën tonë është bërë një mjet paragjykimi shumë i fortë. Shqipëria e vitit 2012 që pretendon të marrë statusin e vendit kandidat nuk është më ajo e dhjetë viteve më parë ndaj një reformim sa më i thellë në emërimin e gjyqtarëve, por dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe KLD do të ishte një vendim i shumë pritur që do të sillte ndryshime cilësore në fushën e shumëpërfolur të drejtësisë. Zoti Nishani për një farë kohe ka qenë ministër Drejtësie dhe besoj se e di shumë më mirë se kushdo tjetër se ku “pikon çatia” në godinën e drejtësisë, ndaj besoj dhe pritshmëria ndaj veprimeve që ai do të ndërmarrë për ta reformuar këtë sektor është shumë më e madhe sesa e paraardhësve të tij. Opozita shqiptare e quajti procesin e zgjedhjes së tij sipas Kushtetutës, por të njëanshëm, por gjithsesi kjo gjë nuk duhet ta pengojë për të filluar të marrë pjesë fuqishëm jo vetëm në dialogun politik në vend, por dhe të japë kontributin e saj nëpërmjet kapaciteteve të shumta intelektuale që zotëron në fushën e drejtësisë. Sigurisht kjo gjë nuk mund të arrihet nëpërmjet forcimit të sistemit të bipartitizmit që deri më tani ka rezultuar i dështuar, por nëpërmjet çmontimit të tij dhe vendosjes së një sistemi gjyqësor vërtet të pavarur. Shqipëria ka nevojë për më shumë frymëmarrje demokratike jashtë skenave klasike të dominimit të publikes nga politika ndaj le ta konsiderojë sfidën e Presidentit të Republikës dhe si sfidën e saj personale dhe si kontribut që i kërkohet të jepet për forcimin e demokracisë në vend.


Gazeta Shqip 18.06.2012


Monday 11 June 2012

Përkeledhje e panevojshme diplomatike


Ndërsa partitë politike në Tiranë janë të përfshira në procesin e vështirë dhe të sikletshëm të zgjedhjes së Presidentit, në pjesën më veriore të kombit shqiptar në Merdarë, pikës kufitare që ndan Republikën e Kosovës me Serbinë , u shënuan incidentet e radhës midis strukturave paramilitare rajonale serbe dhe forcave të KFOR-it. Incidentet, të cilat tërhoqën menjëherë vëmendjen maksimale të B.E për shkak se midis forcave të KFOR-it pati dy të plagosur, filluan për shkak se KFOR në mbështetje dhe të marrëveshjeve të arritura në bisedimet dypalëshe Prishtinë-Beograd për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave tentoi të hiqte barrikadat serbe që në mënyrë të paligjshme që nga vera e shkuar vazhdojnë të qëndrojnë aty  jo  si simbole të qëndresës së tyre por si simbole të “mureve të reja të Berlinit” që kërkojnë të ngrihen në Ballkan. Ngjarjet të cilat priten që të jenë dhe sfida e parë diplomatike për Presidentin e porsa zgjedhur të Serbisë Nikolic nuk u kaluan pa u vënë re dhe në Tiranë. Për herë të parë Ministria jonë e Punëve të Jashtme, duke braktisur çfarëdolloj gjuhe ekuivoku dhe jo të qartë deklaroi se mbështet vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj, vendosjen e rendit e ligjit për të siguruar lirinë e lëvizjes në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in. Por kërkesa e qeverisë shqiptare nuk u ndal këtu. Deklarata e qeverisë shqiptare kërkon nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të dhunës, si dhe çmontimin e strukturave paralele e kriminale serbe të sigurisë për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në këtë pjesë të vendit. Kjo deklaratë është për tu përshëndetur sepse në dallim nga herët e tjera ku tonet e Shqipërisë kanë qenë shumë të buta, kësaj radhe qeveria shqiptare duke përfaqësuar dhe një opinion të gjerë bashkëkombësish dhe qytetarësh shqiptarë i ka dhënë përgjigjen e merituar rebusit të marrëdhënieve serbo-shqiptare. Këto marrëdhënie në fakt, kanë kohë që po provohen në Kosovë dhe sidomos në vullnetin e Serbisë për të pranuar një realitet që tashmë e njeh pjesa më e madhe e shteteve të Bashkimit Evropian, SH.B.A dhe një sërë shtetesh të tjera të kontinenteve të ndryshëm. Pavarësia e Kosovës nuk është tashmë një akt i njëanshëm dhe i njohur përciptas por një realitet i qëndrueshëm dhe faktor për tu marrë në konsideratë. Në këtë kuptim deklarata e Presidentit të porsazgjedhur serb Nikolic se nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe me koston e mospranimit në Bashkimin Evropian, përveçse është një konservatorizëm i pa pranueshëm për rajonin influencon për keq dhe në strukturat paramilitare serbe po e mbajnë peng  territorin e Kosovës Veriore qysh prej ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Mirëpo kësaj fryme konstruktive që u përpoq të përcillte deklarata e qeverisë shqiptare , e cila për hir të së vërtetës tregon hapur problematikën që shqetëson jo vetëm atë ,por dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar , nuk iu përgjigj deklarata e vakët që lëshoi Bashkimi Evropian nëpërmjet sekretares së Baroneshës Ashton. Zëdhënësja e saj, Maja Kocijancic deklaroi as më shumë e as më pak se B.E ishte shumë të shqetësuar për situatën aktuale në Veri të Kosovës dhe se ftonte palët të tregoheshin të përmbajtura dhe të bashkëpunonin me strukturat ndërkombëtare në Kosovë. Me pak fjalë i gjithë ai tension me plagosjen e dy ushtarëve të KFOR-it dhe moslejimin e heqjes së barrikadave të jashtëligjshme u reduktuan në një “shqetësim” dje “thirrje për bashkëpunim”. Ky qëndrim kaq i butë i politikës zyrtare të B.E Ka lënë një shije të hidhur në gjithë hapësirat mbarëshqiptare. Duke mos dashur as mos uruar fatin e dy demonstruesve shqiptarë të rënë në përleshjet e dy viteve më parë në Prishtinë, ku demonstrata e lëvizjes Vetëvendosja u shtyp me dhunë nga forcat e EULEX-it duket sikur ndërkombëtarët kanë përqafuar qëndrime me dy lloj standardesh të ndryshme përsa i përket qëndrimeve të tyre në Kosovë. Kjo lloj politike , sigurisht që është dhe kundër vetë standardeve të diplomatëve evropianë që deri më tani janë munduar që shpesh herë të identifikojnë viktimat me xhelatët në qëndrimet e tyre në Kosovë duke harruar se kështu inkurajojnë “skifterët”e konfliktit të hapur mes strukturave paralele dhe paramilitare serbe. Shqiptarët kësaj radhe janë nga ana e të lënduarve sërish pasi sipas të gjitha të drejtave të ndërkombëtare të njohura dhe nga qeveritë e vendeve të këtyre diplomate kanë të drejtën e Zotit të vendosin rendin dhe qetësinë brenda shtetit të tyre dhe të mos mbahen peng e orekseve të një minorance etnike që nuk dëshiron të njoh as ligj dhe as rregull ndërkombëtar. Përkeledhja dhe marrja me të mirë se kinse kështu do të qetësohen ujërat dhe pasionet nacionaliste kanë rezultuar fatale në Ballkan. Ato janë marrë gjithnjë si për dobësi dhe më shumë kanë zhytur rajonin në kriza etnike të panevojshme. Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës duhet të ndërmarrin një ofensivë të re diplomatike në botë, jo vetëm duke synuar njohjet diplomatike të Republikës së Kosovës por çmontimin e strukturave paralele dhe denoncimin e lojës së pistë që po luan Serbia në rajon. Bashkimi Evropian dhe bota tjetër e qytetëruar ka disa principe bazë , ku mes tyre spikatin e drejta për të qeverisur territoret si shtet sovran dhe komunikimin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mallrave dhe nëse Serbia dëshiron të jetë pjesë e kësaj bote duhet t’i fillojë t’i respektojë një për një ashtu si bëjnë të gjitha shtetet e kësaj hapësire.

Gazeta Shqip. 10.06.2012


Saturday 2 June 2012

Skicë e historisë së Shqipërisë



Në këtë 100 vjetor të pavarësisë, kur dëshiron të shikosh si në një film pa zë, tërë rrugëtimin e kombit tonë në shekuj,  të vjen në mendje rrufeshëm një mendim. A kemi qenë ne të privilegjuar nga historia apo fati historik ka luajtur në mënyrë tragjike me ne? Sigurisht që pyetja nuk është e lehtë pasi përmban në të një tharm të madh të zhvillimit tonë social-historik, por duke hedhur vështrimet në disa etapa kryesore të saj mund të arrijmë në disa përfundime.
Së pari ne jemi një vend i vogël e me popullsi të madhe por këndej në këto truaj kanë kaluar të gjitha qytetërimet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në formimin tonë kulturor. Ne jemi me fat që kemi një qytet antik si Butrinti ku poeti romak Virgjili vendos ngjarjet e poemës së tij të famshme “Eneida”e një qytet tjetër antik si Apolonia ku Oktavian Augusti kreu studimet por në të njëjtën kohë ndihemi dhe fatkeq që nga gjithë qytetërimi ilir nuk kemi gjetur ende një pjesë të shkruar në gjuhën ilire që do të na ndihmonte shumë për të hedhur dritë në trinomin ilir-arbër-shqiptar. Pushtimet e shumta nuk lanë në këmbë asnjë tempull ilir dhe në mënyrë të çuditshme një nga truajt më të vjetër të qytetërimit botëror si është Shqipëria,  “flet” tashmë vetëm me monumente kulturore por jo me vepra të shkruara në gjuhën tonë.
Në shekullin e XV , shqiptarët me prijësin e tyre Skënderbeun shkruan një nga epopetë më të rëndësishme në historinë e Evropës duke u bërë mbrojtësit dhe parzmorja e saj ndaj pushtimit otoman, por ndërsa vendet e tjera që nuk ranë nën këtë pushtim u zhvilluan , ne për fat të keq u krodhëm në natën osmane. Qëndresën tonë heroike e paguam shumë shtrenjtë , me shkëputjen e dhunshme nga Evropa dhe humbjen e shansit historik për të marrë pjesë në të gjitha lëvizjet kulturore të kontinentit. Lavdia dhe shkëlqimi i trimërisë shqiptare u shpërndanë kudo nëpër botë por shanset e humbura historike për të qenë pjesë e Evropës na e vështirësuan shumë rrugëtimin tonë drejt pavarësisë e një zhvillimi kulturor të qëndrueshëm.
Në vitet kur agimi i pavarësisë trokiti në dritaret tona dhe ne hapëm kanatat të shijojmë qiellin e pastër të lirisë, një vendim absurd la jashtë kufijve tanë tokësorë më shumë se gjysmën e kombit. Gëzimit të natyrshëm se Shqipëria po bëhej iu shtua natyrshëm hidhërimi se Kosova dhe viset shqiptare po vuanin. Evropa na nderoi duke na lejuar si pak kombe të tjerë që flamurin zyrtar të shtetit tonë të kishim shqiponjën dykrenore por një kre të saj na e la jashtë që të vajtonte. Për një kohë shumë të gjatë kjo mbeti pengu dhe brenga jonë sepse jo vetëm trupi jonë kombëtar u mpak por humbëm dhe komunikimin shpirtëror me njëri-tjetrin në vitet e trishta të Luftës së Ftohtë.
Sot Shqipëria dhe Kosova të dyja aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian dhe duket se me këtë rrugëtim të tyre sikur po plotësohen dhe aspiratat shumë shekullore të etnisë sonë. Sot ne po shijojmë lirinë e vërtetë politike që shumë shpejt do ti japë frytet e saj por nëse duam ti përgjigjemi pyetjes që shtruam në fillim mund të themi se asaj i shkon për shtat si përgjigje vargjet e poetit Xhevahir Spahiu:
Tehut të shpatës kemi ecur rrufe
pastaj shpata ka ecur mbi ne.