Monday 30 October 2017

Vepra e historianit J.F.Fallmerayer dhe disa çështje të debatueshme të mesjetës shqiptare.



Tezat historike të akademikut Bavarez J.F.Fallmerayer, tronditën mendimin historik evropian në gjysmën e dytë të shekullit të XIX. Për herë të parë, pas formimit të shtetit kombëtar grek,  u vu në dyshim vazhdimësia greke në territoret e veta historike dhe një rëndësi e veçantë iu dha dyndjeve të popujve sllavë dhe shqiptarë në territoret e asaj që njihej si Greqia e lashtë. J.P.Fallmerayer, historiani bavarez në trajtesën e tij “Elementi shqiptar në Greqi” që u botua në tre fashikuj të Akteve të Akademisë së Shkencave të Bavarisë në vitet 1857-1860, në të njëjtën kohë u  morr gjerësisht edhe me origjinën e shqiptarëve.


Tuesday 24 October 2017

Robert Elsie do te prehet ne Theth - 17 Tetor 2017 - Vizion Plus



Nolian Lole: Sot, është një ditë e veçantë, vjen trupi i Robert Elsie, jo në atdhe por në vendin ku ai dëshiroi dhe e la me amanet që të prehet në alpet shqiptare, në Theth, dhe do ti kryhen nderimet e fundit. Po kush ishte Robert Elsie në rradhë të parë?
Dorian Koçi: Robert Elsie për të gjithë ata që nuk e njohin është një nga albanologët më të shquar joshqiptar, le të themi që, që nga vitet `80 e në vazhdim që ai ka patur një aktivitet shumë të ngjeshur dhe aktivitet në shumë aspekte historik, filologjik, në fushën e fotografisë duke bërë të mundur që thesaret e ndryshme të kulturës shqiptare të shpërndara, të paidentifikuara ti krijojë së bashku dhe të krijojë një mozaik të madh të atij imazhi dhe përceptimi që kanë patur të huajt ndaj Shqipërisë duke filluar që nga vitet 1809, një vit i cili shënon edhe interesin e madh albanologjik për shkak edhe të veprës së Bajronit, të shkruar përreth shqiptarëve dhe në vazhdimësi. Robert Elsie ishte një studiues pasionant, i cili arriti në thyerjen të viteve `90 të krijojë një individualitet të veçantë në kritikën, në letrat shqipe, në kulturën shqiptare një pikë referimi shumë të fortë për gjithësecilin që dëshironte të njihte më tepër shqiptarët, por edhe për të ndërtuar e për të shkruar histori të ndryshme të zhvillimit kulturor të shqiptarëve. Unë kam parasysh historinë e letërsisë shqipe, në të cilën për herë të parë vinin më të detajuar autorë që më parë ishin mohuar apo autorë të së shkuarës pa as edhe një lloj kompleksi duke bërë të mundur që një njeri, i cili dukej se ishte vetëm por që dukej sikur ishte një institucion, shpesh herë të vinte në garë në mënyrë, le të themi, miqësore edhe institucionet kulturore, artistike apo historike të vendit tonë.