Monday 24 August 2020

Selam Musa Salaria në rrjedhat e lëvizjeve patriotike

 


100 vjet më parë sovraniteti dhe liria kombëtare e shtetit të pavarur shqiptar u siguruan me anë të triumfit të Luftës së Vlorës, epopesë moderne të bashkimit të forcave shqiptare të diplomacisë, artit ushtarak dhe heroizmit të tribunëve popullorë. Lufta e Vlorës ishte një luftë me një karakter kombëtar ku u përfshinë strukturat e shtetit shqiptar nëpërmjet Prefekturës së Beratit që mbulonte administrativisht edhe hiterlandin e Vlorës që mbahej ende e pushtuar nga italianët , organizimit të forcave vullnetare dhe mbështetjes diplomatike. Si një luftë e tillë u perceptua dhe në opinionin publik shqiptar të kohës dhe jehonën që pati në shtyp. At Shtjefën Gjeçovi do të shprehej në gazetën “Mbrojtja Kombëtare” për këtë ngjarje se : “Në luftë të Vlonës luftoj besa e trimnija kundra fuqijet e dijet… Filluen luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e patën sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve.. Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht shqiptar”[1]. Por mes nganjëdhyesve që hyjnë në Vlorë mungonin heronjtë e martirët e lirisë, e mbi të gjithë Selam Musai , bir i shquar i Labërisë. Selam Musai është shembulli i virtytit dhe heroizmit në epokën e re të shqiptarizmit, i sakrificës dhe i lirisë që nëpërmjet jetës së vet u dha forcë e mbështetje themelimit të shtetit tonë kombëtar. Patriotizmi dhe atdhedashuria, rënia e tij heroike 100 vjet më parë  u kthyen në këngë e simbol duke u bërë njësh me ndërgjegjen e kombit

Një jetë në shërbim të kombit.

Selam Musa Salaria lindi në lagjen Mesas të fshatit Salari, Tepelenë më 1860. Familja e tij u merrej me mbarështimin e bagëtive dhe ne periudhën e vjeshtës e shpërngulnin stanin dhe kalonin në zonat e ngrohta, në kullotat dimërore në anën e Delvinës dhe Vlorës. Jeta tradicionale e fshatit shqiptar të krahinës së Labërisë në mesin e shekullit të XIX rrotullohej mes mbarështimit të ekonomisë blegtorale dhe miqësive tradicionale të formuara në shtegtimet e bagëtive. Ky aspekt i rëndësishëm i jetës së përditshme së fshatarëve të mesëm në jug të Shqipërisë krijonte premisat e lindjes së një patriotizmi lokal që shumë shpejt nën zhvillimet e vrullshme të Hyrietit, fillimit të aktivitetit të çetave patriotike dhe kryngritjeve antiosmane të viteve 1911-1912 u kthye në një nacionalizëm të mirrëfilltë. Tradita e zonës kish nxjerrë në pah karaktere e figura të rëndësishme si Zenel Gjoleka, Hodo Nivica, Rrapo Hekali, Tafil Buzi etj që 80 vite më parë kishin ruajtur traditën qeverisëse të vendit dhe mospagimin e taksave të njohura si kryengritjet e Tanzimatit, por këto kryengritje si është pranuar gjerësisht nuk përfshinin brenda tyre një program të qartë nacionalist për themelimin e shtetit kombëtar shqiptar. Edhe pse ekzistonte një farë patriotizmi lokal që shpesh herë  gjente shprehje ashtu siç na dëshmon Hobhouse-i në veprën e vet A Journey through Albania and other provinces of Turkey in Europe and Asia, to Costantinople during the years 1809 and 1810  në deklarimet e banorëve, që kur i pyesnin s’e ç’ishin, banori shqiptar nuk thoshte përkatësinë fetare, por përgjigjej “Jam shqiptar”[2], prapëseprapë ky patriotizëm lokal nuk shtrihej në përmasa përgjithësuese që mund të përbënte një nga bërthamat e themelimit të identitetit shqiptar dhe pastaj më vonë atë kombëtar. Ndryshe paraqitej situata në fillimet e shekullit të XX përsa i përket zhvillimit të idesë kombëtare mes shqiptarëve. Selam Musai ra në kontakt me idetë kombëtare kur ishte ushtar në Jemen nga patriotët shqiptarë të Misirit.[3] Kur filloi zgjimi kombëtar i shqiptarëve 1840-1912, kolonia shqiptare e Egjiptit u shndërrua në një nga kolonitë më aktive për sa i përket Rilindjes Kombëtare. Por ai hyri në gjirin e lëvizjes patriotike në fillim të shekullit të XX. Që nga viti 1905 në Tepelenë vepronte një komitet i fshehtë, i cili punonte aktivisht për çeljen e shkollave shqipe. Selam Musai mbajti lidhje të ngushta me çetat patriotike e sidomos me atë të Çerçiz Topullit. Ai kishte kontakt edhe me krerët e  çetave të para të Kurveleshit dhe Tepelenës si Demo Eminin, Ismail Kason, Shaqo Buzon, Abas Nivicën, Kanan Malon, Hito Lekdushin, Tahir Liçajn, Asllan Velikon, Sulo Beqirin, Zeman Mashkullorën etj.

Gjatë viteve 1907-1908 ai mbante lidhje edhe me një komandant tjetër çete Nazif Hadërin nga Palavlia. Pas shpalljes së Hyrjetit nga xhonturqit qarqet patriotike besonin se do përfitonin shumë, por në realitet  nuk pati ndonjë ndryshim, pasi ata nuk i mbajtën premtimet. Në vitin 1911 filloi Kryengritja e Jugut dhe malet u mbushën prapë me çeta. Selam Musai në këto vite u vu në krye të çetës të fshatit Salari. Në vitin 1911 në Alipostivan të Përmetit u vra edhe miku i tij Nazif Hadëri, gjatë luftimeve kundër forcave osmane. Kryengritja e vitit 1911 pati rëndësi të madhe sepse sepse ndezi ndjenjën kombëtare të kombit, ku i shtoi besimin popullit edhe tregoi dobësitë e Perandorisë Osmane , e cila hyri në bisedime me ta duke u bërë atyre lëshime. Në të njëjtën kohë ajo rrëzoi propagandën e fqinjëve jugorë të Shqipërisë që pretendonin se kryengritje antiosmane për një shtet të pavarur shqiptar kishte vetëm në Kosovë e veri të Shqipërisë. Përmes kuvendit në Manastirin e e Cepos ajo njësoi lëvizjen kombëtare shqiptare dhe kërkesat e saj politike si në veri ashtu dhe në jug të Shqipërisë. Mbledhja e Cepos ishte mbledhje e çetave patriotike të Shqipërisë së Jugut e mbajtur në Manastirin e Cepos (rrethi i Gjirokastrës) më 21 korrik 1911 në mbështetje të kërkesës për autonominë e Shqipërisë të parashtruar nga kryengritësit e Malësisë së Mbishkodrës në Memorandumin e Greçës. Pjesëmarrësit e mbledhjes iu kundërvunë orvatjeve të qeverisë xhonturke për të trajtuar kryengritjen e veriut si një lëvizje lokale, duke u njohur vetëm malësorëve disa të drejta. Mbledhja kërkoi që njohja e këtyre të drejtave të shtrihej në gjithë Shqipërinë, që vendi të kishte një sistem të vetëm administrimi dhe qeveria të themelonte një lloj regjimi në veri e në jug të Shqipërisë, për të siguruar që shqiptarët të jetonin si element kombëtar. Në dhjetor 1912, Selam Musai iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit dhe qeverisë së Vlorës për ta mbështetur në vendosjen e autoritetit shtetëror në Shqipërinë e Jugut  duke u kthyer në një faktor të rëndësishëm të krahut të armatosur të lëvizjes kombëtare shqiptare në Jug të Shqipërisë. [4]

Në mbrojte të tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Në tetor të vitit 1912 shpërtheu lufta Ballkanike kundër Perandorisë Osmane. Shqiptarët kishin vite që luftonin kundër Perandorisë Osmane për të përfituar pavarësinë, por këtë herë do ishte ndryshe, pasi Shqipëria rrezikonte nga vendet fqinje, tërësinë territoriale dhe egzistencën e saj. Ajo nuk po i kapte armët për forcimin e Perandorisë Osmane, por për ti dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së Shqipërisë. Në nëntor të vitit 1912 në Tepelenë u dha alarmi se forcat greke kërkonin të pushtonin tokat shqiptare. Selam Musai duke qënë në krye të burrave të Salarisë ishte një nga të parët që shkoi në Tepelenë e më pas në Janinë për t'u prerë vrullin forcave greke që të mos futeshin në tokat shqiptare. Selam Musai u caktua si një nga drejtuesit e këtyre forcave. Luftimet në Bezhan qenë nga më të rreptat, ku u plagos edhe Selam Musai. Luftimet përreth Janinës ishin nga më të ashprat, ku vetëm nga fshati Salari u vranë 7 veta, midis të cilëve Aqif Llaka dhe Braho Liçi e Vehip Liçi, këta të dy kushurinj të parë të Selamit.[5]

Pas shpartallimit të ushtrisë osmane, trupat greke në muajin mars të vitit 1913 u gjendën në portat e Tepelenës dhe më 18 mars e pushtuan atë. Në të njëjtën kohë por me një kahje tjetër për sa i përket identitetit kombëtar shpërthen dhe rebelimi i ashtë quajtur “epirot” në jug të Shqipërisë i organizuar nga një renegat shqiptar, Kristaq Zografo-ish ministër i jashtëm i Greqisë nga fshati Qestorat i Lunxhërisë dhe një nga “shpirtrat e humbur” të shqiptarëve në betejën e tyre me Helenizmin dhe Kishën greke. “Rebelimi” u nxit dhe u mbështet nga ushtritë pushtuese greke, të cilat kishin hyrë në territorin shqiptar, përkatësisht në Gjirokastër e Sarandë. “Bandat epirote” të Zografos mundën të marrin pjesë si palë në bisedimet që Komisioni Ndërkombëtar ndërmori me autoritetet greke, bisedime nga të cilët u formulua dhe “Protokolli i Korfuzit”, që iu dërgua fuqive të mëdha për ta miratuar, miratim i cili erdhi në datën 2 Korrik. Bandat vorio-epiriote dhe ushtria greke kreu krime të mëdha në zonën e Tepelenës. Kulmi i kësaj dhune të pashembullt  do të manifestohej më 29 prill të vitit 1914, ku andartët greke mbasi morën peng 219 burra kryesisht nga fshati Hormovë i çuan në kishën e fshatit Kodër .Nga aty, ata filluan ti merrnin dy e nga dy, duke i masakruar  me thika e bajoneta. Këtë  veprim ata e maskonin  se gjoja  po i merrnin në pyetje .[6] Në këtë ditë çeta luftarake e e salarjotëve e drejtuar prej heroit të popullit Selam Musai, së bashku më çetat e Dukajt, Turanit dhe Veliqotit, ishte e zënë me luftime për dëbimin e këtyre forcave renegate nga krahina e Tepelenës . Me të marrë vesh për këtë ngjarje makabre, luftëtarët e këtyre çetave, kërkuan menjëherë  që të hidheshin në një sulm përfundimtar për të asgjesuar këto forca të cilat më së shumti ishin djem të rinj , paramilitarë, të burgosur ordinerë dhe krimielë të llojeve të ndryshme të rekretuar nëpër burgjet greke. Të nesërmen e kësaj ngjarje tragjike çeta e Salarisë zuri  vijën Tërbuq-Labovë e Vogël, kurse forcat greke  zunë vijën Hundëkuq –Labovë e Vogël .[7] Luftimet kundra ushtrisë paramilitare  dhe andartëve grekë qenë të rrepta. Lufta e Labovës e organizuar si një luftë popullore ku spikati roli dhe kontributi i Selam Musait do të kthehej në një përvojë të çmuar gjashtë vjet më vonë në luftimet në Vlorë kundër italianëve. Në këtë luftë forcat paramilitare e andarte greke  humbën pjesën më të mirë të ushtrisë të tyre, kurse Selam Musai humbi njeriun e tij të besuar nga fshati Salari, Ali Rakip Llakën. Luftimet do të vazhdonin edhe jashte territorit të krahinës së Tepelenës duke u kthyer në këtë lloj mënyre çetat patritotike vullnetare në një bërthamë të ushtrisë së ardhshme kombëtare shqiptare.

Selam Musai në rrjedhat e organizimit të Luftës së Vlorës.

Më 26 prill 1915 u nënshkrua në kryeqytetin britanik një marrëveshje, e cila ka hyrë në histori si Traktati i Fshehtë i Londrës. Ajo u nënshkrua nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, të Francës dhe të Rusisë në njërën anë dhe të Italisë në anën tjetër. Përfundimi i kësaj marrëveshje ishte  të kënaqte lakmitë italiane dhe ta reshtonte atë përkrah Antantës. Traktati i Londrës i vitit 1915 ka hyrë në histori si një ndër aktet kryesore të diplomacisë së fshehtë. Ai është në të njëjtën kohë një ndër aktet nderkombtare më tipike të periudhës së imperializmit në përgjithësi. Nga arsenali i diplomacisë  zor se ka dalë një akt tjetër si ky, që ta karakterizojë më mirë thelbin e politikës së fuqive të mëdha ashtu dhe metodat e saj. Duhet theksuar se në gjithë këtë traktat asgjë tjetër nuk e nxjerr aq qartë natyrën e vërtetë të imperializmit, të politikës së tij sidomos ndaj vendeve të vogla, sesa ajo pjesë që bën fjalë për shqipërinë e fatin e saj.[8]

Nenet që i referohen direkt Shqipërisë  janë nenet 6 dhe 7. Neni 6 i kushtohet kërkesës kryesore të Italisë, së cilës i përgjigjet duke parashikuar “sovranitetin e plotë italian mbi Vlorën, mbi ishullin e Sazanit dhe mbi një territor  të gjerë sa të siguronte mbrojtjen e atyre pikave”.  Nëni 6 reflektonte synimin e hershëm diplomatik të Italisë për të pasur një  kryeurë politike, ekonomike e kulturore të vet në Ballkan. Në nenin 7 bëhej një ndarje e territoreve sipas konceptit imperialist të Traktatit të Londrës , pasi krahas rregullimeve të tjera territoriale në favor të Italisë,  përfshihej edhe coptimi i ri i Shqipërisë. Italisë me këtë formulim i jepej e drejta për të përfaqësuar një shtet shqiptar në marëdhëniet me jashtë. Forcat italiane ishin në Vlorë që në dhjetor 1914 dhe gradualisht gjatë Luftës së Parë Botërore u zgjeruan gjithandej në jug të Shqipërisë. Zona e pushtimit italian, gjatë Luftës së Parë Botërore përfshinte krahinat përreth Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës e Tepelenës, të cilat përbënin një zonë me rëndësi strategjike për pushtuesit. Pavarësisht lehtësirave të shumta që ofruan italianët si në arsimimin shqip, urbanizimin dhe rritjen e mirëqenies mes popullsisë, shqiptarët nuk u pajtuan as me pushtuesit e rinj. Format e hershme të organizmit të rezistencës antiitaliane fillojnë që në fund të vitit 1918. Ndërkohë në Shqipëri ishte krijuar në dhjetor 1918 fill një muaj pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Qeveria e Durrësit me Kryeministër Turhan Pashë Përmetin. Qeveria u formua prej 14 anëtarësh. Kjo qeveri do të kishte në përbërjen e saj këta emra: 1. Turhan Pasha (kryetar), 2. Preng Bib Doda (nënkryetar), dhe anëtarë: 3. Sami bej Vrioni, 4. Dr. Mihal Turtulli, 5. Myfit bej Libohova, 6. Imzot Luigj Bumçi, 7. Midhat bej Frashëri, 8. Luigj Gurakuqi, 9. Mehmet bej Konica, 10. Lef Nosi, 11. Mehdi Bej Frashëri, 12. Fejzi bej Alizoti, 13. Mustafa Kruja, 14. Pjetër Poga. Qeveria e Durrësit ishte nën ndikimin italian. Pro politikës së saj ishin Myfid Libohova, Fejzi Alizoti, Mehdi Frashëri, Sami Vrioni, Mustafa Kruja. Një traktat i fshehtë mes qeverisë së përkohshme të Durrësit dhe qeverisë së Italisë u nënshkrua nga ministrat Myfid bej Libohova, Fejzi bej Alizoti dhe këshilltarit të Legatës italiane në Shqipëri markezit Karl Durrazzo. Sipas tij, një komisar i lartë i Italisë kontrollonte dhe vendoste mbi punët e qeverisë shqiptare si dhe për vendimet me rëndësi si buxheti, ndërtimet, koncensionet, emërime, pushime në administratë. Këtë qeveri Italia e konsideroi si një delegacion pranë qeverisë italiane, i cili pa lejen e Adetto Gobit nuk bënte asnjë shpenzim. Në kushtet e një protektorati italian Qeveria e Durrësit e kishte të vështirë për të ndërmarrë hapa që kishin të bënin me çështjen e Vlorës, hiterlandit të saj. Qeveria e Durrësit u përpoq t’u dilte përpara këtyre përpjekjeve , duke thirrur mbledhjen e Senatit më 15 tetor 1919, por dështoi dhe ai nuk u mblodh , as në këtë datë e as më vonë. I vetmi sukses i saj ishte marrja nën kontroll e prefekturës së Gjirokstrës.[9] Gjirokastra pas presionit të qarqeve patriotike shqiptare i dorëzua Qeverisë së Durrësit në 21 dhjetor 1919 dhe trupat italiane u tërhoqën por vazhdonin të mbanin ë pushtuar hiterlandin e Vlorës duke përfshirë dhe qytetin e Tepelenës. Krahas organizimit në nivele të larta të patriotëve shqiptarë kishte filluar një punë e rëndësihme e organizimit në terren. Ndërkohë politika italiane kishte marrë tipare të rrezikshme. Më 29 korrik 1919 ishte nënshkruar marrëveshja Titoni-Venizelos, sipas së cilës Italia angazhohej të mbështeste në Konferencën e Paqes kërkesat greke për aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës , ndërsa Greqia do të mbështeste mandatin italian mbi Shqipërinë e cunguar nga ana territoriale , si dhe aneksimin e Vlorës prej Italisë.[10] 

Në këto kushte ,patriotët shqiptarë, duke parë se nuk mund të shpresonin në mbështetjen e ndonjë fuqie të huaj, rritën përpjekjet për organizimin e qëndresës kundër pushtuesve italianë. Në fund të 1918-ës, Halim Xhelua, mblodhi në Brataj arsimtarët e krahinës dhe formuan organizatën “Shtiza e Qytetërimit”, e cila në të vërtet ishte bërthama e “Mbrojtjes Kombëtare”. Qëllimi i kësaj organizate ishte të përhapte idenë e kryengritjes së armatosur në të gjithë krahinën Vlorë-Tepelenë-Himarë, si e vetmja mënyrë shpëtimi. Në këtë mbledhje u vendos, që të lajmërohej e gjithë krahina e Tepelenës, Kurveleshit dhe Gjirokastrës, për këtë Halim Xhelua dhe Abdurrahman Çiraku shkuan në Kurvelesh, Tepelenë e Gjirokastër. Në Kurvelesh ata u takuan me Shuko Dalipin dhe Riza Runën, të cilëve u thanë se Vlora ishte gati për luftë  kundër italianëve. “Kurveleshi i Sipërm pranoi mendimin tone, thotë A. Çiraku, si në Nivicë, Tepelenë dhe në Gjirokastër u muarën vendime të shkruara e të firmuar, nga të gjithë njerëzit që muarën pjesë në atë mbledhje”[11].  Në Tepelenën e pushtuar nga italianët, më 1919, u krijua një komitet, që u quajt “Komitet i Fshehtë” i cili do të merrej me organizimin e qëndresës së armatosur. Ky Komitet ishte i pëbërë nga Qazim Koculi. Baba Ahmet Turani (Luzi), Haxhi Shehu, Arshi Shehu dhe nga Kurveleshi, Riza Runa, Sulo Lekdushi e Myslim Hajno. “Komiteti i Fshehtë” bëri një takim me 26 mars 1919,  ku ishin të pranishëm edhe nënprefekti i Tepelenës Qazim Koculi, si dhe Halim Xhelo nga Vlora dhe Veli Hashorva nga Gjirokastra”.[12]

Në janar 1920 u mbajt Kongresi i Lushnjes i cili hodhi bazat e strategjisë kombëtare për ruajtjen e tërësisë territoriale të kufijve të Shqipërisë londineze të vitit 1913. Për ti bërë ballë copëtimit , Kongresi i Lushnjës kishte diskutuar krijimin e komiteteve “Mbrojtja Kombëtare”, të cilat do ti kundërviheshin një agresioni të mundshëm grek në Shqipërinë e Jugut dhe, veçanrisht , do të organizonin qendresën e armatosur kundër italianëve. [13] “Komitetet e Fshehta”, me orjentim të Kongresit të Lushnjes, të ktheheshin në Komitete të “Mbrojtjes Kombëtare” në të gjithë Shqipërinë. Në fillim të marsit 1920 Komiteti i fshehtë u mblodh në Teqen e Turanit, ku vendos që kryetar i Komiteti të “Mbrojtes Kombëtare” të ishte Baba Ahmet Turani dhe anëtar ishin Arshi Shehu, Sheh Ali Bënça, Sulejman Luzati, Riza Runa, Haxhi Shehu, Selam Musai, Ismail Malo, Feim Mezhgorani, Rakip Duka, Sadulla Xhaferi, Sulo Lekdushi, Medi Shehu etj. Komiteti thirri në një takim në teqen e Malit në afërsi të Luzatit, 45 krerë të fshatrave të krahinës. Në këtë takim ishte lajmëruar edhe Shaqo Llapi dhe 80 të arratisur që ishin fshehur nëpër male si kundërshtar të pushtuesëve italianë. Këtyre ju bë thirrje që t’i kthenin çetat e tyre, në çeta patriotike. Ata pranuan, që të viheshin nën drejtimin e Komitetit, për të luftuar pushtuesit. Në këtë takim u caktuan detyratë reja, përveç marrjes së masave për fillimin e kryengritjes, dhe u ndanë detyrat për tu  lidhur me krahinat e tjera.[14]Një mbledhje e rëndësishme ishte ajo e Turanit në maj të vitit 1920 ku u krijua dhe "Komiteti i Tepelenës". Komiteti mori në dorë pregatitjen dhe drejtimin e kryengritjes, ku organizoi mbledhje nëpër fshatrat e Tepelenës dhe formoi çetat e luftëtarëve. Fshatrat e Lopësit bashkuan çetat e tyre në një, me komandant Dule Dalanin nga Dhëmblani, kurse çetat e fshatrave Salari, Dukaj, e Turan formuan çetën e përbashkët ku komandant i kësaj çete ishte si fillim Selam Musai e më pas Islam Malua dhe zëvendëskombandant Memë Sherifi. Kjo ndodhi pasi Selam Musai u caktua nga komiteti si komandant i dy çetave të Tepelenës.

Të gjitha këto takime u organizuan nën frymën e strategjisë të patriotëve shqiptarë të miratuar në Kongresin e Lushnjës. Qeveria shqiptare e Sulejman Delvinës ndoqi një sttrategji të zgjuar dhe efikase. Ajo nxiti dhe mbështeti organizmin e një kryengritje popullore[15] e cila nuk do të merrte karakterin e një lufte mes shtetit shqiptar dhe atij italian. Kështu qeveria e Tiranës synonte ti shmangej përgjegjësisë për shpërthimin e kësaj lufte dhe në të njëjtën kohë e la rrugën të hapur  për të vijuar bisedimet diploamtike me italinët të cilat ishin ndërprerë më 25 maj 1920, duke e vënë veten në rolin e ndërmjetësit midis kryengritësve dhe ushtarakëve italianë. [16]

Më 30 maj komiteti i Vlorës i bën thirrje komitetit të Tepelenës për mbledhjen që do bëhej në Beun më 2 qershor. Më 3 qershor, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i Vlorës i drejtoi komandantit të forcave italiane , gjeneral Piancentin-it, një ultimatium në të cilin theksohej se populli shqiptar konsideronte si shkaktare të copëtimit të Shqipërisë vetëm Italinë e cila, me politikën saj imperialiste , këmbëngulte në aneksimine Vlorës. Ultimatiumi kërkonteqë deri në mbrëmjen e 4 qershorit , komandanti italian të pranonte që Vlora me rrethinat e saj, t’i dorëzohej qeverisë shqiptare , në rast të kundërt , fjalën do ta kishin armët.[17] Komandanta italiane nuk e përfilli ultimatiumin dhe e nënvlerësoi forcën e kryngritësve shqiptarë. S.Piancentini pohonte se kryengritësit ishin një masë amorfe pa udhëheqje dhe pa disiplinë ndaj ishin të parrezikshëm.[18] Ky nënvlerësim dhe mos marrje në konsideratë të forcave kryengritësve shqiptare që kishin në mes të tyre oficerë me përvojë që kishin shërbyer në Perandorinë Osmane apo dhe prijës popullorë si Selam Musai, Zigur Lelo, Sali Murati etj do tu kushtonte shtrenjtë në pëprlasjen e armatosur që filloi në mbremjen e 5 qershorit. Sulmi qe i menjëhershëm kundër të gjitha garnizoneve italiane por më të fuqishme ishin në Kotë , kundër regjimentit të gjeneral Gotit , që mbrohej me fortifikata të betonuara dhe nga zjarri i artilierisë. Lufta e Kotës do ishte një nga luftrat më kryesore kundër italianëve, ku vetë Goti i kërkonte Piaçentinit përforcime. Italianët kishin bërë edhe përforcime me tela në bazat e tyre, të cilat i pengonin trupat shqiptare. Në këto momente u shfaq taktika popullore e prijësve të çetave kombëtare,  Selam Musait e Zigur Lelos që  vendosën gunat përmbi tela dhe kështu mundën të kalojnë mbi fortifikimet . Afër mëngjesit kryengritësit hynë brenda kazermave dhe i detyruan forcat italiane të dorëzoheshin. Brenda 5 qershorit ranë dhe garnizonet e Drashovicës, të Gjormit e të Matohasanajt. Pas dy ditësh u dorëzuan dhe ushtarët e rrethuar në Llogara dhe u godit garnizoni i Tepelenës, i cili qendroi i rrethuar në kështjellën e qytetit edhe për disa ditë. Në këtë mënyrë përfundoi me sukses faza e parë e luftimeve , gjatë së cilës u zunë robër më shumë se 1000 ushtarë dhe oficerë italianë.[19]

Më 9 qershor forcat kryengritësve rrethuan garnizonin e Vlorës i cili kishte zënë pozicione strategjike jo vetëm brenda qytetit por edhe në rrethinat e tij. Suksesi i fazës së parë të luftimeve i dha mundësi qeverisë shqiptare që të ndërhynte dhe të luante një rol përcaktues në bisedimet e mundshme të paqes. Po në 9 qershor , qeveria shqiptare e njoftoi F.Castoldi-n se ishte e gatshme të ndërhynte në Vlorë për ndërprerjen e luftimeve , nëse brenda 36 orëve do ti dorëzohej asaj administrimi i krahinës, në rast të kundërt, ajo nuk do të mbante asnjë përgjegjësi për vazhdimin e gjakdredhjes në Vlorë dhe për shkallëzimin e mundshëm të luftimeve kundër ushtrisë italiane në pjesë të tjera të vendit.[20] Italianët nuk e pranuan sërish këtë ofertë të qeverisë shqiptare dhe duke besuar në fortifikimet e linjave ushtarake në Vlorë shpresuan se do të mund të rikthenin sërish gjendjen e mëparshme në terren.

Më datë 11 qershor në orën 22:00 forcat kryengritësve mes tyre dhe çeta e Salarisë me Selam Musain në krye  nisën sulmin mbi Vlorë. Luftimet vazhduan gjatë gjithë natës dhe në mëngjes herët kryengritësit hynë në lagjet e qytetit. Luftimeve iu bashkangjitën edhe qytetarët e Vlorës që rrëmbyen armët dhe goditën ushtarët italianë ndërsa ata tërhiqeshin. Gjatë këtyre luftimeve pati shumë të vrarë nga të dy palët. Luftëtarët e çetave patriotike shqiptare luftuan me vetëmohim e heroizëm. Në kodrën afër spitalit, në Qafën e Koçiut gjatë luftimeve me italianët mbeti i vrarë Selam Musai dhe shoku i tij Shefqet Shehu. Në raportin që i dërgonte Ministrisë së Punëve të Brendshme më 17 qershor, prefekti i Beratit  shkruante “...i quajtur Selam Musa, që me një trimëri të madhe hyri brenda në Vlorë dhe zuri Kus-Babanë, me dymbëdhjetë shokë më s’mundën të dalin dot dhe pandehet se kanë rënë dëshmorë”.[21] Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos shkruante më 10 korrik: “në këtë luftë humbën edhe patriotin e dëgjuar Selam Musai me disa salariotë...”.[22]Lufta me italianët vazhdoi dhe  pas vdekjes së Selam Musait, pasi qeveria shqiptare dhe forcat kryengritëse dëshironin ti jepnin fund çfarëdolloj sovraniteti italian mbi Shqipërinë. Në këto kushte pas disa tentativave të dështuara të diplomacisë italiane për të ruajtur një sovranitet mbi disa pjesë ë territorit të Vlorës, komandanda ushtarake  kërkoi armëpushim.  Më 2 gusht 1920 qeveria shqiptare dhe ajo italiane nënshkruan  protokollin shqiptaro-italian, sipas të cilit Italia do të tërhiqej nga Shqipëria, duke njohur pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar. Italia ruajti vetëm kontrollin e ishullit të Sazanit, si një garanci të kontrollit ushtarak italian mbi kanalin e Otrantos.

Tërheqja e trupave franceze nga Korça në 15 maj 1920 dhe përfshirja e kësaj krahine në shtetin shqiptar, lufta e Vlorës dhe hyrja e forcave qeveritare shqiptare në 3 shtator 1920 si dhe lufta kundër forcave pushtuese të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në verë-vjeshtë 1920 i siguruan Shqipërisë tërësinë territoriale dhe një nga kushtet kryesore për të zhvilluar lirinë e vet politike. Lufta e Vlorës , si lufta ku spikatën organizimi tradicional i luftëtarëve shqiptarë nën organizmin administrativ të qeverisë së Tiranës krijoi premisat që organizimi tradiconal i shoqërisë shqiptare mund të modernizohej drejt formimit të një shteti të centralizuar kombëtar. Shembulli heroik i Selam Musait, i kthyer në një mit kombëtar  për shqiptarët e ardhshëm dëshmoi se në themelet e pjekurisë politike të shqiptarëve , bota tradicionale shqiptare mund të kontribuonte për ti dhënë jetë lirisë politike si parakushti më i rëndësishëm në zhvillimin modern të një kombi.

 

Bibliografi:

1 - Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e shqiptarëve gjatë shekullit të XX. Lufta e Vlorës, Tiranë: Botimet albanalogjike, 2019.

2- AQSH, fondi “Lufta e Vlorës”, dosja 1.

3- Arben Puto, Çështja Shqiptare në aktet Ndërkombëtare të periudhës së Imperializmit, vëll.II,8 Nëntori, 1987.

4- Abdurrahaman Çiraku, “Kujtime” AIH, Dosja A-VII-105, f. 2-4.

5- Arkivi i Muzeut Historik Tepelenë.

6- Lufta e Popullit shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920, vëll.II, Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i Historisë, 1975-1976.

7- M.Montanari., Le truppe italiane in Albania (anni 1914-20 e 1939) , Tipografia regionale, 1978.

8- N. Shehu, Enciklopedia e Tepelenës Toena 2007

9- Paskal Milo, Politika e Jashtme e Shqipërisë , vëll.I(1912-1939), Tiranë:Toena, 2013

10- Shpëtim  Mema,.Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë.Tiranë:, 8 Nëntori, 1988.

11- Xhafer Matuka. Selam Musa Salaria., Tiranë : 8 Nëntori, 1975.

12- At Shtjefën Gjeçovi. Gazeta Mbrojtja Kombëtare. 1921.

13- Gazeta Koha. 10 korrik 1920

 

 

 



[1] At Shtjefën Gjeçovi, Gazeta Mbrojtja Kombëtare. 1921.

[2] Shpëtim  Mema,.Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë.Tiranë:, 8 Nëntori, 1988, f. 70

[3] Shih për  më tepër Xhafer Matuka. Selam Musa Salaria., Tiranë : 8 Nëntori, 1975.;Arkivi i Muzeut Historik Tepelenë.

[4] Arkivi I Muzeut Historik Tepelenë.

[5] Arkivi i Muzeut Historik Tepelenë.

[6] Muzeu Historik Tepelenë, Dos. Historiku I fshatit Hormovë, fq 18.

[7] N. Shehu, Enciklopedia e Tepelenës Toena 2007, fq 331

[8] Arben Puto, Çështja Shqiptare në aktet Ndërkombëtare të periudhës së Imperializmit, vëll.II,8 Nëntori,1987,  fq.151

[9] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e shqiptarëve gjatë shekullit të XX. Shqipëria në shekullin e XX, ringritja e mundishme, Tiranë: Botimet albanalogjike, 2019,  fq

[10] Paskal Milo, Politika e Jashtme e Shqipërisë , vëll.I(1912-1939), Tiranë:Toena, 2013,f.416-417

[11] Abdurrahaman Çiraku, “Kujtime” AIH, Dosja A-VII-105, f. 2-4.

[12] Bardhosh Gaçe, , “Mësuesi Ibrahim Selimi”, bot. 2014, f. 67.

[13] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e shqiptarëve gjatë shekullit të XX. Lufta e Vlorës, Tiranë: Botimet albanalogjike, 2019,  fq 75

[14] Arkivi i Muzeut Historik Tepelenë.

[15] Lufta e Popullit shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920, Vëllimi II, DOK.NR.23, F.379-380,.Letër e Ministrisë së Punëve të Brendshme  dërguar prefekturës së Vlorës, Tiranë, 25 qershor 1920;po aty, dok.nr.326, f.381. Urdhër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dërguar Eshref Frashërit në Elbasan për nisjen e municioneve në Vlorë, Tiranë, 28 qershor 1920.

[16] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e shqiptarëve gjatë shekullit të XX. Lufta e Vlorës, Tiranë: Botimet albanalogjike, 2019, fq 76.

[17] Lufta e Popullit shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920, vëll.II, dok.nr .280, Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i Historisë, 1975-1976,  f.324-325

[18] M.Montanari., Le truppe italiane in Albania…., f.214-215 në Akademia e Sudimeve Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e shqiptarëve gjatë shekullit të XX. Lufta e Vlorës, fq 79

[19] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e shqiptarëve gjatë shekullit të XX. Lufta e Vlorës, Tiranë: Botimet albanalogjike, 2019,  f. 79

[20] Po aty, f.79

[21] AQSH, fondi “Lufta e Vlorës”, dosja 1, dok. Nr. 51282

[22] Gazeta Koha. 10 korrik 1920.




Monday 10 August 2020

Edward Lear në territoret e Shqipërisë së sotme





Njohja dhe rizbulimi i Ballkanit në shekullin XIX dhe fillimet e shekullit XX  në Evropë është një proces i cili nuk u zhvillua vetëm si një rizbulim gjeografik por dhe si një zbulim kulturor. Ky konstatim është akoma dhe mëse i vërtetë sidomos kur flasim për territoret shqiptare në Ballkan  pasi në kuadër të Grand Tour-it destinacioni i zakonshëm ishte Greqia që krijonte një tërheqje të veçantë me kulturën e lashtë antike dhe pak a shumë këto territore ishin rrahur dhe më parë nga udhëtarë evropianë qoftë si diplomatë apo dhe si turistë kulturorë. Për publikun e atëhershëm britanik, ashtu siç shkruante studiuesi Edward Gibon në veprën e vet “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”(1807), “Shqipëria ishte po aq e panjohur sa dhe brendësitë e Amerikës” . Mirëpo zbulimi kulturor nuk shërbeu vetëm si kënaqësi estetike e zbulimit të një kulture të re etnografike por në një farë mënyre me shkrimet ku u pasqyrua ky kontakt me këtë kulturë u bë përgjegjës dhe për njohjen dhe perceptimin e Ballkanit dhe popullsive të tij në Evropë. Një sërë ndryshimesh fondamentale në vetvete në Evropë, si Revolucioni Francez, fenomeni i udhëtimit, Romanticizmi, Ekzotizmi, Orientalizmi e Filohelenizmi e shoqëruan këtë njohje duke lënë pak a shumë gjurmët e tyre në këtë rinjohje dhe ritakim të Ballkanit me Evropën pas ndarjes së pariparueshme në dy kampe armiqësore që kish pësuar bota e Mesdheut pas daljes dhe protoganizmit të Islamit në këtë rajon. Ndërmjet burimeve më interesante dhe relativisht të pakta për studimin e historisë sociale të popujve të Gadishullit Ballkanik janë një varg veprash të udhëtarëve britanikë të cilët udhëtuan në rajon në kërkim të kënaqësisë apo kuriozitetit dhe dëshirës për të mësuar më shumë për rajonin  ose për t’i shërbyer vendit të tyre si diplomatë. 
Territoret shqiptare si pjesë e Ballkanit zgjojnë interesin e udhëtarëve të huaj kryesisht në fillim si territore fqinje me ato greke vende ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur. I pari që e ndërmerr këtë rrugë i nisur thjesht për arsye diplomatike është oficeri anglez i zbulimit William Martin Leake më 1805 dhe pas tij është udhëtimi i njohur i Lord Byron dhe Hobhouse në 1809.  Sidomos ky udhëtim i dy aristokratëve të rinj anglezë hapi siparin e një sërë udhëtimesh të tjera nga mjekë, pastorë protestantë, ushtarakë etj., shtresa të popullsisë, të cilët shkruan një sërë veprash dhe shënimesh udhëtimi që bënë të mundur krijimin e një situate orientaliste dhe ekzotizmi në imagjinatën angleze. Mirëpo udhëtimeve të Leake në Shqipëri dhe Greqi dhe të Lord Byron dhe Hobhouse, përpos përshkrimeve shumë të sakta gjeografike, historike dhe kulturore apo dhe përshkrimeve poetike do t’u mungonte paraqitja grafike dhe panoramike origjinale e viseve që ata vizituan. Vetë Leake mesa duket nuk ka patur talent për të pikturuar pasi kur ai skicon një hartë topografike të brigjeve shqiptare dhe ia dërgon Shtabit Britanik të Luftës, kërkon ndjesë “për ndonjë gabim apo pasaktësi, pasi siç e dini unë nuk jam një skicograf i mirëfilltë por rrethanat më kanë detyruar ta bëj punën e tij” . Gjithsesi kur u botuan veprat e tij dhe shënimet udhëtimit të Hobhouse dhe vepra poetike e Bajronit, ato u shoqëruan me skica dhe panorama që i korrespondonin më shumë imagjinatës sesa realitetit. 

Edward Lear-i në territoret e Shqipërisë së sotme.

Mes piktorëve të tjerë që ilustruan veprat voluminoze të Leake ishte dhe Edward Lear (1812-1888), peisazhist, piktor dhe poet i periudhës Viktoriane në Britani . Pavarësisht sepse është i përmendur më shumë sot për “vargjet e tij origjinale e pa kuptim për fëmijët në letërsinë angleze” , Lear në fushën e studimeve ballkanike përmendet për ditarin e vet “Journal of a Landscape Painter in Albania” i botuar për herë parë më 1851. Ditari është pasqyrim i mbresave dhe shënimeve të udhëtimit që Lear ndërmori në Shqipëri më 24 shtator – 4 nëntor 1848. Janë të shumtë udhëtarët dhe piktorët të nxitur dhe të joshur nga ekzotizmi i veprave të Byron dhe veprës së Hobhauzit, “A journey  through Albania and other European provinces of  Turkish Empire”, që vizituan dhe skicuan Epirin dhe Greqinë por asnjëri prej tyre nuk vizitoi veriun e Shqipërisë dhe ish-kryeqendrën e rezistencës shqiptare në shekullin XV, Krujën. E veçanta e  Lear-it nuk është vetëm fakti se ai hyri nga lindja e Ballkanit (porti i Selanikut) por se udhëtoi gjatë e thellë në drejtimin jug-veri. Vetë Lear ndihet krenar për udhëtimin e ndërmarrë pasi thekson në ditarin e vet se është i “vetmi anglez që jep të dhëna për disa vende si pjesa e maleve Akrokerane, Kruja e rrethinat e Ohrit” .
Një nga karakteristikat e udhëtarit britanik në gjysmën e shekullit XIX ishte se ai zakonisht e zgjidhte kauzën  të cilën dëshironte të përkrahte përpara se të fillonte udhëtimin . Lear bënte pjesë në këtë kategori udhëtarësh, pasi duke qenë para së gjithash një peisazhist dhe ilustrues me një ambicie të madhe, ai vazhdimisht ishte në kërkim të piktoreskes dhe sublimes të inspiruar nga panoramat e Mesdheut . Për 10 vjet Lear kish jetuar në Itali duke krijuar pamje të mrekullueshme nga provincat gjithë diell të Italisë, ndërsa një njohje e rastësishme me presidentin e universitetit të Korfuzit Mr. Bouen e bën atë fillimisht të vizitojë ishullin dhe pastaj Athinën e Kostandinopojën. Pasi kthehet në Greqi planifikon të vizitojë Malin e Shenjtë por në Selanik e njoftojnë se rrugët për të shkuar aty janë mbyllur për shkak të kolerës kështu që vendos të udhëtojë në të vetmin drejtim rruge të hapur, nëpër Maqedoni dhe Shqipëri. Është pikërisht ky moment kur ai i shkruan së motrës së vet Anës “se më tepër jam i prirur ndaj një udhëtimi në Shqipëri e cila është përsosmërisht e qetë” . “E qetë” është një mbiemër që tërheq vëmendjen në këtë frazë. Gjatë gjithë udhëtimit të tij nëpër Shqipëri Lear do të përpiqet vazhdimisht që të gjejë sa më shumë kohë e qetësi për të përmbushur kauzën e vet dhe do të jetë indiferent ndaj zhvillimeve në rajon. Ai përmend, aty-këtu se në vend ka pasur një kryengritje nën prijësin Zuliki (Gjon Leka), çka i ka detyruar otomanët të ndërmarrin masa duke mos e lejuar më popullsinë e jugut të Shqipërisë të mbajnë armë, por është komplet indiferent të përshkruajë apo të japë detaje se cilat janë shkaqet e kësaj kryengritje. Si një profesionist skrupuloz që është, qëllimi i tij është thënë me fjalët e veta në një letër që i dërgon mikut të tij Fortiskju në 1848 që të “aftësohem për të përkryer pamjet e ndjenjat e panoramave që e di se janë brenda meje” .
Lear ia del mbanë vërtetë që të krijojë panorama të mrekullueshme madje njëra nga to “The mount Tomor” frymëzon dhe poetin e madh anglez Alfred Tennison që të shkruajë një poezi kushtuar Lear .

“The mount Tomor”
ILLYRIAN woodlands, echoing falls
    Of water, sheets of summer glass,
    The long divine Peneïan pass,
The vast Akrokeraunian walls,
Tomohrit, Athos, all things fair,
    With such a pencil, such a pen,
    You shadow forth to distant men,
I read and felt that I was there:
And trust me while I turn’d the page,
    And track’d you still on classic ground,
    I grew in gladness till I found
My spirits in the golden age.
For me the torrent ever pour’d
    And glisten’d—here and there alone
    The broad-limb’d Gods at random thrown
By fountain-urns;—and Naiads oar’d
A glimmering shoulder under gloom
    Of cavern pillars; on the swell
    The silver lily heaved and fell;
And many a slope was rich in bloom
From him that on the mountain lea
    By dancing rivulets fed his flocks
    To him who sat upon the rocks,
And fluted to the morning sea.
Reference
1) Poema drejtuar Eduart Lir-it nga Alfred Lord Tennyson, është marrë nga faqja “PoemHunter.com.
Mali i Tomorrit

Kumbojnë pyjet iliriane
Një xham ujëvare dritat shkund
Si vend hyjnor kjo grykë Peniane
Dhe Vetëtima- mur pa fund

Tomor e Athos, fron magjik
Vjen hije e argët gjer tek ne
Një laps e një penel i bije
E ndjej si t’isha vetë atje

Kur shoh peisazhet, jam pranë teje
Atje ku dheu klasik nganjëdhen;
Gëzimi rritet brenda meje
Dhe kohra të shpirtit gjen

Rrëkeja rrjedh e ndrit mes pllajës
Atje-këtu për mua flet;
Gjymtyrë hyjnish, zëri i Najadës
Një enë burimesh hedhur shpejt

Kolona shpellash gjysmëhijet
Mbi supe derdhen si mister;
Ndër ujra vjollca ulet, ngrihet,
Një shpat me lule jep e merr

Atje livadhi rrit kopetë,
Vallëzon përroi kristalor,
Ti, ulur mbi një shkëmb të sertë,
Me fyell zgjon detin mëngjezor.

Përktheu në shqip: Xhevair Spahiu


Por qoftë pikturat  apo dhe ditari i mëvonshëm shërbejnë për të përcjellë një perceptim artistik dhe panomarik të Shqipërisë në publikun britanik. Shqipëria e asaj kohe madje në këto piktura dhe stili tërheqës i ditarit përcjellin një  “peizazh idilik e vendas piktoresk (....) me të gjitha komfortet e aristokratëve” . Për më tepër duke qenë një personalitet i formuar me poezinë e romantikëve dhe veçanërisht atë të Lord Byron, tek ditari i Lear gjenden gjurmë të sublimes që është e “bukur, e egër dhe frikëndjellëse” . Sa e vështirë është të shkulesh - shkruan kur është në rrugën mes Elbasanit dhe Tiranës - nga ky peisazh i mrekullueshëm malor, nga këto cepe e vende të zgjedhura të një bote plot hire, nga pamje prej të cilave shpirti i piktorit nuk do të lodhej kurrë. Edhe sot e kësaj dite, ato pyjet valëzuese që dallgëzojnë derisa të ha syri; atë luginë përjetësisht të ndarë nga lumi gjarpërues; atë fushë të qetë me Tomorin në mes, si një ishull qiellor mes një deti pa kufi - të gjitha i kam të gjalla dhe ma ngatërrojnë të tashmen me vegime të së shkuarës . Pejsazhet e bukura e shoqërojnë edhe në Tiranë. Ai do të shkruajë në ditar: Lagjet në të dalë të Tiranës janë të mrekullueshme. Sapo del jashtë qytetit shijon skenat e mrekullueshme të qetësisë, mes rrapeve madhështorë dhe përrenjeve me ujë të kulluar sa më s’ka. Gjithë mbasditen e kalova duke vizatuar në rrugën e Elbasanit, nga ku pamja e qytetit është shumë e bukur .

Tablo të vendeve të ndryshme në Shqipërinë e sotme.

Mirëpo kjo formë e sublimes nuk shërben vetëm për pasqyruar peizazhet piktoreske të Shqipërisë por duke qenë një udhëtar që ra në kontakt me popullsinë shqiptare pasqyron në veprën e tij dhe në skicimet dhe tablotë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Kontaktin më të shumtë ai e pati me “shtresën e lartë”: doktorë të huaj, staf konsullatash, priftërinj dhe më së shumti qeveritarë otomanë dhe pronarë tokash. Edhe pse ai ankohet se këta bejlerë dhe pashallarë (...) të humbin shumë kohë me ceremonira (faqe 60), ata i ofrojnë Lear-it jo vetëm rastin për të biseduar, ushqim dhe strehim të përshtatshëm - lukse jo shumë të vlerësuar në vende të egra si këto (faqe 69) - por gjithashtu dhe një mbrojtje të sigurtë duke e pajisur atë me letra rekomandimi dhe shoqërimin e një kafazi të armatosur . Pritja që i bëhet atij në Krujë nga qeveritari Ali Beu është e denjë si një pritje aristokratike në çdo vend tjetër, madje në të ka dhe gjurmë qytetërimi pasi “i interesuar të mësonte ca më shumë nga Evropa, djaloshi zyrtar i Krujës e pyeti për anijet pa vela e karrocat pa kuaj” . Por në të njëjtën kohë gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri ai pati mundësinë që të njihej dhe të skiconte kostumet popullore shqiptare që vishnin fshatarët. Në rrugën mes Elbasanit e Tiranës ai pati mundësinë të skiconte kur pohon se vargu i gjatë i fshatarëve, që ktheheshin në shtëpi nga pazari, më dha mundësinë të skicoj shumë prej kostumeve të tyre teksa kalonin. Pjesa më e madhe e grave kishin veshur jelekë ngjyrë burnoti, qëndisur anash me rozë ose të kuqe, funde të bardha, e përparëse të qëndisura, ngjyrë çokollatë ose të kuqe, ndërsa ca të tjera kishin veshur kapota . 
Pas Krujës Edwar Lear vizitoi Shkodrën, kryeqendrën e veriut. Gjatë rrugës për në Shkodër ai kalon në Lezhë ku nuk haron të përmendë heroin kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Në majë të kodrës është një xhami, dhe legjenda thotë se këtu, nën rrënojat e një kishe të krishterë, prehen eshtrat e Skënderbeut . Pas vizitave të kortezisë te Pashai i Shkodrës dhe drekës së shtruar për nder të tij, ai nxitoi që të nesërmen të pikturonte pejsazhet e mrekullueshme të Shkodrës. Përveç pejsazheve Lear skicoi dhe portretet e të njohurve të rrethit miqësor të Spiridon Bonattit që ai takoi në Shkodër. 
Ditën e katërt të qëndrimit në Shkodër Lear-i e kish planifikuar për të pikturuar për miqtë. Që herët shkoi në shtëpinë e Konsullit përt të vizatuar një kapedan gegë, Abdullah Beun, i veshur aq mrekullisht në ato kostume në të kuq e me ar . I mrekulluar nga kostumet popullore shqiptare, Lear pikturoi Kaliopi Bonnatin, vajzën e dytë të zvkonsullit britanik në Shkodër, z Spiridon Bonatti, të veshur me kostum tradicional shkodran. Kostumi popullor shkodran që veshi Kaliopi Bonnati për të pozuar për Lear, ishte një kostum që përdorej nga aristokracia e Shkodrës e të dy besimeve fetare. 
Pas Shkodrës Edward Lear-i udhëtoi drejt Shqipërisë Qendrore dhe Jugore. Stacioni i parë i rrugëtimit të tij ishte qyteti i Durrësit. Lear u frymëzua sërish nga panorama e qytetit me histori të pasur antike. Ai shkruan në ditarin e tij se u nisa menjëherë për të kapur një pamje të mirë të Durrësit. Nga pamja kështjella duket ndërtesë e stilit norman, ndonëse me plot arna e meremetime. Fortifikimet e saj shtrihen tëposhtë faqes së kodrës, deri buzë ujit, ku bashkohen me muret e qytetit. Në disa pjesë të tyre vura re disa mburoja të parzmuara, me ca basoreliefe në formë bufash të gdhendur. Kombinimet e peisazheve përqark janë shumë elegante e të mrekullueshme nga çdo peisazh shqiptar që kam parë . Në datën 12 tetor ai ndodhet në Kavajë ku bujt në shtëpinë e priftit ortodoks të Kavajës, Andrea Ikonomi. Prej Kavajës ai na ka lënë një skicim të varreve monumentale të Kavajës që shtrihen në qendër të saj. Lear shkruan për bukurinë rurale të rrethinave të Kavajës që përbëhet nga ullinj të mëdhenj që shtrijnë degët mbi shtigje e brigje të thyera, rrugica, ca xhami e një kullë e lartë  sahati, figura gegësh të veshur me ngjyra të forta-të zeza, të kuqe, të bardha; varreza me varre xixëlluese; pastaj pemë kopshti që ngriheshin mbi çatitë e kuqërrema dhe oxhaqet e bardhë të lartë; valëzime ullishtash në ngjyrë të gjelbër në të kaltërt; më tej livadhe të rrafshët e të pafund deri në det, me tufa të pafund bagëtish; ndërsa linjate kodrave të ulëta e të zbehta në jug-perëndim, si dhe Adriatiku i kaltër me Durrësin në kepin e vet shkrihen ëmbël në horizont. 
Më andej ai vazhdon drejt Lushnjës, Çermës e për të mbërritur në Berat në 14 tetor. Duke hyrë në Berat ai shkruan: Nga mbrëmja, vijat e purpurta të Tomorit dukeshin mrekullisht fine. Çdo rrudhë e hulli në faqet e tij madhështore përvijohej në mënyrë të përkryer;
Ditën e mbylla në një varrezë në lindje të qytetit nga ku kalaja dhe lumi dukeshin jashtëzakonisht madhështore. Në grykën e Beratit mbizotëronte një atmosferë vetmitare dhe e sertë, që e bënte skenën edhe më interesante.  Në Berat ai gjen një atmosferë miqësore i pritur nga guvernatori i qytetit Hysen Pasha që nuk është tjetër veçse Hysen Pashë Vrioni përfaqësues i familjes së njohur feudale shqiptare. Edward Lear realizon shumë piktura në Berat, kryeqendrën e Shqipërisë së Poshtme. Ai shkruan në ditarin e vet se kisha vendosur që këtë ditë ta kaloja në brigjet e Apsusit duke bërë skica të Tomorit, kështu që më doli gjumi dhe u ngrita nga shtrati që në orën tre. Teksa zbardhte dita, mali filloi të farfuriste si kristal i kulluar..... Një shirok i përhimët i kishte mbuluar të gjitha bukuritë e ngjyrave me një perde resh. Megjithatë, forma e Tomorit është gjithmonë pikturë në vetvete, me Beratinon e gjerë në shtratin e gurtë, me brigjet dhe shkrepat e thepisu-r dhe kalanë e largët të Beratit majë kodrës shkëmbore. ... . Edward Lear si njohës i mirë i antikitetit shfrytëzoi rastin për të vizituar Apoloninë e lashtë dhe rrënojat e saj. Ai shkruan në ditar se përshkon gjithë fushën e butë të Myzeqesë. Tani po shkojmë drejt një grumbulli kodrash të ulëta ku dikur ka qenë Apolonia e lashtë, duke kaluar përsëri nëpër toka të pasura e të lëmuara të mbuluara me lëndina. Rreth orës dymbëdhjetë arritëm përsëri në një pyll të vogël rrapesh, me vargje të gjata bimësh të hijshme kacavjerrëse që u vareshin nga degët dhe i bënin hije kuvendit dhe kishës së ndërtuar nga kryedinaku, Ali Pasha . Kuvendi manastir që përmend është Manastiri i Shën Kozmait prej ku merr një udhërrëfyes. Ai magjepset sërish nga natyra shqiptare dhe shkruan: Mora një fshatar një kuvendi si udhërrëfyes dhe u nisa me të aguar tek kolona e vetmuar dorike, e vetmja shenjë e Apolonisë që ngrihet mbi tokë. Ajo lartohej mbi një kodër të vogël e të zymtë, të mbuluar me barishte të gjata dhe ferra. Kujtim më melankolik e i mjerë i kohëve të lashta nuk kishte si bëhej kolona ishte prej guri ranor të ashpër dhe në të dukeshin qartë të gjitha shenjat dhe përmasat e qelave dhe te tempullit. Kolonat e tjera i kishte bartur prej atje një farë pashai për të zbukuruar Beratin. Sa të madhërishme dukeshin objektet në largësi rreth e përqark kësaj relikeje të vetmuar të madhështisë: në lindje dhe në veri, Tomori madhështor, kuvendi i Apolonisë dhe kodrat e Durrësit, si dhe fushat e gjelbra dhe të lëmuara në jug që shtriheshin deri në rrëzë të vargmalit të maleve të Vetëtimës . 
Pas Beratit, Lear vendos të vizitojë Vlorën dhe Himarën për t’u njohur dhe pikturuar pejsazhet e maleve të Vetëtimës, malësisë së Himarës dhe detit. Ai bujt tek dy tregtarë të njohur në Vlorë që i japin për udhërrëfyes Anastas Kasnecin, nga familja e njohur e Kasnecajve të Vunoit. Lear na ka lënë një përshkrim të bukur të  peisazhit  në të hyrë të Vlorës. Majat e argjendta të minareve nxirrnin kokat përmes gjelbërimit të Vlorës, që rrethohet nga një amfiteatëer shumë i bukur malesh të veshura me ullinj, ndërsa qyteti i Kaninës, që ngrihet hijerëndë në lartësitë tutje në horizont, i jep penelatat e fundit kësaj tabloje nga më të bukurat. Vetë qyteti është plot me elementë artistikë (aty arrita nga ora katër). Atje ka xhami, dyqane, fole lejlekësh, dhe një shkreti piktoreske; . Më andej pasi ka hyrë dhe është sistemuar në Vlorë ai e përshkruan gjërësisht qytetin si ka përshkruar më herët dhe qytetet e tjera shqiptare.  Vlora shtrihet në një pjesë të futur, apo në një gji mes malesh që këtu krijojnë një hapësëirë të rrafshët një dy a më shumë milje nga rrëza e tyre e deri në det. Pjesa më e madhe e qytetit shtrihet rrëzë një harku shkëmbor, por edhe faqet janë të spërkatura me shtëpi, ndërsa në dy brinjët e këtij amfiteatri natyror bien në sy shumë varre dervishësh me arkitekturë të bukur, rrethuar nga korije qiparisash. Që këtu syri sheh Vlorën, mes kopshteve me rrape dhe ullinj, ndërtesat e saj kryesore, pallatin e mrekullueshëm të beut të ndjerë dhe disa xhami të mira, që duken si të punuara në basoreliev, me rrafshinën e gjerë të kripës dhe detin përtej si sfond. Gjiri, nga njëra anë i mbyllur nga një mal i gjatë i quajtur La Lingueta (Karaburuni), dhe në anën tjetër nga ishulli i Sazanit, ka tamam pamjen e një liqeni, kështu që efekti i të gjithë tablosë është më se i plotë dhe i mahnitshëm . Ai viziton gjithashtu dhe rrethinat e bukura të Vlorës ku Kanina i lë një përshtypje të veçantë. Pasi kaluam një fortesë të rrënuar buzë detit dhe tokat e mbjella me ullinj në periferi të jugut të Vlorës, filluam një ngjitje të fortë përpjetë, nëpër një rrugë që kalonte buzë honesh të llahtarshme që binin thikë, rrugës për në Kaninë. ... Pak nga pak iu afruam kalasë, e ngritur në një nga pozicionet më komanduese që kam parë në Shqipëri. Nga njëra anë, shihet deti i gjerë i Vlorës, gjiri i saj dhe ishulli i Sazanit; nga ana tjetër, Tomori dhe Kudhësi, me përrenj e pyje e lugje pa fund . Në mes të vjeshtës shqiptare Lear vendos të vizitojë Himarën. Rruga kalon mes fshatit Tragjas ku Lear ka bërë disa skicime dhe përshkruan panoramën sublime që shikon. Në skajin e ngushtë të gjirit hapej një pamje e mrekullueshme, me detin si liqen i palëvizshëm dhe i errët nën murin e lartë të maleve të territorit të Himarës. Tragjasi, që mund të quhet edhe porta për në Malet  e Vetëtimës, ngrihet mbi një lartësi mu përpara nesh, kurse mbi gjithë peisazhin mbizotëron maja madhështore e Çikës, e mbuluar nga dëbora. (maja më lartë e Çikës duket qartë nga Korfuzi, kurse në jug të saj shtrihen fshatrat e vërteta himarjote.) Nuk më kujtohet të kem parë shpesh pamje më sublime e më të veçuar nga bota se kjo . Më andej ai vazhdon drejt Dukatit. Edhe këtu ai bën disa skicime dhe mahnitet sërish nga bukuria e egër e natyrës. Në pjesën më të lartë të grykës hapet një pamje e rrallë. Spektatorit i duket sikur është majë një muri të lartë dhe nga buza e kësaj lartësie marramendëse sheh mbi një basen tmerrësisht të thellë, mu në fund të malit. Nga ana lindore dhe jugore ngrihet me gjithë madhështinë e vet Çika gjigante e mbuluar nga dëbora, kurse rrëzë saj në një si gropë të gjebër e të errët me pyje e kopshte, shtrihet qyteti ose fshati i Dukatit .
Pas Dukatit Lear arrin më së fundi në krahinën e Himarës. Ai shkruan se ashtu si Dhërmiu edhe Vunoi shtrihet përballë detit rrëzë maleve, në një lloj zgavre në formë patkoi majë një shpati. Shtëpitë ngrihen mbi një varg tarracash shkëmbore, me sfond kodrat e mrekullueshme në formë harku ose gjysmërrethi, ndërsa, në drejtim të detit, terreni shkon teposhtë deri një rrip toke i sheshtë, që ndoshta këtu poshtë Vunoit është më i gjerë se sa në pjesët e tjera të Himarës nga kam kaluar .
Për më se një orë pasi ikëm nga Vunoi ndoqëm një shteg që kalonte mes humnerave me shkëmbinj ranorë. Pastaj arritëm një qafë të egër mes malesh, që këtu dilte afër detit. Lart, mes qiellit e reve, ishte një nga fshatrat himarjote, Piluri, ndërsa nga të gjitha anët nga rrethonin gremina të paarritshme. ...
E gjithë qafa kishte një natyrë të egër dhe shtigjet që kalonin nëpër të ishin edhe më të këqij akoma nga çkisha parë deri më tani në Himarë. Ata ishin thjesht si parvaze apo zgripe toke të thërrmueshme, që kalonin diku në gjysmën e lartësisë së shkëmbinjve thikë, ose mes pirgjesh me gurë të rrëzuar. Shtrati i gjerë i përroit, ose humnera ku përfundonte qafa e malit, u zgjerua gradualisht mes kodrash të ulëta dhe pas pak hapi para nesh një pamje të mrekullueshme të vetë Himarës mbi një shkëmb të lartë e të vetmuar, me përroin që rridhte poshtë deri në det dhe Korfuzin si sfond të pikturës . Ai bujt në shtëpinë e Kasnecajve dhe përveçse peisazheve ai na ka lënë dhe disa pasazhe në ditarin e tij, shumë interesante për Himarën.Të gjitha shtëpitë e Himarës janë prej guri të errët dhe duken sikur dikur kanë parë ditë më të mira. Gjithandej shihje pirgje rrënojash dhe shumë plehra. Muret që datojnë nga epoka të ndryshme tregojnë se ky Akropolis i mahnitshmë dikur ka qenë një vend goxha i konsiderueshëm . Lear pasi lë Himarën drejtohet drejt Tepelenës vendlindjes së Ali Pashë Tepelënës. Ai ndjek rrugën e luginës së Vjosës që ishte një nga rrugët më të rëndësishme të Shqipërisë së Jugut. Ajo lidhte skelën e Vlorës me një varg krahinash në thellësi si me Mallakastrën, Tepelenën, me luginën e Drinosit (degëzim nga Tepelena), me Përmetin e me Greqinë tek tri urat. Nga Përmeti rruga e luginës së Vjosës lidhej me rrugën e Kolonjës, që çonte në Korçë e prej këndej në Maqedoni e Greqi. Rruga e luginës së Vjosës kalonte majtas lumit nëpër këto pika: Vlorë-Kishbardhë-kalonte Shushicën tek Ura e Penkovës-Peshkopi-Gorisht-Sefaj-Hani i Sevasterit-Hani i Shkozës-Gryka e Ylenecit-Dorëz-Sinanaj-Martalloz-Fusha e Salarisë-Dukaj-Turan-Veliqot-Tepelenë . Lear është i mahnitur nga bukuria e luginës së Vjosës dhe shkruan në ditarin e vet. Nga kodrat e veshura me ullishta sipër Vlorës mora rrugën për në vendin e lindjes së të mahnitshmit Ali Pasha. .... na u desh të kalonim një luginë të gjatë, të ngushtë e gjarpëruese, pastaj një përrua, pastaj një kodër të pafund nga maja e së cilës shihej Vjosa e gjerë që turrej drejt detit mes kodrash të mbjella, në faqet e të cilave xixëllonin fshatra të shumta si Gradishta, Karbunara, etj, ndërsa sipër të gjitha këtyre lartohej Tomori gjigant. ...Vjosa rrjedh nëpër një grykë të ngushtë mes shkëmbinjve rrëzë malit të Kudhësit, kurse mbi grykën e errët ngrihen malet e bukura dhe të ndara të Trebeshinës dhe Hormovës. Në këmbët e spektatorit, deri sa të sheh syri, shtrihet shtrati i gjerë shkëmbor në të cilin Vjosa, tashmë e çliruar nga kufijtë e ngushtë, rrjedh gjerësisht e shpenguar e në shumë degëzime, për në det. Ujërat e saj të errëta vezullojnë si mijëra fije gjarpëruese në një tokë të bardhë që të merr sytë . Ai bën disa skicime e pejsazhe gjatë rrugës derisa arrin në Tepelenë në 31 tetor. Ishte gati ora tre e pasdites kur gjarpërimet e fundit të lodhshme të luginës na nxorën përpara malin e madh të Trebeshinës dhe fqinjin e tij, malin e Hormovës, që tani dukeshin qartë nga rrëza deri në majë. Të dy lartoheshin qetësisht me nuanca vjollcë të ndezur nënë majat e mbuluara nga dëbora vezulluese. Nën ta bashkimi i dy lumenjve të Vjosës dhe Bënçës, krijon kepin e Tepelenës, ku pallati me muret e rrënuara e xhamia me tone të argjendta i japin skenës (një nga sublimet e më të thjeshtat në Shqipëri dhe, pa dyshim, e ngarkuar me lidhje historike të lashta e të reja), një aureolë të çuditshme romantizmi ëndërrimtar . Pasi bën disa skicime të hyrjes për në Tepelenë dhe të rrënojave të pallatit të Ali Pashës ai bujt një ditë në Tepelenë. Rruga që ndjek të nesërmen është në drejtim të Gjirokastrës. Nga Tepelena një degë e rrugës së Vjosës ndiqte luginën e Drinosit nëpër Hundëkuq-Kaziun-Valare-ura e Lunxhërisë-Gjirokastër . Sërish ai skicon disa panorama dhe përshkruan natyrën e bukur. Gjatë gjithë mëngjesit ecëm përgjatë luginës së lumit Drino, që ka plot tipare të bukura, por jo të lehta për t’u vizatuar apo me ndonjë karakteristike të veçantë. Lumi rrjedh në një shtrat të thellë poshtë rrugës, që këtu është e mirë dhe e gjerë dhe kalon në ca brigje të larta mbi nivelin e lumit . Pas disa orësh ai arrin në Gjirokastër. Qyteti i gurtë është pasqyrar në disa tablo të bukura por Lear e ka përshkruar dhe në ditarin e vet. Pamja e përgjithshme e Gjirokastrës është shumë mbresëlënëse. Zona trekëndore me shtëpi vezulluese, e cila nga larg duket si një piramidë banesash mbështetur pas faqes së malit, kur afrohesh, ndahet në tri pjesë. I gjithë qyteti është ndërtuar mbi tri kreshta malore, ose maja shkëmbore, që dalin nga kodra në lartësi të konsiderushme dhe që zgjerohen, të ndara nga rrëpira të thella apo nga shtretër pëërrenjsh – deri sa zbresin në luginë. Qyteti ngrihet kryesisht në anë ose në zgrip të këtyre brinjëve të ngushta malore, por ka edhe shumë ndërtesa të shpërndara në mënyrë shumë piktoreske teposhtë faqeve të malit, futur mes pemësh të bukura, siç ndodh rëndom në qytetet shqiptare. Kreshta qendrore dhe më e lartë, e shkëputur nga mali prind që lidhet me të vetëm me anë të një akuedukti, kurorëzohet me tiparin më mbresëlënës të këtij vendi; një kështjellë e errët dhe e rrënuar, që zë të gjithë majën e malit dhe që ngrihet krenare edhe ashtu e rrënuar, mbi shtëpitë vasale të shpërndara nën të . Pas Gjirokastrës, Lear dëshironte të vizitonte Janinën. Kontaktin e fundit që ka me territoret e Shqipërisë së sotme ai i ka në fshatin Peshkëpi. Ai ka vizituar dhe kishën e Peshkëpisë dhe lë shënimin e vet në ditar ..... arritëm tek fshati i vogël e i bukur i Peshkëpisë, me kishën në majë. Që këtej shihej e gjithë lugina e gjerë e Gjirokastrës – një brez toke i qeshur e i kultivuar, por me cilësi të mangëta si peisazh, kryesisht për shkak të mungesës së variacionit në trajtat dhe detajet e kodrave, të cilat nuk paraqitnin asnjë interes .

Ditari i Lear  “Journal of a Landscape Painter in Albania” është një libër udhëtimi klasik i cili la një gjurmë të veçantë në krijimin e imazhit dhe perceptimit të Shqipërisë në Angli. Si i tillë ai meriton një vëmendje të veçantë jo vetëm për të identifikuar tablotë e mrekullueshme që e shoqëruan por dhe forcën e fjalës së shkruar që krijoi imazhe të caktuara dhe pati një impakt të madh në botën anglosaksone.



Bibliografi:
1- Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel writing,1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82, No.3 (Jul.,2004).
2- Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997,
3- Barbara Jelavich. “The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the Slavonic Provinces” The Slavonic and East Review, Vol.33, No. 81(June.,1955).
4- Edward Lear. “Journal of a Landscape Painter in Albania”. New Edn, London, 1988.
5- Edward Lear në Shqipëri. Ditar udhëtimesh 1848-1849. Plejad, Tiranë: 2008.
6- Oxford English Dictionary edited Bt Catherine Soanes, Oxford University Press 2002.
7- Suzan Hyman(ed.) Edward Lear in the Levant: Travels in Albania, Greece and Turkey in Europe 1848-1849, London 1988.
8- Valter Shtylla. Rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri. Tiranë:1998, Shtëpia Botuese Toena.
9- William Martin Lik. “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. Migjeni. Tiranë: 2008.