Friday 30 September 2016

Truprojat shqiptare.




Me vështirësi ne ikëm, u zhvendosëm jashtë Artës, me truproja shqiptare që na mbronin me eskortë. Gjithsej ishin gjashtë e në krye dy shqiptarë që e drejtonin eskortën. Të gjithë këta shqiptarë janë të armatosur deri në dhëmbë, me pistoleta dhe armë, me zbukurime luksi dhe ndonjëherë krejtësisht të lara me argjend.

Benjamin Disraeli për shqiptarët kur vizitonte Janinën në 1832


Wednesday 28 September 2016

Tamburxhi! Tamburxhi!




Tamburxhi! Tamburxhi! thirrja jote ushton;
U ngjall trimave shpresën; për luftë na fton
Gjithë djemt' e malsisë i thërret anëmbanë
Himariotët, Ilirët, Suliotët zeshkanë,

E kush është aqë trim sa Sulioti zeshkan,
Me fustane të bardhë e të zi tallagan?
Ja le tufën shqiponjës e bishës e zbret
Poshtë fushës me sulm si rrëkeja në det.

Të bijt' e Himarës që s'falin as mikun,
Si mundet ta lënë të gjallë armikun?
Si s'markan dot gjak me pushkat besnike,
Ka shenj' më të bukur se zemra armike?

Maqedhoni dërgon bijt' e tij fitimtarë
Lenë gjahun në pyll në gjak për të larë
Mandilet e kuqe, t'i skuqin më shumë
Në gjakun e luftës që rjedh posi lumë.

Kusarët e Pargës i ka deti shokë;
I zënë rob frëngjtë, i zbresin në tokë,
I shpien në burg, atje të kuptojnë
Se ç'janë vargonjt' e sa rëndë rëndojnë.

Të dobëtit blejnë, u duhen paratë;
Fitoj, çdo gëzim që dua, me shpatë;
Prej s'ëmës rrëmbej të bijën truphedhur,
Mar nusen e re, me flokët e derdhur.

E dua fytyrën e bukur si lule.
Që shpirtin ma deh me këngë e pekule,
Pa silljani lirën prej odës së vet
E këngës t'ia thotë për vdekjen e tet.

Kujtoni Prevezën, në dorë kur shtimë,
Armiqtë vajtuan por ne brohorimë;
Shtëpira që dogjëm, e plaçkë që ndamë-
Zengjinët i therrëm, të bukrat s'i ngamë.

Ne frikën s'e njohim, s'e njohim mëshirën,
Këto nuk i njeh kush lufton për Vezirin;
Që kur leu Profeti, s'ka parë Gjysmëhëna
Një trim kaq të madh sa Ali Tepelena.

I biri Myftari drejt Tunës po nget,
Gjaurët leshverdhë ta dinë ç'i pret;
Kur turren Delinjtë mbi lumin me gjak,
Të gjallë Moskovit i kthehen fort pak!

Silihtar! zhveshe kordhën e të Parit tonë;
Tamburxhi, kushtrimi ne shpresën na shton;
Ju male, që shihni si zbresin në zall,

Ja kthehemi mundës, ja nuk vimë gjallë.

Lord Byron. Shtegtimet e Childe Harold. Përktheu nga origjinali Skënder Luarasi


Tuesday 27 September 2016

Pallati i Ali Pashë Tepelenës në Artë.



Gjatë kohës kur krahina e Çamërisë hyri brenda kufijve administrativë të Pashallëkut të Janinës, edhe aty si në gjithë Shqipërinë u realizuan, si asnjëherë më parë, vepra të rëndësishme publike, të karakterit ushtarak e civil, si kështjella, rrugë, ura, banja (hamame), hane, ujësjellësa, çezma publike dhe godinave administrative. Ali Pasha Tepelena, pothuajse në çdo qytet të rëndësishëm të Pashallëkut të tij, kishte nga një pallat të vetin të ndërtuar, që në shumë raste u vizituan edhe nga udhëtarët e huaj.


Friday 23 September 2016

Ktheni ploret o detarë...



Këto janë vargjet që  i mungojne kështjellës së Porto Palermos . Ato ishin të gdhendura në hyrje të kështjellës, mbi  portën kryesore . Autori i tyre është i panjohur por mendohet se janë të shkruara ndoshta nga Jani Vilarai apo Psalidha ne greqisht per Ali Pashë Tepelenën dhe te sjella kaq bukur ne shqip nga mesuesi Jani Pali nga Qeparoi ne vitet 30'.


Monday 19 September 2016

Rëndësia e kulturës së Komanit për etnosin shqiptar




Kultura  e Komanit, është një hallkë elokuente e kontinuitetit midis banorëve të lashtë dhe vazhduesve arbër; një kulturë meshtrirje kohore që nga shekulli i VII  deri në shekullin e IX dhe me një shtrirje territoriale mjaft të gjerë nga alpet shqiptare deri në brigjet jugore të detit Adriatik e në luginën e Vjosës. Kultura e Komanit ishte kjo një kulturë e një popullsie qytetare e fshatare, bregdetare e malore, më rrënjë  në traditën antike dhe me novacione, me elementë të trashëguara nga kultura ilire halshatiane e hekurit dhe nga kultura provinciale romake e paleobizantine, ku elementët sllave nuk figurojnë veçse si elementë të izoluara dhe jo si një kulturë kompakte. 


Sunday 18 September 2016

Letërsia e gjuhës së ndaluar



Për një shkrimtar që vjen të marrë titullin “Doctor honoris causa“, gjëja e parë që i vjen ndër mend është se, në qoftë se është i detyrueshëm një fjalim, ai duhet të përshkohet nga filli i një argumenti shkencor.Nuk besoj se them ndonjë gjë të re, po të theksoj këtu se një gjë e tillë është jo fort e lakmueshme për mjeshtërinë tonë. Kam vënë re se sivëllezërit e mi nga ish-perandoria e përmbysur komuniste, në raste të tilla kanë folur për shtypjen ndaj letërsisë. Thënë ndryshe, një temë që duhej t’i përkiste publicistikës, madje do të shtoja, kujtimeve emocionale, ka marrë statusin e argumentit shkencor.


Thursday 15 September 2016

Takimi dhe biseda e Ali Pasha Tepelenës dhe Lord Bajronit



...Të nesërmen më shpunë tek Ali Pasha. Isha veshur me uniformë të plotë shtabi, me shpatë madhështore etj. Veziri më priti në një odë të madhe të shtruar me mermer; një shatërvan vijonte ujët në mes të saj, oda e shtruar rreth e rrotull me otomane të kuqërremtë. Më priti në këmbë, shenjë e një nderimi të madh nga një mysliman dhe më vuri të rri në shesh në krah të djathtë të tij. Kam një terxhuman grek që të merrem vesh, por mjeku i Aliut, Femlario që di latinisht më shërben për këtë rast.


Pengu nga Ilirian Zhupa





Ti vazhdon të jesh Liqeni i Janinës, përbri një kështjelle
Dhe unë Ali Pasha në ishull, që s’dal dot më prej teje.


Nga libri “Të gjallë dhe të vdekur”, Botimet Toena




Monday 12 September 2016

95-vjetori i gazetës “DRITA” e Gjirokastrës (1920-1924) nga Flutura Hashorva



Më 27 mars të vitit 1920 patrioti Veli Hashorva, 28-vjeçar, botoi në Gjirokastër të parën gazetë në gjuhën shqipe me emrin “DRITA”. Kjo ishte gazeta popullore, politike, kombëtare që botohej një herë në javë, nën censurën e rrepte të ushtrisë italiane, e cila akoma nuk ishte larguar nga Gjirokastra. Numri i parë i gazetës doli dy muaj mbas përfundimit të Kongresit të Lushnjës, ku dy muaj para se të fillonte lufta e Vlorës. Po atë ditë në Tiranë u mblodh Këshilli Kombëtar i vendosur nga Kongresi i Lushnjes.


Sunday 11 September 2016

Të kontribuosh në mirëqenien e të ngjashmëve- Intervista për Revistën Psikologjia




1- Kreativiteti, a është për ju një dhunti e lindur apo e keni zhvilluar atë në bazë të njohurive, interesave për jetën dhe plotësimit të figurës tuaj?

Besoj se është një dhunti e lindur si interes për letërsinë, historinë dhe artet dhe sigurisht e ushtruar në mënyrë të pavetdijshme që në moshë të vogël. Më kujtohet se që në shkollë të mesme , gjatë orëve të mësimit shpesh herë shkruaja në letra të vogla, sinopse idesh, rrëfimesh e poezish , një pjesë e madhe e të cilave kanë mbijetuar si subjekte në memorjen time dhe kur kam pasur kohë më vonë i jam rikthyer, kurse një pjesë tjetër sigurisht që ka humbur në hojet e kujtesës. 

2- Si historian dhe studies sa ju ka shërbyer të krijuarit në plotësimin dhe sjelljen e dokumenteve apo fakteve historikë pranë lexuesit?

Historia është një shkencë që nuk lejon të krijosh sepse në vetvete kërkon që t’i përgjigjet sa më tepër realitetit. Që nga Herodoti, i pari historian serioz i përmendur në historinë e njerzimit, në momentin kur ata nuk njohin një ngjarje apo territor me saktësi gjithmonë janë përgjigjur në mënyrë lakonike “thuhet se”, ‘besohet se” etj. Mirëpo , pavarësisht këtij fakti dhe ngurtësie të shkencës së historisë, në fakt si dhe rrëfimet e Herodotit, ajo mund të shkruhet mbi bazën e një narrative që lejon të intepretosh dhe të shpjegosh faktet historikë dhe jo vetëm tëtë dokumetosh thatë historinë. Mendoj, se kjo është sfida e brezit të ri të historianëve për të rishkruar një histori sa më afër së vërtetës por në të njëjtën kohë edhe më të përceptueshme nga publiku.

3- Njerëzit që krijojnë padyshim kanë edhe momentet e veta të bllokimit. Në psikologji njihen si “vrasësit” e kreativitetit, që janë: Kontrolli i tepruar, Frika dhe ankthi, Adrenalina dhe tensioni i tepruar, Izolimi, Mungesa e motivimit dhe pasionit, Pesimizmi. Ju kaplon kjo gjendje dhe çfarë ndodh me ju?

Besoj se përmes gjendjeve të cituara më lart, kalojnë pothuajse të gjithë njerëzit që  ushtojnë aktivittin e tyre me muzat artistike. Personalisht, ndjehem keq nga mungesa e motivimit dhe e pasionit të të tjerëve për të mësuar më shumë rreth identitetit, historisë dhe së shkuarës së vendit të vet. “Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon dhe të sotmen’ është një shprehje e njohur nga shkrimtari britanik George Orwell, çka nënvizon rëndësinë e njohjes së historisë dhe implikimet e saj në të sotmen. Për të tejkaluar këtë gjendje, e rëndësishme është që njerzit të ndërgjegjësohen duke u kujtuar se historitë personale të suksesit apo mossuksesit, identitetet e së shkuarës dhe sotmes, përbëjnë tërësinë e historisë dhe identiteteve të një popullsie dhe të orientimit të saj drejt progresit. Nëse dëshirojnë që të ndërtojnë një të ardhme solide, atëherë këtë proces duhet ta fillojnë duke njohur të shkuarën. 

4- Psikologët thonë: Ndryshimi është padyshim një forcë e fuqishme. Hap prespektivën, zgjeron vizionin, na vë në pozita ku vendosim të braktisnim frikërat dhe dyshimet tona. Një pikë e mirë nisjeje sipas tyre është edhe edukimi ndaj mendimit negativ. Sa ju ka ndihmuar përgjatës vijës studimore që keni ndjekur dhe a mund të më rrëfeni ndonjë rast?

Negativizmi në shkrimine historisë së shqiptarëve është kthyer në një modë. Për fat të keq kjo gjë nuk po ndodh nga profesionistët po kryesisht prej studiues të fushave të tjera që i bien në qafë historisë. Dekonstruktimi i të ashtëquajturave mite në historinë shqiptare prek zakonisht palcën e identitetit të shqiptarëve duke tentuar t’i paraqesin ata si më pak të zhvilluarit nga ana kulturore, më të vonuarit në zgjimin kombëtar etj. Personalisht, këtë gjë e kam hasur në studimin e figurës së Ali Pashë Tepelenës, dhe vetëm kur e vendosa në një rrafsh krahasues me figura të tjera në Ballkan dhe me ngjarje të ngjashme me rebelimin e tij, besoj se arrita ta kuptoj më mirë figurën e tij dhe rëndësinë e aksionit të tij politik. 

5- Për disa, ky lloj ndryshimi shoqërohet me paragjykim. Ju ka privuar kjo gjë apo përkundrazi ju ka ngacmuar të çoni më tej pritshmëritë tuaja?

Përgjithësisht, paragjykimet që kam hasur në shkrimin e historisë së shqiptarëve, kryesisht prej mosnjohjes por edhe shpesh herë prej dashakeqësisë, më kanë ngacmuar që të bëj të mundur përmes dokumentave dhe shtjellimit të fakteve të pasqyroj drejtë fenomenet historikë përmes të cilave ka kaluar kombi ynë. Shqiptarët, kanë as më shumë dhe as më pak një histori të përbashkët metë gjithë popullatat në Ballkan, ndaj paragjykimet e ndërtuara ndaj tyre për zgjim të mëvonshëm kombëtar apo mungesë instikti qeverisës, para se të jenë fakte historikë më së shumti janë paragjykime të tipit orientalist të mosnjohjes së Tjetrit. Sëbashku me kolegë të tjerë të brezit të ri të historianëve , gjithseli në fushat e veta të studimit jemi duke u munduar të plotësojmë mozaikun e tërësisë së historisë së shqiptarëve, të një historie multidisiplinare ku nuk studohet historia vetëm si sagë e narrativë por si kombini edhe me fushat e tjera të dijes. 

6- Të qenit kreativë, na lejon të kapim mundësitë në çdo situatë, favorizon mendimin pozitiv, zhvillon dhe fuqizon ndjesinë e kënaqësisë personale dhe vetërealizimit. Sa i plotësuar ndiheni në këtë drejtim dhe sa keni ndikuar në mirëqenien e atyre që janë pjesë e fushës ku ju jepni kontribut?

Këtë pjesë, sigurisht që nuk më takon mua të flas, pasi janë lexuesit, studentët e kolegët që do të mund t’i përgjigjeshin më mirë. Sigurisht, që jam ndjerë mirë kur miq e kolegë kanë cituar shkrimet e librat e mia në veprat e tyre apo në doktoraturat e studimit dhe përveçse kënaqësisë së njohur të studiuesit kam përfituar dhe ndjenjën mikluese të vlerësimit, çka për hir të së vërtetës është e pakët në shoqërinë tonë. A kam ndikuar në mirëqenien e tyre? Besoj se intelektualisht dhe shpirtërisht , çdo koleg lë gjurmë me personalitetin e tij, ndaj besoj se në mënyrë të vetdijshme e të pavetdijshme, në këtë mënyrë ne kontriubojmë në mbarëvajtjejn dhe mirëqenien e të ngjashme si ne. 

Revista Psikologjia. Nr 6. 2016



Saturday 10 September 2016

Motrat Qiriazi



Gratë shqiptare në fundin e shekullit të XIX,  do të ndiheshin më të habitura por në të njëjtën kohë do të ndjeheshin dhe krenare nëse do merrnin vesh se një princeshë që gjithandej tregonte me krenari rrënjët e origjinës së vet shqiptare, Elena Gjika, alias Dora d’Istria ishte në katër gratë kryesore në Europë që promovonin feminizmin dhe të drejtat e grave përmes fjalës së shkruar dhe pendës.


Saturday 3 September 2016

Dy harta të rëndësishme të periudhës së Ali Pashë Tepelenës në Londër



Përshkrimi dhe dokumentimi me harta i bregdetit shqiptar dhe grek është nga dokumentimet më të hershme në historinë e hartografisë. Zakonisht është skicuar bregdeti pasi ai bënte pjesë në zotërimet e Republikës së Shën Markut, Venedikut dhe më pak brendësia kontinentale e zonave të brendshme të Shqipërisë. Gjatë kohës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës(1788-1822), pashallëku i tij dhe një pjesë e madhe e territoreve shqiptare u vizituan, pikturuan dhe skicuan nga një pjesë e madhe udhëtarësh, diplomatësh dhe agjentëve diplomatikë që rizbuluan Lindjen e Afërme dhe e pasqyruan atë në botime të shumta në Perëndim.