Friday 13 April 2018

Halet Efendiu dhe Ali Pasha Tepelena.




Detail nga tabloja Kurorëzimi i Napoelonit në 1805 nga Jacques-Luis David.


Piktori frances neoklasicist Jacques-Louis David (1748 –1825) konsiderohet si piktori që realizoi shumë tablo me temë nga Revolucioni Francez. Ai është autori i pikturës monumentale të Napoelonit mbi kalë si dhe shumë pikturave të tjera, ku mes tjerash spikat “Kurorëzimi i Napoelonit” në 1805. Tabloja e njohur përveç faktit që ka memorializuar përgjithmonë ngjarjen historike, ku Napoeloni e merr kurorën vetë nga Papa i Romës për ta vendosur në kokë duke shprehur në këtë mënyrë antiklerikalizmin një tipari hershëm të Revolucionit Francez, është shumë e rëndësishme për portretizimin e shumë personazheve historikë. Një detaj i rëndësishëm i tablosë për historinë e Shqipërisë është portretizimi i ambasadorit osman në Paris, Halet Efendiut, i veshur me kaftan dhe turban. Halet Efendiu është personi që influencoi më tepër në rrëzimin e Ali Pashë Tepelenës dhe në përgatitjen e ushtrisë osmane për të shtypur rebelimin e tij. Halet Efendiu ishte sekretari i Divanit perandorak osman, minister i brendshem dhe njeriu me i besuar i Sulltan Mahmutit II. Deri ne vitin 1806 , ai ishte ambasador i Portës së Lartë ne Francë dhe pas vitit 1819, tashmë ministër një armik i betuar i Ali Pashës dhe përkrahës i Pasho Beut, një prej fisnikëve shqiptarë të Janinës. Pasho Beun, pas atentatit të dështuar në Portën e Lartë, Sulltani Mahmud II dhe Halet Efendiu e emëruan si një nga komandatët e ushtrisë perandorake për të shtypur rebelimin e Ali Pashë Tepelenës. Sëbashku me Pasho Beun ishte dhe një pjesë e madhe e krerëve shqiptare si Omer Vrioni, Bushatllinjtë e të tjerë krerë lokalë që iu bashkangjitën ushtrisë perandorake. Natyrshëm lind pyetja se përse kjo pabesi e madhe e krerëve shqiptarë?
Së pari një rol të rëndësishëm në këtë kundërvënie të tyre me Ali Pasha Tepelenën luajti centralizmi i tëpërt  i pushtetit nga ana e Pashait Tepelenas që dhe u vinte fre ambicie të tyre feudale dhe së dyti një lloj solidariteti fetar me osmanët i bënte më të ndjeshëm ndaj një Fatve të lëshuar nga Sheh Ul Islami dhe Sulltani si Kalif i botës myslimane. Siç dihet në ekspeditën ushtarake që organizoi Stambolli kundër Pashallëkut të Janinë në qershor të vitit 1820 morën pjesë edhe mjaft feudalë derebej të shpronësuar dikur nga Ali Pashë Tepelena, të cilët llogarisnin që me shembjen e tij të rifitonin dikush pronat pronat e dikush derebellëket e humbura dhe të rimëkëmbin pushtetin e tyre partikularist që ai ua kish rrafshuar.( Zana Lito,Shqipëria dhe Tanzimati, Tiranë:Botimet Toena,2002,faqe 44).
Sulltan Mahmud II ishte një nga Sulltanët më ambiciozë  për të rimëkëmbur Perandorinë Otomane, që shtypjen e rebelimit të Ali pasha Tepelenës e dëshironte për të rivendosur jo më pushtetin partikularist të feudalëve shqiptarë , por administratën centraliste perandorake. Politikën e tij do ta ndiqte dhe i biri Sulltan Abdyl Mexhidi që  në vitin 1839 ai do të nënshkruante reformën e Tanzimatit nga Pallati i Gjylhanesë, reforma që do të synonte modernizmin e Perandorisë Otomane në të gjitha fushat duke përfshirë dhe të drejtat civile të shtetasve pavarësisht besimit të tyre fetar.
Këto reforma u kundërshtuan ashpër nga popullsia shqiptare që pas një shekulli vetqeverisje që nga viti 1740 kur Porta e Lartë kish lejuar për herë të parë qeverisjen e territoreve shqiptare nga Pashallarë shqiptarë, qeverisje që arriti kulmet e veta në dy Pashallëket të Janinës dhe Shkodrës,humbte shumë privilegje dhe të drejta. Politika personale që kish ndjekur Ali Pasha Tepelena që nga momenti që kish hyrë në spiralet e pushtetit otoman në vitet 80’ të shekullit të XVII për fuqizimin e vet, përveçse kishte qenë një shembull i një politike decentralizuese kish krijuar shumë armiq midis parisë feudale shqiptare. Për të kuptuar më qartë procesin e fuqizimit të Ali Pashë Tepelenës në jug të territoreve shqiptare është e nevojshme të shpjegohet procesi ekonomik dhe politik që kish hyrë Perandoria Otomane kur Ali Pasha Tepelena hyri në qarqet e larta të politikës rajonale.
Shthurrja e rendit feudal-ushtarak të timarit e cila filloi të shfaqej nga mesi i shekullit XVII solli ndryshime të rëndësishme edhe në strukturën shoqërore si në trevën e timarit(yshyrit) ashtu dhe në atë të venomeve(haraçit). Në trevën e yshyrit prona mirie që ishte pronë shtetërore mbi të cilën ishte ndërtuar timari, filloi të kthehej në pronë personale, në gjirin e të cilës lindi çifligu feudal dhe si rjedhim zotëruesi feudal. Si rjedhim zotëruesi feudal i timarit u kthye në pronar i tokës së feudit. Kjo ndodhi me pak përjashtime në viset e pasura bujqësore. Në krahinat me toka të pakta bujqësore, veçanërisht në Shqipërinë e Jugut, disa nga feudalët ushtarakë të fuqishëm u kthyen në derebej-krerë me tipare feudale të cilët vendosën me dhunë autoritetin e tyre secili në një krahinë të caktuar, duke vjelur nga banorët e krahinës “bejllëkun” ose “agallëkun” simbas titullit që mbante kreu i fuqishëm dhe duke marrë përsipër mobilizimin e forcave mercenare në formacionet “bashibozuke” në shërbim të Sulltanit.( Zana Lito,Shqipëria dhe Tanzimati, Tiranë:Botimet Toena,2002,faqe 41.)
Kjo periudhë që njihet si anarkia feudale gradualisht filloi të kapërcehej kur disa nga  derebejt shqiptarë pas këtyreshndrrimve ekonomike i bëri ata më të pavarur nga pushteti qendror . Në të njëjtën kohë kjo situatë i bëri ata edhe më agresivë me njëri-tjetrrin duke ndezur një luftë brenda llojit për të zotëruar sa më shumë prona e çifligje. Si rezultat i kësaj lufte të brendshme mes tyre ndodhi që Ali Pasha Tepelena që zotëronte qoftë gjeninë ushtarake por edhe atë politike të përfitonte duke rrëmbyer pronat dhe shkatërruar njëri pas tjetrit pothuajse të gjithë feudalët e rëndësishëm shqiptarë në viset jugore. Këtë proces centralizmi ai nuk e ndali edhe në tokën e venomeve (haraçit) duke shkatërruar bërthama të qeverisjes së lirë fshatare si Suli, Himara, Hormova por edhe Kardhiqin mysliman. Një centralizim të tillë pushteti nuk ishte parë prej kohësh në territoret shqiptare në jug dhe fakti  që rajoni për herë të parë filloi të bëhej dhe një teatër diplomatik i Fuqive të Mëdha të kohës sidomos me fillimin e luftërave Napoloniane ku Ali Pasha Tepelena  dhe Pashallëku i tij shpesh herë filloi të luajnë një rol partneriteti , por dhe fillimi lëvzijeve me karakter nacionalist si serbe në 1813, greke në 1821, rumune në 1821 detyroi Portën e Lartë që të rishikonte me shumë kujdes politkën e vet në rajon. Sulltan Mahmudi i II pasi u tregua i paaftë për t’i shtypur këto kryengritje u detyrua të pranonte formimin e shteteve nacionale greke, serbe, vllahe dhe moldave. Ndryshe qëndronte puna me pashallëqet feudale, shkëputja e të cilave do të sillte shpërbërjen përfundimtare të  Perandorisë Otomane. ( Zana Lito, Shqipëria dhe Tanzimati,
Tiranë : Botimet Toena, 2002, 
faqe 14). Kjo ishte dhe një nga arsyet që goditjen e parë ndaj pushteti gjysëm autonom feudal porta e Lartë e dha ndaj Ali asha Tepelenës, pasi ky i fundit kishte realizuar një centralizim absolut të pushtetit , shumë më absolut sesa Bushatllinjtë e Shkodrës dhe gradualisht me politikën e jashtme që kish ndërtuar shpesh herë edhe kundër interesave të Portës, mund të realizonte idenë e shkëputjes përfundimtare.Gjithësesi Halet Efendiu nuk  arriti ta shijonte shumë fitoren e vet dhe mposhtjen e Ali Pasha Tepelenës, pasi në nëntor 1822 e dënuan me mbytje si shkaktar të nisjes së rebelimit grek, që u frymëzua fuqishëm nga rebelimi i Ali Pashë Tepelenës.







No comments: