Friday 14 June 2013

Debatet me telekomandë të politikës shqiptare




Ngjarja më e madhe televizive e fillimit të shtatorit ishte rifillimi i sezonit të ri televiziv dhe rikthimit të emisioneve të debatit në ekran. Ndërsa fillimi i sezonit të ri televiziv nuk paraqiti ndonjë surprizë të rastit, pasi formatet e emisioneve ishin pak a shumë ato që kishin qenë dhe sezonin e kaluar, rifillimi i emisioneve të debatit solli sërish atmosferën e fushatës elektorale dhe të situatës së elektrizuar paszgjedhore.
Problemet që kanë shoqëruar zgjedhjet kanë qenë të llojeve të ndryshme, të cilat gjithsecila me specifikën e vet ka lënë gjurmët në kulturën demokratike të shqiptarëve. Kur i shqyrton nga afër ato, duke filluar që nga ato që janë mbajtur njëzet vjet më parë dhe deri këto të fundit, shikon se shpeshherë ato kanë përsëritur vetveten po aq sa janë përsëritur dhe të njëjta gabime. Sigurisht që nuk mund të mohohet në raste të veçanta se ato i janë përmbajtur parimit të tyre institucional por gjërat nuk janë kaq të thjeshta kur mundohesh të analizosh thembrën e Akilit të demokracisë shqiptare - zgjedhjet dhe në veçanti këto që u mbajtën më 8 maj, të cilat edhe pse ishin lokale, ashtu si patën deklaruar të dyja palët, në fakt ishin thellësisht politike. Kjo vështirësi buron jo vetëm nga fakti se problematika e zgjedhjeve në Shqipëri është pasuruar pas çdo palë zgjedhjesh që janë mbajtur, por edhe për faktin se ato janë të dëmtuara që në paraproces dhe të kontrolluara shumë fort sipas vullnetit politik të liderëve partiakë, sesa sipas ligjeve dhe rregulloreve elektorale.
Një pjesë e rëndësishme e paraprocesit elektoral dhe paselektoral, por dhe politikave të ndryshme që ndjekin partitë politike për çështje të ndryshme, është debati politik që falë dhe zhvillimit të teknologjisë së informacionit vjen shumë më afër qytetarëve nëpërmjet “kutisë magjike” të televizionit. Ndonëse shpeshherë debati politik i ka zhgënjyer zgjedhësit, pasi është zhvilluar në nivele grindjesh dhe zënkash mes palëve, gjithsesi ai është bërë tashmë një pjesë integrale e kulturës pop, që publiku pret para çdo ditë të javës. Edhe pse me një shikim të thjeshtë mund të ketë shumë pretendime se në vetvete këto debate nuk përmbajnë esencë, por janë të mbuluara gjithë sharje dhe ofendime për palën kundërshtare, në të vërtetë për këtë gjë nuk janë fajtorë vetëm debatuesit në televizion, por dhe “telekomanda” që ata mbajnë pranë vetes. Pavarësisht faktit se në të gjitha emisionet televizive nuk është e lejuar që të mbahen celularët hapur, pasi valët e tyre ndërhyjnë në valët televizive, debatuesit vërehen gjithmonë të kontrollojnë herë pas here celularët e tyre, “telekomandat”. Ky kujdes i veçantë i tyre për të lexuar mesazhet që u vijnë herë pas here, duket se ngre dhe ul dhe tonet e ashpra të debateve. Nuk është e vështirë që të bëhet një lidhje midis përmbajtjes së mesazheve dhe vrullit partiak që ngërthen debatuesit, gjë e cila në prag zgjedhjesh arrin dhe klimaksin e vet.
Parë në këtë kontekst, edhe këto zgjedhje që u zhvilluan shënuan “spektaklin” e radhës, ku qytetarët shqiptarë panë dhe ndjenë emocionet e gladiatorëve të politikës që u ndeshën në arenat e mëdha të studiove televizive. Për më tepër, këto emocione vazhdojnë pafundësisht edhe pas zgjedhjeve, duke dëmtuar rëndë klimën politike të bashkëpunimit në vend dhe harmoninë sociale. Ashtu si qytetarët e lashtë romakë, që ngazëlleheshin në shfaqjet e amfiteatrove edhe një pjesë e qytetarëve shqiptarë që e pëlqen këtë lloj spektakli, motivohet pas këtyre debateve politike për ta shtrirë debatin dhe në hapësirat e tjera të shoqërisë. Në këtë lloj mënyre, ata përçojnë mes tyre tensionin e lindur në studiot televizive, krejt në dallim nga qytetarët romakë që tensionin e linin në arenat e amfiteatrit. Për më tepër, nëse qytetarët romakë mund të shikonin se çfarë mendonin konsujt e tyre nëpërmjet shenjave të duarve për ta falur apo dhënë dënim me vdekje, kurse qytetarët e sotëm shqiptarë nuk kanë se nga ta marrin vesh se ç’mendojnë udhëheqësit e tyre politikë. Kjo mungesë transparence dhe diktati politik në të njëjtën kohë që u transmetohet atyre nëpërmjet studiove televizive e korrupton demokracinë dhe e komprometon dhe zgjedhjen e zgjedhësve për alternativën më të mirë, pasi nuk janë idetë dhe alternativat partiake që diskutohen, por mediokriteti banal i mesazheve gjithë fyerje dhe faktesh të lëshuara sa për sensacion elektoral. Në krye të fushatës qëndrojnë vetë ata, “Mjeshtrit e Mëdhenj”-udhëheqësit e partive që drejtojnë teatrin e kukullave nëpër studiot televizive, për të na dhuruar spektaklin e radhës, që i përmban të gjitha, duke filluar nga dhuna verbale, fyerja, poshtërimi, pajtimi e konsensusi.
Demokracia e vërtetë, përpos angazhimit që kërkon nga zgjedhësit, i duhet që dhe ata që luajnë rolin përfaqësues të jenë në gjendje të përfaqësojnë me dinjitet veten e tyre dhe alternativat e kauzat e partive politike. Zgjedhjet e 8 majit ishin një shans i humbur që stereotipi i debateve “telekomandë” të fillonte të ndryshojë. Etika e debatit, edhe nëse nuk është një vlerë e politikës sonë, ajo duhet të fillojë të kultivohet sidomos nga mediat televizive dhe ato të shkruara. Kjo gjë do të sjellë dhe reformimin aq të nevojshëm të ligjërimit publik të partive politike dhe në të njëjtën kohë, do të përfaqësojë dhe përmirësojë dhe sfidat personale të kandidatëve që garojnë për kryetar bashkie apo deputetë, duke dëshmuar së pari sesa qytetarë të mirë ata janë, përpara se të jenë një kukull e komanduar e radhës.



Gazeta Shqip 18.09.2011


No comments: