Sunday 9 June 2013

Dimensioni universal i figurës së Skënderbeut përmes monografisë Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqëtari i Fundit.



Figura e Skënderbeut është një subjekt që mund të ketë bibliografinë më të madhe në Bibliotekën Kombëtare. Për të kanë shkruar albanologë, shkrimtarë romantikë, studiusë shqiptarë etj. Si një nga figurat më të mëdha të etnosit dhe kombit shqiptar, në mos më e rëndësishmja , ajo është bërë një subjekt i gjithfarë gjinive letrare, i monografive serioze , i historive lokale dhe kombëtare dhe i miteve dhe legjendave popullore.
Për këtë arsye, shkrimi i një biografie apo studimi të ri për të në formën e një monografie , është një sfidë e madhe që kërkon pasion dhe vullnet për të hyrë në labirinthet e historisë, diplomacisë dhe fisnikërisë Skënderbejane por mbi të gjitha kërkon  seriozitet dhe skrupuluzitet shkencor  për të ditur të gjesh fillin e Arianës nëpër këto labirinthe monopate të mbuluara shpesh herë nga pluhuri i kohës por në shumë raste edhe nga dashakeqësia për ta minimizuar figurën e Gjergj Kastriotit.

Për të gjitha veprat monografike që shkruhen për Heroin Kombëtar të shqiptarëve , dashje pa dashje egziston si një etalon matës vepra klasike Barletit, që edhe pse shpesh herë studiuesit e mëvonshëm kanë zbuluar dhe vërtetuar që ka lapsuse përsa i përket fakteve historikë  apo dhe mënyrë të shkruari me stil panegjirik njëlloj si “Jetët Paralele” të Plutarkut për ta glorifikuar heroin, sërish publiku i gjerë në mënyrë të pavetdijshme e krahason çdo vepër të re që shkruhet për Skënderbenë me të. Sigurisht që ky fakt do të gëzonte çfarëdolloj autori, përfshi këtu edhe Barletin që që në gjallje pa frutin e punës së vet, por jam i sigurtë që cdo autor serioz që shkruan për Gjergj Kastriotin përveçse ndjen një përkushtim dhe vlerësim të veçantë për biografin e parë të tij, kërkon të zhbirojë më tutje për të kuptuar diçka që në kohën e Barletit mund të mos perceptohej si vlerë e tillë, ndaj dhe në veprën e tij mund të mos ketë një trajtim të plotë të këtij fenomeni dhe ti mëshohet më tepër betejave ushtarake dhe nganjëllimit të Skënderbeut ndaj ushtrive otomane që ishin dhe rrezik serioz dhe për vet Evropën.  E kam fjalën për universalizmin e figurës së Skënderbeut, për cilësitë që e bëjnë atë jo vetëm një hero lokal të shqiptarëve, por një Komandant ushtarak e Kryediplomat të Evropës, cilësi që ne bashkëpatriotët e tij pak ia njohim dhe në të shumtën e rasteve të nxitur nga një modesti provinciale nuk i përmendim apo në rastin më të keq i keqpërdorim duke i lexuar ato vetëm siciologjikisht për të përligjur dështimet tona të mëvonshme, por asnjëherë në formën e një analize krahasuse me heronjtë e etnive e kombeve të tjerë. Vepra e publicistit Virgjil Kule, “Gjergj Kastriot Skënderbeu-Kryqëtari i fundit” nxjerr në pah pikërisht këtë universalizëm të Skënderbeut, ku formulën e Kuvendit të Lezhës “I pari mes të barabartëve” e zhvendos me fakte dhe analizë historike dhe matanë Adriatikut, në teatrin e diplomacisë evropiane ku Skënderbeu është një i “barabartë dhe shpesh herë i parë mes të barabartëve” , princave dhe dukëve italianë. Risia e kësaj monografie është pikërisht tek një gjurmim dhe selektim me shumë përkujdes i fakteve historikë duke mos rrëfyer një sagë Skënderbejane për hir të historisë si kanë rrëfyer që nga Barleti e deri te akademiku Kristo Frashëri, por te rivlerësimi dhe nxjerrja në pah edhe të diplomacisë, lojës për pushtet dhe strategjisë panevropiane të Skënderbeut, cilësi që që ridimensionojnë figurën e Gjergj Kastriotit duke i dhënë me të drejtë atributet e një burri shteti dhe strategu ushtarak të përmasave evropiane. Ky lloj këndvështrimi i veçantë që autori ka zgjedhur duke bërë një analizë të qartë në kohë dhe hapësirë të figurës së Skënderbeut, aksionit të tij ushtarak e diplomatik, marrëdhenieve të tij me osmanët e veçanrisht me Venedikun, analizë që i përngjet rrathëve të një druri që nga viti 1443 e deri sa vjen në qendër në vitin 1467, e kthen monografinë nga një tekst historie i përsëritshëm e monoton në një monografi ku lexuesi shkon hap pas hapi me autorin në zbulimin e dimensionit të vërtetë të Heroit tonë Kombëtar. Ky lloj rrëfimi i zgjedhur me intuitë dhe mjeshtëri nga publicisti Virgjil Kule, një mjeshtër i hershëm i dokumentareve është “filli i Arianës” që e çon lexuesin në cdo skutë e dhomë të errët të figurës së Skënderbeut për ta parë si në një film dokumentar të gjithë epokën e lavdishme të tij. Skënderbeu ishte një Princ i kohës që analizon  filozofi italian Makiaveli, i lindur në Arbëri nën sferën e influencës perëndimore të asaj kohe, i rritur në Turqi ku gjithë monarkia është e qeverisur nga një drejtues dhe të tjerët janë veçse skllevër të tij sipas Makiavelit në veprën e tij të famshme “Princi”. Në përpjekjen e tij madhore për tu bërë Udhëheqësi i Kryqëzatës kundër otomanëve shpesh herë si del në libër ai u përpoq ta anashkalonte pavarësinë e princërve të tjerë shqiptarë  dhe ta kthente vendin e vet në një model të organizuar sipas modelit të Frances mesjetare që përshkruan Makiaveli,  si një territor i qeverisur nga një mbret, por i rrethuar nga një numër i madh fisnikësh të njohur e të dashur si të tillë nga nënshtetasit e vet e që kanë priviligjet e tyre nga të cilat mbreti nuk mund ti privonte pa u rrezikuar nga reagimi i tyre. Një përpjekje  shumë e madhe për një njeri që fati i tij qe troshitur sa midis Lindjes dhe Perëndimit, një përpjekje që la gjurmë në histori dhe në kohë, një përpjekje që iu njoh si meritë nga Evropa  por edhe nga pasardhësit e vet, ndaj ai sot vlerësohet e studiohet në Akademinë Mbretërore të Londrës për strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, ndaj bustet dhe monumentet e tij janë në të gjitha sheshet qendrore evropiane , ndaj pas leximit të këtij libri pret të vlerësohet vet më shumë nga bashkëkombasit e dhe në vecanti për diplomacinë e tij, këtë pjesë panjohur nga publiku shqiptar e që tani përmes faqeve të këtij libri mund të lexohet e kuptohet më mirë.


Suplementi Rilindesi , 09.06.2013


No comments: