Java që kaloi rezervoi një surprizë për opinionin publik.
Themi surprizë pasi dhe mediet e informimit publik dhe shoqëria mësoi papritur
që në mëngjes herët të së premtes vdiq ish udhëheqësi i fundit komunist i
Shqipërisë, Ramiz Alia. Asnjë lajmërim i mëparshëm apo njoftim i shpërndarë në
media nuk tregonte që ish kreu komunist ishte në gjendje të vështirë për jetën,
një fakt që duket pak në kundërshtim me gjithë mitologjinë që është ndërtuar
rreth rolit të tij në pluralizëm. Ramiz Alia përpos gjithë funksioneve të tjera
që njihet gjerësisht në Shqipëri, si pjesëmarrës në Luftën Antifashiste dhe më
vonë udhëheqës komunist , anëtar i byrosë politike dhe në fund në vitin
1985 i emëruar si pasardhësi i diktatorit Hoxha, prej kohësh i ishte atribuuar
edhe funksione të tjera të fshehta dhe okulte si “arkitekti i ndërrimit të
sistemeve”, “hartuesi i variantit shqiptar të Katovicës”, “mjeshtri i madh që
tërhiqte gjithë fijet e politikës shqiptare” etj. Këto emërime të fundit përpos
që i jepnin një aeurolë disi mistike , në fakt ndihmojnë që të hedhësh më shumë
dritë në marrëdhëniet e pushtetit të dikurshëm me shoqërinë e sotme shqiptare
dhe të shikosh më thellë në tunelin e një epoke që me vdekjen e Ramiz Alisë
merr fund për shoqërinë shqiptare.
Mirëpo Ramiz Alia në karrierën e tij të gjatë politike
arriti që me votat e PPSH, paraardhëses të Partisë Socialiste së sotme të
zgjidhej dhe Presidenti i parë i vendit i dalë nga një parlament për të
zgjedhjen e të cilit u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri pas 46
vjetësh diktaturë komuniste. Kështu që në të njëjtën kohë sipas kushtetutës dhe
ndryshimeve të ndryshme ligjore edhe pse ai ishte tërhequr pas një viti nga ai
post, në fakt gëzonte të gjitha atributet e trajtimit të një ish presidenti.
Fakt ky i mjaftueshëm për të gjithë, për të mos u gjetur në befasi shteti
dhe shoqëria se ç’të bënin me vdekjen e tij e aq më tepër me ceremoninë e
funeralit të tij. Gjithsesi pavarësisht këtij fakti të njohur, mëngjesi i së
shtunës ishte i shurllër përsa i përket ceremonisë mortore dhe pothuajse e
gjithë elita politike mundohej të shmangej si “djalli nga temjani” ndonjë
prononcimi të mundshëm mediatik. Përjashtim bëri vetëm kreu i LSI-së Ilir Meta,
i cili në kuadër të një tradite të formuar personale edhe për ngjarje dhe
figura të tjera që lidhen me të majtën shqiptare, i dërgoi një mesazh
ngushëllimi familjes të së ndjerit qysh ditën e premte. Mesazhi i tij i
ngushëllimit ishte në kontrast të thellë me heshtjen e shurllër të Partisë
Socialiste në të cilën për hir të së vërtetës militojnë shumë ish funksionarë
të shtetit të dikurshëm të Ramiz Alisë por dhe shumë bij “shokësh armësh”të
Ramiz Alisë gjatë luftës së dytë botërore. Ndaj në respekt dhe të memories
historike apo dhe solidaritetit njerëzor, Partia Socialiste duhej të dërgonte
një mesazh ngushëllimi familjes ose dhe të pyeste qeverinë për ti organizuar
një ceremoni mortore si ish-president i këtij vendi. Frika dhe paranoja se mos
një interesim i tillë do ta lidhte atë ngushtë me regjimin e kaluar tregon se
Partia Socialiste vazhdon të vuajë akoma nga komplekset e së kaluarës. Është
një gjë fëminore nëse udhëheqja e Partisë Socialiste mendon se një veprim
i tillë do ta komprementonte atë para opinionit publik, pasi pas 20 vjetësh
tranzicion ajo gjë që shqetëson shoqërinë shqiptare nuk është më lufta kundër
kalit të ngordhur të komunizmit por aftësitë dhe kapacitet qeverisëse të një
force politike. Sjellja e fundit ndaj respektimit të vdekjes së një ish presidenti
që vinte nga trashëgimia e vet politike tregoi se Partia Socialiste e humbi sharmin e
instuticionalizmit si forcë politike aq të nevojshëm për një parti që
pretendon të vijë në pushtet. Të kuptohemi, Ramiz Alia mund të ketë një mijë e
një të zeza si udhëheqësi i fundit komunist, votuesi dhe penguesi reformave
demokratike në vend, urdhëruesi dhe mbajtësi i strukturave të frikshme të ish
Sigurimit të shtetit deri në momentet e fundit të ndërrimit të pushteteve,
funksione dhe detyra për të cilat do ta gjykojë historia por në të njëjtën kohë
ai ishte një funksionar i lartë i këtij shteti , njëqind vjetorin e të cilit e
festojmë pas një vit i ndaj dhe në respekt të traditës sonë shtetformuese nuk
duhej hezituar në këtë farë mënyre për të organizuar një ceremoni të thjeshtë
mortore që e kanë pasur dhe shumë ish figura të tjera të regjimit të kaluar.
Vdekja e Ramiz Alisë shënon dhe fundin e një epoke dhe të
një brezi protagonist që u mundua me grykën e pushkës të çlironte atdheun por
që e përdori prapë këtë pushkë kundër popullit të vet për të ruajtur pushtetin
për 45 vjet me radhë. Në këtë luftë të tyre Ramiz Alia me shokë shkaktuan shumë
dhimbje dhe terror sa të gjithëve na ka bërë përshtypje fisnikëria e ish të
përndjekurve politikë që ndoshta pinin kafe në të njëjtën lokal aty ku dhe
Ramiz Alia gjerbte çdo mëngjes kafenë e vet, por asnjëherë nuk u dëgjua që atij
ti kish ndodhur ndonjë incident fyerje apo poshtërimi prej tyre. Sot kur ne
përpiqemi të gjykojmë epokën që lamë pas, jemi më të ftohtë dhe më pak
pasionantë përsa i përket gjykimit të saj dhe kjo fisnikëri e ish të burgosurve
politikë duhet të na vijë ndërmend dhe duke bërë për vete parimin “Jepi Cezarit
atë që i përket Cezarit” të mundohemi të shkruajmë historinë tonë moderne të
një periudhe nga më të dhimbshmet në historinë tonë të gjatë si komb.
8/10/2011
No comments:
Post a Comment