Thursday, 18 October 2012

Kabineti i pykave nga Fan Noli




Qetësia, me të cilën më dëgjuat dje, më bëri një përshtypje të thellë. Veçanërisht, duke marrë ndër sy që midis dëgjonjësve, ndodheshin shumë kundërshtarë të metimeve tona politike. E ndjej pra, veten të detyruar të falënderoj të gjithë e të këshilloj miqtë tanë të dëgjojnë me atë qetësi kritikat e kundërshtarëve, se, tërë mjeshtëria e politikës është të dëgjosh mejtimet e të gjithë palëve me durim e gjakëftohtësi, të përqasësh e t´i peshosh, dhe pastaj të votosh pas gjykimit e ndërgjegjes. U gëzova shumë që populli i Korçës dhe i rretheve e paskan këtë virtyt civil, dhe tani e ndjej veten time më kryelartë që jam qytetar i nderit i qytetit tuaj të urtë patriotik. Dha jam i lumtur që vinj sot përsëri përpara jush, që t´ju shpjegoj arsyet për të cilat kundërshtojmë qeverinë e sotme.

E kundërshtojmë se disorganizon shtetin, se shkel liritë, se s´kujdeset as për bukën , as për shëndetin, as për arësimin e popullit. Këto arësye i kemi shpjeguar dhe në parlament, po taje zëri ynë u mbyt prej gishtrinjve të deputetëve proqeveritarë. Dalim, pra, tani, përpara gjykatores së lartë të popullit që të na gjykojë e ta verë në vend cilindo me topuzen e votës.
Makiaveli i ndau qeveritarët në tri kategorira: Qeveritarët që kanë ment vetë e dinë ta rregullojnë shtetin me squatësinë e tyre, këta janë më të mirët: qeveritarët që s´kanë ment vetë, po përfitojnë nga sqotësia e këshilltarëve të tyre, dhe këta janë të mesmit: qeveritarët, të cilët s´janë të zotët as vetë, as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre, dhe këta janë ata më të humburit. Për fat të keq, qeveritarët tanë hyjnë në kategorinë e tretë.

Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës Kabineti i Pykave. Se ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë.Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as ata vetë s´dinë të organizojnë, as organizatorët nuk do t´i lenë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kulltukët me çfarëdo çmimi. Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe rushfeti.Me drurin e me forcën brutale po përpiqen të skllavërojnë racën tonë e të përjetësojnë qeverimin tiranik të tyre. Shtypjen e Shqipërisë së Mesme përpiqen tani ta zbatojnë e në prefekturat e tjera, që kështu të mos mbetet asnjë krahinë e gjallë dhe e lirë që të përpiqen t´i kundërshtojnë.
Me rushfetin në formë të ndrydhme, me misione të papemëta (pafrutshme), duke me emërime nëpunës të pazotit, me krijimin e nëpunësirash të ra dhe duke çkallmuar arkën e shtetit, po përpiqen të fitojnë miq e partizanë më të djathtë e më të mëngjër. Nga kjo rrejth defiçiti i buxhetit, i cili është prej 5 meleunash, ndonëse këto 5 meleuno në kartë, nuk duken - shtimi i taksave dhe mospagesa e nëpunësve.

Nga padia prishën në vend që të ndërtojnë, çkulën një udhë moderne të ndërtuar në Berat prej austriakëve dhe e rindërtuan aq bukur sa u çkallmua posa ra shiu i parë. Për të zbukuruar Tiranën rrëzuan përmbi 150 shtëpi e dyqane, pa i çpërblyer popullit para, të cilët mbetën udhëve, dhe Tirana, sot është më e shëmtuar se më parë.Bashkë me barangat e Vlorës që u shitën për dhjamë qeni, jo për banesa, po që të çkulen e të shiten si material, u shitën e disa ndërtesa prej guri të cilat kanë kushtuar qindra mijëra franga. Një ndërtesë e gurtë me një shije të bukur pranë Ujit të ftohtë që ka kushtuar të paktën 300 000 lireta u shit prej qeverisë sonë vetëm 150 000 lireta e tani nuk ekziston më.Një debojë (depo armësh) afër Drashovicës, që përmbante vegla të ndryshme për të ndërtuar udhët që bënte meleunë lireta kishte mbetur e pacënuar gjersa arriu në vesh të qeverisë sonë lajmi i ndodhjes së saj. Po me të dëgjuar qeveria jonë emërtoi një kujdestar, që ta ruante: tërë ky thesar u çduk si me magji në këtë thes, dhe qeveria jonë dërgonte misione jashtë të blinte vegla që të ndërtonte udhët.
Nga padia s´u japin asjnë rëndësi dëgëve të bujqësisë, shëndetësisë e arësimit, degë të cilat janë për Shqipërinë çështje jete dhe vdekje.


Cili është programi ynë

Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotërit e më të ndërshmit. Më të emëruar nëpunësit, duam të merret parasysh dituria, patriotizma, zotësia e nderi. Nuk duam të përjashtojmë asnjë qytetar i cili ka dituri, zotësi e vullnet tëmirë, vetëm e vetëm se hyri pak a shumë vonë në sheshin e Shqipërisë së lirë. Duam ta lartësojmë racën tonë, jo ta skllavërojmë. Duam të respektohet nderi, liria dhe kryelartësia tradicionale e popullit shqiptar. Duam t´i japim popullit liri e jo tirani. Duam ta shtrojmë vendin tonë jo me tru, po me kanun e me drejtësi. Duam t´i rregullojmë financat e shtetit me kursim e jo ta shkatërrojmë shtetin me rushfete e me taksa. Duam të ndërtojmë e jo të prishim. Organizatorët e huaj nuk i duam vetëm për bukuri e për të gënjyer popullin, po për të punuar e për të organizuar me të vërtetë. Duam t´u japim rëndësi kryesore degëve të bujqësisë, të shëndetësisë dhe të arësimit.


Bujqësia

Shqipëria ka pasurinë që duket, e cila është përmbi tokë dhe pasurinë që s´duket, nën tokë. Uroj me gjithë zemër që pasuria nën tokë të jetë më e madhe se sa e kujtojmë, po është marrëzi të kryqësojmë duartë e të presim të gjitha të mirat nga kjo pasuri problematike e të lemë të pazhvilluar pasurinë parimtare, e cila sikundër na sigurojnë të gjithë ekspertët e huaj, është e mjaftë për të ushqyer dhjetë herë më tepër ndenjës(banor) se sa ka Shqipëria sot. Për të zhvilluar pasurinë e tokës, Shqipëria duhet ndarë në gjashtë a shtatë zona bujqësore, me një ekspert agronom shetitës në krye të cilitdo, i cili t´i mësojë katundarët tanë si të mbjellin, si të plehërojmë, si të lërojnë, ç´të mbjellin, si të mbjellin, si të rriten e si të korrin. Me pak harxhe nga anë e shtetit, ndofta më pak se ato që harxhon sot degë e bujqësisë, vendi ynë mund të nxjerrë më shumë drithë, pemë e begëti se sa i duhen për konsumin e brendshëm e të eksportojë tepricën, kur sot pothuaj të gjithë prefekturat importojnë së jashtëmi një pjesë të madhë të ushqimit të tyre.

Shëndetësia
Raca shqiptare po degjenerohet e po shuhet nga malaria, nga sifilia dhe oftika, nga mosmbrojtja e nënave dhe vdekësia e tmerruar e foshnjave. Me pak harxhe mund të merren masa efektive për të lëftuar tretjen e ngadalshme të racës sonë. Duam që Shqipëria të ndahet në 6-7 zona shëndetësore me mjekë ekspertë për sëmundjet e sipërme. Cilado prej këtyre zonave shëndetësore duhet të ketë dy a tri mamira eksperte shëtitëse, të cilat të kujdesen për nënat me barrë e për shëndetin e foshnjave.


Arsimi
Që ta vëmë arësimin në udhë duhet ta mbushim kokën njëherë e mirë që për shkollat e mesme duhet të importojmë mësonj¨s të huaj, me anën e të cilëve të krijojmë mësonjës modernë për të nesërmen. Për këtë qëllim është absolutisht e nevojshme të fillohet një gjimnaz qendror i plotë, me një degë normale, një degë klasike, një degë teknike, një degë tregëtare, me mësonjës të huaj. Shtatë a tetë gjysmë gjimnaze pregatitëse duhen themeluar prapë me mësonjës të huaj nëpër qytete më me rëndësi për të ushqyer gjimnazin qendror. Veçanërisht duhet të importojmë mësonjës ekspertë të gjimnastikës e të muzikës, për të forcuar trupin, për të zbutur shpirtin e racës së re.

Nëpër katundet duhet adaptuar sistemi i mësonjësve shëtitës. Pastaj shkollat tona duhen frymëzuar me një mënyrë të atillë që të rriten njerëz për punë e qytetarë me karakter.
Problemet e sipërme e veçanërisht atë të arësimit s´mund ta zgjidhë një kabinet prej të paditurish dhe mediokrësh si i sotmi. Shërimi, pra, është në ndërrimin e kësaj guverne. Këtë e ka populli në dorë në zgjedhjet e afërme. Po që të mundin zgjedhjet të japin përfundimin e dëshëruar duhet siguruar vota direkte dhe e fshehtë drejt për drejt prej tërë popullit. Kam besimin të plotë që populli ynë është mjaft i zgjuar sa të dijë si ta përdorë votën e tij; jam i sigurtë që populli ynë është mjaft trim sa të votojë ashtu si i thotë ndërgjegja. Populli ynë vojti mjaft prej kësaj guverne sa të mos gënjehet t´ia japë votën përsëri. Se janë dhe do të mbeten të vërteta fjalët e presidentit martir të Shteteve të Bashkuara i cili ka thënë " Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë, mund të gënjesh tërë popullin për ca kohë, po kurrë s´mund ta gënjesh tërë popullin për tërë kohën".


Botuar më 1923


No comments: