Në tavolinën time të punës qëndron një foto. Nuk është
një foto familiare apo foto pushimesh si mund të ndodhë rëndom që njerzit të
mbajnë në tavolinat e tyre të punës, apo dhe ndonjë foto e vjetër kujtimi të
paraardhësve që mbush me krenari dhe të sotmen. Jo, është një foto e thjeshtë e
një pikture bardhë e zi e shkrimtarit Ismail Kadare. Të kuptohemi, jo sepse nuk
kam foto familjare, pushimesh apo paraardhësish të suksesshëm, por mendoj se në tavolinën e punës, vendi i duhet
lënë mjeshtrave të mëdhenj të fjalës. Është një foto- skicë pikture e thjeshtë
e tij e shkëputur nga një libër i
pëmbledhjeve të tij të poezisë së mesit të viteve 70-të. Nuk është foto nga
këto të sotmet, me retushim e shkëlqim, as me sfonde pompoze mbrapa, por me një
dritë hije bardhë e zi , ku mes xhamave të trashë të syzeve të tij, shkëlqejnë
sytë intiligjentë. Duket sikur kjo foto është në harmoni dhe me përmbledhjen
poetike, ku pasqyrohet vepra më e mirë e tij poetike që nga vitet 50-të e deri
në mesin e viteve 70-të. Pse e them këtë gjë? Sepse në dallim nga foto të tjera
shkrimtarësh e poetëve që u botohej vepra në vitet 70-të, portreti i tij ngjan
modern, bashkëkohor. Nuk ka aty atë shikimin e përhumbur drejt së ardhmes që
moda zhdavoniste ua kish përcjellë të gjithëve, as kostumin e gravatën serioze
të patriakalizmit shqiptar që dëshironte të imponohej gjithandej, në të
kundërt, shkrimtari e poeti është i veshur me një golf që i mbulon grykën dhe
që e bën krejt të veçantë portretin e tij ndaj gjithë tufa e shkrimtarëve të
tjerë të Realizmit Socialist.
Në fakt, ajo çfarë
e ka karekterizuar jetën dhe veprën e tij është modernizmi, një fjalë që
publiku masiv shqiptar e ka zbuluar duke lexuar veprën e tij. Të jemi të sinqertë,
jo se nuk ka shkrimtarë të tjerë shqiptarë që kanë influencuar në shijet e
lexuesve, por askush nuk ka pasur një audiencë kaq të gjerë e të larmishme si
Kadare. P.sh të gjithë shkrimtarët shqiptarë janë tunduar të trajtonë si temë
kundërvenien e shqiptarëve me të huajt, hendekun dhe keqkuptimet midis dy
kulturave të ndryshme. Mirëpo, pothuajse të gjithë e kanë parë si heroike, si
epikë pa mbarim, njëfarë “Iliade”, ku dyluftojnë vetëm heronj, pa pikëllimin e
trishtueshëm të vrasjes së Hektorit dhe zvarritjes së tij në tokë, ndërsa
romani i parë i Kadaresë “Gjenarali i Ushtrisë së Vdekur” i ka të gjitha
emocionet e botës njerëzore. Aty bashkëjetojnë edhe fitorja edhe humbja , edhe
dhimbja edhe gëzimi, edhe satira edhe cinizmi. Me pak fjalë është një vepër
universale , që lexohet nga të gjithë, në çdo kohë dhe epokë , dhe që nuk
përcjell kumte vetëm të njohura për lagjen e autorit apo një audience që nuk
shkon më tepër se Shqipëria, por gjithë njerëzimi. Këtë karekteristikë e kanë
të gjithë romanet e Kadaresë, ndaj është shkrimtari më i lexuar në Shqipëri,
ndaj është shkrimtari shqiptar më shumë i pranuar nga bota letrare edhe jashtë
vendit.
Mirëpo të këtij mendimi nuk janë të gjithë shqiptarët.Mes
tyre, shquajnë që nga ata që mund të lidhin dy vargje e deri te shkrimtarë
profesionistë, analistë, intelektualë etj. Sigurisht është fat i mirë që jo të
gjithë jemi në një mendje, pasi kështu mund të dialogohet më mirë për një vepër
letrare, por është fat i keq që ana letrare e kësaj vepre dhe gjykohet fare,
dhe në skenë thërriten fakte nga jeta e shkrimtarit që s’kanë të bëjnë
aspak me veprën e tij. Të tillë janë
p.sh dy letrat e fundit të publikuara nga një gazetë të së vesë së Diktatorit,
“kasafortës” së tij në gjallje e pas vdekjes, ku shkrimtari shqiptar sipas
kritikuesve bën më të paimagjinueshmen: i kërkon një shtëpi! Ky argument banal që sëbashku me argumenta të
tjerë trajtohen herë pas here në shtypin shqiptar duken sikur janë një lloj
adrenaline dashakeqëse për të kuruar gjithë xhelozitë provinciale të
shqiptarëve. Sado që sindromi i rrëfenjëzës që tregon Konica mbi shqiptarët që
s’dinë se ç’dhuratë të marrin për një të mirë që kanë bërë, përveçse se i bëjnë
keq njëri-tjerit tingëllon si një realitet surealist që egsiton vetëm në
imagjinatën e Konicës, në të vërtetë ai është pjesë e pandashme e jetës sonë e
që nxjerr krye sa herë në horizont shfaqet ndonjë vlerësim ndërkombëtar për
ndonjërin nga ne. Në këtë sens Nënë Tereza është e shpëtuar që e mori çmimin
Nobel e propozuar nga jashtë, jo si qytetare shqiptare, se po të ishte për nga
Shqipëria, “hulumtuesit tanë shumë të zellshëm”
do të zbulonin se vëllai i saj kish qenë oficer në forcat kuislinge me
italianët, madje madje kish qenë hieararku kryesor që kish dhënë të gjitha
dënimet, e se për këtë gjë viktimat e fashizmit nuk mund të falnin dhe
gjithandej do organizoheshin dhe do shkruanin letra e deklarata që Nëna e
shenjtë të mos e meritonte atë titull. Me pak fjalë sharro degën ku qendron e
ke bërë fole, për të bërë dru, pa pyetur
se po e rrëzon gjithë shtëpinë! Për të gjithë ata që janë njerëz të letrave
është shumë i qartë cinizmi dhe mënyra sesi i trajtonin Perënditë e Olimpit
komunist të “thjeshtët”, shkrimtarët. Gjithkujt mund ti vij ndërmend rasti i
Bulgakovit, autorit të romanit të famshëm “Mjeshtri dhe Margarita”, i cili sa
ishte gjallë Stalini asnjëherë nuk botoi asnjë libër por gjithmonë telefonohej
nga diktatori për ti dhënë shpresë.Rasti i Kadaresë s’është i tillë pasi ai ka
botuar vepra letrare por cinizmi i diktatorëve s’do mend që është i njëjtë dhe
mund të shfaqet në formën e kujtesës së një kërkese për shtëpi apo pretendimin
për faljen e një dorëshkrimi që s’ndodh asgjëkund. Për më tepër cinizmi, kur
nuk dënohet e nxjerr kokën dhe shumë vite më pas, si rastësisht për tu vënë
sërish në qendër të vëmendjes e përpjekur të sfumojë, një vepër letrare. Krimi i madh i Kadaresë në letrën dërguar
Nexhmie Hoxhës ishte se kërkonte një shtëpi me sipërfaqe më të madhe, në një
kohë që ishte një nga shkrimtarët më të lexuar në Evropë dhe jetonte në 50m2!
Po mirë, a u ka shkuar ndonjëherë në mendje këtyre
“shkrimtarucëve” të vegjël që bëjnë apologjitë e moralit, se ku shkonin paratë
e fituara nga shitjet e librave të autorit? Apo ska gjë,e drejtë e autorit le
të jetë shkelur, gjërat nuk i dimë por korin e ndrikullave që flasim kot edhe
mund ta bëjmë. Cila do ishte rruga për të përfituar një shtëpi? Ti shkruante
kryetarit të frontit të lagjes? Ta diskutonte në mbledhjet e organizatave të
masave, ku ndoshta do ti kthenin përgjigje se është para teje në listë veterani
X luftër i shquar i luftës dhe i punës, apo novatori Y që po çan bllokadën me
risitë e tij në prodhim?
Është për të ardhur turp me këtë gjë që i ndodh
shkrimtarit tonë të madh çdo fillim tetori. Nuk i besoj teorive të
konspiracionit por nuk arrij ta kuptoj se çështë kjo stuhi denigrimi dhe
përbaltje që ngrihet vit pas viti kundër shkrimtarit Kadare? Në vëllimin në fjalë prej nga kam foton që
mbaj në tryezën time të punës, janë të përfshirë pothuajse të gjitha poezitë e
tij më të mira, jo ajo që i dedikohej Stalinit dhe që “studiues shumë të
zellshëm” për të hulumtuar nga arkivat, e nxorrën në dritë nga faqet e
zverdhura të së harruarës Zëri i Rinisë, por janë poezitë që na drithërojnë
ende shpirtin si “Mall”, apo “Në Parkun që mbuluan fletët”, poezitë që ende
shkaktojnë dhembje si “Mësueset e
fshatit”, por dhe “Përse mendohen këto male” dhe “Vitet 60’që paskan ndihmuar
për të rrënjosur nacional-komunizmin si pretendojnë disa dekonstruktues, a thua
se krenaria për atdheun përbëka një krim të dënueshëm. Gjithsesi, sido që të
jenë zërat kritikë apo dashamirës, asnjë smund ta mohojë faktin se e tërë vepra
e Kadaresë rrezaton një talent të madh, që për çdo komb do të ishte një nder i
veçantë për ta pasur si kod përfaqësues dhe deshifrimi të tij e aq më tepër,
kur kjo vepër tërheq vëmendjen e lexuesve botërorë dhe mund të vlerësohet me
çmimin e madh Nobel. Në fund të fundit Ars longa, vita brevis- Arti është i pavdekshëm, jeta është e
shkurtër thonë latinët, por një pjesë e
vdekëtarëve të sotëm që me
cinizmin e tyre s’po e vlerësojnë artin e vërtetë, duhet të mendojnë se pasardhësve të tyre do tu vijë rëndë që i
patën gjyshërit të rreshtuar në llogoret e së keqes.
Gazeta Shqip 3.10.2012
1 comment:
Artikull shume i mire . Problemi trejtohet me dashamiresie duhur ndja nej figure t emadeh sic eshet Kadare. vepra tij t eben krenar. n ejeten egjithekujt mund t egjenden plot emomente, qe nese i gjykojmeme kuti ne sotem nuk vene dhe aq mire. Por po ti shohesh ne sfondine kohes qe jetonte Kadare ka bere gjithnje diferencen, ka hedhur gjithnje nje veshtrim perpara edhe kur ngjarjet ne shkrimet e tij i vendoste ne epriudha te hereshme per periudha te hereshme. Sa qesharak duket fakti qe t ekeqen dikush tenton ta gjej edhe ne ekrkesen e tij per nje zgjerim ne banese. Po kujt duhej tia kekronte ai kete? Sigurisht shtetit te atehereshem. Problemi yne eshet qe duhet te krijojme bulevardine Yjeve. Atje e ka vendin Kadare
Post a Comment