Friday 25 November 2011

Vashave të moshës sime




Shoqet e mia, bashkëmoshataret e mia
të rritura mes dy kohësh si lule në saksi
të ardhura nga vetëpërmbajtja e madhe
e tutave sportive, pantallonave stof me
përparëse përsipër,sapunit 15 lekësh me “erë”
syve të lyera fshehurazi me rimel
të etura për të jetuar pak shfrenim
për pak shampoje “Panten” dhe çamçakëzi grek
për pakëz “Modern Talking” dhe “Skorpions”
muzikë që të ngjeth
më vini papritur të gjitha në pasqyrë
si shpirtra pa zë që shenjë lini vetëm me frymë
dhe ca buzë të mekura , të thata pa ngjyrë
të rilindura papritur në memorie të trishtë
diku në kronika të zeza,”F.P u rrëmbye në rrugë
M.S u gjet në kazan plehrash e goditur me thikë”
Shoqet e mia , bashkëmoshataret e mia,
ju ishit të pafajshme dhe gjithë jetë
me të qeshurat tuaja dhe lehtësitë
viteve të zymtë 90’ u dhatë dritë
të harruara diku mes pentagramesh muzike
të fishkëllimave sinjale për të dalë në dritare
një pjesë të ikur larg, shumë larg
për të ngrohur shtretet e avokatëve pleq
të treguara mirënjohëse për ndihmën e dhënë
që ju ka rikthyer prapë në jetë
një pjesë të mbetura këtu në qytetin e madh
më të reja se ç’ishit herët në adoleshencë
përkrah me çrregullime gjenetike të veshur
me kostum e me flokë me xhel
me BMW X5 dhe me arrogancë-
shoqet e mia, bashkëmoshataret e mia
kur qëllon që shkëmbehemi në rrugë
dhe fytyra si diell u shkëlqen
unë e marr gjithmonë me vete
dhe i vë gjerdan tek pasqyra
që në kujtime të ëmbla më mbërthen
dhe ashtu si në përrallë kur pyes
se kush janë më të bukurat në këtë dhe
gjithmonë, por gjithmonë ju më kujtoheni
të pafajshme, të kolme, të hajthme
në bulevardin  e së paharrueshmes
shkollë të mesme, uniforme , të njëtrajtshme


Tiranë 25.11.2011













No comments: