Saturday 26 November 2011

Ridimensionimi i komunikimit politik...



Parabola është një nga mënyrat  e të përçuarit të kumtit politik dhe shoqëror që ka një përdorim të gjerë pothuaj në të gjitha vendet e Lindjes. Si, e tillë duke qenë se është dhe pjesë e ligjërimit biblik ka gjetur strehë dhe në mendimin politik evropian. Gjithsesi në Perëndim ajo nuk është pjesë e retorikës publike dhe ka shërbyer më tepër për të përforcuar moralin në shoqëri sesa për të përçuar mesazhin politik si ndodh rëndom në shoqëritë e ish-Lindjes komuniste. Duke qenë se mesazhi, shpesh herë jepet i nënkuptuar dhe kërkon një përqendrim të madh për të bërë analogjinë dhe për të kuptuar metaforën, parabolat dhe anekdotat nuk këshillohen në ligjërimin  politik pasi ato e lodhin elektoratin dhe mund të sjellin pak a shumë një klimë keqkuptimi midis tij dhe politikanëve. Mirëpo këtë efekt negativ të tyre, politikanët tanë që garojnë për zgjedhjet kanë filluar ta anashkalojnë pasi mendojnë se duke u ulur në nivelin që ata besojnë se kanë zgjedhësit do të bëjnë të mundur të fitojnë më shumë vota prej tyre. Nëse këtë aksiomë e marrim për të vërtetë atëherë mund të themi se kandidatët ose nuk e njohin mirë elektoratin e vet ose nuk arrijnë dot që të kenë nivel të lartë përfaqësimi. Personalisht dua të besoj më shumë për të parën, gjë që natyrisht nuk i shfajëson ata por të paktën jep shpresë se diçka mund të përmirësohet rrugës në komunikimin politik.
Qytetari shqiptar dhe kryesisht ai i bashkive të mëdha mund të themi se është një qytetar që has të njëjtën problematikë që përballon dhe qytetarët e tjerë evropianë të qyteteve të mëdha evropiane. Ato shtrihen kryesisht në qeverisjen më të mirë, taksat, menaxhimi i hapësirave dhe shesheve publike, transporti publik dhe ndërtimi i një infrastrukture sa më të denjë shpirtërore. Kjo problematikë e përbashkët i ka mprehur shqisat e perceptimit qytetar të ofertës politike, çka mund të sjellë me të vërtetë një ndryshim të madh në mënyrën e të bërit politik në Shqipëri por dhe në reagimin e vetë zgjedhësve. Kjo masë njerëzish që dikur është konsideruar amorfe dhe që ka ndjekur verbazi qoftë majtas apo djathtas udhëheqësit e vetë politikë në bazë të një tradite të krijuar pas viteve 90’, në proceset integruese që ka hyrë Shqipëria ka filluar të ndërgjegjësohet për rolin e vet dhe aq më tepër nuk e meriton një trajtim të tillë nga ata që presupozohet që duhet ta udhëheqin dhe ndriçojnë për të gjetur vetveten.
Në të njëjtën përmasë shtrihet dhe një faktor tjetër i komunikimit publik si është ai i përdorimit të gjuhës dialektore që shpesh herë kalon dhe në fraza “popullore” që shpreh kulturën e një kategorie të caktuar njerëzish por kurrsesi të masës së gjerë. Natyrisht, motivi pas përdorimit të kësaj gjuhe është ideja se kështu mund të shkrihesh me elektoratin, të bëhesh i pëlqyeshëm dhe rrjedhimisht të përfitosh më shumë vota. Mirëpo si shihet qoftë përdorimi i parabolave dhe anekdotave apo dhe përdorimi i dialektit në thelb nuk afrojnë mesazhin që qytetari pret nga politika, por në të kundërt i afron një lloj spektakli rruge që mund ta bëjë ta vërë buzën në gaz por jo të zgjidhë problemet. Besoj se ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të fillojnë të dëgjojnë një gjuhë më të strukturuar përsa i përket mesazhit politik që ata duhet të marrin dhe ky mesazh duhet të fillojë të përcillet në formën e duhur për tu kuptuar dhe për tu përkthyer në një votë për alternativën më të mirë partiake. Shqipëria e dhjetëvjeçarit të shekullit të XXI, e vendit anëtar në NATO dhe vendit aspirant për të hyrë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian meriton një komunikim publik dhe politik më të mirë mes klasës politike të vet dhe zgjedhësve pasi në këtë mënyrë , zgjedhësit fitojnë vokacionin e tyre politik për tu orientuar qartë për të votuar por dhe për të marrë pjesë drejtë për së drejtë në qeverisjen qendrore dhe lokale nëpërmjet iniciativave të tyre qytetare. Nuk është e rastësishme që në  zgjedhjet e fundit lokale, qytetarët filluan të përfshihen në debate jo vetëm temat e zakonshme të zhvillimeve rajonale por dhe kostot që pëson ambienti dhe trashëgimia kulturore çka dëshmon se ka filluar të maturohet një elektorat që meriton të ndiqet dhe të vlerësohet si i tillë edhe nga klasa e vet politike. Komunikimi politik si pjesë përbërëse e strategjisë politike të kandidatëve dhe të alternativave partiake që ata përfaqësojnë, kërkon të përpunohet në drejtimin e duhur për ti dhenë shansin zgjedhësve që jo vetëm të zgjedhin më të mirën mes alternativave por dhe ti përshtatet trendit të sjelljes së shumicës cilësore të zgjedhësve të qyteteve të mëdhenj, për të ndihmuar në këtë mënyrë dhe qytetarët e tjerë zgjedhës të rajoneve të tjera të Shqipërisë të kthehen nga votues të zakonshëm në qytetarë evropianë aktiv. Ndryshimi i madh që pritet në politikëbërjen shqiptare për të shmangur tensionet dhe acarimet e  lodhshme nuk mund të vijë vetëm nëpërmjet publikimit të librave eseistikë apo komenteve të shkurtra me 140 karaktere të rrjetit social Twiter por kërkon një njohje më të mirë të psikologjisë dhe mentalitetit të elektoratit për ti fituar në këtë mënyrë jo vetëm zemrën por dhe mendjen.
Pas njëzet vjetësh rrugëtimi të vështirë ku shpesh herë fjala ka ngecur “ters” dhe është bërë kockë në fyt që ka mbytur gjithë dialogun politik në Shqipëri, ka ardhur koha që ajo të marrë dimensionin dhe fuqinë e duhur për të përmirësuar diskursin politik. Një shoqëri që dështon të ndërtojë institucionin e fjalës s’mund të pretendojë të ndërtojë shoqërinë moderne të komunikimit, pasi sa më tepër varfërohet në ide ky i fundit aq më shumë degradon shoqëria në një  maskaradë pasionesh dhe inatesh të verbëta. “Në fillim ishte fjala” , është sentenca e vjetër në Bibël  duke shprehur në këtë mënyrë rëndësinë e komunikimit mes njerëzve dhe Zotit. Kjo referencë kulturore kaq e rëndësishme duhet të shtrihet në nivelin e politikës së përditshme për të filluar dhe ndërtuar komunikimin dhe dialogimin aq të rëndësishëm në një demokraci funksionale.


Gazeta "Shqip" 26.11.2011


No comments: