Saturday 12 November 2011

Politikë dhe besim fetar


Punimet e fundit të kongresit të Partisë Socialiste kanë filluar të përcaktojnë dhe temperaturën e klimës politike në vend. Pa u mbyllur akoma debatet për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale, shqiptarëve do u duhen të dëgjojnë sërish debatet shterpë për zgjedhjet brenda Partisë Socialiste. Si zakonisht nuk do të mungojnë të dyja pikëpamjet, kryesia që do të këmbënguli që në Partinë Socialiste ka liri me tepricë dhe një palë të tjerë  që do të këmbëngulin në idenë se ajo mungon. Sigurisht që s’ka asnjë gjë të keqe që brenda një partie të ketë një debat të shëndoshë se cila rrugë do të ishte më e mirë për të ardhur në pushtet, por natyra dhe mënyra e këtyre debateve sesi zhvillohen  ka filluar të sjellë një lodhje të stërzgjatur për qytetarin shqiptar pasi thelbi i tyre nuk është esencial dhe i konkretizuar në qeverisjen e mirë por shpesh herë në ngjarjet e lodhshme të pakënaqësisë mes figurave të ndryshme të Partisë Socialiste dhe qejfmbetjeve për mosaktivizim aktiv në jetën e partisë. Në këtë sens këto debate të kësaj natyre janë shumë larg filozofisë politike të majtë që kërkon të përfaqësojë denjësisht qytetarin dhe ti përgjigjet atij drejtë për së drejtë për të gjitha shqetësimet dhe problematikat e tij. Një filozofi e tillë filloi të përfaqësohej në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore ku proverbiale mbetet përgjigja e   kryeministrit anglez Harold MacMillan-in gjatë viteve (1957-1963) ndaj pyetjes sesi përcaktoheshin vendimet e  qeverisë së tij, ai iu përgjigj gazetarëve Events,dear boy events -Ngjarjet, i dashur djalosh , ngjarjet. Me këtë ai kish parasysh kërkesat që dilnin nga organizimi i grevave të sindikatave por dhe veprimet që duhet të ndërmerreshin nga fatkeqësitë e natyrës apo rënia e bursës etj. Në fakt atë çka perifrazonte Kryeministri anglez ishte problematika e ditës për të cilën qytetari është shumë i interesuar për të pasur zgjidhje pasi ka efekt të drejtë për së drejtë mbi jetesën dhe të ardhurat e tij.
Për fat të keq në Shqipëri edhe pse politika dhe filozofia e saj pretendohet që modernizohet dita ditës vazhdon të jetë larg këtij perceptimi. Madje, në politikën shqiptare ndodh që dhe kur merren vendime që janë pranë ndjenjave shpirtërore të një mase të madhe qytetarësh, këto nisma janë shumë të vonuara ose kuptohet qartë që merren për efekte elektorale çka e vështirëson dhe realizimin e tyre. Një vendim i tillë që bashkoi së bashku parapërgatitjet e fushatave elektorale në Tiranë dhe Durrës për zgjedhjet lokale ishin premtimet që u dhanë për ndërtimin e xhamive Komunitetit Mysliman Shqiptar,asaj në qendër të Tiranës një lutje të kahershme të këtij komuniteti, dhe premtimi i bashkisë të Durrësit për ndërtimin e një xhamie të re në një vend tjetër, vendim që u morr pas konflikteve për territorin që bashkia pati  me myftininë. Premtimi për ndërtimin e xhamisë së re në kryeqytet u përsërit kësaj radhe dhe nga kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha në përshëndetjen dhe vizitën që ai bëri në Komunitetin Mysliman shqiptar me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ky premtim mund të jetë dhënë disa herë nga të gjitha administratat që kanë qeverisur kryeqytetin dhe besoj se përsëritja e tij në çdo festë fetare është bërë një refren bajat që së bashku me atakimet dhe referencat politike që bëhen nga politikanët në ditët e shenjta të festës bëjnë të vënë buzën në gaz  me ironi qytetarët që dhe në ditë të tilla të shenjta nuk i lënë rehat të festojnë, por u kujtojnë sesa pragmatiste është politika dhe se në ç’situatë politike konfliktuale jetojnë.
Këto dy vendime përveç simbolikës së tyre që përfaqësojnë në fakt shënojnë dhe një “risi” të re të politikës shqiptare për të bërë pjesë të problemit të vet dhe pushtetin hyjnor. Politika në Shqipëri deri tani duke respektuar karakterin  sekularist  të shtetit dhe traditën e  hershme të bashkëjetesës fetare nuk kishte tentuar që të përfshinte brenda polemikave të saj këtë pushtet , gjë e cila fatkeqësisht  ndodhi  në replikat e forta që u shkëmbyen midis Ministrisë së Transportit dhe Bashkisë, pasi kuptohet se lufta për Bashkinë e Tiranës ishte e ashpër. E njëjta gjë ndodhi dhe në Durrës dhe ndoshta dhe më gjerë duke e shpërhapur fenomenin. Pa hyrë në analizë të hollësishme se kush ka të drejtë në debatet që u hapën në Tiranë dhe në Durrës në prag të zgjedhjeve lokale dhe ndoshta dhe  më gjerë, duhet nënvizuar fakti  se ky model i përfshirjes së komuniteteve fetare dhe ndjeshmërive fetare në politikën e ditës është i  dështuar.
 Në parlamentin e parë shqiptar të viteve 20’, grupimet që u ndërtuan mbi baza të tilla si ai “Orës së Maleve” që përfaqësonte popullsinë katolike të veriut, i grupit të deputetëve të Korçës që përfaqësonte një pjesë të popullsisë ortodokse dhe ai i çifligarëve myslimanë rreth Shevqet Vërlacit nuk përfaqësuan histori suksesi  pasi shumë shpejt u pa se ndarje dhe politika të tilla dëmtonin bashkimin kombëtar dhe kohezionin social të shoqërisë së sapo formuar të qytetarëve shqiptarë. Respektimi i traditës së hershme të bashkë ekzistencës paqësore dhe mospërfshirjes së komuniteteve fetare në politikë qoftë dhe tërthorazi prej palëve të tjera, duhet të vazhdojë të jetë një vektor që lidh të shkuarën me të ardhmen në Shqipëri. Politika shqiptare duhet të jetë e para që duhet ta respektojë këtë parim pasi në të vërtetë kjo është dhurata më e madhe që u bën besimtarëve të kujtdo besimi fetar në Shqipëri.


No comments: