Monday 21 November 2011

Përkujdesje dhe përkushtim i munguar...




Shqipëria është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që në vitin e largët 1955. 10 vjet më vonë se data e themelimit të saj. Kjo vonesë në hyrjen e Shqipërisë në O.K.B nuk ndodhi si rezultat  i izolimit të Shqipërisë apo mohimit të saj për tu anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare si ndodhte rëndom në politikat që ndiqte shteti komunist shqiptar, por më së tepërmi ishte një vendim i fuqive demokratike të kohës që hezitonin të njihnin regjimin diktatorial të Tiranës. Edhe pse kjo vonesë në pranimin e Shqipërisë rrezikonte ekzistencën e shtetit shqiptar dhe nuk shikohej mirë as nga diaspora anti-komuniste në mërgim, prapëseprapë pavarësisht këtyre efekteve kjo masë përpiqej të ndikonte në frenimin e shtypjes dhe mohimit të së drejtave të njeriut në Shqipëri .Mirëpo gjeopolitika e kohës dhe interesat  Bashkimit Sovjetik bënë të mundur që Shqipëria të pranohej pa i respektuar këto të drejta që ishin të sanksionuara dhe në Kartën Themeluese të O.K.B dhe rrjedhimisht regjimi komunist të konsiderohej partner i shteteve të tjerë sipas së drejtës ndërkombëtare. Automatikisht sëbashku me pranimin e Shqipërisë  në O.K.B duhej që dhe festat e miratuara nga ajo të bëheshin pjesë e kalendarit zyrtar të shtetit shqiptar. Mirëpo , regjimi komunist duke e konsideruar O.K.B –në vetëm si një organizëm të nevojshëm për afirmimin e vet në arenën ndërkombëtare dhe jo si një organizëm ombrellë të shteteve të lira dhe të pavarura, nuk mënoi që të vinte sërish në funksion logjikën e vet të izolimit dhe në këtë aspekt duke ndjekur një traditë tjetër përsa i përket këtyre festave. Kështu p.sh në një datë që konsiderohet si dita ndërkombëtare e fëmijëve 1 qershori, me një origjinë jo të saktë se përse ishte zgjedhur e tillë u caktua si dita që do të nderonte përkushtimin e shoqërisë ndaj fëmijëve , kurse O.K.B-ja si ditë universale të tyre vendosi datën 20 nëntor që ishte një ditë më vonë se dita e universale e njeriut, data 19 duke bërë kështu një lidhje organike mes tyre dhe një festë 48 orësh të prindërve dhe fëmijëve. Po kështu  data 20 nëntor është dhe dita kur më 1959, Asambleja e Përgjithshme e O.K.B-së miratoi Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve dhe 30 vjet më vonë në të njëjtën datë u miratua dhe Konventa e të Drejtave të Fëmijëve që është nënshkruar nga 191 vende deri më tani.
Detyrimet dhe të drejtat që dalin nga deklarata dhe konventa për të drejtat e fëmijëve që Shqipëria i ka nënshkruar me kohë, natyrisht që nuk janë të drejta dh detyrime që shoqëria shqiptare t’i kujtojë vetëm në ditën e fëmijëve. Çdo shtet që është serioz dhe që dëshiron të sigurojë një zhvillim të vazhdueshëm të shoqërisë së tij i duhet që kujdesin ndaj fëmijëve ta konsiderojë një prioritet kombëtar. Eksperienca e vendeve të tjera me demokraci të qëndrueshme ka treguar se qëkur këto vende bënë për vete parimet e mbrojtjes universale të qytetarëve të vet duke i kushtuar një vëmendje të veçantë të drejtave dhe mirëqenies së fëmijëve, ato lanë pas erën e vjetër të paditurisë dhe individualizmit të skajshëm dhe afirmuan veten si demokraci të qëndrueshme dhe universale për të gjithë. Tradita dikensiane e trajtimit të problemeve të fëmijëve dhe thirrjeve për ti zgjidhur ato u bënë kryefjala e gjithë aktivistëve të shoqërisë civile kudo në Evropë. Në Shqipëri edhe pse kjo erë për hir të së vërtetës ka fryrë shumë herët prapëseprapë në regjimin komunist kishte probleme pasi fëmijët që u përkisnin shtresës së margjilizuar të të përndjekurve politikë nuk i gëzonin të gjitha të drejtat si bashkëmoshatarët e tyre. Ndaj tyre ndiqej e njëjta politikë përçmuese dhe denigruese si ndaj prindërve të tyre duke demaskuar kështu pa dashje fytyrën e vërtetë jo humaniste të komunizmit shqiptar.
Vitet që pasuan pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri shënuan disa nga faqet më të errta të historisë moderne të shqiptarëve përsa i përket të drejtave dhe trajtimit të fëmijëve. Me qindra fëmijë ranë pre e trafikimeve nga ana e grupeve kriminale që lulëzuan kudo në Shqipëri duke shkaktuar drama të mëdha njerëzore. Po kështu fëmijët u bënë subjekt i shfrytëzimit të egër të tyre në punë të papërshtatshme për të mbijetuar në skena dhe ngjarje që të kujtonin Anglinë Viktoriane të Dikensit. Organizata të ndryshme joqeveritare që vërshuan në Shqipëri u munduan që të vendosin pak rregull në këtë kaos të madh social por ashtu si shpesh herë ato përmirësuan situatën po aq herë ishin dhe përgjegjëse për përvetësimin e ndihmave që bota demokratike mundohej tu jepte fëmijëve të munduar shqiptarë. Raste të shumta të publikuara në shtyp por më tepër ato që ndihen dhe perceptohen në popull tregojnë se çështja dhe trajtimi i të drejtave të fëmijëve për fat të keq u kthye për një grup të vogël në një biznes fitimprurës. Kjo situatë edhe pse mund të duket që ka ndryshuar shumë kohët e fundit më tepër si fuqizim i pushtetit të katërt-medies,përforcimit të ndërgjegjes së qytetarëve shqiptarë dhe shtetit shqiptar për fat të keq vazhdon të shfaqet herë pas here, sigurisht në përmasa më të vogla dhe më të kamufluar. Kështu p.sh shumë biznese punësojnë shumë fëmijë që nuk i deklarojnë fare si punonjës apo disa prej tyre detyrohen të lënë shkollën në zonat rurale për ti ardhur në ndihmë familjes në punët e përditshme blegtorale-bujqësore.
Një aspekt tjetër dominues i të drejtave të fëmijëve është se shpesh herë ato nuk kuptohen si të tilla dhe abuzimi vjen krejt natyrshëm dhe në mënyrë të pandërgjegjshme. Kështu thirrjes së herëpashershme  të shoqërisë civile drejtuar ndaj politikës për të mos përdorur imazhin e fëmijëve apo dhe vetë ata në fushatat elektorale i është përgjigjur një zë justifikues i prindërve militantë që në këtë gjë s’ka asgjë të keqe! Këta prindër harrojnë se përvese të drejtave të tyre natyrale si prindër mbi fëmijët e tyre ka dhe të drejta universale që e tregojnë qartë se përdorime të tilla nuk janë të lejueshme ndaj mbetet që të bëhet një punë më e madhe informuese në këtë drejtim. Mënyra sesi i trajton fëmijët një shoqëri është dhe do të mbetet një etalon matës sesa e emancipuar dhe demokratike është ajo shoqëri. Në këto 20 vjet tranzicioni pasi jemi munduar që të ndërtojmë karabinanë e demokracisë efektive ka ardhur koha që të plotësojmë tërë hapësirën e kësaj shtëpie të madhe për të gjithë. “Fëmijët janë e ardhmja”, është një slogan rutinë që e përsërisim gjithmonë çdo vit në rast festash të fëmijëve, por kur do të fillojmë vërtetë ta ndjejmë këtë fjali jo më si rutinë por si postulat përcaktues i ndërgjegjes sonë atëherë me të vërtetë do të maturohemi si shoqëri. Para se të prodhojmë për fëmijët spektakle ku ata kopjojnë të rriturit le t’i bëjmë ata të jetojnë vërtetë femërinë e tyre nëpërmjet krijimit të kushteve më të mira psikologjike dhe materiale. Sfidë me të vërtete e madhe, por si çdo sfidë që ka të bëjë me të ardhmen ajo duhet projektuar mirë që në të sotmen, ndaj duhet kthyer në një prioritet të të gjithëve dhe shoqërisë.


No comments: