Friday 4 November 2011

Dialog dhe konsensus


Javët e para të tetorit filluan duke komentuar mundësitë e një konsensusi politik midis dy palëve dhe u mbyll me një seancë parlamenti para përgjigjes të Komisionit për statusin e Shqipërisë, ku ky konsensus dështoi. Për të folur me tema më konkretë Partia Socialiste nëpërmjet kryetarit të vet ka propozuar një pakt politik  prej 10 pikash që e quan Pakti i Integrimit të vendit dhe pret që qeveria e Integrimit ta miratojë pikë për pikë që vendi ti hapet perspektiva e integrimit. Si mund të vërehet lehtë dhe nga pikëpamja e semantikës, togfjalëshat fillojnë dhe ngatërrohen dhe vërviten rreth Integrimit  përpara se mesazhi të jetë i qartë për politikanët dhe për masat më të gjera. Mirëpo ky realitet nëse është i ngatërruar nga pikëpamja e semantikës është shumë qartë i dukshëm për lojën politike që në vetvete mbart. Që nga zgjedhjet e vitit 2009, kur u bë i qartë se pavarësisht disa ndryshimeve kushtetuese, sërish disa ligje kishin nevojë për një shumicë të cilësuar të përbërë nga tre të pestat për tu miratuar në parlament, opinioni publik ka qenë dëshmitar i një loje elektorale në fillim apo dhe në fund të legjislaturave, ku shumica ka futur në rendin e ditës këto ligje për tu miratuar dhe opozita duke qenë gjithmonë vigjilente ka deklaruar se nuk do ti votojë. Pastaj ka pasur deklarata të forta nga të dy grupet parlamentarë në të cilat si zakonisht në kontekstin e shoqërive shqiptare, “faji mbetet jetim”, dhe akoma dhe më keq situata ka agravuar në sharje dhe fyerje të ndërsjella duke tensionuar më shumë klimën politike në vend.
Ky film me ngjyra, zë dhe figurë që opinioni publik po e sheh pothuajse gjithmonë në prag të dhënieve të opinionit të komisionit Evropian për statusin kandidat të Shqipërisë, i ka lodhur strukturat administrative ndërkombëtare  që merren me Shqipërinë por dhe ka krijuar një klimë mosbesimi brenda vetë popullsisë shqiptare përsa i përket arritjes së një marrëveshje politike mes palëve. Ajo që me të vërtetë duhet të na shqetësojë në këtë lodhje të tyre ndaj nesh nuk duhet të jetë ndonjë shpresë e vakët se për hir të mosmarrjes më me ne do të ketë ndonjë “dhuratë” statusi sepse kështu ndoshta e kanë marrë dhe të tjerët, por si mendojmë ne se do të zgjidhim nga mënyra politike dhe administrative ngecjen në vend në procesin e integrimit. Se ku të çojnë statuset e pamerituara dhe të dhëna sa për inkurajim e tregon rasti i Greqisë që ndoshta ia doli mbanë për një periudhë kohe të hyjë në klubin e eurozonës dhe të quhet një shtet prestigjioz në arenën ndërkombëtare përsa i përket reputacionit të vet financiar, por tashmë po poshtërohet përditë në një krizë që e ka kapluar të tërën dhe që është bërë shpesh herë dhe objekt talljeje dhe cinizmi nga aleatët e vet të eurozonës. Ndaj kandili i shpresës së vakët për të përftuar një status me reforma mballomë duke votuar vetëm ligje me tre të pestat por duke mos ndryshuar mentalitet përsa i përket zgjidhjes së problemit të ngecjes në vend të reformave duhet të fiket sepse në të ardhmen s’do të jetë në gjendje që të lëshojë qoftë dhe një shkëndijë drite në qiellin e jetës dhe politikës sociale shqiptare.
Po kështu duhet të fillojë të ndryshojë dhe deontologjia i konceptit  konsensus duke mos u përqendruar më tek fjala “jap” por duke u fokusuar tek folja lëshoj. Të hysh në një marrëdhënie konsensusi midis dy palëve do të thotë që të jesh gati të lëshosh dhe të ndryshosh disa nga qëndrimet e mëparshme për hir të interesit të përgjithshëm e publik. Po çfarë është gati të ndryshojë nga kërkesat  veta Partia Socialiste? Po ajo Demokratike çfarë është gati të ndryshojë nga pikat që i quan të panegociueshme? Këtu filli i problemit shqiptar fillon dhe ngatërrohet dhe nga një lojë e ndershme politike kthehet në një teatër kukullash ku personazhet e mirë dhe të këqij ngatërrohen me njëri-tjetrin dhe pothuajse në të gjitha raste ngjallin simpati. Mirëpo nëse integrimi vazhdon të mbetet paradigma kryesore e teorisë së tyre politike, të dyja palët ka ardhur koha që të adaptojnë atë dhe në marrëdhëniet midis tyre ose të kenë kurajën dhe të shpallin një agjendë tjetër të zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor të Shqipërisë. Bota evropiane që mbart në vetvete dhe trashëgiminë e demokracisë antike greke e ka dialogun dhe konsensusin pjesë integrale të kulturës së vet demokratike prandaj është e patolerueshme që vendi ka ngecur institucionalisht sepse nuk është në gjendje të ketë një dialog të shëndoshë politik në vend. “Gur, gur bëhet mur” ishte përgjigja e një pyetje që një nga ambasadorët e huaj bëri kur u pyet se çmendonte rreth dialogut politik që duhet të fillonte në bazë të paktit të propozuar. Më hapur , më bukur dhe më shqip nuk ka se ku të shkojë. Të shpresojmë se vjeshta e lagësht është i përshtatshme për metaforat e ndërtimeve konstruktive në politikën shqiptare. 


No comments: