Kam qenë dikur një asket
që shpirtin s’dija kujt t’ia jepja
që bridhja rrugëve si rrugaç
e vetëm pija, pija, pija
Zvarritesha trotuareve
si zvarranik i kohërave moderne
me flokë të gjata përmbi supe
me epsh të muzgjeve eterne
Por s’di se nga erdhe ti
si një vegim i vetëtimshëm
fluide,fllad, perri
si një diell i mrekullueshëm
E unë tu dhashë, si të mos jepesha
flladit që në zemër më frynte
shpirtin që ma mbushte me gaz
e as në ëndrra të qetë s’më linte
U bëra kozmopolit
pijen lashë, oh ç’grua e ligë!
I qetha flokët shkurt e bukur
trishtimit tim i zura pritë
E varrosa në një cep të zemrës
Rri aty mos dil i thashë
Mos më kujto më vitet e shkuara
ato i zvordha , pas i lashë
Por ti ishe tepër lakmitare
kërkoje thellë të më nënshtroje
të isha rob i zemrës tënde
të isha thjesht një qen roje.
Por shpirti im është rebel
s’duron dot lak mbi krye
dëshiron të bredh gjithmonë i lirë
si kalë i egër u hakërrye
E fluturoi si zog me krahë
qiejve të trishtë pa cak
i zgjata flokët, pijen fillova
sërish brodha rrugëve si rrugaç.
1994
No comments:
Post a Comment