Friday, 7 September 2012

Dy anët e një medalje




Para disa ditësh nga skaji më juglindor i vendit, qyteti i Korçës kaq shumë të njohur për kulturë në Shqipëri, erdhi një lajm që tronditi botën kulturore shqiptare me vrazhdësinë e tij. Në mes të natës, kur i gjithë qyteti flinte, në bulevardin e shkatërruar si në Kadanhar për shkak të rindërtimit të tij, disa vetë me hekura e qysqi(të punësuar apo vetë pronarët se dimë, mbetet të na e sqarojnë organet kompetente) shkatërruan pa u ardhur aspak keq, një shtëpi që nga themelet. Lajmi tashmë ka marrë dhenë, dhe dihet se shtëpia që u rrënua ishte ajo prej nga ku patriotët korçarë shpallën krijimin e Republikës së Korçës më 1916, kohë shumë të vështira për Korçën dhe Shqipërinë që pështjelloheshin mes kaosit të Luftës së Parë Botërore. Krijimi i republikës së Korçës nën administrimin francez shpëtoi Korçën dhe rrethinat e saj nga pretendimet greke, ndaj shtëpia që u rrënua edhe pse mund të mos përmbante vlera arkitekturore të veçanta, nga pikëpamja historike i shërbente shumë mirë memories kombëtare. Shtëpi të tilla nuk janë ekskluzivitet vetëm i qytetit të  Korçës, pasi historia dhe momentet e rëndësishme të kombit kanë kaluar gjithandej nëpër Shqipëri, por gjendja fizike në të cilën ato ndodhen po thuajse është e njëjtë dhe shfaq të njëjtat problematika.
Specialistët e kulturës dhe artit, miq e dashamirë të trashëgimisë kulturore u shprehën të revoltuar nëpër medie dhe blogosferë duke akuzuar shtetin se nuk ndërmerr hapat e nevojshëm për të parandaluar këto shkatërrime dhe madje pati dhe nga ata që kanë qejf të zhvillojnë teori konspiracioni se shtëpia ishte rrëzuar nga fqinjët tanë jugorë, që e kishin halë në sy. Sido që këto reagime mund të të bëjnë për të qeshur ose dhe për të qarë, ato nuk mund të fshehin dy anët e këtij problemi madhor. Nga njëra anë qëndron kujtesa historike dhe trashëgimia kulturore si dy asete të rëndësishme të identitetit kombëtar, që besoj çdo qytetar shqiptar dëshiron që ta shprehë dhe ta ketë të afirmuar, dhe nga njëra anë tjetër qëndron një problem tjetër që duket paksa rrënues ndaj të parit: ai i pretendimit të pronësisë dhe dëshirës për të investuar mbi këta truaj pronësie. Parë në këtë lloj këndvështrimi, duket sikur kontradikta është shumë e lehtë e për tu zgjidhur pasi legjislacioni ekzistues e shpreh shumë qartë statusin mbrojtës të këtyre monumenteve të kulturës, por në fakt shpesh herë në realitet po ndodh krejt ndryshe. Në emër të ndryshimit apo të planeve urbanistike po shkatërrohen vlera të vërteta arkitekturore si ishte rasti i shkatërrimit të shatërvanit të vjetër të Durrësit e akoma më keq si ishte rasti i Korçës ku këto vlera po shkatërrohen qëllimisht për investuar në pallate të reja ndërtimi. Përtej keqdashjes së evidentuar dhe dëshirës së madhe për tu pasuruar këto veprime nxjerrin në pah dhe anën tjetër të medaljes së këtij problemi të shprehur nga pyetja sesi është e mundur që përfaqësues të këtyre familjeve të mëdha që kanë kontribuar kaq shumë për vendin të arrijnë deri në këtë pikë që ti vënë qysqinë godinave që shërbenin si medaljone të krenarisë së tyre për të përfituar disa hyrje banimi nga pallatet që do të ndërtohen aty. “Është ekonomia budalla”, do më përgjigjet dikush duke më kujtuar sloganin e fushatës së ish Presidentit amerikan Bill Klinton, duke dashur të më sqarojë se rregullat i vendos tregu, por në fakt që arrihet deri në këtë pikë të dhimbshme është prishur prej kohësh një treg dhe një ekuilibër tjetër.
Familjet e mëdha në Shqipëri në përgjithësi kanë qenë pronarë të pasurive të paluajtshme por shumë pak prej tyre kanë mundur të marrin atë që u takon si trashëgimtarë të paraardhësve të tyre të pasur. Pasi janë përndjekur për mëse 50 vjet në regjimin e mëparshëm si përfaqësues të një klase politike që bëri Shqipërinë dhe që regjimi i mëparshëm dëshironte ta zhbënte si koncept, tashmë kanë 20 vjet që stërmundohen gjyqeve për të marrë në zotërim pronën e tyre që në të shumtën e rasteve jo vetëm që s’u është rikthyer por akoma dhe më keq u është tjetërsuar duke ua dhënë të tjerëve. Ky është realiteti i dhimbshëm ku njerëzit të ndodhur pa shpresë i vënë zjarrin monumenteve të kulturës si ka ndodhur kaq herë në Tiranë apo i shkatërrojnë me qysqi si në Korçë për të përfituar truajt e ndërtimit e për të zgjidhur disa probleme të jetës së përditshme. Shteti po ndërhyn në zgjidhjen e këtij problemi duke i dhënë leje bashkisë së Korçës për ta rindërtuar shtëpinë, por në fakt kjo masë nuk e zgjidh përfundimisht problemin por vetëm sa i jep frymëmarrje një monumenti kulture. Po dhjetëra shtëpi të tjera monumente kulture nëpër Shqipëri si do të mbrohen nga lakmia e pashpresë e pasardhësve të tyre legjitimë?
 Një reformë e menjëhershme në drejtësi kërkon dhe një reformë sa më të shpejtë në sektorin e rikthimit të pronave pronarëve të ligjshëm për të zgjidhur njëherë e mirë këtë problem brengues në këto vite tranzicioni por në të njëjtën kohë edhe për tu shpëtuar dinjitetin njerëzor të këtyre familjeve që kanë kontribuar kaq shumë për kombin dhe vendin. Nuk mjafton vetëm të jesh krenar për atë që ke qenë, por dëshiron të jetosh dhe me dinjitet që buron nga të ardhura të përfituara mbi investime të pronave të ligjshme, ndaj dhe në këtë 100 vjetor pavarësie do të ishte një gjest i mirë mirënjohje nga shoqëria jonë, që kjo shtresë të marrë atë që i takon sipas Zotit dhe ligjit.

Gazeta Shqip 07.09.2012


No comments: