Gazetari Ardit Rada në faqet e gazetës Shekulli investigon për fatin dhe historinë e një ndërtese që është afër parlamentit dhe që mban mbishkrimin se aty ka qenë qeveria e Fan Nolit. Dorian Koçi, studiues i historisë dhe Artan Shkreli arkitekt japin opininionet e tyre për fatin dhe historinë e kësaj godine por dhe për trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin urbanistik të Tiranës.
Ardit Rada
Shumëkush e ka vënë re prej vitesh se në
kryeqytet, në një vend krejtësisht të ekspozuar qëndron një godinë një katërshe
jo më e madhe se 4 metra katrorë. Bëhet fjalë për ndërtesën e vogël në
lulishten përpara sallës së Kuvendit, aty ku dikur njihej me emrin Namazgjaja.
Një ndërtesë e lyer me të verdhë dhe me pllaka të kuqërremta të cilat janë
shkulur vende vende, mban 3 mbishkrime duke dashur të saktësojë se pikërisht në
atë vend ka qenë selia e Qeverisë Noli. Në fakt, historianët dhe arkitektët
shprehen se ky është një manipulim, pasi duke vendosur mbishkrimin se ‘Këtu ka
qenë selia e Qeverisë Noli’, duket sikur kjo administratë ka funksionuar brenda
një hapësire qesharake dhe të pa mundur për një qeveri. Nga ana tjetër, godinës
i është shndërruar funksioni ku gjysma e saj shërben si kabinë e
transformatorëve elektrikë dhe gjysma tjetër di depo fshesash dhe kovash për
punëtorët e pastrim-gjelbërimit të Tiranës.
Qeveria jetëshkurtër
Fan S. Noli erdhi në pushtet pas Revolucionit
Demokratik të Qershorit në vitin 1924. Ai mbajti postin e kryeministrit të
vendit për një periudhë të shkurtër, vetëm 6 muaj, nga 16 qershori deri në 24
dhjetor të atij viti. Sipas fakteve historike, qeveria e kryesuar nga Fan Noli
u ndodh përpara rrethanave historike jo të favorshme për kombin. Për më tepër,
ajo nuk u njoh nga vendet perëndimore dhe ato ballkanike. Në dhjetor të vitit
1924, Ahmet Zogu rikthehet në Shqipëri me ndihmën e boshtit sllavogrek duke
përdorur edhe trupa ruse, për të marë pushtetin. Noli u largua përfundimisht nga
vendi.
Vlerat historike
Është e paqartë se për çfarë ka shërbyer
konkretisht kjo godinë e vogël, vetëm një gjë është e sigurt: Ajo ka qenë pjesë
e kompleksit qeveritar i cili në vetvete ishte një godinë e madhe e periudhës
osmane. Nëse shohim fotografinë e viteve `20 të ishndërtesës, godina mbetur sot
duket se ka shërbyer si kabinë e rojës, që qëndronte në postbllok. Sipas
historianit Koçi, kjo nuk ja zhbën aspak vlerat pasi është e vetmja pjesëz e
mbetur e selisë ku kanë kaluar disa qeveri. Nga ana tjetër, arkitekti Artan
Shkreli hedh tezën se ajo ka vlerë historike edhe për faktin se është një nga
dy objektet që dëshmojnë zhvillimin industrial të fillim viteve ‘20. Kjo pjesë
duket se është ruajtur prej vitesh dhe ka ushtruar të njëjtin funksion prej disa
kohësh, atë kabinës elektrike. Por, fillimisht si e tillë ajo është përdorur në
elektrifikimin e parë te vendit, në vitet 20-30 dhe është një ndër dy objektet
e mbetura që tregojnë se Shqipëria ka pasur një zhvillim industrial në atë
periudhë.
Godina e mbetur, e vetmja dëshmi fizike
e qeverisë ‘Noli’
Studiuesi i historisë, Dorian Koçi, rrëfen
për ‘Shekulli’-n se pjesa e mbetur e godinës së Qeverisë ka vlera historike.
Sipas tij, ajo dhe shatërvani në krah kanë mbetur të vetmet dëshmi të Tiranës
së viteve `20. Koçi kritikon gjithashtu anën artistike të monumentit të Fan
Nolit, vepër e Thoma Thomait, duke hedhur tezën e një rikompozimi.
Përse ka shërbyer pjesa e mbetur?
Pjesa e mbetur e rezidencës qeveritare të
qeverisë së Fan Nolit ka qenë një vend roje e kompleksit dhe në periudha të
ndryshme ka shërbyer si depo elektrike apo vend për mbajtjen e materialeve. Për
fat të keq është e vetmja pjesë që ka shpëtuar deri më tash, pasi godina ka
pasur fatin e shumë monumenteve të tjera që janë prishur apo shkatërruar vit
pas viti. Të njëjtin fat kanë pësuar dhe shumë godina të tjera të rëndësishme
historike, ku mund të përmendim Konakët e Princ Vidit në Durrës, që sot s’u
gjendet as nami as nishani dhe ne i admirojmë përmes fotove të
koleksionistëve.
A ka vlera monumentale ose historike
kjo pjesë e ishndërtesës së Qeverisë?
Nga ana monumentale ndërtesa nuk paraqet
ndonjë vlerë të veçantë, por nga ana historike së bashku me shatërvanin pranë
saj ka një rëndësi të madhe pasi janë pjesë e Tiranës së viteve 20’ dhe e
vetmja dëshmi fizike e vendit ku ka qëndruar qeveria jetëshkurtër e Fan Nolit,
një figure poliedrike e mendimit politik e kulturor shqiptar. Meqenëse po
flasim për anën arkitekturore të këtij vendi, ka rëndësi të theksohet fakti që
busti i Fan Nolit i vendosur aty, duhet riparë për të vendosur një kompozim më
të mirë artistik. Nuk arrij ta kuptoj se pse mbahet si i “burgosur” një
monument i Nolit i vendosur në shkollën që mban emrin e tij te Pazari i Ri dhe
në kompleksin publik tek Akademia e Shkencave, është vendosur ky bust i vogël
që më tepër i ngjan një boksieri sesa është shëmbëlltyrë e Nolit të madh.
A mund të konsiderohet dhunim fakti që
është shndërruar në një depo?
Dhunim mund të konsiderohet çfarëdolloj
katandisje e monumenteve të kulturës në Shqipëri. Për fat të keq në vendin tonë
në gjendje shumë të mjerueshme janë dhe varret e shumë figurave patriotike që
edhe në këtë 100 vjetor të pavarësisë nuk u meremetuan sërish. Një komb që në
përpëlitjet e tij identitare fillon dhe shuan kujtesën historike të vlerave dhe
idealeve që e kanë krijuar është i destinuar për tu kthyer në një masë amorfe
popullate mbi të cilën mund të kryen gjithfarë eksperimentesh mbi
shumëkombësinë, një modeli që Evropa po e braktis për veten e saj, ndaj për
këtë arsye dhe për qindra arsye të tjera të ekzistencës së idesë kombëtare të
shqiptarëve vlerat dhe idealet e atyre burrave që sakrifikuan për këtë vend
duhen respektuar dhe mbrojtur.
“Si të prishësh kryeministrinë sot dhe
të lesh një pllakë për... Mehmet Shehun”
Arkitekti Artan Shkreli shprehet se godina ka
vlera historike. Sipas tij, veç të tjerave ajo (dhe një tjetër në Bilisht)
vërtetojnë edhe përpjekjet për elektrifikimin e Tiranës në vitet 20-30.
Ndërkohë, Shkreli tregon historikun e saj që daton në periudhën Osmane dhe
përdorimin nga qeveritë paraardhëse e deri tek ajo e Fan Nolit.
Z. Shkreli, jeni në dijeni të gjendjes
së selisë të ‘Qeverisë Noli’?
Nëse flisni për ngrehinën e vogël përpara
Parlamentit, dhe jo për ndonjë tjetër, ju bëj me dije se ajo nuk ka qenë selia
e godinës së qeverise Noli. Ai ndertim i vogël ka shërbyer që ditën e parë të
tij, dhe shërben ende, si kabinë elektrike, gjë që nuk ka të bëjë aspak me
ndenjën, apo selinë siç thuhet sot, e qeverisë. Vetë pllaka në të cilën
përmendet selia qeverisë së Nolit ka një formulim me natyrë manipuluese, pasi
godina e qeverisë që ka qenë aty pranë, nuk ka shërbyer vetëm si seli e
qeverisë së Fan Nolit, por e të gjitha qeverive të kohës (pas vendosjes së
udhëheqësisë në Tiranë); ka qene thjesht godina e qeverisë. Ndërtesa u
trashëgua nga periudha osmane dhe me vendosjen e qeverisë në Tiranë, ajo u
strehua aty. Kështu pra, për të kuptuar natyrën e dezinformimit, mund të themi
përmes një paralelizmi se është njësoj si të shembet sot ndërtesa e
Kryeministrisë aktuale dhe aty të vihet një pllakë aty ku të theksohet se “këtu
ka qenë selia e Qeverisë së Mehmet Shehut”.
Ajo mban një pllakat që tregon
vendndodhjen e dikurshme të Qeverisë. Çfarë parashikon ligji? A mund të
ndryshojnë funksion në këtë formë?
Pllaka përkujtimore në vetvete është e
rëndësishme të qëndrojë aty, por teksti duhet saktësuar mbi dritën e asaj çka
është realitet. Madje sa për korrektesë, mund të pohoj se vetë Noli nuk
parapëlqente të qëndronte në atë godinë. Për gjithë kohën kur ka qenë kryeministër
ai vetë qëndroi në ndërtesën pranë kishës ortodokse të Ungjillëzimit që ndodhej
ku sot është Hotel Tirana. Aty ngriti dhe zyrën e tij personale. Nuk e di pse e
pat bërë këtë. Ndofta për faktin se dikur, si kryepeshkop i Shqipërisë, ish
familjarizuar me ndërtesën pranë kishës.
Ka vlera monumentale ose historike?
Sa i takon funksionit, ngrehina e vogël aty
pranë, u ngrit gjatë elektrifikimit të parë të Tiranës në kapërcyell të viteve
20-30, me funksionin e vetëm të kabinës elektrike që shërbente për krejt
kompleksin e ndërtesave shtetërore aty. Në kohën kur ajo u ngrit, ndërtesa e
vjetër e qeverisë e kish bjerrë funksionin e saj dhe qeveria shpejt u zhvendos
nga Zogu në godinat e reja që u ndërtuan në aksin e bulevardit (projektuar nga
Florestano di Fausto e përpunuar nga Giulio Berté). Por për këtë arsye, të
funksionit të saj specifik, kjo ngrehinë modeste, ka një rëndësi të veçantë për
historinë e godinave me natyrë industriale në Shqipëri. Ajo është ndër të
paktat e mbetura më këmbë, bashkë me një tjetër në Bilisht, që e kryen ende
funksionin e saj zanafillor.
Kush është përgjegjës dhe pse mund të
jetë lënë në përdorim të tillë?
Përgjegjës për këtë kabine, si edhe për të
gjithë trashëgiminë arkitekturore të qytetit është Bashkia e Tiranes dhe
natyrisht Instituti i Monumenteve të Kulturës. Ky i fundit ka kohë që është
komprometuar rëndë me veprimet ose mosveprimet e tij, përpos faktit që i mungon
krejtësisht ekspertiza ndaj arkitekturës moderne, por Bashkia duhet ta
konsiderojë objektin si shumë të çmuar dhe duhet ta rikthejë në pamjen që ka
pasur dikur: diçka midis stilit decó dhe atij protoracionalist. Basha i ka të
gjitha mundësitë për një gjë të tillë; në fund të fundit ka një precedent
pozitiv që pat krijuar administrata Rama e cila filloi punën në këtë drejtim me
restaurimin e fasadave të rrënuara të ministrive në vitin 2000 dhe përfundoi me
restaurimin e Pirgut të Sahatit më 2010. Rast më të mirë për të bërë këtë se
100-vjetori i Pavarësisë nuk ka.
Shekulli 31.08.2012
No comments:
Post a Comment