Saturday 9 April 2016

Tabloja “Beteja e Gjaurit me Pashanë” nga Eugen Delacroix



Orientalizmi në Evropë shkon deri në kohën e kryqëzatave dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime të ndryshme ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë Romanticismit sepse Orienti ishte formë sublime e tij.
Bajroni si një i ri aristokrat anglez dhe poet romantik në formim e sipër,i gjendur në Maltë në fillimet e Grand Tour-it të vet, do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir për ta njohur nga afër pashain karizmatik.Kjo pleksje e veçantë e dëshirës për të eksploruar të shkuarën antike greke me orientalizmin e atëhershëm të Ballkanit do jepte një impuls të ri jo vetëm në jetën e Bajronit por do të kontribuonte fuqishëm dhe në krijimtarinë e tij të mëvonshme letrare duke e shndërruar veprën e tij në një nga kryeveprat e Romantizmit që posa kish lindur. Vepra e tij do frymëzonte poetë, shkrimtarë dhe piktorë. Lord Byron ishte një  dishepull i shpallur i ndryshimit dhe i së bukurës sublime. Ai krijoi nëpërmjet krijimtarisë së vet një model të veçantë krijimtarie të njohur si Bajronizëm. Bajronizmi përmbante pikëllimin e shekullit, pikëllimin që mbartnin vetë poetët, krijesat e tyre, heronjtë e veprave letrare, pikëllimin e mbartnin me mijëra lexues, që aq shpejt e bënë pikëllimin modelin e jetesës së tyre. Ata ishin të pakënaqur sidomos me padrejtësitë shoqërore dhe ndryshimet e shpejta sociale të ardhura si rezultat i urbanizmit të shpejtë dhe zhvillimit kaotik dhe të shfrenuar si pasojë e këtij industrializmi dhe urbanizimi. Heronjtë Bajronianë  jetonin të vetmuar në melankoli për çka kishin humbur, të delizionuar për çka nuk kishin arritur në jetë. Por ata shpesh kishin një shpirt rebel, kryengritës, kishin respekt e dinjitet për veten po vuanin se ndesheshin e po humbinin në kotësi.
Tabloja e piktorit të njohur Eugen Delacroix është frymëzuar nga poema “Gjauri”( 1813), ku sipas shënimeve të vet Bajronit, subjektin dhe personazhet i ka huazuar nga qendrimi i tij në Shqipëri dhe Greqi. Në tablo në personazhin e Gjaurit shquan kostumi popullor shqiptar si aspekt i rëndësishëm identiteti. Për botën shqiptare, këto vepra letërie dhe arti, kanë një rëndësi të veçantë pasi për herë të parë fillojë të përmendet dhe të ketë jehonë  sërish pas 300 vjetësh shurllërie emri Shqipëri dhe shqiptar në Europë.





No comments: