Monday 11 April 2016

Rilindja Urbane e qyteteve tona




Diplomati italian i viteve ’30, Pietro Quaroni, në librin e tij “Valixhja diplomatike”, kur përshkruan jetën urbane të qyteteve shqiptare vëren se shtëpitë janë të rrethuara me mure të larta që bëjnë që këto të fundit t’u ngjajnë më tepër kështjellave feudale sesa shtëpive të banimit.
Sigurisht që ky konstatim vinte nga ballafaqimi i realitetit italian me atë shqiptar dhe ku përveçse një ngjyrimi orientalist që studiuesit mund të vërejnë në diskursin e tij, ka dhe një pjesë të madhe të së vërtetës rreth arkitekturës së qyteteve tona. Arkitektura italiane e viteve ’30 kish krijuar stilin e njohur me oborre të hapura me kangjella prej nga hapësira urbane ridimensionohej dhe nuk humbte si në muret e larta të shtëpive me stil oriental të shqiptarëve, qoftë edhe ato të familjeve të pasura. Gjithsesi, kjo situatë nuk do të vazhdonte gjatë në brigjet e Adriatikut Lindor. Nga viti 1926-1943, arkitektura italiane do të influenconte drejtpërsëdrejti në Shqipëri, duke u dhënë qyteteve shqiptare fasadën e tyre perëndimore, që në shumë raste u lidh me ndërtimin e godinave qeveritare që fituan në këtë rast autoritetin e vërtetë shtetëror. Sot, ne trashëgojmë pikërisht këtë trashëgimi arkitekturore si pjesë kryesore të kompleksit të ministrive, Korpusit të Universitetit dhe Universitetit të Arteve dhe pjesërisht dhe në disa godina të tjera të rëndësishme në qytete të tjera të mëdha.

Arkitektura e qyteteve të ndërtuara gjatë socializmit nuk pati një vazhdimësi koherente, por shpesh e herë ngaqë ndoqi modelet sovjetike të ndërtimit të qytezave punëtore apo dhe për shkak të varfërisë në investime, ndërtoi qytete që u përngjanin më tepër konvikteve të stërmëdhenj sesa qyteteve funksionale me qendra historike. Jo shumë kohë më parë, në vitin 2013 filloi projekti i rilindjes urbane, që parashikon ndryshimin e qendrave historike të qyteteve tona, përshtatjen me arkitekturën e bazuar në gur të rajonit dhe dhënien e një fizionomie tjetër të qendrave tona urbane. Mirëpo si çdo ndërmarrje e marrë nga qeveria dhe në një zakon të mbrapshtë të kompleksit rozafian, projekti i rilindjes urbane që në fillim hasi kritika, që në thelb nuk janë esenciale, por shpeshherë, për fat të keq, pasqyrojnë dhe kritikën për hir të kritikës.
Në pothuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë po punohet, po përmirësohen dhe rregullohen qendrat historike, duke dhënë një aspekt tjetër të mënyrës së zhvillimit dhe sendërtimit të investimeve publike. A jemi në rrugë të mbarë apo e gjitha kjo si dëgjohet lart e poshtë është një fasadë, një shpërdorim i kotë i fondeve publike? Kritizerët shkojnë dhe më tej, duke parashtruar si më imediate probleme dhe halle të tjera që përballon në ditët e sotme popullsia, që nga punësimi, varfëria dhe arsimimi sesa ky rregullim urban. Sigurisht, të parashtruara me një artileri të rëndë propagande nga qindra portale dhe e parashtruar me ndjenja e sentimentalizëm përkundrejt rasteve të varfërisë, diskursi kundër rilindjes urbane duket herë-herë se zë vend, ndaj është e rëndësishme të sqarohen disa momente kryesore të këtij investimi madhor që do të ndryshojë për mirë jetën e të gjitha qyteteve tona.

Pikë së pari, që në fazat e hershme të qytetërimit, karakteristikë e bashkësive të lira qytetare është krijimi i një hapësire të përbashkët në formën e shesheve, të cilat kanë kontribuuar kaq shumë në debatet publike që i kanë dhënë jetë formave të ndryshme të qeverisjeve. Investimi publik në qendra është shumë më efektiv sesa ai nëpër periferi, pasi rrit kapacitetet turistike dhe kulturore të qyteteve tona. Korça, dikur nga qytetet e para të Shqipërisë, sot e ka rifituar sërish sharmin e vet përmes këtyre investimeve. Tepelena, një qytetth i vogël dhe i parëndësishëm dikur, po rifiton nxjerrjen në dritë të trashëgimisë kulturore të Ali Pashë Tepelenës nëpërmjet rilindjes urbane që po përfiton. Sfida më e madhe e pushtetit lokal është që këto investime të fillojnë dhe të kthehen në sheshe ku performohet jo vetëm pastërti dhe mirëmbajtje, por ato kthehen dhe në sheshe ku performohet art, trashëgimi dhe identitet.


Rindërtimi dhe rikonceptimi i qyteteve tona nuk është një projekt totalitarist që i bën ato uniforme dhe të ngjashme, por në të kundërt spikatin karakteristikat e ndryshme të qyteteve. Sheshet dhe rrugët janë të vetmet elemente ku njerëzit janë të barabartë dhe përqasja e tyre me arkitekturën e rajonit dhe atë europiane është një përafrim me kulturën europiane. E bukura dhe estetika nuk ka sepse të trembë njeri, ndaj më mirë sesa kritikat se përse po ndodh ky ndryshim, besoj se do të ishte më mirë të kishte platforma të vërteta zhvillimi të qyteteve dhe qendrave tona urbane. Çdo qytet ka karakteristikat e veta, të krahinës që përfaqëson dhe të identitetit të vet kulturor, ndaj çdo komunitet duhet të fillojë të angazhojë të gjitha burimet njerëzore që ka si në terren, si në kryeqytet për të realizuar projektet më të mira dhe për t’u dhënë jetë qyteteve tona në periferi.

Gazeta Shqip, 11.04.2016, fq. 9


No comments: