Wednesday 20 April 2016

Mes harresës dhe përkujtimit


Kontributi i Mehmet Pashë Dërallës në shteformimin shqiptar


Kujtesa historike është një proces që mund të punojë në dy drejtime. Drejtimi i parë është ai përkujtimor që është dhe varianti më i përhapur dhe që nënkupton se vlera, ide dhe personazhe i shërbejnë kombit vazhdimisht për të mbajtur gjallë ndërgjegjen kombëtare dhe i dyti është drejtimi mohues që është variant më pak i përhapur dhe që nënkupton që ngjarje, personazhe apo dhe vlera “harrohen”  sërish për ti shërbyer interesave kombëtare. Një rast i tillë është p.sh ai i Zvicrës, ku lufta e konfederatave në 1846 harrohet dhe nuk përmendet për ti mëshuar më fort identitetit zviceran të të tre kantoneve.

Në Shqipëri për shumë arsye që kanë të bëjnë me rastin specifik të saj në historinë e Ballkanit por edhe pse zakonisht modelet janë marrë të gatshme nga jashtë, është përqafuar drejtimi i parë , ndaj dhe njerëzit dhe shoqëria janë shumë të ndjeshëm ndaj çdo mohimi apo denigrimi të atyre që janë pranuar prej kohësh si vlera të mirëfillta kombëtare dhe personazhe të rëndësishëm që kanë mbizotëruar historinë e vendit. Sigurisht që në këtë qasje shqiptare ka vend dhe për korrigjim apo dhe një ç’mitizim që shpesh herë është vënë re në trajtimin e çështjeve dhe ngjarjeve të ndryshme historike, por pavarësisht faktit që kohët e fundit ka shumë përpjekje për rivlerësim apo rebalancim të këtyre vlerave duke u përpjekur për të rishkruar historinë, besoj se është e nevojshme që një histori e përgjithshme e kombit shqiptar nuk mund të shtrihet vetëm brenda kufijve administrativë të Shqipërisë.
Për këtë gjë na vijnë në ndihmë edhe vet ngjarjet madhore që kanë shenjuar rrrugëtimin e formësimit të kombit shqiptar, disa nga të cilat janë zhvilluar jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë së sotme, por brenda hartës së etnosit shqiptar. Lidhja e Prizrenit(1878), Lidhja e Pejës(1900), Kongresi i I(1908) dhe II(1910) i Manastirit janë ngjarje që smund të injorohen nga asnjë studiues serioz kur analizon procesin e formimit të kombit shqiptar. Por në të njëjtën kohë edhe ngjarjet e mëdha kombëtare që kanë ndodhur në brenda kufijve administrativë kanë reflektuar dëshirat dhe vullnetin e popullsisë  mbanë shqiptare. Kështu p.sh, deklarata e pavarësisë së Shqipërisë, ngjarja më madhore e kombit, shpreh vullnetin e gjithë përfaqësuesve të kombit shqiptar nga tëgjitha krahinat. Ky vullnet qëështë i reflektuar dhe në përbërjen e qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur. Mes personaliteve të ndryshme që nga aktivistë dhe patriotë të Rilindjes Kombëtare, u kthyen në ministrat e parë të shtetit të ri shqiptar, është dhe Mehmet Pashë Dëralla, ministri i parë i Luftës  të shtetit të pavarur shqiptar. Shqiptarët etnikë të Maqedonisë, kanë nxjerrë personalitete të ndryshme që kanë kontribuar në krijimin dhe sendërtimin e idesë kombëtare të shqiptarëve, duke pasqyruar më së miri kombinimin e elementit të zgjimit kombëtar si është rasti i Dervish Himës, Josif Bagërit me elementin e forcës si është rasti i Dervish Carës dhe Mehmet Pashë Dërallës.
Mehmet Pashë Dëralla, është një figurë politike e ushtarake për të cilin është folur e studiuar pak. Me propozimin e Isa Boletinit, më 4 dhjetor 1912, Mehmet pashë Dërralla u zgjodh ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme. Ndonëse ishte në moshën 69-vjeçare, Mehmet pashë Dërralla nisi detyrën e vështirë të organizimit të ushtrisë shqiptare. Me përvojën 40-vjeçare në drejtimin dhe komandimin e ushtrisë, ai organizoi Komandën e Përgjithshme dhe Shtabin Madhor me strukturat përkatëse. Data 4 dhjetor festohet si dita e themelimit të ushtrisë shqiptare, por për fat të keq ministri i parë i luftës, njeriu që ka ngritur me kontributin e tij Ministrinë e Mbrojtjes, nuk ka ende një monografi historike shkruar rreth tij apo një bust apo memorial për ta përkujtuar në Shqipëri.
Situatat e trazuara politike të Shqipërisë së pas shpalljes së pavarësisë nuk kanë se të vazhdojnë ende të shpërndajnë mjegull dhe studimet e mirëfillta historike duhen të marrin udhë. Në këtë kontekst përmes studimit të mirëfilltë të dokumentacionit dhe punës sësë Instituteve të Historisë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup ka ardhur koha që të fillojënjë punë përgatitore në mënyrë që viti 2018 që përkon dhe me 100 vjetorin e shuarjes nga jeta të Mehmet Pashë Dërallës, të jetë një vit i botimeve cilësore rreth kontributit të këtij personaliteti të shtetit formimit shqiptar.

 Gazeta Dita, 19.04.2016


No comments: