Tuesday, 7 August 2012

Shoqëria e panginjur…




Shoqëria jonë periferike ka shumë probleme të cilat sado që të mundohemi ti fshehim me një tis modernizimi urban e shoqëror,  nxjerrin kokën here pas here si në Poliçan apo sot në Tiranë. Në thelb të këtyre ngjarjeve të dhimbshme nuk fshihen as mungesa tradicionale e një jete sociale dhe as ndonjë tipar gjenetik i egërsisë si mundohen shpesh herë të na faturojnë të huajt, por braktisja e e njeriut tërësisht në kushte mizerable si papunësia dhe rendja drejt një pasurimi e karriere të shpejtë të pamerituar . Punësimin e kemi kthyer tërësisht në shërbim të politikës, ndërsa përfitimin e padrejtë në të gjitha nivelet qoftë në qeveri, qoftë në jetën sociale e kemi kthyer në një vlerë të qëndrueshme morale. Tronditemi kur marrim vesh lajme makabre për humbjen e bashkëqytetarëve tanë. Dikush nxiton të na ngushëllojë se kjo gjë ndodh gjithandej dhe se fajin e ka kronika e zezë e gazetarisë, dhe mesa duket kjo gjë mjafton sepse shumë shpejt mbyllemi në guackën tonë ku të qarkuar nga ngjarjet si në një rreth vicioz reagimin e vetëm e kemi të “harrojmë” dhe të lutemi në heshtje  se ndoshta nuk do të na ndodh ne fatkeqësia që ka pllakosur të tjerët. Në fakt, ky nuk është reagim, por vdekje e ngadaltë si akrepi që ngordh nga pickimi i bishtit të vet kur nuk ka rrugëdalje tjetër i rrezikuar nga zjarri. Helmi në bishtin tonë që Darvini dikur këmbënguli se ne e kishin pjesë të trupit tonë, është padyshim  indiferenca. Ne jemi indiferentë të tejskajshëm që për të arritur të realizojmë përfytyrimet tona për një jetë më të mirë ose të atyre që quhen "ëndrra me sy hapur" nuk prishim asnjë komfort apo kod shoqëror por përkundrazi i përshtatemi sa më shumë që të jetë e mundur atë që e quajmë realitet, që në fakt është një moçal ku rriten kallamishtet e mëkateve tona. Për fat të keq , kjo është kontrata jonë sociale, shumë larg nga ajo që përshkroi Russoe , të cilën mund ta quani si të doni duke i vënë emra nga më të ndryshëm që shumë sociologë mund ti gjejnë, por në thelb smund ta fshehin faktin që është një shoqëri e panginjur makavieliste me vlera të vërteta humane. 


No comments: