Thursday, 16 August 2012

Përmirësimi i rendit publik





Një nga aspektet kryesore të treguesve të mbarëvajtjes dhe qeverisjes së mirë të një vendi është siguria publike e shtetasve të vet. E konsideruar si një aset kombëtar që kërkon çdo ditë e më tepër përmirësim , ajo është gjendur e shprehur dhe në doktrinën kryesore të NATO-s  për të vlerësuar masën e stabilitetit të një vendi. Shqipëria si vend anëtar i NATO-s që nga prilli 2009 është një nga vendet që ka nënshkruar hartimin e doktrinës më të fundit të NATO-s më 2010 në Lisbonë dhe rrjedhimisht është munduar që rendi dhe siguria publike të ketë vëmendjen e duhur nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Mirëpo, pavarësisht masave që është munduar të marrë Shqipëria në këtë drejtim duke filluar nga reformat moderne të ndërmarra në polici me asistimin dhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë apo dhe ngritjes së një rrjeti më të mirë informimi për qytetarët, ngjarjet e ditëve të fundit , ku mbi të gjitha spikatin ngjarja në Poliçan dhe ajo e grabitjes dhe vrasjes së një qytetareje në mes të ditës në Tiranë ka tronditur gjithë opinionin publik. Edhe pse nuk mund të vihet në dyshim që këto ngjarje  nuk mund të hedhin poshtë gjithë atë punë fisnike të policisë në shërbim të qytetarëve, prapëseprapë shija e hidhur dhe tronditja që lanë pas këto ngjarje duket sikur e katërfishuan efektin negativ të këtyre krimeve te publiku.
Nuk e di se kujt mund ti shërbenin  skenat e transmetimit gjithë gjak të vendeve të krimit por shfaqja e tyre në ekran hedh dritë mbi një marrëdhënie të çuditshme midis medies dhe kriminalitetit. E quaj një marrëdhënie të çuditshme pasi ka një ndikim negativ në përgjithësi nga ajo çka pritet të përfitohet. Ndërsa me të drejtë ndoshta pritet që publiku të ngjethet nga tmerri  dhe të bëjë presion pozitiv ndaj organeve përgjegjëse sesi një sërë krimesh të mbetura pa autor tashmë të zgjidhen, publiku në fakt percepton një ndjenjë pasigurie kur shikon se skenat e krimit janë shumë afër qendrës së tij ku banon. Ideja se çdo person kalimtar që mund të jetë  fqinji i derës tjetër përballë apo një klient i rregullt i dyqanit tënd mund të jetë krimineli, është akoma më rrëqethëse ndaj dhe reagimi i popullsisë në të tilla raste nuk është admirues ndaj policisë por në të kundërt mund të kthehet në një bumerang. Sigurisht që nuk është hera e parë që ka transmetime të tilla apo pasqyrim të kronikës së zezë në faqet e para të gazetave dhe titujt kryesorë të edicioneve të lajmeve por këmbëngulja nga ana e tyre për ti pasur pasqyruar vazhdimisht në ballinë edhe pas kritikave të shumta që ka pasur ky fenomen, vlen shumë për të dëshiruar. Është e kuptueshme që në një treg agresiv ku secila media mundohet të mbijetojë kërkohen gjithmonë tituj që mund të nxisin kureshtjen e lexuesve dhe shikuesve por pas një maturimi të vazhdueshëm të shoqërisë shqiptare në fushat e konfidencialitetit dhe ruajtjes së privatësisë nuk mund të lihet tregu të vazhdojë të diktojë kushtet e veta. Përhapja e panikut dhe e pasigurisë nuk mund të vlejë për asnjë gjë, ndaj një trajtim më i vëmendshëm nga ana e medieve e këtyre ngjarjeve është i domosdoshëm.
Ne si shoqëri vazhdimisht jemi në kërkim të modeleve pozitive për rrezatuar në opinionin publik prandaj evidentimi i ngjarjeve të tilla krijon një problematikë të madhe te perceptimi i qytetarëve për rolin e shtetit dhe të policisë dhe te dëshira e tyre për t’iu bashkëpunuar me policinë. Ky aspekt i fundit është shumë domethënës dhe pothuajse tërësisht i munguar nga na e qytetarëve për shkak dhe të paragjykimeve që krijohen por dhe të kulturës së vakët politike në këtë aspekt. Ndërsa në Perëndim krimineli zakonisht gjendet si ishull i vetmuar në detin e informacionit që qytetarë të ndryshëm që dyshojnë për sjellje kriminale të tij raportojnë në polici, këtu tek ne në fakt krimineli është ishull i vetmuar në detin e indiferentizmit dhe “moskokëçarjes” së përzierjes me policinë. Një bashkëpunim më i mirë i qytetarëve me forcat e policisë dhe një ndërgjegjësim më i madh i tyre për të kuptuar se shteti nuk është assesi “armiku”, por miku më i mirë që të mbron jetën dhe pasurinë do ta ulte ndjeshëm shkallën e kriminalitetit në vend dhe do të siguronte një rend më të qëndrueshëm të sigurisë publike. Ndonjëherë ndryshimet e mëdha që i presim të vijnë si nga qielli mund të jenë një hap më larg nesh. Trajtimi më profesional i kronikës së zezë dhe rritja e rolit të qytetarit në ruajtjen dhe mbarëvajtjen e rendit publik mund të jenë dy hapa që mund të duken të vegjël por që në realitet janë dy shtylla kryesore prej nga ku mund ta fillojmë ta riparojmë godinën e dëmtuar të rendit publik pas këtyre ngjarjeve të fundit.

Gazeta Shqip 16.08.2012


No comments: