Në datën 13 gusht 1933 agjencitë telegrafike të Ballkanit
përcollën lajmin se në Selanik ishte qëlluar për vdekje ish Kryeministri i
Shqipërisë dhe politikani kosovar, Hasan Prishtina. Lajmi ashtu si pritej
shkaktoi pështjellim në gjithë kancelaritë e Ballkanit, por reagimi më i
madh natyrisht ishte nga opinioni publik shqiptar këndej e andej kufirit.
Vrasja
e patriotit Hasan Bej Prishtinës në Selanik të Greqisë nga një emigrant
pothuajse i panjohur Ibrahim Çelo jo vetëm që tronditi gjithë opinionin
mbarëshqiptar por dhe hodhi hije të forta dyshimi mbi autorësinë e vërtetë apo
urdhëruesin e kësaj vrasje, vetë Naltëmadhëninë e tij Ahmet Zogu. Ky dyshim
vinte jo sepse autori Ibrahim Çelo deklaroi një gjë të tillë në organet e
policisë greke por sepse mënyra dhe ekzekutimi i vrasjes ishte pothuajse i
njëjtë si vrasja e Gurakuqit. Atentatori ashtu si dhe në rastin e Gurakuqit
ishte një i njohur i vjetër i viktimës dhe të dy martirët e lirisë shqiptare
kanë rënë viktima të pabesisë së vrasësve. Gazeta greke “Të reja nga Maqedonia”
përshkruan momentet e vrasjes së patriotit Hasan Prishtina si më
poshtë: Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në
rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare
simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i
gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës
Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane ’’IVI’’ dhe në largësi
dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri
rrufeshëm revolverin e markes ’’SMITH’’ dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i
cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të
dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe
t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e
shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes. Si
kuptohet dhe nga përshkrimi i gazetës ajo duket që ishte një vrasje e
porositur, pasi vrasësi në mënyrë makabre nuk ndalet as kur viktima ishte i
rënë përdhe por e qëllon për tu siguruar në kokë. Mirëpo ajo që i përforcon më
shumë bindjet se Hasan Prishtina ka rënë viktimë e ambicieve të Mbretit Zog për
të përforcuar pozitat e tij sunduese janë rrethanat ndërkombëtare dhe koha kur
u realizua vrasja.
Hasan Prishtina, një nga krijuesit e Pavarësisë së
Shqipërisë, udhëheqësit të kryengritjes së viseve shqiptare në vitin 1913
kundër pushtimit të tyre nga ushtria serbe, restauruesit të pavarësisë
shqiptare në 1920 dhe kryeministrit të një qeverie shqiptare në 1922 ishte një
nga përkrahësit më të flaktë të përfshirjes së Shqipërisë në problemin kosovar
dhe realizimit të një politike më aktive të Shqipërisë për të realizuar
bashkimin kombëtar. Mirëpo këto dëshira dhe plane të tij binin ndesh me
dëshirat dhe synimet e një grupi më të vogël deputetësh dhe politikanësh që
kryesisht vinin nga radha e ish nëpunësve të Perandorisë Otomane ku ndjenja
nacionale nuk kish zënë vend njëlloj si te grupi i nacionalistëve ku Prishtina
ishte një nga themeluesit e kësaj rryme që në vitin 1910. Mes këtij grupi
politikanësh me vizion të ngushtë kombëtar dhe të interesuar vetëm për të
përforcuar pushtetin e vet lokal që e shikonin të ushtruar vetëm brenda kufijve
të Shqipërisë shquante Ahmet Bej Zogolli, përfaqësuesi i një familje lokale
fisnike shqiptare që nuk kish shkëlqyer shumë në karrierën perandorake si
familjet e tjera të mëdha shqiptare si Vlorajt, Vrionasit, Bushatllinjtë,
Libohovajt etj. Ahmet Zogolli i zgjedhur për herë të parë kryeministër në vitin
1922 do të deklaronte nga tribuna e parlamentit shqiptar se “shteti
shqiptar është i vogël dhe politika jonë duhet të jetë e qartë, e sinqertë dhe
pa iluzione të cilat mund të na dëmtojnë shumë”(me fjalën iluzione nënkupto
përkrahjen e kauzës për tu bashkuar me Shqipërinë të territoreve shqiptare të
mbetura jashtë kufijve.)
Problemi i përkrahjes së popullsive shqiptare të lëna
jashtë kufijve apo lënies së tyre në fatin e vet ishte një problem që ndante
shumë politikanë kosovarë aktivë në jetën politike të Shqipërisë si Hasan
Prishtina, Bajram Curri, Kadri Hoxha etj nga pjesë e politikanëve shqiptarë që
dëshironin të konsolidonin në radhë të parë pushtetin e tyre në Shqipëri, qoftë
dhe përmes aleancave me fqinjët. Kjo mospërputhje e madhe për idenë kombëtare
dhe mënyrën e ndërtimit të kufijve të shtetit shqiptar i kish detyruar që më
herët, në vitin 1918, politikanët kosovarë të themelonin “Komitetin për
Mbrojtjen e Kosovës”. Në komitet përveçse politikanëve kosovarë merrnin pjesë
dhe shumë patriotë të tjerë shqiptarë, kryesisht politikanë të opozitës
shqiptare që si përfaqësues të shtresës së mesme dhe intelektuale kishin një
vizion më të qartë të idesë kombëtare. Një pjesë e madhe e tyre u larguan
jashtë atdheut pas rikthimit të Zogut më dhjetor 1924 dhe përbënë për një kohë
të gjatë emigracionin aktiv antizogist dhe alternativën tjetër qeverisëse në
rast të ndërrimit të pushtetit në Shqipëri. Të organizuar në organizata të
ndryshme politike sipas bindjeve të tyre, ata nuk përbënin ndonjë rrezik të
madh për Zogun, por në momentet kur për shkak të konjukturave politike në
Ballkan ata fitonin përkrahjen e ndonjë fuqie të madhe ktheheshin në një rrezik
potencial për regjimin zogist. Kjo ishte dhe një nga arsyet që Zogu herë pas
here mundohej të godiste politikisht cilindo nga këto grupe emigracioni,për të
siguruar pozitat e veta në Shqipëri por dhe për të dhënë mesazhin e duhur
Italisë, si të vetmes fuqi të madhe që i ishte dhënë përparësi në Shqipëri se
ai ishte i vetmi partner që duhej të merrej në konsideratë. Mirëpo gjërat filluan
të ndryshojnë aty rreth viteve 1931-1932 kur u kuptua se shteti shqiptar nuk
kishte aftësitë e duhura financiare për të paguar kreditë e marra nga italianët
që me nënshkrimin e paktit të vitit 1926. Në këto kushte italianët
filluan të bënin presion ndaj Zogut duke i avancuar kërkesat rreth prezencës së
tyre në Shqipëri. Kështu, në këmbim të shtyrjes së kthimit të interesave të
kredisë ata kërkuan që në krye të xhandarmërisë shqiptare të vendoseshin
oficerë italianë, dhe ti jepesh mbretërisë italiane monopoli i sheqerit,
telegrafit dhe elektrikut . Si mund të kuptohet lehtë nga këto kërkesa politika
italiane kërkonte që të vinte nën një diktat akoma më të rëndë mbretërinë
shqiptare dhe të shtronte rrugën për pushtimin e mëvonshëm të Shqipërisë. Këto
kërkesa që çonin në pakësimin e sovranitetit të Shqipërisë, natyrshëm e shtynë
mbretin Zog që t’iu kundërvihet dhe të përpiqej të hartonte një politikë të re
të jashtme.
Vitet 1931-1935 sipas Prof Paskal Milos janë vitet kur
Zogu përpiqet të luajë një politikë të pavarur të jashtme dhe për këtë gjë
tenton afrimin politik dhe me fuqi të tjera të mëdha dhe me shtetet e tjera në
Ballkan. Si zakonisht, në raste të tilla kthesash politike trokitet tek miqtë e
vjetër që në rastin e Zogut, ishte mbretëria serbo-kroate-sllovene. Në këto
kohë po bëheshin përgatitje për Paktin Ballkanik dhe Zogu dëshironte ti
bashkëngjitej kësaj iniciative. Në themel të këtij pakti ishte rregullimi i
marrëdhënieve diplomatike dhe shuarja e kontradiktave për kufijtë midis
shteteve ballkanike, gjë që në fakt shkonte në kundërshtim me politikën
italiane që dëshironte të mbante ndezur vatra konflikti për ta pasur më të
lehtë ndërhyrjen në Ballkan. Për ketë arsye ata sponsorizonin dhe përkrahnin
çdo lëvizje që nga ta konsiderohej si irredentiste por në thelb ishin
lëvizje-protesta ndaj padrejtësive që u ishin bërë popullsive në Ballkan, për
të krijuar Serbinë e Madhe, Greqinë e Madhe dhe Bullgarinë e Madhe. Mes këtyre
lëvizjeve që nga viti 1925,të patriotëve kroatë, sllovenë dhe maqedonas ,të gjithë
përfaqësues të popullsive që vuanin nga shovinizmi serb, diplomacia italiane
ishte në kontakt dhe me eksponentë të Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës dhe
Hasan Prishtinën si një nga udhëheqësit e këtij komiteti. Hasan Prishtina
kishte zgjedhur për të jetuar në Selanik si një qytet ku ai kish mbaruar
studimet e shkollës së mesme por dhe sepse ishte afër Shqipërisë dhe Kosovës
nga ku mund të vazhdonte të influenconte në jetën politike të vendit. Duke qenë
se ai vinte nga një familje e pasur , kishte blerë një shtëpi në një nga lagjet
e pasura të Selanikut dhe një pjesë të pasurisë së tij e përdorte për të
sponsorizuar të rinj kosovarë që dëshironin të shkolloheshin. Në fakt në
momentet e vrasjes së tij, ish kryeministri i Shqipërisë. nuk paraqiste ndonjë
rrezik të madh për Zogun që e kish konsoliduar pushtetin e tij tashmë në
Tiranë, por si mbështetës i idesë për një bashkim të Kosovës me Shqipërinë
përbënte rrezik për mbretërinë jugosllave. Në këto vite në bisedimet që Zogu
filloi me jugosllavët për të fituar mbështetje diplomatike ndaj Italisë, u fol
dhe për një kredi jugosllave që do i lëvrohej për të mos qenë më i varur
financiarisht nga italianët. Zogu, si një feudal tipik intrigant edhe pse e
dinte se lëvizja e vitit 1932 kundër tij kish qenë e organizuar nga legata
jugosllave në Vlorë, nuk e kishte për gjë të hynte në marrëdhënie me ta, me
kusht që ti shtynte ditët mbretërimit të tij që nga lakmia që kish pasur për
para dhe pushtet e kish dënuar me vdekje me paktet e Tiranës të nënshkruar me
italianët në mesin e viteve 20. Koha dhe mënyra sesi u procedua të shtyn të
mendosh se vrasja dhe eliminimi fizik i patriotit Hasan Prishtina i datës
13 gusht 1933 ka qenë një pjesë e marrëveshjes dhe besnikërisë që Zogu po u
tregonte jugosllavëve për ta pasur dhe më të lehtë aderimin në Paktin
Ballkanik. Pakti Ballkanik po ndërtohej me insistimin diplomatik të Francës, e
cila kishte si shtet të përkëledhur të saj në Ballkan , mbretërinë jugosllave
dhe Zogu e kuptonte se për të fituar simpatinë e fuqive të tjera evropiane
rruga i kalonte nga Beogradi. Si një bashkëpunëtor i vjetër i tyre Zogu i
njihte mirë dëshirat dhe kushtet e afrimit me ta, ndaj dhe Zogizmi si rrymë
mendimi që mbizotëroi në Shqipëri pavarësisht një shashke propagandistike të
vitit 1928 kur Zogu u shpall mbret i shqiptarëve dhe ky përcaktim solli një
notë proteste nga ana e Beogradit, në përgjithësi insistoi që kombi shqiptar
shtrihej vetëm brenda mbretërisë shqiptare dhe nuk shkaktoi ndonjë rrezik
diplomatik për mbretërinë jugosllave.
Kështu ish kryeministri i Shqipërisë dhe burri i shtetit
shqiptar Hasan Prishtina u zgjodh për tu bërë kurban një kombinacioni politik
të dështuar që në fillim, pasi loja që dëshironte të luante Zogu nuk mund të
kishte sukses pas nënshtrimit total prej gati 8 vjetësh që ai kish bërë ndaj
Italisë fashiste. Për më tepër ky kombinacion politik nuk u shkonte për shtat
shqiptarëve në atë kohë pasi çimentonte ndryshimet territoriale që ishin bërë
me pa të drejtë mbi kurrizin e popullsisë shqiptar në rajon dhe e varroste për
së gjalli ëndrrën e bashkimit të tyre kombëtar. Qëllimet e vërteta të vrasjes
së Hasan Prishtinës kuptohen tërthorazi dhe nga deponimet e vrasësit Ibrahim
Çelo në policinë greke ku sipas gazetës “Të reja nga Maqedonia” ai deklaroi se akti
i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i
atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaromaqedonas me
qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë
antetatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjet ditëve, kur po
vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i
bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogun. Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor
dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto
propozime të tij, sepse jam pro regjimit te mbretit Ahmet Zogu dhe nuk
dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajne
tradhëtar. Pra si mund të kuptohet lehtë Hasan Prishtina prishte
gjumin e monarkisë jugosllave prandaj u përzgjodh për tu vrarë në afrimin
politik të radhës të Zogut me serbët, por si zakonisht për ti dhënë më tepër
besueshmëri aktit u deklarua se ai planifikonte dhe vrasjen e mbretit Zog
nëpërmjet një tregtari frutash që banonte në Nicë të Francës! Ironi më të madhe
nuk mund të kishte dhe regjimi zogist sado që mundohej të justifikohej se
s’kishte gisht në këtë punë, për gjithë opinionin publik ishte e qartë se po
shënonte vrasjen politike të radhës.
Festimet e 100 vjetorit të pavarësisë nuk mund të shmangin nderimet dhe
homazhet që meriton figura e Hasan Prishtinës si hartuesit të planit të
kryengritësve shqiptarë prej 14 pikash në gusht të vitit 1912 për pavarësinë e
Shqipërisë, ish kryeministër dhe burrë shteti shqiptar por në të njëjtën kohë
këtyre homazheve dhe nderimeve nuk mund ti bëhen në të njëjtën kohë një figure
të errët si Ahmed Zogolli pasi historigrafia akoma vazhdon të jetë e ngarkuar
emocionalisht dhe nuk e ka thënë përfundimisht fjalën e vet. Deri atëherë
shteti shqiptar mund të bëjë diçka më të mirë, të ndërtojë një monument të
Hasan Prishtinës në Tiranë dhe përpiqet që ti kthehet prona nga shteti grek
pasardhësve të Hasan Prishtinës pasi kështu të paktën i kthejmë një borxh moral
sado të vogël, këtij burri të madh shteti.
Burime
1. Akademia e Shkencave të Shqipërisë:Historia
e Shqipërisë,Vëllimi 2, grup autorësh.Toena, Tiranë:2002
2. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të
Shtetit: Hasan Prishtina (Përmbledhje
dokumentesh 1908- 1934), Tiranë, 1983.
3. Ferraj , Hysamedin: Skicë e mendimit
politik politik shqiptar.Tiranë,2006
4. Fisher, Bernd : Mbreti Zog dhe
përpjekja për stabilitet në Shqipëri,Tiranë 2006
5. Haxhiu, Ajet: Hasan Prishtina dhe
Lëvizja patriotike e Kosovës, Tiranë, 1964.
7. Rothschild, Joseph. Europa Lindore
dhe Qendrore midis dy luftërave botërore, Tiranë 2002
8. Skëndi, Stavro: Zgjimi kombëtar i
shqiptarëve, Tiranë,2002
Gazeta Shqip 23.08.2012
No comments:
Post a Comment