Thursday 1 March 2012

Teoritë konspirative dhe Integrimi




Moda më e re në Shqipëri në diskutimet publike janë teoritë e konspiracionit. Gjithandej nëpër biseda njerëzish në vende publike dhe ambiente familjare mund të dëgjosh variantet nga më të ndryshmet konspirative  të fillimit të demokracisë shqiptare, funksionimit të saj , të marrëdhënieve të ambasadorëve të huaj me politikanët shqiptarë, të gjeostragjisë dhe rëndësisë së shqiptarëve në rajon etj. Kjo frymë konspiracioni që mbizotëron në eter ka bërë të mundur dhe fillimin dhe lulëzimin e një industrie të madhe të librave për teoritë e konspiracionit , të cilët shënuan një rekord shitjesh dhe në panairin e fundit të librit. Tituj bombastikë si “Komiteti i të Treqindëve”, “Klubi i Bilderbergut”, “Iluminati” etj rreken me një gjuhë të thjeshtë dhe fakte të mbledhura andej këndej nëpër koincidenca të jetës publike të shteteve të fuqishëm të krijojnë një mozaik ngjarjesh të vazhdueshme që drejtohen nga e njëjta “dorë e padukshme” që nga fillimet e historisë njerëzore e deri më tash. Adhurues të shumtë të këtyre librave dhe fakteve të servirura në to fillojnë ta shikojnë partitë politike në vend, figurat publike, marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë por dhe funksionimin e shoqërisë civile nën syrin kritik të kësaj literature duke krijuar një klimë të dyfishtë që sa shfaqet nëpërmjet  ilaritetit të fakteve  por dhe në ngjyrimet e një situatë të pashpresë a thua se vullneti ynë politik është i paracaktuar nga qendra të tjera vendimmarrëse. Natyrisht sikur kjo klimë të mbetej vetëm në nivel lexuesish dhe shkëmbimit të informacioneve mes tyre nuk do të përbënte problem pasi gjithsecili që do të dëshironte të dinte më shumë do të kishte mundësi nëpërmjet burimeve të tjera më të besueshme të përftonte dijen e duhur por kur kjo klimë konspiracioni dhe e të kuptuarit të kumteve politikë përçohet tek analistët , media dhe politikanët shqiptarë atëherë me të vërtetë gjërat fillojnë të bëhen pak më serioze.
Shqipërisë në këto 21 vjet ndërtimi të demokracisë dhe përpjekjeve për të arritur një funksionim të drejtë të saj si modeli qeverisës që ka përftuar në fillim të viteve 90’ nuk i është imponuar ndonjë axhendë e veçantë dhe e ndryshme zhvillimi nga ajo e vendeve të tjera ish socialiste që nisën rrugën e reformave. Kriteret bazë për të qenë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian janë shpallur në mënyrë të hapur dhe jo të fshehtë ndaj çdo lloj spekulimi se vonesat tona janë për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në Shqipëri janë të pasakta. Vendet fqinje me Shqipërinë, republikat e ish Jugosllavisë kaluan përmes makthit të konfliktit etnik çka teorikisht por dhe praktikisht i vononte shumë ato drejt integrimit në strukturat Euro-Atlantike  e megjithatë dy prej tyre janë tashmë vende anëtarë dhe dy të tjera kanë nënshkruar para nesh statusin e vendit kandidat e Serbisë tani së fundmi ju hap drita jeshile për ta këtë status. Këtë integrim ato e arritën përmes zbatimit të reformave, normalizimit të jetës politike në vend, zbatimit të gjithë detyrimeve të evidentuara në progres raportet dhe jo ndonjë miqësie të veçantë me ndonjë shtet të fuqishëm. Sigurisht që çdo shtet krijon dhe ka marrëdhënie preferenciale me një shtet të veçantë por asgjëkund nuk është vërejtur në jetën politike të tyre që referencat miqësore me ndonjë shtet të madh si është ajo mes Shqipërisë dhe SH.B.A të keqpërdoren në mënyrën më diletante si ndodh këtu. Për çdo ngjarje të mundshme apo problem që has shteti shqiptar analistë dhe politikanë mundohen ta paraqesin si në harmoni me politikën zyrtare të SH.B.A aq sa shpesh qytetari i thjeshtë nuk arrijë të kuptojë dallimet mes tyre. Çdo referencë apo takim i ambasadorëve të huaj në Shqipëri komentohet si mbështetje e hapur apo qortim ndaj atyre që morën pjesë në takim aq sa besoj se kanë filluar qytetarët shqiptarë të “dinë” më mirë se diplomatët e thuaj se ç’kërkojnë ata për Shqipërinë. Ky vrapim i stërmunduar për të deklaruar se “Amerika” apo “Evropa” është me ne, e ka rrudhur shumë forcën përfaqësuese të politikanëve shqiptarë pasi shpesh herë ata kanë filluar të perceptohen nga opinioni publik në vend si kukulla që drejtohen nga mjeshtërit e mëdhenj që janë jashtë skene. Edhe pse nuk mund të mohohet diplomacia e SH.B.A dhe e B.E në rajon është shumë aktive prapë së prapë vendimet dhe hartimin e strategjive për zhvillimin e vendit janë ekskluzivitet  i klasës sonë politike. Për ta ilustruar, mund të sjellim ndërmend periudhën e parë kur u bëmë shtet e ku prezenca e ndërkombëtarëve ishte shumë më e madhe sesa sot  nëpërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Kontrollit, e ku shumë vendime dhe aksione politike klasa jonë politike e asaj kohe e përfaqësuar nga Esat Pashë Toptani , Preng Bib Doda dhe Ismail Qemali  i ndërmori kundër vullnetit të tyre në kundërshtim me faktin që trumbetohet sot se dhe atëherë dhe tani klasa jonë politike nuk është e pavarur. Kur klasa politike vendase është në gjendje të afrojë një vullnet politik konstant për një çështje, ky vullnet nuk mund të anashkalohet lehtë nga ndërkombëtarët, por përkundrazi fillon e merret parasysh. Kemi më shumë se dy ditë që ankohemi për Marrëveshjen Serbi-Kosovë, nënshkrimi i së cilës i hapi rrugën statusit kandidat të Serbisë, por nuk e kemi pyetur ndonjëherë veten se ç’variante ofruam ne për këto bisedime dhe ku ishte vija e kuqe që ne nuk do të tërhiqeshim. Ndërsa  pala serbe që nga momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka afruar shumë modele duke filluar që nga ai i Tirolit të jugut e deri tek ai i Tajvanit, pala shqiptare është mjaftuar të fle në gjumin e dafinave me shprehjen që është bërë bajat i politikave tona të jashtme se për ne po “mendojnë miqtë tanë amerikanë”
Demokracia liberale si një sistem që vazhdimisht mundohet të përmirësojë vetveten ka në themel të saj vullnetin e lirë të atyre që marrin pjesë në funksionimin e saj ndaj klasa politike shqiptare nuk mund të bëjë përjashtim nga ky rregull. Interesat gjeostrategjike të miqve tanë dëshirojnë që të kenë një Shqipëri të fortë dhe të stabilizuar në Ballkan por dhe të bazuar në ushtrimin dhe funksionimin e mirë të demokracisë. Për këtë arsye kriteret e Kopenhagenit që janë kriteret bazë për tu përmbushur për çdo vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, krahas kritereve ekonomikë kanë mes tyre dhe kriteret politikë nga të cilët Shqipëria si ka përmbushur ende një pjesë. Dëshira e ethshme për tu ndihmuar nga ndonjë “mik” i fortë për ti plotësuar këto kritere sa pasqyron funksionimin e brendshëm të demokracisë shqiptare po aq lë për të dëshiruar për nivelin e klasës sonë politike. Integrimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian as nuk do të jepet as nuk do të falet nga Komisioni Evropian ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve i mbetet që të normalizojë jetën politike në vend në bazë të planit prej 12 pikash që ka kërkuar Bashkimi Evropian për të zbatuar. Kjo rrugë besoj, është rruga e vetme që do të na çojë drejt Brukselit pa e vrarë shumë mendjen nëse vajtja jonë atje ishte sepse e merituam apo pjesë e një plani më të madh konspirativ. 


No comments: