Saturday 31 March 2012

Klasa e mesme



Një nga arritjet më të mëdha të politologëve në vitet 60’ të shekullit të shkuar ishte futja e konceptit të tregut në marketimin dhe pranimin e ideve politike. Tregu me forcën e vet gjallëruese kishte filluar të jepte efektet e para në përpjekjet për fillesat e një Bashkimi Evropian dhe mekanizmat e tij të ofertës dhe kërkesës po zinin çdo ditë e më tepër vend në fjalorin politik evropian përsa i përket partive politike dhe zgjidhjeve që ato mundoheshin të afronin në kuadër të sistemit pluralist. Ky mendim i pjekur politik i parapriu dhe zhvillimit dhe lindjes së Globalizmit, ndaj në botën e pas Luftës së Ftohtë dhe të mungesës së ideologjive partitë perëndimore të të dyja skeptrave qoftë të majtë apo dhe të djathtë, e patën më të thjeshtë adaptimin në rendin e ri të ngjarjeve sesa në se do të kishin mbetur parti të mbyllura dhe që nuk reflektonin zhvillimet ekonomike e politike të kohës. Shqipëria për shkak të zhvillimeve krejt të kundërta nga ato të Evropës perëndimore ishte jashtë këtij perceptimi që po hidhte shtat në Evropë , ndaj dhe kur partitë e reja politike u ballafaquan me këtë koncept  për herë të parë pas viteve 90’ nuk arritën dot të reagonin si duhej por mbetën klasike e zhvillimit të forcave politike njëlloj si në regjimin e mëparshëm .
Të gjitha partitë politike që u krijuan trashëguan po të njëjtën filozofi  drejtimi ku spikaste autoritarizmi dhe mungesa e demokracisë së brendshme derisa nën presionin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare por dhe të presionit dhe influencës perëndimore nëpërmjet pjesëmarrjes në grupimet e mëdha politike evropiane, të djathta e të majta u arrit një normalizim i jetës së tyre të brendshme politike ku mendimi ndryshe nuk anatemohej më si herezi. Edhe pse kjo filozofi drejtimi vazhdon ende të mos e gjej veten të shprehur fuqimisht në jetën politike të partive shqiptare dhe shpesh herë dhe të cenohet në emër të një uniteti fals përballë kundërshtarit “që kërkon të na shkërmoq”, prapëseprapë dinamikat e vetë zhvillimit të jetës sociale në Shqipëri po tregon se mënyrave të vjetra dhe klasike të drejtimit po u vjen fundi. Për më tepër kësaj radhe partitë politike shqiptare për herë të parë në këto njëzet vjet tranzicion po sofistikohen dhe nga ana ideologjike më debatin tashmë të hapur midis së majtës dhe së djathtës për taksimin progresiv apo atë të sheshtë. Pa hyrë fare në detaje, ky debat ja vlen për tu përshëndetur pasi tregon se partitë politike po mundohen të gjejnë identitetin e tyre politik si dhe të përfaqësojnë më mirë interesat e votuesve të tyre tradicionalë. Këtij debati, (shpresojmë  të shëndoshë) që po zhvillohet iu shtua së fundi dhe përcaktimi për herë të parë i klasës së mesme një koncept tashmë shumë i rrënjosur në mendimin politik evropian.
E perifrazoi Blushi në artikullin e tij të gjatë për të majtën në Shqipëri, e perifrazoi dhe kryeministri kur deklaroi se një nga shenjat e ndryshimit të Shqipërisë është dhe ekzistenca e klasës së mesme në jetën sociale të vendit, perifrazime këto që tregojnë se më së fundi u hoq dorë nga mentaliteti për të zotëruar intelektualët, një përpjekje që ka karakterizuar partitë politike shqiptare sa herë kanë dashur të sjellin prurje të reja në parti. Ky emërtim që u bëhej të gjithë atyre që kanë kryer arsimin e lartë në Shqipëri dhe që për hir të së vërtetës tingëllonte shumë demode pasi vazhdonte ti mbetej besnik ndarjes së shoqërisë në kohën e regjimit komunist ku shtresa e inteligjencës zinte një vend të veçantë kishte asfiksuar mendimin politik shqiptar në formën e KOP-it dhe Mjaft-it. Tashmë kohët kanë ndryshuar, në skenë prej kohësh ka dalë një shtresë që prodhon dhe mban me energjitë e saj gjithë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë e që patjetër kërkon më tepër përfaqësim politik për të vendosur dhe për fatet e saj që janë të lidhura shumë ngushtë dhe me zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Pyetja shtrohet a është e mundur dhe si mund të përfaqësohet kjo shtresë? Vetëm majtas? Pse jo djathtas? Ku mund ta gjejë veten më mirë dhe përse? Si shikohet nga numri i gjatë i pyetjeve dhe dilemave duket që debati vetëm sa ka nisur sepse për tu zbatuar në praktikë ka një rrugë të gjatë përpara. Vetëm se disa të dhëna na vinë në ndihmë për të shkoqitur më mirë terrenin se ku zhvillohet ky debat. Një deklarim i para disa muajsh nga INSTAT dhe i transmetuar në mediet vizive shqiptare tregonte se depozitat e shqiptarëve në sistemin tonë bankar zotëroheshin në masën 50 % prej 4 % të depozituesve shqiptarë kurse 96 % e tyre zotëronte pjesën e mbetur. Ky lloj hendeku i madh i krijuar në shoqëri në fakt nuk lë shumë vend për entuziazëm pasi në një verifikim të shpejtë rezulton që ky 4 % është dhe një grup vendimtar që jep mbështetjen e tij financiare në zgjedhjet që zhvillohen në Shqipëri dhe që shpesh herë ka zgjedhur përfaqësues të vet në parlament. Dashur pa dashur ky fakt, nisur dhe nga denoncimet e vazhdueshme që ka bërë komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri për blerjen e votës na kujton sistemin e mëparshëm të votimit në Shqipëri në vitet 20’, ku votonin ata që quheshin përfaqësues të popullit dhe të një numri të caktuar popullsie  dhe që zakonisht ishin  njerëz të pasur dhe fisnikë që zotëronin toka. Klasa e mesme së pari duhet të zgjidhë këtë deformim të dhimbshëm të vullnetit popullor para se të fillojë së zgjedhuri majtas apo djathtas. Dhe së fundi duke perifrazuar fabulën e njohur tashmë të Blushit për futjen e elefantit në shishe, mendoj se dilema më e rëndësishme është se ç’fjalë do ti thuhet elefantit për ta bindur të futet në shishe sesa ndryshimin e shishes apo dhe të vetë elefantit. Kjo e para besoj se mbetet sfida më e madhe që ky debat pritet të përballojë në rrugën e vet për caktimin e rolit të drejtë të klasës së mesme në jetën publike dhe shoqërore shqiptare. 


No comments: