Tuesday 10 January 2017

Ylli i shuar shpejt i idealizmit patriotik shqiptar




Në këtë vend idealistët janë të rallë.Por aq të paktë sa janë, shkëlqejnë me personalitetin e tyre, sa mund të bëjnë te skuqen shumë veta në të tashmen që pretendojnë të jenë elitë e vendit. Një nga ta,  është Sali Nivica, mësues, patriot e gazetar që në Shkodrën e viteve 20' kishte themeluar gazetën "Populli". Gazeta "Populli" ishte një tribunë e mendimit të lirë dhe pasqyronte me pathos përpjekjet e kombit shqiptar për të krijuar një shtet modern shqiptar. Gazeta sipas S.Nivicës do të ishte: '…..një monumet kushtuar kujtimit të patriotëve, detyrë kolegësh, mundësi ngushëllimi, mjet thirrjeje për zgjimin shqiptar'.
Sali Nivica, i lindur ne Rexhin të Kurveleshit, i diplomuar në Robert College ne Stamboll, i punësuar si arsimtar në Durrës, gazetar e anëtar i Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosoves" në Shkodër, përfaqëson brezin e shkëlqyer të studentëve idealistë shqiptarë që u mëkuan me vargjet e Naimit, aksionin luftarak të vellezërve Topulli, publicistikën therrese të Konicës,epikën e satirën e Fishtës. Sali Nivica ishte një dishepull i tyre dhe vet me veprën e tij pasuroi dhe çoi më përpara mendimin idealist e shtetformues shqiptar. Në 10 janar 1920, u vra në mënyrë barbare nga Kolë Ashiku në Shkodër, duke vulosur me gjak idealin e tij që priste të realizohej në Kongresin e Lushnjës. Arsyet e vërteta u maskuan me arsye banale, por fakt është që mendimi politik shqiptar kishte humbur një nga korifejtë e vet të viteve 20’.




No comments: