Monday 9 January 2017

Arkitekturë, ura dhe rrugë në Pashallëkun e Janinës.



Trashëgimia kulturore e Pashallëkut të Ali Pashës është e larmishme dhe në gjithë Shqipërinë e jugut u realizuan, si asnjëherë më parë, vepra të rëndësishme publike. Ato ndahen në vepra të karakterit ushtarak e civil, si kështjella, rrugë, ura, banja (hamame), hane, ujësjellësa, çezma publike dhe godinave administrative.
Të gjitha këto vepra të mëdha arkitekturore u realizuan nga kryearkitekti i Ali Pashë Tepelenës, Petro Korçari, por edhe një pjesë e arkitektëve dhe inxhinierëve qenë të huaj, që i kishin zënë robër më 1798 dhe që u morën fill pastaj me fortifikimin Prevezës, apo si koloneli francez Vodonkur, që u mor me të njëjtin fortifikim dhe me atë të kështjellave të Janinës më 1806-1807, apo alzasiani i myslimanizuar, Ibrahim Manzuri që i shërbeu Aliut në vitet 1816-1819 dhe që ishte në krye të ndërtimeve të vezirit. Ali Pasha kishte sjellë nga Viena, rreth vitit 1812, një specialist të çmuar, Frejvaldin, që ishte kryearkitekt civil i Moravisë dhe që i shërbeu atij për pak vjet, bashkë me një stukator, ky i fundit për zbukurimet në punime allçiri të pallateve.
Por në të njëjtën kohë ai ka shfrytëzuar edhe punën e mjeshtave popullorë vendas, shqiptarë ku binte në sy mjeshtrit e Oparit dhe të Lunxhërisë, të krahinave të Korçës, Përmetit , Gjirokastrës e Janinës por edhe të ndonjë krahine të veriut të Shqipërisë, ku ndihej ndikimi dhe influenca e tij si krahina e Dibrës.Po kështu sipas Pouqeuville, në ndërtimet e tij ai ka përdorur dhe punën e mjeshtrave grekë dhe vllehë si ishte rasti i mjeshtërve të Mecovës. Katherine Elizabeth Fleming shkruan: Sapo morri titullin “pasha i Janinës” nisi një projekt ambicioz veprash publike, duke ndërtuar rrugë, lokale, duke permirësuar rrugët e komunikacionit dhe inkurajuar tregëtinë.Broughton shkruan: Ka ndertuar ura mbi lumenj, diga në këneta, ka hapur shumë rrugë, zbukuruar fshatrat dhe qytetet me ndërtesa të reja.




No comments: