Wednesday 23 May 2012

Poli i tretë




Përafrimi i zgjedhjeve të përgjithshme elektorale përndez gjithmonë politikat e koalicioneve që kërkojnë të ndërtojnë partitë e mëdha politike në vend. Ekzistenca e këtij kodi elektoral aktual kërkon bashkimin e sa më shumë votave për të bërë të mundur marrjen e sa më shumë mandateve përfaqësues në parlamentin e Shqipërisë. Kjo është një nga arsyet që tregu politik aktual shqiptar më tepër sesa një alternativë shprehëse e platformave politike është kthyer në një konglomerat interesash të drejtë për së drejta të partive që marrin pjesë në koalicione. Kjo situatë mesa duket nuk pritet të ndryshojë përderisa partitë e mëdha e kanë vendosur që të hynë sërish në zgjedhje me këtë kod elektoral duke shmangur aleatë të bezdisshëm që jo radhë herë duke përfituar nga rasti u kanë vënë shkelmin në fyt për të siguruar maksimumin e mundshëm nga pjesëmarrja e tyre në koalicion. Mirëpo duke qenë se ballafaqimi politik e elektoral pritet sërish që të jetë shumë e ashpër ashtu si dhe në vitin 2009 e ku për fat të keq çdo votë merr një rëndësi të veçantë dhe përcaktuese përsa i përket rezultatit përfundimtar, loja politike për të përftuar sa më shumë vota pritet që të sofistikohen dhe të përmirësohet më tepër.
Partitë e vogla janë ato që do të jenë sërish në qendër të vëmendjes, të cilat do të ftohen për të qenë pjesë të koalicioneve por dhe do të margjinalizohen në të njëjtën kohë për të mos marrë hapësira më shumë sesa u takojnë apo përfaqësime politike që s’mund ti realizojnë me sukses. Kjo gjë do të ndodhë jo vetëm për faktin se pesha e tyre specifike është shumë e vogël, por edhe për faktin që koha e ka treguar se edhe kur kanë marrë pjesë në qeverisje përfaqësuesit e tyre shpesh herë kanë ndërruar partinë duke iu bashkangjitur partisë më të madhe që i ka ftuar në koalicion. Kjo paqëndrueshmëri platformash dhe individësh është kthyer në një sëmundje të vërtetë parlamentare, sidomos në legjislaturën 2005-2009 ku demokristianët me nga një deputet , në fund të legjislaturës numëronin tetë të tillë.
Për të shmangur këtë anomali demokratike por dhe për të realizuar një balancë më të mirë të jetës politike vend do të ishte e udhës që shumë i përfoluri poli i tretë të fillonte të merrte formë në prag të këtyre zgjedhjeve. Situata është mëse e favorshme për tu ndërmarrë një hap i tillë , pasi gjithandej nëpër partitë e vogla po ndihet fryma e dëshirimit për ti pasur aleatë por dhe e mënjanimit për ti detyruar që të hyjnë në këto koalicione me kushtet e diktuara nga partitë e mëdha. Kjo frymë mund të jetë një alkimia dhe kimia më e mirë që shumica e këtyre partive të grupohen në një pol të qendrës për të bërë të mundur që të ekzistojnë si një tra ekuilibri ku politika konfliktuale të arrijë të kapërcejë pengesat për të normalizuar jetën politike në vend. Përveç kësaj domosdoshmërie të nevojshme për të kontribuar në jetën politike të vendit, ky vendim diktohet dhe nga të dhënat teknike që mund ti bëhet leximit të kodit zgjedhor. Partitë e dyta që do të jenë në renditje pas partive të mëdha do të jenë ato që do të mbledhin dhe votat e partive të tjera duke krijuar kështu një mishmash përsa i përket përfaqësimit të vërtetë të zgjedhëse. Duke qenë se qëllimi i çdo force politike është pushteti, nuk besoj se do të ketë parti kaq altruiste sa të pranojnë kaq lehtë që votat e zgjedhësve të tyre të shkojnë në fuqizimin e partive të tjera. Kjo është dhe një nga arsyet që si djathtas dhe majtas po dëgjohen komente dhe shprehje pakënaqësie nga më të ndryshmet dhe tani së fundi nuk kanë munguar thirrjet për ndryshimin e këtij kodi elektoral. Përderisa për reformën  e shumëpritur elektorale po gjenden përditë alibi nga dy partitë e mëdha për të mos e ndryshuar kodin elektoral, partitë e vogla duken se do shtyhen vetvetiu në krijimin e këtij grupimi të tretë. Edhe pse mund të tingëllojë si tullumbace e fryrë nuk është çudi që në zhgënjimin e madh që ka pësuar elektorati shpesh herë nga politika të fillojë ti besojë një alternative tjetër të paprovuar më parë. Sigurisht nuk mund të flasim për një rezultat spektakular por për një rezultat të qëndrueshëm që do të fillonte të legalizonte idenë e alternativës së tretë shumë partiake në teatrin politik shqiptar.
Ekzistenca e kësaj alternative do ti bënte mirë shoqërisë shqiptare por dhe vetë jetës politike në vend. Një pol i tretë i ndërtuar mbi të tilla principe do të realizonte përfaqësimin politik të sa më shumë shtresave të popullsisë dhe do të kontribuonte në shuarjen e debateve sterilë e të panevojshëm që i kanë marrë frymën jetës politike në vend. E mesmja e artë është ideali që kërkohet të zbatohet gjithandej dhe për politikën shqiptare si shprehësen e të gjithë vlerave shoqërore ka ardhur koha që të gjejë veten e saj të shprehur në këtë kuptim.

Gazeta Shqip 22.05.2012 


No comments: