Friday 25 May 2012

Ku po shkon Maqedonia?




Ku po shkon Maqedonia?

Marrëveshja e Ohrit konsiderohet si një nga marrëveshjet bazë diplomatike që shpëtoi Maqedoninë nga makthi etnik i luftërave në Ish-Jugosllavi dhe themeloi Maqedoninë shumë etnike. E përshëndetur që në nënshkrimin e saj nga komuniteti ndërkombëtar, ajo u duk se do fitonte një qytetari afatgjatë në ndërgjegjen shtetformuese maqedonase dhe do të kontribuonte shumë në paqen dhe stabilitetin e rajonit të trazuar të Ballkanit. Gjithsesi këto konstatime që përbëjnë dhe thelbin dhe qëllimin për të cilën u nënshkrua marrëveshja nuk janë gjithmonë të vërteta ose janë përgjysmë të vërtetë çka bën që të realizohet paradoksi se dy gjysmë të vërteta nuk përbëjnë një të vërtetë. Parë me një vështrim analizues mund të vëresh se ndërsa konstatimi dytë, tashmë ka zënë vend në fjalorin politik evropian dhe ishte dhe një nga arsyet që Maqedonisë iu dhurua statusi i vendit kandidat në 2001 sipas teorisë së njohur të “shkopit dhe karotës” që aplikon Bashkimi Evropian për të nxitur reforma në vende që aspirojnë të bëhen anëtarë të tij, konstatimi i parë nuk duket të ketë zënë mirë rrënjë në mentalitetin e popullsisë. Për ta ilustruar më tej më vinë ndërmend fjalët e udhëheqësit historik të shqiptarëve të Maqedonisë, Arbën Xhaferrit, një prej nënshkruesve të marrëveshjes së Ohrit i cili kujton se kur dëshiroi ta provonte sesa efektiv ishte konsensusi i arritur ne rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, përshëndeti në gjuhën shqipe ngjarjen e rëndësishme për mbijetesën e dialogut midis dy palëve në konflikt, mirëpo pala maqedonase e braktisi sallën duke shkelur një nga pikat e marrëveshjes që si ishe tharë akoma boja e që fliste për barazinë e gjuhëve në shtetin shumë etnik të Maqedonisë. Ky fakt i thjeshtë besoj mbetet një nga pikat e dobëta të kësaj marrëveshje të arrirë me vullnet të imponuar nga lart por më konsensus shumë të dobët poshtë në shtresat e popullsisë, maqedonase dhe shqiptare. Ngjarjet e fundit në Maqedoni e ilustrojnë më së miri këtë fakt, dhe pak a shumë tregon ekzistencën e një bashkëjetese të vështirë.
Sigurisht ata që ndihen në pozicionin më të vështirë janë shqiptarët të cilëve u është dashur që të bëjnë dhe kompromiset më të mëdha dhe të nënshtrohen një klime paragjykuese për  ta sikur janë ata fajtori për gjithçka që nuk ecën mirë në Maqedoni. Kjo klimë e trashëguar që nga koha e ish-Jugosllavisë ku çdo e drejtë e tyre legjitime e bazuar dhe në Kartat Ndërkombëtare të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut është konsideruar nga pala maqedonase si kërkesa që i vënë "zjarrin" Maqedonisë po jonizohet së tepërmi ditët e fundit me ngjarjet dhe incidentet që kanë minuar së thelli besimin e ndërsjellët midis palëve. Arrestimet e 20 shtetasve maqedonas me kombësi shqiptare, mes tyre dhe një grua plakë, nën akuzën për terrorizëm dhe me fiaskon që pasoi pak këtyre arrestimeve, ku autoritetet nuk ishin në gjendje të faktonin asnjë akuzë tregoi dhe njëherë stereotipin që ekziston në mentalitetin e elitës sllavo-maqedonase për demonizimin e shqiptarëve për çdo krim dhe ngjarje të shëmtuar në Maqedoni. Mirëpo pavarësisht kësaj sjellje me reminishenca të theksuara nga periudha e Ish–Jugosllavisë  ajo që tërheq vëmendjen është fakti se duket sikur pala maqedonase me reagimin e saj të ngadaltë e aspak profesional që kur filluan incidentet e rrahjes së fëmijëve shqiptarë po tenton të krijojë një klimë shantazhi dhe aspak bashkëpunuese për mbarëvajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon pasi  ngjarjet që kanë shpërthyer nuk kanë shpërthyer papritur si një rrufe në qiell të pastër por janë korifeu i një sërë veprimeve të papërgjeshme të elitës maqedonase për të zhbërë marrëveshjen e Ohrit. Vonesat e pajustifikueshme në implementimin e të gjithë anekseve dhe neneve të Marrëveshjes së Ohrit si dhe nxitja dhe ringjallja e panevojshme e një nacionalizmi primitiv maqedonas që kërkon ndërtimin e një shteti-komb në Maqedoni, çka natyrisht bie ndesh jo vetëm me qëndrimin ndërkombëtar për Maqedoninë por dhe me vetë interesat e kombeve që e përbëjnë atë, kanë bërë të mundur që Maqedonia të mos gjejë paqen,harmoninë sociale dhe etnike por të humbasë shumë kohë në spirale konflikti të brendshëm të panevojshëm.
Kjo humbje kohe është vërejtur dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë, kryesisht me Greqinë ku mungesa e një konsensusi për emrin ka bërë të mundur që perspektiva e anëtarësimit të saj në NATO dhe B.E të sfumohet dhe të mos gjejë entuziazmin e duhur madje dhe vetë popullsisë. Në vend të kësaj perspektive integruese Euro-Atlantike, elita maqedonase ka zgjedhur ekzaltimin e ndjenjave nacionaliste të popullsisë nëpërmjet ndërtimit të monumenteve të figurave historike, identitetin e të cilave shpesh herë e ndajnë me fqinjët e vet. Ashtu si me të drejtë vërejnë dhe shumë analistë ndërkombëtarë të rajonit , kjo është një zgjedhje në një vend të  gabuar dhe kohë të gabuar. Maqedonia nuk është një vend mono etnik dhe me shumicë sllavo maqedonase , gjë që u vërejt dhe në censusin e anuluar nga qeveria për shkak se shifrat që e tregonin deri më tash predominante këtë popullsi ishin më të ulta se më parë. Po kështu momenti që zgjidhet për të nxitur nacionalizmin e sllavo maqedonasve është shumë i gabuar pasi të gjitha shtetet e Ballkanit po mundohen për tu integruar në Bashkimin Evropian ku nacionalizmat ë këtij lloji janë të papranueshëm dhe të dënueshëm.
Deri më tash shqiptarët i janë bindur dëshirës dhe vullnetit të komunitetit ndërkombëtar për të jetuar nën një çati të përbashkët sëbashku me popullsitë e tjera në Maqedoni duke mohuar në mënyrë vetëmohuese  çfarëdolloj opsioni për bashkim me Shqipërinë dhe Kosovën por kur ai që është zgjedhur për bashkë usta për ta mbajtur e riparuar sëbashku çatinë që vjen që nga koha e largët e ish Jugosllavisë, nuk e di se ku i pikon dhe aq më tepër kur është i interesuar për të mos e riparuar atë, atëherë dhe shqiptarët s’kanë pse i besojnë më këtij bashkë ustai por do të marrin situatën në duart e veta për të ndërtuar një çati tjetër të re të përbashkët me vëllezërit e tyre në Shqipëri e Kosovë. Për të mos arritur deri në këtë pikë që sipas ndërkombëtarëve krijon telashe të mëdha në rajon sigurisht e ka një zgjidhje. Ajo është zbatimi një për një i Marrëveshjes së Ohrit prej nga me siguri do të rrjedhë dhe paqja dhe harmonia etnike aq shumë e dëshiruar.

Gazeta Shqip 15.05.2012 


No comments: