Wednesday 14 November 2012

Horizontet e një miqësie





Fqinjët nuk mund t’i zgjedhësh, por miqtë mund t’i zgjedhësh. Kjo është një fjalë e urtë që nënkupton bashkëjetesën e detyruar që duhet të jetojnë popujt dhe kombet në rajon, por dhe për miqësitë e tyre që nuk është e thënë domosdoshmërisht t’i gjejë afër por edhe larg. Shqiptarët u është dashur në të shkuarën të jetojnë me fqinj problematikë, të cilët i kanë shkaktuar shumë probleme në ekzistencën e tyre si komb, duke filluar që nga copëzim territoresh, vrasje masive, gjenocid e deri në përvetësim të së shkuarës historike e materiale. Krijimi i një situate më të favorshme për rajonin pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të Bashkimit Europian me planet e tij afatgjatë të zgjerimit dhe ndihmës ekonomike për çdo shtet është e vërtetë që i ka ulur shumë tensionet e së shkuarës dhe nëpërmjet insistimit për bashkëpunimin rajonal i ka sjellë kombet dhe popujt më afër njeri-tjetrit, por sërish në horizont herë pas here duken retë e mbushura gjithë mëri të konflikteve të shkuara ballkanike. Në këtë kontekst, të gjithë shtetet ballkanike ashtu si ka qenë një traditë e hershme dhe e mirëformuar tashmë kërkojnë që nëpërmjet diplomacisë së tyre aktive të sigurojnë miqësi të forta tradicionale, që do të mund t’i mbështesin në mbijetesën dhe zhvillimin e tyre si komb në një territor si Ballkani, ku ndoshta parimi darvinist i mbijetesës të më të fortit është zhvilluar më tepër se në çdo rajon tjetër të Europës.
Në shekullin që shkoi, shqiptarët nuk patën fatin që të kishin si ndihmë mbështetjen e një fuqie të madhe, ose dhe kur në horizont u shfaq një perspektivë e tillë, e shpërdoruan në këmbim të plotësimit të orekseve të tyre të imponuara ideologjike duke iu nënshtruar miqësive që iu dukën se ishin të mëdha, por përfunduan shumë shpejt në konflikt të hapur. Kjo ishte dhe një nga arsyet që Shqipëria kur u krijua si shtet, u trajtua si një plaçkë tregu nga Fuqitë e Mëdha të kohës, mentalitet që për fat të keq mbizotëroi në të dy Konferencat e Paqes, 1920 dhe 1946. E vetmja ndihmë pa paragjykim dhe pa ndonjë interes të drejtpërdrejtë për të përfituar në kurriz të shqiptarëve qoftë nga ana territoriale apo dhe ajo ekonomike ishte ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1919, ku insistimi i Presidentit amerikan Willson për të respektuar parimin e vetëvendosjes së popujve u bë kamerdarja e shpëtimit për kombin shqiptar që po rrezikohej të mbytej në detin gjithë stuhi të pretendimeve territoriale të fqinjëve të vet të mbështetur nga Fuqitë e Mëdha të kohës. Mirëpo fillimin e kësaj miqësie kaq premtuese midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta ndërpriste në mënyrë absurde pala shqiptare, që në shtetin komunist që do instalohej në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore do të gjente djallin në shtetin amerikan dhe do të mundohej që të gjente miqësi të largëta dhe aspak tradicionale. E megjithatë, sërish SHBA qëndruan pranë Shqipërisë me mosinkurajimin e planeve për copëtimin e saj dhe me inkurajimin e diasporës shqiptare atje për të mbajtur gjallë frymën e shqiptarizmit. “Kemi qenë pranë jush në njëqind vjet që shkuan dhe do të jemi sërish pas njëqind vjetësh”, është fjalia më kryesore që deklaroi zonja Clinton nga Tirana, duke shprehur angazhimet diplomatike të shtetit të vet, që pas rënies së komunizmit dhe instalimit të demokracisë në Shqipëri ka qenë shteti që ka kontribuar më shumë në mbarëvajtjen e Shqipërisë politike, por dhe të fitimit të të drejtave politike të të gjithë shqiptarëve në rajon, ku mes gjithë të akteve mbështetje në arenën diplomatike botërore spikat Lufta e Kosovës dhe themelimi i Kosovës së pavarur.
Pas deklaratës së ish-presidentit Bush në Tiranë në qershor të vitit 2008 për pavarësinë e Kosovës dhe për insistimin dhe mbështetjen amerikane që Shqipëria të ishte vend anëtar i NATO-s me të drejta të plota, deklarata e z. Clinton është deklarata e dytë e fuqishme amerikane për mbarëvajtjen e Shqipërisë. Implikimet diplomatike të deklaratave të z. Bush tashmë i kemi parë, pasi Kosova ka fituar pavarësinë dhe po ecën me hapa të shpejtë drejt konsolidimit si shtet dhe Shqipëria është pranuar në NATO me të drejta të plota dhe po luan një rol të rëndësishëm për politikat rajonale, tashmë na duhet të presim për implikimet diplomatike pozitive të deklaratave të zonjës Clinton, të cilat besoj se nuk do të vonojnë të shfaqen. Por për të vajtur deri aty, zonja Clinton me të drejtë ka lënë disa detyra shtëpie që klasa jonë politike duhet t’i bëjë për të mos mbetur në klasë. Në horizont janë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 dhe ne nuk duhet të zhgënjejmë më miqtë e partnerët tanë strategjikë. Sigurisht në këtë rrugëtim të porsafilluar që mund ta quajmë dhe një fillim të ri, duhet të jemi sa më seriozë dhe sa më pak me korrupsion. Koha po punon për shqiptarët, po ne a do të fillojmë të punojmë më shumë për veten?
 Gazeta Shqip 14.11.2012


No comments: