Friday 2 November 2012

E para ishte fjala...





Në vitin  1555, 5 janar - Gjon Buzuku përfundoi veprën e tij që njihet si "Meshari". E kishte filluar më 20 mars 1554 (viti 2014 shënon 460-vjetorin). Ja si shkruan Buzuku te Pasthënia: Ndë vjetët M.D.L.IV. (1554) njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët një M.D.L.V.(1555) ndë kallënduor V dit. Gjon Buzuku ishte famulltar i thjeshtë, që, me sa duket, punoi në Shqipërinë e Veriut, jo larg vendit ku e botoi veprën e tij ndoshta në trevën e Ulqinit e të Tivarit. Libri i plotë ka pasur 110 fletë (220 faqe), por, ashtu siç na ka arritur sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera përmes. Kështu që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dimë as titullin e tij të vërtetë dhe as vendin e botimit etj.
Gjuha e veprës është ajo e dialektit të Shqipërisë Veriore e Perëndimore. Përmbajtja e veprës dëshmon për përdorimin e shqipes në shërbesat fetare. Ishte koha kur në Evropë kishte shpërthyer lëvizja për t'u shkëputur nga kisha katolike e Romës, lëvizja që njihet me emrin protestantizëm. Një nga kërkesat kryesore të kësaj lëvizje ishte që shërbesat kishtare të bëhen në gjuhën amtare. Edhe Buzuku, me sa duket, ecën në këtë rrugë, edhe pse kjo është në kundërshtim me urdhrat e Vatikanit.
Që nga botimi deri më 1740, gati dy shekuj Meshari ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740, atë e zbuloi në Biblotekën e Propaganda Fides në Romë Gjon Nikollë Kazazi prej Gjakove, aso kohe arqipeshkëv i Shkupit. Pas kësaj çështja mbeti përsëri në heshtje edhe për më tepër se një shekull, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi në Biblotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot.
Me 1929 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet në Biblotekën Kombëtare në Tiranë. Më 1955, me rastin e 400-vjetorit të "Mesharit", Instituti i shkencave në Tiranë organizoi një sesion shkencor të posaçëm. I ngarkuar nga Instituti, gjuhëtari i njohur Eqrem Çabej përgatit botimin kritik të "Mesharit" në dy vëllime (vëll. i parë Hyrje studimore dhe transliterim; vëll. i dytë fotokopja e origjinalit dhe transkriptim).
Vepra qe bërë gati për shtyp më 1958, por për vështirësi teknike arriti të botohet më 1968 nga Akademia e shkencave e Rumanisë. Në studiumin hyrës te vëll. i pasrë E. Çabej flet gjerë për gjuhën dhe meritat e autorit. "Meshari" i Buzukut ka rëndësi shumë të madhe për historinë gjuhës së shkruar shqipe. për pesë shekuj.
Duke krahasuar gjuhën e Buzukut me shqipen e sotme, shkencëtarët vërejnë zhvillime të ndryshme që ka pësuar gjuha shqipe që nga shekulli XVI e deri më sot dhe prirjet për ndryshime të mundshme në të ardhmen. 
"U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s'anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë, për-se ata të mundë mernë s~ i naltë e i mujtunë e i për-mishëriershim anshtë Zot'ynë atyne qi t'a duonë ëm gjithë zemërë. U lus ënbas sodi m~ shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t'inë Zot; e ate në ënbarofshi, Zot'ynë të ketë mishërier ënb§ jã, e ata qi u monduonë dierje tash, m~ mos u mondonjënë. E ju t'ini të zgjiedhunitë e t'inë Zot, e për-herrë Zot'ynë k~ me klenë me jã, ju tue ëndiekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrenbënënë. E këta ju tue b~m, Zot'ynë ka(a) me shtuom ëndër jã, se të korëtë t'aj të ënglatetë dierje ën së vielash e të vielëtë dierje ën së ënbiellash. E u m~ duo të ënbaronj vepërënë t'eme, t'inë Zot tue pëlqyem. Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor V.dit. E se për fat në keshe kun ënbë ëndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, ai qi të jetë m~ i ditëshim se u, ata faj e lus t'a trajtonjë ënde e mirë; për-se nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë m~ e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom ënbë gluhët t'anë. Për-se ata qi shtanponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, për-se për-herrë ëndaj 'ta nukë mundë jeshe, u tueënbajtunë një klishë, ënbë të dí anët më duhee me sherbyem. E tash u jam ënfalë gjithëve, e lutëni t'enë Zonë ende për muo."






No comments: