Thursday 16 June 2011

Një 10 qershor i harruar...









Fjala kuvend në shqip vjen nga fjala latine conventio, e cila do të thotë takim njerëzish. E hyrë shpejt si huazim në shqip, ndoshta që nga kontaktet e para me botën latine, fjala kuvend ka marrë atributet e një fjale të leksikut bazë të shqipes. Mirëpo fjala conventio, e shndërruar në kuvend në shqip, ashtu si ndodh shpesh në leksikologji, e ka lënë kuptimin e saj fillestar dhe ka marrë një ngarkesë tjetër semantike. Sot, të gjithë ne e dimë se fjala kuvend nënkupton një takim të rëndësishëm politik apo kulturor, të ndërmarrë me një qëllim të rëndësishëm. Për më tepër kjo fjalë në shqip është gjendur si fjala e përshtatshme që të zëvendësojë fjalën anglo-saksone parlament në fjalorin politik shqiptar. Në këtë vendim, të ndërmarrë nga gjuhëtarët tanë, i cili për hir të së vërtetës dhe është paragjykuar duke i bërë një lidhje se është marrë për t’iu përshtatur emërtimit të ish-Kuvendit Federativ të Jugosllavisë, në fakt ka mbizotëruar principi i kujtesës historike të thirrjes së kuvendeve shqiptare në Mesjetë.


Kështu, p.sh. më i famshmi mes tyre është Kuvendi i Lezhës (1444) që solli dhe krijimin e Lidhjes Shqiptare të Lezhës, formacionit politik që përfaqësonte fisnikërinë shqiptare në konflikt të hapur në atë kohë me otomanët. Por tradita e kuvendeve shqiptare nuk përfundoi aty. Numërohen edhe rreth tri kuvende të tilla që u ndërmorën në shekullin XVI-XVII si takime të rëndësishme të fisnikërisë shqiptare, që sërish kërkonte të arrinte bashkim politik për t’i mbijetuar furisë osmane. Gjithsesi, edhe pse fati i tyre nuk ishte i njëjtë si ai i Lezhës, pasi nuk arritën që të realizonin një nga qëllimet kryesore për të cilin ishin mbledhur, çlirimin e tokave shqiptare nga otomanët, mbledhja e tyre shërbeu mesa duket për të përforcuar kuptimin semantik të fjalës kuvend në gjuhën shqipe. Kjo gjë dëshmohet se dhe në periudhat e mëvonshme sa herë që pati takime të rëndësishme politike të shqiptarëve, ato u quajtën kuvende.




Mes tyre spikat Kuvendi i shqiptarëve në Prizren, më 10 qershor 1878, kuvend që bëri të mundur edhe lindjen e një formacioni të ri politik, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Në politologjinë shqiptare dhe në atë të huaj që flitet për Shqipërinë, është shkruar shumë për rëndësinë e këtij kuvendi, si dhe për vendimet që u ndërmorën aty, vendime që pranohen gjerësisht se janë shprehja e parë e kombësisë për shqiptarët në kuptimin modern të kësaj fjale. Mirëpo, edhe pse ky fakt është gjerësisht i njohur, data 10 qershor nuk ka hyrë në asnjë kalendar zyrtar si ditë përkujtimore dhe për më tepër vetëm nëpër përvjetorë ka marrë një vëmendje institucionale. Natyrisht, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është shumë e rëndësishme se një përkujtim formal i ndërmarrë nga dy shtete shqiptare në rajon dhe mesazhet e saj janë bërë pjesë e artikulimeve politike të kombit shqiptar gjatë gjithë historisë së mëvonshme të tij. Pikërisht në këtë forcë përcjellëse mesazhesh dhe në trashëgiminë politike që ka krijuar, qëndron rëndësia e veçantë e Lidhjes dhe e datës 10 qershor si datë simbolike e themelimit të saj.


Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson unitetin e kombit shqiptar, pasi ishte një krijesë e Komitetit Shqiptar të Stambollit që përbëhej nga intelektualët shqiptarë më të shquar të të gjithë krahinave të Shqipërisë e krijuar në kryeqendrën e Kosovës, që përfaqësonte elementin e forcës më të suksesshëm shqiptar në Perandorinë Otomane. Për më tepër vendimet e saj prekën si Veriun dhe Jugun, Lindjen dhe Perëndimin e Shqipërisë, duke i dhënë kohezionin e duhur shoqëror dhe kombëtar shqiptarëve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit vjen si një histori qëndrese, pasi kishte kundër vetes vullnetin e pothuajse gjithë Fuqive të Mëdha të kohës dhe kundërshtoi çdo vendim të gabuar të tyre rreth tërësisë territoriale të shqiptarëve. Edhe pse aksioni i saj nuk rezultoi tërësisht i suksesshëm, pasi një qytet i banuar tërësisht me shqiptarë si Ulqini iu bashkëngjit pa të drejtë Malit të Zi, mesazhi i qëndresës ndaj vendimeve të padrejta të ndërkombëtarëve rreth çështjes shqiptare është aktual edhe sot. Me këmbënguljen e tyre stoike për të mos e bërë atdheun e vet plaçkë tregu, shqiptarët e asaj kohe u treguan ndërkombëtarëve se parimi i vetëvendosjes si parim universal i kombësive duhej përfshirë në gjeopolitikën e tyre në rajon dhe se asnjë popullsi që fati i keq mund ta kish detyruar të tretej në tisin e historisë nuk duhej nënvlerësuar.


Sot shqiptarët, edhe pse mund të quhet se janë përkëdhelur disi nga fati, pasi gëzojnë lirinë më të madhe politike se asnjëherë më parë, kanë mes tyre problemin e demokracive që nuk i kanë funksionale. Kjo gjë ndihet më së tepërmi në Shqipëri, ku pas zgjedhjeve të fundit në Maqedoni besoj se shqiptarët e Shqipërisë mbetën “delet e zeza” mes popullsive shqiptare në rajon për sa i përket këtij problemi. Pas vitit 1990, vit që e konsiderojmë si vitin e themelimit të demokracisë liberale, në Shqipëri pati vetëm lëvizje sociale dhe turbullira ekonomike, por nuk u organizua asnjë kuvend i ngjashëm si në të kaluarën nga elita politike shqiptare për të ardhmen. Në mënyrë të pakuptimtë u mohua një pjesë e mirë e kujtesës historike dhe vendi nuk mundi të dalë tërësisht i pajtuar dhe me energji të reja në skenën e re politike të Ballkanit. Mesa duket parimi dialektik i dy të kundërtave që kish qenë për një kohë të gjatë parim ushqyes i filozofisë së elitës shqiptare, nuk linte vend për një kuvend gjithëkombëtar, por kërkonte që të mbante me patjetër dualitetin e frikshëm të kundërvënieve politike dhe sociale. Pasojat e kësaj politike i shikojmë sot, ku shqiptarët të ndodhur në hyrjen e Bashkimit Europian nuk ndërmarrin dot një plan veprimi për të përmbushur 12 pika që iu kërkuan t’i plotësonin për të marrë një anëtarësim të shpejtë. Në këtë kuadër, 10 qershori dhe mesazhet e tij si hapi i parë i theksimit të të qenët europian i shqiptarëve merr një rëndësi të veçantë. Ndaj në respekt të atyre burrave që besuan se kjo popullsi e territore që ndanin një kulturë e gjuhë të përbashkët mund të krijonin një komb më vete, duhet që elita politike e sotme të ndërmarrë hapin e madh për organizimin e një kuvendi të tillë të shqiptarëve. Në fakt, më tepër se respekt ndaj tyre, këtë gjë ia detyrojmë vetes nëse vërtet dëshirojmë të mbetemi në thelb europianë dhe të jemi pjesë integrale e Europës.


1 comment:

Ad. said...

mendoj se fjala kuvend duhet rishikuar ,duke mare per baze fjalet e shqipes, 'ku,kah dhe vend'te cilat do te na jepnin nje pamje me te qarte te te mbledhurit ne nje vend te caktuar qe me pare dhe sherbente si piketakimi .