Sunday 26 June 2011

Dialog apo monolog politik?



       Dialogu politik është një nga tiparet kryesore të një demokracie funksionale. Si i tillë ai duhet të funksionojë dhe të gjenerojë mendime të reja nëpërmjet shkëmbimit të ideve dhe përforcimit të koncepteve bazë të komunikimit në një shoqëri moderne. Koncepte të tilla mund të jenë etika, kultura profesionale rreth temës që debatohet dhe përcaktimi i qartë i qëllimit të dialogut. Sigurisht parë në një këndvështrim të tillë teorik është e vështirë që të evidentosh nëse debati politik në Shqipëri i përmbush këto parime. Ky konstatim nuk vjen sepse shoqëria shqiptare, duke qenë se vjen nga një kulturë e ulët e dialogut politik për arsyen se në diktaturë nuk kishte një dialog të mirëfilltë politik, por një inskenim ideologjik të tij që i përngjante më shumë një monologu në formën e pyetjeve retorike që s’kërkonin përgjigje, por dhe për arsyen e thjeshtë se dialogu politik ka pushuar së ekzistuari në vend. Ky realitet nuk mund t’i faturohet vetëm situatës së nderë midis dy palëve që po mbizotëron tashmë në jetën politike të vendit, por është një realitet i ndjeshëm për pothuajse dy vjet në Shqipëri. Është e tepërt që të nënvizojmë sërish pasojat negative që i vinë vendit nga mungesa e dialogut politik, pasi besoj ato janë të ditura dhe të prekshme për çdo qytetar shqiptar, por besoj se është e nevojshme që të analizohet se ku mund të gjenerojë ai për të ndërtuar sërish besimin mes palëve dhe për të përsosur demokracinë nga ajo populiste në dialogun e elitave.
       Sigurisht që skeptikët mund të kundërshtojnë se në fakt, në Shqipëri, prej kohësh nuk ka një demokraci populiste por ajo shfaqet dendur në debatin e elitave në televizor-mediumi, që ka zëvendësuar “agoranë” e vjetër-vendit ku zhvilloheshin dialogët e famshëm në demokracisë antike greke. Nuk e vë në dyshim se njerëzimi me shpikjen e televizionit, që Borhesi e quan një “zgjatim të pamjes njerëzore”, ka përfituar mjaft për të përsosur ilustrimin e dijeve të veta të akumuluara gjatë shekujve, por me zhvillimin që ka marrë media televizive në kohët e sotme, ajo nuk ka mbetur vetëm në rolin ilustrues, por ka shumë kohë që ka marrë dhe rolin instruktues në shoqëri. Nuk di sesi do të arrinte ta përkufizonte Borhesi tashmë këtë zhvillim, por duke u përpjekur që të hyjmë në logjikën e tij, kur përkufizoi televizionin, mund të themi se tashmë qytetërimi e ka ndërtuar zgjatimin e lartët të “agorasë” apo “forumit” e vet për të debatuar publikisht çështjet e tij kryesore. Natyrisht që në këtë përcaktim nuk mund të mos dallojmë me pozitivitet që njerëzimi ka arritur të ringjallë një nga format e vjetra të komunikimit të tij publik, por nga ana tjetër vërejmë se këto forume nuk janë aq demokratike sa në të mund të marrin pjesë të gjithë qytetarët që e ndiejnë veten të aftë për të komunikuar diçka të rëndësishme komunitetit. Si të tilla të kthyera prej kohësh tashmë në qarqe të mbyllura, ku nuk lëviz as gjenerohet mendim i ri, por përvijohet më tepër rreshtim politik dhe konkurrim tipik ballkanik për të poshtëruar apo ulur kundërshtarin, mediumi i televizionit nuk mund të quhet më vendi i debatit politik.
      Televizionet dhe studiot e tyre nuk janë vendet e përshtatshme për të rigjeneruar dialogun politik dhe sidomos njerëzit e atashuar jashtë partive politike në formën e të ashtuquajturve analistë të pavarur, si njerëz që hyjnë në ekipet drejtuese vendimmarrëse nuk mund të përfaqësojnë mendimin e shëndoshë të së majtës apo së djathtës në Shqipëri. Ky konstatim është i drejtë, jo sepse në vendet me demokraci të konsoliduara nuk ekzistojnë debate dhe analistë të tillë, por në Shqipëri ashtu si e ka treguar koha, shoqëria shqiptare vazhdon t’i nënshtrohet ligjit të tregut dhe ofertës dhe në botën e ideve. Në këtë mes nuk bëjnë përjashtim dhe shumë figura publike, të cilat i kemi parë të rreshtuar në pozicione të ndryshme gjatë këtyre viteve dhe për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur, sepse ky rreshtim ka përfaqësuar dhe bindjen e tyre politike, por sepse ashtu si është evidentuar lehtë më pas, i kanë shërbyer ofertave për justifikuar me oratorinë e tyre veprimet e mbrapshta të njërës apo tjetrës palë.
        Si oratori të tilla pa tharmë të vërtetë të kundërshtimit qytetar, fjala e tyre televizive ka ndërtuar strukturat e monologut politik që qytetarëve ashtu si dhe spektatorëve në teatër mund t’u duhet për të evidentuar sesa botë e pasur ideore dhe shpirtërore kanë personazhet kryesorë, por ajo që me të vërtetë mat në teatër por dhe jetën publike të një vendi është aksioni politik i nisur nga qytetarët, për qytetarët dhe t’u shërbejë qytetarëve-një formë e hershme kjo e demokracisë funksionale. Partitë politike shqiptare duhet t’i rikthehen formave të demokracisë së brendshme për të rigjeneruar në fillim dialogun e brendshëm midis fraksioneve dhe pastaj të iniciojnë dhe një gjenerim të gjithë dialogut politik në vend. Kjo do t’i japë një frymëmarrje më të gjerë demokracisë pasi dhe politika si të gjitha fushat e tjera ku kërkohet njohja empirike e problemeve, i nënshtrohet maksimës se “nëse do të hash peshk, duhet t’i lagësh këmbët”. Në këtë rast, angazhimi politik i personave publikë është ai që mund të risjellë vlerat e dialogut ndërpartiak në Shqipëri dhe të harmonisë sociale aq shumë të mirëpritur.


No comments: