Sunday 2 August 2020

Shtegtimi i tingujve muzikorë në veprën letrare të Kadaresë.



(Shënime mbi librin “Kadare dhe muzika” të Akademik Prof.Dr. Vasil S.Tole)

Cili mund të jetë përkufizmi për të vlerësuar një vepër letrare si vepër universale? Kjo është një pyetje që stërmundon prej kohësh estetikën dhe kritikën letrare duke e parë në disa prizme vëzhgimi. Një prizmet më pak të përmendur por të përmendur shpesh nga shkrimtarët është lidhja midis letërsisë dhe muzikës. Për të ecur nëpër kohë me mendimin e gjenive, një shkrimtar i madh Gustav Flobér do të thoshte se “në letërsi ka muzikë”, ndërsa Markez kishte pohuar njëherë se një studiues i veprës së tij, ndoshta krejt rastësisht, kishte arritur të shquante në strukturën e romanit “Njëqind vjet vetmi” të njëjtën strukturë me poemën simfonike  “Kossuth” të Bela Bartòk-ut, të cilën, siç thotë ai “e dëgjonte pa pushim gjatë kohës kur po shkruante romanin”[1].

 Studimi i Profesor Dr Vasil S.Tole “Kadare dhe muzika” është pikërisht një studim i munguar deri më tani në kulturën shqipe. Ai zbulon para publikut për herë të parë një lidhje harmonike mes prozës e poezisë së Kadaresë me muzikën popullore dhe të kultivuar shqiptare. Për më tepër studimi nxjerr në pah sesi vepra e Kadaresë ka shërbyer për të kthyer librete baletesh që kanë shenjuar muzikën tonë të kultivuar, si një nga priviligje e veçanta artistike që e gëzojnë shumë pak shkrimtarë modernë në kohën e sotme. Libri është ndarë strukturialisht në disa kapituj që analizojnë dhe procesin letrar të formimit të Ismail Kadare si shkrimtar që nga rinia e tij e hershme e deri në maturinë e vet si shkrimtar që mbart në vetvete universalizmin si vlerë e patjetërsueshme e veprës së tij. E veçanta e këtij libri është se ky proces letrar analizohet përmes ndikimit të muzikës në veprën e Ismail Kadaresë, duke na dhënë një mozaik kulturor muzikor që fillon që nga tradita e muzikës popullore, iso polifonia e jugut të Shqipërisë, vajtimet , rapsodëve, çështjes homerike të krijimit të eposeve, etnomuzika e shqiptarëve e kryekënga e kombit-himbi kombëtar. Ky konstatim kuptohet që në fillim të librit ku autori shënon se më poshtë do të gjeni thjesht shënimet e një kompozitori për shkrimtarin më të madh të letrave shqipe, me një fokus të vetëm:muzika në procesin krijues dhe në krijimtarinë letrare të Kadaresë, përmes një leximi muzikologjik dhe etnomuzikologjik të tij.[2] Mirëpo pavarësisht këtij pretendi i duhet pranuar se Prof Vasil Tole ka dhe shqisën e kritikut letrar. Syrit të tij të vëmendshëm kritik nuk i ka shpëtuar kontributi i botës kulturore të Gjirokastrës kur nënvizon rolin e plakave gjirokastrite kur pyet në mënyrë retorike dhe analizon nëse zëri i plakave gjirokastrite është njëri prej shenjave të tjera parakrijuse të shkrimtarit , zëra që ai i vlerëson si zërat më të paharrueshëm , më të gjerë dhe më të përjetshëm nga gjithë zërat e botës.[3]Kësaj bote kulturore të veçantë ku shquan bashkësia e tingujve të veçntë që nga zhurmat e sterës së ujit, dëgjimit të një fyelli të largët të botës së fshatit që fillon që në lagjet e epërme të qytetit, zërit të polifonisë labe , zhurmës së erës i mbivendosen pasqyrimet e mendimit të shkrimtarit për muzikën në momentin kur projekte të stërmundishme totalitariste si është rasti i revolucionit kulturor kinez që dëshiron të sendërtojë një botë pa tinguj e muzikë. Kadare thotë autori sjell një ndërgjegje personale, aq dhe universale të përdorimit të idiomës së muzikës. Kjo lloj idiome muzikore e kombit shqiptar mund ti rezistojë çfarëdolloj totalitarizmi në art qoftë si dhe vizionit të atribuar Mao Ce Dunit në librin “Koncert në fund të dimrit” nga Kadare, ku udhëheqësi komunist kinez    shprehet se muzikën një natë si kjo t’ia heqim kështu në gjumë, dhe globi të mbetet shurdh, shurdh.[4]

Një nga meritat e veçanta të shkrimtarit Kadare është që ankthet dhe dilemat e mbijetesës së shqiptare në fakt i ka kthyer në çështje kulturore universale midis perandorive të të mëdha dhe popujve të vegjël. Në këtë kontekst vepra e shkrimtarit Kadare analizohet si vepër e identitetit të qendresës jo vetëm përmes fjalës së shkruar por dhe muzikës dhe simboleve kulturore të lidhura ngushtë me muzikën. Në fakt vëren autori , muzika duket se është lëndë përbërëse e asaj që përcakton njëra nga këmbët ku mbështetet krijimtaria e Kadaresë:Shqipëria e moçme, gojore dhe legjendare.[5] Vallja shqiptare konsiderohet  si element i rëndësishëm identitar në krijimatrinë e Kadaresë. Në libër përpos citimeve nga vepra e Kadareë analizohen dhe vallet shqiptare për të kuptuar më mirë rrafshin etnokulturor të origjinës së lashtë të shqiptarëve  në romanin “Lëkura e Daulles”. Vallet e kënduara shpjegon profesor Tole , sidomos ato në formë rrethi dhe gjysmë rrethi konsiderohen nga shkenca e etnokoreologjisë si ndër më të vjetrat krijime të njerëzimit të lidhura ngushtë me diellin, zjarrin dhe kultin e vatrës. [6]Nuk mungojnë në studim edhe citimet dhe analizat profesioniste mbi teksturën si terminologji muzikore të ndarë në titull,kompozitorë, personazhe muzikore në veprën letrare, lëndë muzikore, intepretë popullorë, intepretët në pergjithësi, vegla muzikore popullore, instrumente dhe intepretë në përgjithësi, format dhe gjinitë muzikore popullore, forma dhe gjini të tjera, institucione, neologjizma,përdorim fjalësh me origjinë paramuzikore, onomatope, atelie muzikore të përgjithshme.Ky studim është përpjekja e parë serioze në kulturën shqiptare për ta parë një vepër letrare si një opus muzikor duke hapur në këtë mënyrë udhën dhe për veprat e shkrimtarëve të tjerë shqiptarë.

Në libër gjendet edhe një historik i shkurtër i përfshirjes së Kadaresë përmes librit të tij “Autobiografia në vargje” mbi origjinën e eposit shqiptar dhe lidhjet e tij me eposin homerik. Kjo temë del edhe në krijimtarinë e tij si në romanin “Dosja H” apo dhe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” ku përmenden se Qyprillinjtë janë e vetmja familje në Ballkan që i këndohet një epos. Kadare sipas autorit nuk është muzikolog por me intuitën e shkrimtarit dhe studiusit ai zhbiron mënyrën sesi krijohen e  këndohen këngët legjendare. Për më tepër mbështetja e Kadaresë mbi motivet muzikore në veprën e tij shpjegohet dhe me interesimin krijues të Tij, për hir të së vërtetës të vazhdueshëm dhe këmbëngulës dhe me shrytëzimin e baladave dhe motiveve baladore, si pjesë më e lashtë e eposit legjendar, veçanrisht përdorimi i motivit të baladës së murosjes dhe për vëllanë e vdekur në veprat e Ura me tri harqe(1979) dhe Kush e solli Doruntinën (1980).[7]

Libri “Kadare dhe muzika” si libri i parë studimor në këtë zhanër të kritikës hap monopate të tjera të aspekteve pak të njohur të shkrimtarëve shqiptarë. Shtatëdhjet më parë Imzot Noli do të shkruante studimin “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, një studim i arrirë por pak i kuptueshëm për kulturën shqiptare të kohës. Sot kemi kënaqësinë që falë veprës së Kadaresë dhe shkrimtarëve të tjerë shqiptarë në letërsinë e lëvruar shqipe të arrijmë të kuptojmë përmes analizës studimore lidhjen e pashmangshme midis një teksti letrar dhe muzikës. Prof Vasil S.Tole ka meritën që sjell në dritë të zhvillimeve muzikore veprën e  Kadaresë duke i dhënë një vlerë të shtuar korpusit studimor të kësaj vepre por edhe duke na bërë të përsiatim mbi rolin e muzikës në letërsinë shqipe. 

Bibliografia:

1-          Nikollë Loka. Poetja artiste, me fjalën në kërkim të kohës së saj. http://www.zemrashqiptare.net/

2-          Vasil S. Tole. Kadare dhe muzika. Shtëpia botuese Mediaprint, Tiranë:2019.

 



[1] Nikollë Loka. Poetja artiste, me fjalën në kërkim të kohës së saj. http://www.zemrashqiptare.net/.

[2] Vasil S. Tole. Kadare dhe muzika. Shtëpia botuese Mediaprint, Tiranë:2019,  fq 19

[3] Vasil S. Tole. Kadare dhe muzika. Shtëpia botuese Mediaprint, Tiranë:2019, fq 29

[4]Vasil S. Tole. Kadare dhe muzika. Shtëpia botuese Mediaprint, Tiranë:2019 , fq 37.

[5] Vasil S. Tole. Kadare dhe muzika. Shtëpia botuese Mediaprint, Tiranë:2019, fq 49

[6] Vasil S. Tole. Kadare dhe muzika. Shtëpia botuese Mediaprint, Tiranë:2019, fq 55

[7] Vasil S. Tole. Kadare dhe muzika. Shtëpia botuese Mediaprint, Tiranë:2019, fq 96.




No comments: